Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu, ky gjeneral i vjetër i NATO-s


Botuar në gazetën “Shqip”, 17 janar 2008

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme më 15 janar miratoi në parim një projektrezolutë lidhur me anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Votimi pro ishte unanim. Pozita dhe opozita ishin të një mendjeje. Një gjë e tillë ndodh për herë të parë në komisione të tilla parlamentare në Evropë, në perëndim të saj dhe në lindje. Eshtë shumë e çmueshme ajo liri dhe mosnjëtrajtshmëri e qendrimeve të deputetëve në vendet e tjera të kontinentit, ca më shumë kur kjo vihet re në vendet më të zhvilluara, madje edhe në ato që janë anëtare themeluese të NATO-s. Unanimiteti shqiptar nuk përbën një arsye për të thënë se janë më të përparuar deputetët shqiptarë. Por përveç mesazhit të bukur të bashkimit të krahëve të ndryshëm të politikës për drejtimet më kryesore të rendësisë strategjike të vendit, njëmendësia ridëshmon se jemi evropianë dhe perëndimorë të vjetër.
Dy ditë më pas, më 17 janar, pra sot, respektohet e nderohet kudo dita e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Kjo bëhet brenda trojeve të shqiptarëve, por më shumë edhe jashtë tyre. E përkujtojmë këtë ditë vdekjeje jo vetëm sepse nuk i dimë ditën e lindjes. Do të ishte mirë t’i gëzonte ceremonitë ajo. Por nga ngulitja që 17 janari 1468 bëri në kujtesën e kontinentit sot kuptohet shumë qartë jo vetëm madhështia e veprës së Skënderbeut, por sa shumë e çmon atë Evropa. Për këtë ditë ka shkruar edhe Mbretëresha Elizabeth e Anglisë. Dorëshkrimi i saj me fjalët “Si sot vdiq princi i mirë Skënderbeu” ndodhet në Librin e saj të Lutjeve dhe daton 17 janarin e vitit 1559.
Pasi Kosova u çlirua nga bijtë e saj dhe ndërhyrja e fuqishme ushtarake e Aleancës Atlantike të Veriut, monumenti i parë i madh që u vendos në Prishtinë, më 28 nentor 2001, ishte ai i Gjergj Kastriotit.
Nuk është e sforcuar kjo përqasje e Skënderbeut, në titullin e këtij shkrimi, me statusin e një gjenerali të NATO-s. As paradoks dhe as truk për të tërhequr vëmendjen e lexuesit nuk është. Eshtë patjetër një metaforë, por si të gjitha ato, kur janë korekte, mbështetet mbi një të vërtetë. Evropa dhe gjithë Perëndimi, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë aleancë ushtarake e krijuan në mes të shekullit të shkuar, por ashtu si edhe BE, krijesë e kësaj kohe, veç mugullimin e mbirjes dhe të lulëzimit të ardhshëm e ka patur në thellësi të shekujve. NATO është produkt i një qytetërimi të vjetër. Në mbrojtje të këtij civilizimi kanë qënë edhe Skënderbeu me popullin tonë. Shqiptarët nuk mund të mburren se nëpërmjet zhvillimit i kanë dhënë shtysë apo hov qytetërimit perëndimor. Jemi fare modestë në këtë kontribut, madje edhe të qortueshëm sepse mund të bënin shumë e më shumë. Ndërkohë nuk do të ishte e drejtë të ngurojmë e të mos ja pohojmë vetes dhe gjithë kontinentit, madje edhe tërë botës, se duke mos qënë shumë rezultativë për zhvillimin, të paktën për mbrojtjen e qytetërimit europerëndimor kemi kontribuar si rrallë kush.
Bashkimi Evropian, pra BE, është më së pari zhvillim, ndryshim i madh në mendësi e teknologji, në ligje e forcim institucionesh demokratike, në ekonomi e kulturë, në të gjitha standartet e përparuara. Për të hyrë atje ne duhet të jemi të kthjellët në idenë se nuk na takon të gëzojmë asnjë favor përveç djersës që duhet të na rrjedhë çurgë nga balli e që për fat të keq akoma nuk na ka bulëzuar. Eurointegrimi nuk është një provim i marë me mik. Me “mik” nuk del punë e mbarë edhe anëtarësimi në NATO. Veç një ndryshim ky proçes ka me të parin. Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme me qendrimin e tij unanim në sfondin e vet ka mendimin e gjithë shqiptarëve, jo vetëm të kësaj kohe, por të të gjitha kohrave. Ai ka në sfond të vërtetën e madhe se trashëgojmë një traditë të palëkundur të të qënit mbrojtës të paepur e të talentuar të qytetërimit perëndimor. Aleanca Atlantike është më së pari një bashkim forcash ushtarake dhe ka për mision mbrojtjen e demokracive. Ajo mbron qytetërimin perëndimor. Nuk e mbron nga ndonjë qytetërim tjetër, përshembëll nga ai i quajtur lindor apo nga ndonjë model tjetër. Qytetërimet e ndryshme bashkëjetojnë lumturisht e shkembejnë vlera. Aleanca Atlantike e Veriut e mbron civilizimin perëndimor nga antiqytetërimi, sot edhe nga të gjitha llojet e terrorizmit.
