Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Komploti i heshtjes ndaj disidencës shqiptare

Botuar në revistën “Shqip”, janar 2008

-Na ke dashur ti neve, i pandehur?!-pyeti jo pa ironi kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, pasi e kish marrë veten.
-Po ju më keni dashur mua ?!...-nuk e di se nga më doli ajo përgjigje.
-Si!!! Ne të të duam ty!!?...Po ne jemi Perëndi, mor qen!...
Desha t’i them që Perëndia i do njerëzit pa dallim, por... vetëm shtova: -Unë nuk jam marrë fare me ju, zotërí!
-Pse?!
-Sepse kisha vendosur të mbijetoja! Kurse arsye për t’ju urryer kam pasur!- vijova si i çakërdisur.
-Pa na i thuaj?!-kuisi kryetari.
-Na latë jetimë me prindërit gjallë. Babanë na e vdiqët në Burrel, nënën në psikiatri! Dhe kur, të uritur, ju kërkova punë, më propozuat të bëhesha spiun! Jetim-spiun! Turp! (Dhe dola nga vetja, kur m’u kujtua nëna, që na e sollën në shtëpi të lidhur, pasi e kishin çmendur) Na morët shtëpinë. Na grabitët pronën. Na latë të jetonim në bodrumin e vilës sonë, pa bukë, pa ngrohje!..Pa... Po dhe këto s’ju mjaftuan!Na deshët... spiunë! Turp të kini!...Shqiptarë jeni ju!?-Dhe, padashur, më dolën lotë pikëllimi.
-Mjaft!-ulëriti bisha. Dhe iu drejtua shokëve: -“Për këtë më thoni ju ta dënojmë vetëm dhjetë vjet burg?!... Për ideal! Lutu, more këlysh armiku, që ke në krye shokun (deshi të thoshte “Enver”), se ne, ta hapim kafkën me bisturinë e operacionit dhe t’i hamë trutë me lugën e kafesë!
-Pa bërë asgjë?!-bëlbëzova.
-Pse, kur të bësh, të të arrestojmë ne ty!!? Përse jemi Sigurimi i Shtetit? Që të presim sa të na bësh “zotrote” ndonjë “proçkë”?!...
-Pa bërë asgjë?!-më mbeti në gojë.
-Ta pret mendja! Pse, djemtë tanë, që këndojnë kanconeta italiane, do të marrim ne!?
-Dmth.... unë... si ...bedel?!
-Jo! Si mish i therrur në frigorifer, që do të të hamë, kur të duam ne!-Dhe m’u afrua te hunda. Nuk mbaj mend se ç’bënë pastaj më tej me mua!...

ooo

Fragmenti i mësipërmë është veçuar nga një libër rrënqethës i Luan Myftiut, njërit prej të persekutuarve të shumtë të regjimit komunist. E vendosëm në fillim të këtij shkrimi, sepse brenda tij gjendet në formën më tronditëse, por edhe më të lakuriqtë, i gjithë mekanizmi që funksiononte për shtypjen e shkatërrimin e atyre që nuk ishin dakort me të.
Thuhet shpesh që Shqipëria ka përjetuar formën më të egër të bolshevizmit. Në një farë mënyre në rast se pranohet që revolucioni komunist u eksperimentua në Francë apo në Gjermani, u realizua më pas në Rusi, u përhap në Kinë e nga Evropa Lindore deri në Kubë, përjashto variantin polpotist të Kamboxhias (një krim biblik me asgjësim fizik të gjysmës së popullsisë), kur erdhi në Shqipëri ai mori formën e variantit më brutal në Evropë. Vetë diktatori kishte studjuar e jetuar në Francë e Belgjikë, vishej me shije e lexonte shumë letërsi, por kjo nuk e ndihmoi regjimin të ishte përshembël në formën sovjetike, jo hrushoviane, por minimalisht atë brezhnjeviane. Ky lejonte tek të rinjtë flokët e gjata dhe minifundet (të paktën). Ishte Moska që kishte mbjellë gjithkund farën e egër të bolshevizmit, por në Shqipëri asaj ja kaluan disa herë.
Kjo që ndodhi, nuk shpjegohet aq lehtë me tezën se realkomunizmi shqiptar u bë varianti më i dhunshëm dhe më i palogjiktë sepse jemi një popull akoma jo në një shkallë të lartë qytetërimi. Po ashtu në formën gati vetëvrasëse, që mori sistemi ynë i quajtur “socialist”, nuk mund të përjashtohet edhe faktori i ndërhyrjes së hapët dhe të fshehtë të Beogradit, i cili kishte për platformë aktive shkatërrimin nga brenda dhe dobësimin total të etnisë së shqiptarëve.
