Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Moska në 28 nentor 1953 dhe filmi “Skenderbeu”

Botuar në gazeten “Shqip”, 28 nentor 2007

Të gjithë shqiptarët e dinë se më 28 nentor nuk ka ndodhur vetëm ngjarja e shënuar e Ditës së Pavarësisë, por edhe çlirimi i Krujës nga Skënderbeu. Madje projektuesit dhe realizuesit e 28 nentorit 1912 këtë ditë e kishin zgjedhur pikërisht për kuptimin e vet simbolik. Mirëpo, thjesht për kuriozitet apo për ta parë edhe disi nga një kend tjetër këtë madhore ngjarje historike, më 28 nentor 1953, në një nga sallat më të mira kinematografike të Moskës, në “Dom-Kinon”, e cila ndodhet në Bulevardin e Leningradit, u shfaq për herë të parë filmi sovjetiko-shqiptar “Skënderbeu”.
Në afishet e kohës ai u titullua “Skënderbeu-luftëtar i madh i Shqipërisë”.

ooo

Kjo e gjithë do të na kujtohej e pastaj do të këshilloheshim me dokumenta, kur papritur një studente tiranase, e cila kryen temën e masterit në Moskë, do të na tregonte një kasetë me këtë film. Ishte prodhim rus i muajve të fundit, fare-fare i freskët. Kjo gjë nuk kishte se si të mos të të linte pa mend. Filmi i Skënderbeut ende pas 54 viteve kërkohej nga tregu i një vendi shumë të madh e madje larg prej nesh dhe jo vetëm gjeografikisht?!
Merita kësaj rradhe nuk duket se i përket aq shumë shqiptarëve dhe aftësisë së tyre për të rindërtuar pozitivisht imazhin kombëtar. Ca më pak kanë rol në këtë gjë qeveritë reciproke. Gjithçka e kishte vetrregulluar tregu i hapët, ajo, e cila rëndom quhet ofertë-kërkesa. Nuk ka meritë të posaçme në ende qarkullimin e këtij filmi as edhe drejtpërdrejtë nga vetë figura e Skënderbeut. Në vendin e madh rus, por edhe në shtetet e tij fqinj, dikur pjesë e BRSS-së apo edhe e ish-kampit socialist, tashmë mbahen herë pas here vetëm ndonjë konferencë studimore për rolin e tij. Kjo më shpesh është çështje e punë historianësh, e për pasojë e një rrethi të ngushtë. Një film që shfaqet në salla e sidomos tregëtohet në kaseta video apo dividi është krejt një gjë tjetër. Auditori i një sesioni shkencor me një videokasetë në qindra e qindra pika shitjeje nuk kanë të krahasuar fare.
Ngjarja e gëzueshme e qarkullimit në tregun e madh rus të filmit të Skënderbeut vjen në një çast kur në shtëpinë e vet, në Evropën Perëndimore, në kontinentin për të cilin ai bashkë me popullin e tij u bë mburojë dhe u përgjak me ushtrinë osmane, ende nuk qarkullon asnjë lloj filmi. Në eurokontinent vendosen herë pas here, në bashkëpunim me autoritetet lokale, vetëm ndonjë bust i thjeshtë i Gjergj Kastriotit, në ndonjë rast edhe monument modest i tij. Busti më i fundit i heroit tonë kombëtar, më 25 nentor, u vendos në një shesh të qytetit Fermo, në Itali.
Kjo nuk do të thotë që baraspeshat janë prishur dhe një videokasetë në hapësirat ruse mund të kompensojë pesë shekuj e më shumë që kontinenti ynë amë bëri për mbrojtësin e saj të paepur, në mbi njëmijë libra për të. Çështja është se imazhi i Skënderbeut ka zgjeruar hapësirën e tij mediatike edhe në eurolindje.