Ja pse NATO dhe Skënderbeu janë pjesë e të njëjtit mision dhe e të njëjtës trashëgimi.
Gjest i bukur kjo marrëveshje e politikës shqiptare, e cila kësaj rradhe nuk ka përse bëhet thjesht sepse në mars të këtij viti në Samitin e Bukureshtit do të diskutohet anëtarësimi i vendit tonë. Dëshirojmë të gjithë të jetë fillimi më në fund i sigurtë i një politike të re, ku ndahet qartë çfarë është objekt i garës së veçuar partiake dhe i luftës së fortë politike dhe çfarë i vrapimit të përbashkët, në krah të njeri-tjetrit. Edhe kjo e fundit është garë. E para bëhet brenda Shqipërisë, e dyta para botës.
Agim Fagu, drejtor i Drejtorisë së NATO-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është një ndër jo pak punonjësit aktivë të administratës shqiptare që ka ndjekur nga afër të gjithë këtë proçes. Si diplomat ai ka logjikën e gjestit të fundit të Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme. Fagu dëshmon se është i pafund numëri i bashkëkombasve që po japin kontribut të hyjmë sa më shpejt në NATO. Nuk mund të përjashtohet, përshembëll, vlera që shton deri edhe një ushtar shqiptar në misionet e paqes në Afganistan apo Irak. Ndërkohë Agim Fagu thotë se mes ministrave të Mbrojtjes më të spikaturit në realizimin real të reformimit të ushtrisë sipas standarteve të Aleancës Atlantike të Veriut mbeten deri tani Pandeli Majko dhe Fatmir Mediu. Të tjerët, ngul kembë, jo se ishin më pak të zotë, por punuan ose kur vendi ishte në fillimet e pasrënies së diktaturës ose kur ai kaloi situata të vështira të brendshme apo në kufi të tij, kështu që edhe angazhimet përparësore ishin të tjera. Hyrja në NATO, si edhe ajo nesër në Bashkimin Evropian, kërkojnë zhvillim të qetë e normal demokratik. Emergjencat, për çfarëdo arsye që të jenë, rezultojnë kthime mbrapa.
Drejtori Fagu dëshiron po ashtu të veçojë për kontributin e tij personal, për forcën vetiake, për pasionin e kembënguljen në proçesin e anëtarësimit sa më të shpejtë dhe real të Shqipërisë në NATO edhe kryeministrin aktual, Sali Berishën. Nuk e ka kompliment, as “diplomaci”. E ka bindje.
Sot, këtë 17 janar, e përkujtojmë Skënderbeun përveç si burrë shteti, edhe si gjeneral. Ishte ai një ndër ata të mëdhenj të kombit që na e futën në gjak jo vetëm prirjen për të ndjekur rrugën e qytetërimit europerëndimor, por mbi të gjitha dëshirën për ta mbrojtur atë me të gjithë forcën e shpirtit. Në Samitin e Bukureshtit, ku ka edhe ndonjë anëtar të Aleancës Atlantike të Veriut që mëdyshon akoma nëse jemi të arrirë apo jo për të dhënë votën pro, duhet të peshohen mirë se herët e tjera të gjithë faktorët, ushtarakë dhe politikë. Kemi ende disa boshllëqe, por tashmë janë të realizueshëm në statusin e anëtarit. Në NATO duhet të ndihen të sigurtë se jemi mbrojtës të lindur të qytetërimit perëndimor dhe atje ku tregohen apatikë një apo dy politikanë nga tanët, shtyn përpara vetvetiu shpirti popullor. Shtyn tradita historike dhe mes saj vepra e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në Samitin e Bukureshtit aleatët, partnerët e ata që na ndihmojnë, kanë për ta kuptuar se një mosmiratim i këtij anëtarësimi, një shtyrje, mund të çbalancojë vlerat në rajon. Problemi është se duke u anëtarësuar këtë mars në NATO, edhe pse hyrja në Bashkimin Evropian do të jetë e rreptë dhe më udhëgjatë, ndonjë administrate fqinje, më shumë për teknokraci, por pse jo edhe për ndjenjë diferencimi e superioriteti, nuk do t’i shkojë më ndërmend se pranë kanë një popull e një vend që na meritoka një mengjez kufizimin e hyrje-daljeve, shtregimin e kufijve.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com