Ajo që duam të theksojmë nuk ka të bëjë me këtë paradoks: pra Moska e shpiku realkomunizmin dhe variantin stalinist e Tirana u bë e para e vënies në jetë më zellshëm nga të gjithë. Ka një paradoks tjetër, akoma më të madh. Ky ka të bëjë me disidencën. Në rast se në ish-Bashkimin Sovjetik, “babanë” famëkeq të realkomunizmit, njihen botërisht me dhjetra disidentë, nuk gjendet asnjë në Shqipëri?! Libri “Doktor Zhivago” i Boris Pastërnakut mbahet një nga veprat disidente më të shquara kundërkomuniste. Me të autori u bë i famshëm në të gjithë Perëndimin, romani i tij është ekranizuar në disa variante e shumë gjuhë. Mirëpo te “Doktor Zhivago” nuk ka aspak më shumë kundërshtim të stalinizmit, sa përshembëll, gjendet në Promemorjen e Kasëm Trebeshinës drejtuar diktatorit shqiptar më 5 tetor 1953. Kur u formulua kjo, në mpikun e vitit stalinist në të gjithë eurolindjen e ca më tepër në vendin tonë, Boris Pasternaku mbase ende nuk e kishte projektuar në mendje veprën e tij të dëgjuar. Romani i tij tronditës u botua jashtë Bashkimit Sovjetik në vitin 1957. Ishte në Shqipërinë e vogël, në Tiranën me jo më shumë se pesëdhjetë mijë banorë, një ish-partizan si Kasëm Trebeshina, Promemorja e të cilit kundër metodës zyrtare të realizmit socialist përbën gjestin më të bujshëm kundërbolshevik të kryer këtë kohë në të gjithë eurolindjen komuniste.
Në Poloni apo Hungari ata që dolën kundër realizmit socialist vinin nga rradhët e inteligjencies të para Luftës së Dytë Botërore apo nga kundërshtarët ideologjikë të komunizmit. Në Shqipërinë rebeli e kryengritësi më i madh erdhi prej vetë atyre që luftuan me vetmohim për të çliruar vendin e ndërtuar një shoqëri më të mirë. Në atë Promemorje, një denoncim total i socialrealizmit, gjendet edhe fraza “Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak”.
Profetike! E gjitha u provua.
Kurajua e Kasëm Trebeshinës nuk është thjesht guxim. Të tillë dhunti jo rrallë kanë edhe kokëkrisurit, vetpëlqyesit, njerëzit e etur për protagonizëm, zëmërakët, utopistët, të pakënaqurit personalë. Shqiptari Trebeshina në aktin e tij shtysë të parë pati vetëdijën e lartë të gjestit që bënte, si edhe nivelin e ngritur të analizës. Në rast se Maksim Gorki në fazën e komunizmit të tij romantik shkruajti pjesën “Zgalemi”, duke parandjerë, parathënë e dëshiruar kohën e revolucionit popullor, Promemorja e Kasëm Trebeshinës përbën një prozë tjetër poetike, po aq madhështore, por për të kundërtën. Ajo ishte një thirrje për të ndalur tashmë dallgën e madhe të tërbuar që ishte ngritur mbi fatet e njerëzve dhe po i mbyste si një cunami. Në të gjithë botën njihet “Zgalemi”, akoma me miliona nxënës e mësojnë përmendësh nëpër shkolla. Pothuaj askund përtej trojeve shqiptare nuk dihet denoncimi e parashikimi profetik i Trebeshinës, madje mirë nuk e dinë edhe shumë nga bashkëkombasit tanë. Arsyeja e kësaj mosnjohjeje duket e thjeshtë ose të paktën nuk është e ndërlikuar. Nuk ka të bëjë aq shumë me peshën e vogël të vendit tonë në kontinent e botë, gjë që pasqyrohet edhe me botimet tona akoma modeste jashtë vendit, por me një sjellje të gabuar që kemi. Eshtë provuar që në të gjitha rastet kur lajmet kanë mbushur faqet e para të gazetave të huaja me përshembëll trafikimin e fëmijëve, prostitucionin apo grindjet ndërpartiake, ato kanë dalë që nga Tirana. Nuk kanë ardhur të huajt t’i marrin, jemi “kujdesur” ne t’i shpërndajmë nëpër botë, zyrë më zyrë, agjensi lajmesh më agjensi, redaksi më redaksi. Prej nesh dalin me një bollëk naiv të gjitha të këqijat, nderen jashtë oborrit të gjitha llojet e “çarçafëve”, por nuk ka aspak një të njëqindtën e këtij zelli për të përcjellë përtej kufijve, edhe pse popull i vogël, vlerat e mëdha që kemi.