Një nga diplomatët tanë, i cili udhëton e punon shpesh në ato anë, na thoshte se “rusët e vjetër në moshë kurrë nuk harrojnë, sapo takojnë një shqiptar, të shprehen me gëzim me fjalët “Ah, Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë!” Ky opinion ende i gjallë në mendjen e shpirtin rus është qartas efekt i filmit, sepse me këtë titull, siç shkruam pak më lart, ai u bë i njohur në të gjithë hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Duke mos qënë aq fort meritë e drejtpërdrejtë e angazhimit të posaçëm të shqiptarëve të kohës së sotme ai film vazhdon e jeton në hapësirat ruse që prej 54 viteve edhe për meritë të dy faktorëve. Më së pari ai po mbijeton me sukses, sepse është një vepër artistikisht mjaft cilësore. Patjet[r Gjergj Kastrioti dhe qendresa e tij mbeten një nga garancitë për të realizuar një vepër të spikatur për vëmendje të lartë publike, por në rast se jeta dhe vepra e tij historike do të trajtoheshin në mënyrë të rendomtë, fatin do ta kishte të trishtë. Filmi “Sk[nderbeu” në kohën e vet fitoi një çmim perëndimor. Kjo ndodhi jo në një konkurim periferik, por drejtpërsëdrejti në Festivalin e Kanës. Vlerësimi i lartë iu dha për ngjyrat.
Ndërkohë regjisor i filmit “Skënderbeu” është Sergej Jutkjeviç, një çifut rus me mjaft talent dhe me pikëpamje shumë liberale. Ai e shpëtoi veprën kinematografike nga kallkanimi ideologjik stalinist. Filmi është rërësisht i pastër, është vepër e të gjitha kohrave, ngrihet mbi të gjitha ideologjitë. Ndërkohë në rolin e Gjergj Kastriotit luante më i i famshi dhe më u adhuruari aktor në ish-Bashkimin Sovjetik, Akaki Horava. Në një masë jo të vogël, ndërsa videokasetat me filmin për heroin tonë kombëtar ende jetojnë gjatë, kjo i përkushtohet Horavës. Rusët akoma i kërkojnë në treg filmat ku ka luajtur ai. Për popullin e vet Akaki Horava ishte një gjigand i skenës.
Merita tjetër për mbijetimin e filmit “Skënderbeu” është e regjimit komunist të kohës dhe e Enver Hoxhës.
Këtu, që të mos keqkuptohemi, por edhe të mos u japim shumë shans atyre që duan të mohojnë gjithçka, po hapim më shumë vend në këtë shkrim për të dhënë informacionin sqarues përkatës.
Diktatori, si për çdo veprim që ka kryer në Shqipërinë e administruar prej tij për afro një gjysëm shekulli, edhe Skënderbeun e ka shfrytëzuar në interes të pushtetit të vet personal. Për autorin e këtyre rradhëve ai në thelb, edhe pse dukshëm ka bërë për të shumë më tepër se paraardhësit e tij të politikës, nuk është sjellë mirë me vlerat e Gjergj Kastriotit. Veç përsa hapësirë e mundësi ka ky shkrim, këtë tezë këtu do ta anashkalojmë. Thelbi është se Enver Hoxha kërkonte të përhapte në popull idenë se ishte një Skënderbe i dytë dhe kjo madje u formulua publikisht ndërkohë sa ishte gjallë.
Veç nga epshi i tij politik duhet të kemi durim e të veçojmë një gjë: Diktatori e ka dashur Gjergj Kastriotin. Kjo është kultura e patundur e të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, tolerantë apo ekstremistë, bashkëpunëtorë të Moskës bolshevike apo edhe të pushtuesve fashistë. Enver Hoxha e ka dashur Skënderbeun, e ka matur idhull dhe mit. Pikërisht për këtë frymë la pas për të disa kontribute, mes tyre edhe filmi që do të niste të mbushte sallat e kinemave në Tiranë e Moskë më 28 nentor 1953.