Jemi akoma popull i vlerave të vetë mohuara. Nuk na mjafton që na mohojnë të tjerët, i japim një dorë boshatisjes sonë edhe vetë.
Një nga vlerat e mëdha që kemi, është pikërisht disidenca kundër diktaturës bolshevike. Por ne kemi shkuar tepër larg në mosnjohjen e kësa disidence. I kemi mbushur mendjen vetes apo më mirë kemi pranuar të na i mbushin mendjen të tjerët se, për shkak të regjimit shumë të ashpër, kontrollit kapilar dhe dhunës së egër të tij, ishte pothuaj e pamundur të kishte disidencë në Shqipëri. Kjo është e pavërteta më e madhe që mbajmë në mendje dhe në krahëror. Kjo miopi e gënjeshtër duhet hedhur poshtë me forcë, madje para syve të të gjithë botës. Para vetes e të gjithëve ne duhet të ndërrojmë mendim. Pikërisht se ishte një diktaturë mjaft represive shqiptarët kanë bërë më shumë disidencë se popujt e tjerë të eurolindjes, shoqëri që përjetuan regjime më të buta, për aq sa i butë në fund të fundit mund të jetë një realkomunizëm. Ndryshimi e keqkuptimi qendron në format e kësaj disidence.
Atje, në ato popuj ku diktaturat një kundërshtar të regjimit në vend që ta burgosnin apo pushkatonin, e dëbonin nga vendi, e largonin në emigracion të detyruar, sigurisht ishte më e lehtë të bëhej disidencë e hapët. Në Shqipëri pasojat mund të ishin fatale, kështu që disidenca në masën më të madhe u krye jo hapët, por me mënyrat më të fshehta, më të tërthorta. Përse akoma po u rrimë në sipërfaqe gjërave?
Vetë dështimi total dhe më i rendë që bëri i quajturi socializëm në Shqipëri, ku falimentuan bujshëm të gjitha format e organizimit social apo ekonomik, të gjitha strukturat dhe idetë politike, të tëra projektet e planet e zhvillimit, totalisht stimujt moralë, është disidenca më e madhe që i është bërë këtij sistemi në Evropë. Në rast se jemi aq dritëshkurtër sa të mos e pranojmë këtë, mjerë ne! Sabotimi (pra disidenca e fshehtë) që në vendin tonë iu bë komunizmit në rast se në të gjitha herët nuk ishte kthjellshëm i ndërgjegjshëm, vinte në mënyrë nga dy karateristika të patundshme të identitetit tonë kombëtar: shpirti individualist dhe toleranca ndaj të ndryshmes. Realkomunizmi si lloj diktature mbahej pikërisht në të kundërtën e këtyre tipareve. Ai ishte kolektivist dhe dhunues ndaj asaj që shfaqej jo e njëllojtë.
Që shqiptarët ia kishin kthyer shpinën sistemit shoqëror që iu imponua, përjashto interesaxhinjtë e përfituesit e të gjithë kohrave, u dëshmua pas rënies së diktaturës. Fakti që ata, të cilët në vendin tonë mbështesin akoma idetë diktatorit janë fare pak dhe nëpër zgjedhje nuk kapin dot në shkallë vendi as një përqindëshin, këtë gjë provon. Në Shqipëri strukturat partiake nostalgjike të së shkuarës janë me ndikim dhjetë herë më pak se në secilin vend ish-komunist të eurolindjes. Kurse në Rusi një parti e tillë shkon afër pesëmbëdhjetë përqindëshit. Shqiptarët nuk e kanë patur me zemër komunizmin, thjesht i janë gjysmëpërshtatur, të dy palët kanë bashkëjetuar pa u dashur. Aforizmin e saj kohe, ku thuhej se shqiptarët “bëjnë sikur punojnë dhe shteti bën sikur i paguan” mund fare natyrshëm të rimarë formën “shqiptarit bënin sikur besonin komunizmin dhe shteti bënte sikur nuk e dinte këtë gje”.