ooo

Në vitin 1951, kur nis kjo histori, Tirana zyrtare jo vetëm e kishte përcaktuar të palëkundur kursin e saj probolshevik, por edhe ishte në përfundim të fazës më kryesore e më të egër të pastrimit të vendit nga çdo ndikim perëndimor. Ishte sajuar më 26 shkurt edhe “hedhja e bombës” në ambasadën sovjetike dhe nga mbi dyqind të arrestuar gjatë një nate, njëzetë e dy prej properëndimorëve ishin pushkatuar pa gjyq.
Këtë çast shfaqen projektet e para të rëndësishme të Tiranës zyrtare me “Sovjeteksport Film”, ose në shqip “Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike Sovjetike”. Brenda vitit 1951 ishin mbyllur të gjitha proçedurat e firmosur marrëveshjet, pastaj edhe prodhuar, dy dokumentarë. Njeri titullohej “Rruga e lavdishme” dhe i kushtohej 10-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Regjisori ishte rus (Kapalin), kurse skenari dhe muzika me autorë shqiptarë. Dokumentari u prodhua në Moskë dhe pagesat, përfshi edhe për bashkëpunëtorët që vinin nga Tirana, ishin sipas tarifave dhe monedhës sovjetike. Ky prodhim sovjetiko-shqiptar u pasua pa u vonuar edhe nga produkti i dytë i përbashkët, dokumentari “Populli shqiptar për mbrojtjen e Paqes”. Regjisori ishte po i njëjti: rusi Kapalin.
Tani i ishte hapur rruga bashkëpunimit për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Skenari kinematografik u përgatit nga sovjetikët, sipas të dhënave që kishin marrë në Shqipëri dhe po ashtu këtu edhe ndihmës historike të specializuar. Në ditët e para të janarit 1953 ky skenar kinematografik ndodhej në Tiranë dhe më në fund komiteti qendror i partisë së vetme në pushtet, pasi e kishte lexuar, nëpërmjet Komitetit të Arteve dhe Kulturës, i përcolli grupit të punës në Moskë vërejtjet përkatëse. Ishte niveli i dytë i tyre, sepse edhe më parë u kishin dërguar një tufë të tjera. Sapo kaloi mezi i janarit përfaqësia diplomatike shqiptare në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik njoftonte se ja kishin dalë që vërejtjet zyrtare të Tiranës për skenarin e filmit “Skënderbeu” t’ja jepnin dorazi njërit prej tre drejtuesve kryesorë të ministrisë sovjetike të kulturës.
Pas kësaj gjithçka zhvillohet me ritm të lartë. Sergej Jutkjeviç ishte një makinë e madhe pune. Në 16 shkurt grupi i punës ishte gati për t’u nisur në Shqipëri, atje edhe ku do të bëheshin një pjesë jo e vogël, në mjedise konkrete, e xhirimeve konkrete. Regjizor i dytë i filmit do të ishte Gomorov, piktor rusi Kariakin, përgjegjës administrate Sidorov, asistent për kostumet...Ende nuk i dihej emri instruktorit sovjetik për luftimet me kuaj. Ky do të ishte grupi i parë që do të mbërrinte në Shqipëri. Rruga ishte e gjatë, bëhej me vapor nga Odesa, duke kapërxyer tre dete për të mbërritur tek i katërti, Adriatiku dhe porti i Durrësit.
Grupi i dytë do të nisej nga Bashkimi Sovjetik midis 5 dhe 15 marsit 1953.

ooo

Pas përfundimit të xhirimeve në Shqipëri dhe atyre që u bënë në mjedise të ngjashme në atëhere vendin e sovjetëve, u krye edhe montazhi. Nga e gjithë trupa vetëm tre aktorë ishin shqiptarë. Naim Frashëri luante Palin, Besa Imami Donikën dhe Adivije Alibali interpretonte Mamicën.
Sipas marrëveshjes së mëparshme mes dy palëve filmi do të dublohej edhe në shqip. Mbasi më 31 tetor 1953 prodhimi në gjuhën ruse kishte përfunduar, njoftohej Tirana se edhe varianti në shqip do të mbyllej brenda gjashtë-shtatë ditëve të ardhme. Dublantët e aktorëve rusë do të ishin kolegët e tyre shqiptarë. Kur në fillim të nentorit regjisori Sergej Jutkjeviç pa variantin në shqip të filmit shpërtheu në pakënaqësi. Sipas tij vlera e filmit kishte rënë njëherësh në pesëdhjetë përqind. Nuk e fshehu humorin e keq edhe vetë aktori Akaki Horava. Shprehja e thënë prej tij ishte pesherendë: “Po të isha unë qeveria shqiptare nuk do ta pranoja atë dublazh dhe do ta ribëja që nga fillimi Skënderbeun. Propozoj Naim Frashërin për të më dubluar”.
Por asgjë nga këto nuk ndodhi. Regjisori Jutkjeviç u nis nga Odesa për të marrë pjesë në shfaqjen e parë të filmit në Tiranë, kurse, megjithë kërkesën që autoritetet shqiptare i bënë Akaki Horavës, ky nuk u nis asnjëherë. U tha se ishte shumë i zënë me disa shfaqje teatrore.
Në Tiranë filmi u shfaq në kinema “Kosova”. Ishte i pranishëm bashkë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun edhe Sergej Jutkjeviç.
Suksesi i plotë dhe entuziami mbërriti në qiell.