Pikërisht në këtë vetndjerje të diktaturës zë fill ajo që në librin e tij tregon Luan Myftiu. Represioni i sistemit nuk niste kur një mospajtues i tij vepronte, por kur thjesht e shkonte ndërmend, në më të shumtën e herëve pa ja thënë njeriu tjetër. Kjo nuk ishte ndjenjë sigurie, por paniku dhe vinte se, duke mbledhur të dhëna të përditshme mbi jetët e njerëzve, ata shihnin sa të shumtë ishin mosdashësit e regjimit. Dendësimi i madh i informatorëve të atëhere Sigurimit të Shtetit, qindra mijrat e dosjeve të hapura për një popull që kapte vetëm tre milionët, ua kishte bërë të qartë kupolës bolshevike në krye të regjimit, se shumica nuk i donte. Autori i këtyre rradhëve mbeti i pagojë kur në një shtab brigade, ku atëhere bënte sborin ushtarak, oficeri i shërbimit të fshehtë në një plan stërvitor të sektorit të tij raportoi se në afro pesëqind pjesëtarë të njësisë, njëqind e shtatëdhjetë e pesë prej tyre ishin me “biografi të keqe”. Shënojmë se ajo ishte një brigadë speciale artilerie, ku kishte mjaft seleksionim “biografik” mes sboristëve. Ata “me njolla” vendoseshin në repartet e kembësorisë. Sa ishte vallë përqindja e tyre atje?

ooo

Shkrimtari Faruk Myrtaj, prej vitesh mërguar në Kanada, ka një tregim të titulluar “Shëtitje e detyruar”. Në të rrëfen se si familja e tij, e konsideruar si “kulake”, çdo fundjavë bënte një gjest: fëmijët me në mes të jatin e tyre “shëtitnin”. Ky ishte akti i mundshëm i disidencës së tyre. Thelbi i saj ishte mbajtja e kokës lart, mospranimi i gjendjes së përuljes, të nënshtrimit. Grupi i vogël familjar e bënte këtë manifestim qendrese nëpërmjet një shëtitjeje të detyruar në një trekedësh të qytetit të tyre të vogël, ku gjendeshin tre objekte referuese: ndërtesa e zyrave të Pushtetit, zyra e të Plotfuqishmit dhe Shtëpia te Plepat.
Kështu ishin disidencat atëhere, duke e thirrur hapët një rrugë në mes të Tiranës me emrin e lagjes më të pasur të Nju Jorkut, Broduej. Kjo ishte disidencë me humorin shkodran, një nga përtalljet më inteligjente, më të tërthorta e nga më elegantet, bërë ndonjëherë sistemit komunist.

ooo

Duke mos pranuar një disidencë të denjë të shqiptarëve (kujtoni po ashtu sa masivisht, me të gjitha mjetet e mënyrat ndiqej fshehurisht televizioni italian RAI) ne i kemi bërë vetes një padrejtësi. Jemi vetëvlerësuar si një popull frikacak. E kemi shpallur veten më të paguximshëm se hungarezët, çekët apo rumunët e bullgarët. Stil i njohur ky që prej çasteve kur komunistët e manipuluan imazhin real të nacionalistëve si njerëz që nuk dinin gjë tjetër veç të ngrinin, duke u dridhur nga frika, duart lart.
Ndërkohë që ka qënë krejtësisht e kundërta. Nacionalistët shqiptarë mund të krenohen, dhe bashkë me ta duhet të reflektojmë edhe ne që dikur e besuam këtë mashtrim politik. Nacionalistët kanë qënë e mbeten ndër më trimat e popullit tonë. Këtu nuk e kemi fjalën për nacionalistët e sajuar, por për nacionalistët e vërtetë. Ka patur dje me bollëk si komunistë të sajuar ashtu edhe sot demokratë të sajuar. Madje puna e shëmtuar e mohimit të disidencës së vërtetë në Shqipëri është vepër të sajuarve.
Por duke pranuar se format e heshtura të mospajtimit me regjimin enverist ishin masive dhe është punë e shëmtuar mohimi i kësaj të vërtete, nuk duhet të mos ngrejmë mbi piedestal ata që i bënë qendresë dhe disidencë të hapët e mjaft aktive diktaturës. Po mohuam disidencën e përgjithshme të heshtur do të na duken fare të paktë ata që kundërshtuan hapët. Eshtë iluzion ideja se kështu duken më të mëdhenj. Ngjajnë realisht më të vegjël, më kuturisës dhe ideologjikisht më patologjikë. Eshtë njëlloj si me një kodër në mes të një fushe të rrafshët apo të një mali mes kodrinash të pafund.