ooo

Mijra kilometra më larg, në sallën “Dom-Kinon” të Moskës, shfaqja e parë publike e filmit nisi në orën 21.00. Në fillim ajo ishte parashikuar të fillonte në 18.30, por pas konsultës së përfaqësisë tonë diplomatike me Protokollin e Shtetit të Bashkimit Sovjetik, ajo u vendos të shtyhet në orën 21.00. Kjo ndodhi sepse atë ditë, 28 nentor, ambasada jugosllave kishte pritje me rastin e festës kombëtare.
Në hollin e “Dom-Kinon” kishte një ekspozitë fotografike me ngjyra me pamje nga xhirimet e filmit, ndërsa kudo, edhe brenda në sallën e madhe, përhapeshin melodi popullore shqiptare.
Para se ambasadori shqiptar të fliste salla e “Dom-Kinon” ishte e mbushur me afro njëmijë vetë. Ishin përfaqësues së Ministrisë së Punëve të Jashtme të BS, të Ministrisë së Tregëtisë me Jashtë, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të dikastereve të tjera qendrore. Nuk mungonin as të dërguar nga organizata të ndryshme kulturore dhe artistike të Moskës, artistë të kinemasë dhe grupi i aktorëve që luante në film. Mes të pranishmëve ishin në vende të dukshme diplomatë e ambasadorë nga vendet, të cilat atëhere quheshin “demokraci popullore”, po ashtu edhe nga shtetet perëndimore. Mbi njëqind në atë sallë të madhe ishin studentë shqiptarë në kryeqytetin sovjetik. Në raportin e asaj dite, derguar Tiranës, nënvizohej se ambasada jonë asnjëherë nuk kishte patur në një të saj aq diplomatë të huaj.
Ndërkohë palës shqiptare i kishte rënë në sy jo për mirë mungesa në atë shfaqje të filmit “Skënderbeu” të ambasadorit italian. Ambasadori ynë nuk e humbi rastin, që në përgjigje të justifikimit të shqiptuar nga diplomati i dërguar në kembë të kolegut të munguar (“Me keqardhje ju komunikoj se ambasadori dëshironte ta shihte filmin për Skënderbeun, por nuk mund të vinte se ishte i zënë. Ndërkohë m’u lut t’ju them se do ta shohë patjetër njëherë tjetër”) iu përgjigj “Po mbaj shenim mbi këtë njoftim dhe i rekomandoj zotit ambasador që ta shohë filmin për Skënderbeun, sepse është shumë interesant”.
Në fjalimin e shkurtër përshendetës të ambasadorit tonë u fol për rendësinë e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeun si edhe festat e 28-29 nentorit. Por ajo që bëri përshtypje në sallë ishte një fragment, të cilin numuri një i përfaqësisë diplomatike të Tiranës në Moskë, e citoi nga vëllimi i gjashtë i arkivit të Karl Marksit e Frederik Engelsit, sipas të cilit Marksi kishte shkruar se “Jeniçerët pas vdekjes e bënë Skënderbeun të shenjtë”.
Më pas shfaqja e filmit kaloi mjaft mirë dhe sipas përshtypjeve të para efekti mbi auditorin kishte qënë shumë mbresëlenës. Në shenimet e mbajtura me këtë rast ishin theksuar edhe reagimet e sallës, kur, përshembëll, në një nga skenat turqit i rrëmbejnë një nëne të birin, djalë të ri (“shprehje urrejtjeje për turqit” shenohet në ditar), kur ushtarët osmanë në sulm për të pushtuar kalanë e Krujës digjen me zift nga kështjellarët shqiptarë (“shprehje kënaqësie”), kur Donika ia kthen doktorit gotën e ilaçit, ku brenda ka helm, duke i thënë që më parë ta provojë vetë (“në sallë dëgjohen fjalët “Mollodjec”, pra bravo, të lumtë”).
Ambasadorja bullgare Stelle Bllagojeva pas filmit deklaroi “Skënderbeu juaj është i madh dhe i shkëlqyeshëm, duhet t’ja tregoni të gjithë botës, edhe turqve”. Ministri i Iranit Nadir Araste tha “Filmi mbi Skënderbeun duhet ta shfaqim patjetër në Iran që të frymëzohet populli në luftën e tij për naftën”. Këshilltari i parë i ambasadës çekosllovake: “Skënderbeu ka qënë i shekullit të pesëmbëdhjetë, por ai është aktual edhe sot për italianët dhe jugosllavët”. Kurse kështiltari kinez e gjeti filmin “plot me ideologji”.
Të nesërmen ishte Mollotovi që shprehu keqardhjen që nuk kishte qënë dot i pranishëm në sallën “Dom-Kinon”. U shpreh “Kam marrë vesh se doli filmi për Skënderbeun. Thonë se është i mirë, por unë akoma nuk e kam parë. Do ta shoh patjetër. Disa artistë janë shqiptarë”.
Shfaqja e dytë në Moskë e filmit “Skënderbeu” u bë në mbrëmjen e 30 nentorit në po të njëjtën sallë. Kësaj rradhe të njëmijë vendet i kishin zënë studentë shqiptarë.

ooo

Që prej këtij çasti, 28 nentorit 1953, filmi për heroin tonë kombëtar do të niste të shfaqej në qindra e qindra salla kimemash në të gjithë ish-Bashkimin Sovetik (atëhere një e gjashta e botës) dhe në vendet eurolindore dje komuniste. Treg e auditor gjigand.
Kështu Tirana dhe Moska e asaj kohe, të dy nën regjime të ashpra dhe të fajshme para historisë, kryen një vepër të madhe. Filmi i Sergej Jutjeviçit dhe i Akika Horavës jeton edhe sot, pas mbi pesë dekadash. Dhe patjetër do të jetojë shumë më e shumë më gjatë.
Piramidat i kanë lënë në histori perandorët egjiptianë, të cilët sigurisht në kohën e tyre nuk ishin veç diktatorë. Filmi “Skënderbeu” është një nga këto piramida të mëdha kulturore që la pas një sistem, i cili i lëndoi shumë shqiptarët dhe pas u la një kujtim tepër të hidhur.



Ylli Polovina






















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com