Një nga këta male, gati mitik, pothuaj një legjendë qendresë aktive ndaj diktaturës, është Daut Gumeni. Në pamje të parë, duke qënë një nacionalist i së djathtës, disidenca e tij mund të interpretohet se ka qënë e stimuluar nga faktorë ideologjikë. Veç nuk është aspak kështu. Sigurisht regjimi e kishte parë si kundërshtar, sepse ideologjikisht ai vinte nga e djathta. Për këtë arsye i hapi dosje përgjimi që kur ishte katërmbëdhjetë vjeç. Mund të jetë rast unik jo vetëm në Shqipëri. Mirëpo atë kohë Dauti nuk kishte në kokë ende asnjë platformë politike kundër diktaturës. Duke qënë njeri i lirë, ironik dhe përtallës me çdo marrëzi, ai mbase kishte bërë ndonjë “qyfyr” në biseda me shokët. I jati i tij, Mehmet Gumeni, nuk ishte bashkuar me njësitet partizane, por nuk u kishte dalë kundër me armë. Gjatë luftës u tha se nuk besonte që komunistët do të vendosnin në Shqipëri një shoqëri të drejtë dhe këtë gjë ua përsëriti edhe kur këta e vunë vendin nën kontroll. Por pohoi se do të rrinte brenda ligjeve, se nga shteti i ri priste t’ia paguante taksat rregullisht dhe në kembim ai t’i jepte lirinë e siguronte jetën. Mirëpo shteti i asaj kohe e vrau në një pritë, në një rrugë të heshtur mali, në vitin 1972. Djali e tij ndërkohë ishte në burg. E kishin pranguar në vitin 1964, kur ishte vetëm 24 vjeç. Në apel ata të Sigurimit nuk e thërritnin me emrin e tij, por të babait që nuk jetonte më. I dërgonin hapët mesazhin se edhe të birit do t’ja bënin si të jatit.
Daut Gumeni bëri një gjyq të parë dhe një dënim të gjatë, por u riarrestua në burg dhe sërish kaloi një gjyq të dytë. Ky gjyq publik dyditor 26 dhe 27 mars 1970 (një ditë më parë kishte patur një seancë të mbyllur të tij) u krye në Tepelenë, në sallën e madhe të shfaqjeve të Pallatit të Kulturës. Eshtë nga më të spikaturit për shpirtin e lartë të disidencës. Kur një dëshmitar nga “populli” u ngrit e tha “Nga i pandehuri dua një lugë gjak të ngrohtë” dhe kryetari i trupit gjykues iu drejtua Daut Gumenit me fjalët “Përgjigju popullit!”, ky u shpreh “Më vjen mirë që bëni sikur e dëgjoni popullin. Do Zoti e dëgjoni vërtet, sepse kur të vijë rradha juaj populli do të gjëmojë”. I tha prokurori “Ke thënë në filan vend kështu e ashtu”. “Ato që i kam thënë i kam thënë” u përgjigj Daut Gumeni. “Unë kam thënë se njerëzimi ka nevojë për utopi dhe se utopia është e saktë gjer tek Tomas Mori. Komunizmin nuk e keni shpikur ju, komunizmi është që tek hebrenjtë e lashtë. Pastaj e mori krishtërimi, më vonë e morët ju. Por ata që thanë se do bëhet shkencë, ata ishin batakçinj. Gjallë në botë ajo nuk bëhet shkencë. Lëreni të rrijë deri tek utopia, përse thatë se do të vërshejnë të mirat materiale si lumë dhe nuk ka filluar të pikojë ai lumi juaj. Njerëzit janë të uritur, ku e keni lumin e të mirave materiale? Po hyn dekadë e tretë që jeni në pushtet, ku e kini?” Kur një dëshmitar tjetër nga “populli”, një “veteran”, u ngrit e tha “Unë flas në emër të njëzetë e tetë mijë dëshmorëve, këtij duhet t’i pritet fjala, të dënohet me pushkatim” disidenti i paepur atij dhe trupit gjykues iu drejtua me fjalët “Atij veteranit të Sigurimit, atij që thotë se ka lexuar veprat e Enver Hoshës që ndriçokan të gjithë botën, i them se ai nuk ndriçon dot as shtëpinë e tij. Ai e ka vënë gjithë Shqipërinë në burg. Ju quani filozof një hoxhë. Të kishte mbaruar shkollë në Stamboll po hajde, po ai është hoxhë fshati”.
Daut Gumeni, si mijra të tjerë, u lirua nga burgu me fillimin e rënies së diktaturës. Duhej të binte burgu i madh që të çelej i vogli.
Që prej atij çasti koha ka rrjedhur shpejt, por edhe shumë ngadalë. Më të shpejtët e më “të shkathëtit”, si përherë, kanë qënë ata që ende përhapin fjalë se gjatë diktaturës shqiptarët kanë qënë një popull i tromaksur dhe pa asnjë grimë shpirti lirie. Më të ngadaltët kemi qënë e mbetemi ne, opinioni publik, administrata e shtetit, media.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com