Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Është koha e heronjve dhe jo e maskarenjve!

Botuar ne gazeten “Ndryshe“, 4 nentor 2007

Nga Lirim Deda

( Shënime rreth veprës: “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, të autorit Ylli Polovina)

Kohë më parë, tek pinim një kafe me Todi Lubonjën, Lirinë dhe Anastas Kondon, ky i fundit, tek erdhi fjala për ditët tona plot mjegull dhe zymtësi, shqiptoi një varg emblemë të Ali Asllanit: “Është koha e maskarenjve!”. Todi, siç e kish zakon,, me humorin që e mbante të ri, tundi në ajër njërën dorë dhe shfryu: “Oh, ti Caci i merr të gjitha gjërat seriozisht; në vend të lehtësohesh, hedh mbi supe barrë të rëndë…”. Anastasi, fytyrëdiell tek e vështroi drejt e në bebe të syrit, ia ktheu: “Kështu na keni edukuar, o shoku Todi!”. Sakaq, e qeshura e edukatorit të rinisë dhe politikanit vizionar, shkrepëtiu brohoritëse dhe kur shpirti i tij kishte kulluar në atë gazmend, ia ktheu bashkëbiseduesit: “Po, puna për edukimin e njeriut nis sa hap sytë dhe mbaron kur ai i mbyll syçkat, o Caci!”.
Biseda rodhi në hulli të tjera. Kur ishim ngritur, për të ikur secili në hallin e vet, Anastasi më tha se Todi atë qortim ia paskej bërë edhe herë tjetër, kurse ky qëndronte në të tijën. Unë, -më tha,-për atë mendim që shfaqa, kam shkruar edhe një shkrim të gjatë, do e marrësh ti ta botosh? I gëzuar nga bashkpunimi me një shkrimtar të shquar si Anastas Kondo, e falnderova në cast dhe i lash takim, ku të takoheshim të më jepte artikullin. Nuk kaloi as një javë dhe në gazetën “Labëria u botua shkrimi me titull: “Koha e maskarenjve”, për të cilin shumë lexues shprehën përgëzimet për autorin që përfaqësonte dhe Bregun, ku pat lindur shkrimtari. Por, fatkeqësishtë, fare pa pritur ai u shua dhe neve na mbeti në shpirtra fjala e tij e ëmbël, mendimi i tij i mënçur e i urtë dhe një tog me vepra në prozë e kinematografi.

Atdhetarizmi është frymëmarrja e heronjve

Kur botova shkrimin e shkrimtarit Anastas Kondo, sigurisht isha plotësisht edhe unë me mendimet e shprehura nga ai, jo vetëm nga ngjarjet që ai merrte në shqyrtim, por dhe argumentet që sillte, kryesishtë për mjedisin social dhe politik në shoqërinë shqiptare, këtu brendapërbrenda trojeve të Republikës sonë demokratike, sidomos pas vitit të mbrapshtë 1997. Por ja, këto ditë pata fatin të lexoja një vepër të autorit Ylli Polovina: “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”. Është një vepër tronditëse. Mbase më i miri në lloin e vet.
Libri i Yllit ka fillin e një kronike për ngjarjet që rrodhën si pasojë e genocidit të pashëmbëllt të shovinistëve të Millosheviçit ndaj popullsisë shqiptare në Kosovën martrire në kryengritje të armatosur, si rezultat i sëcilës u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës me gjithë organet e saj drejtuese. Përballja e saj me të gjitha format e luftimeve me armatën serbe, një ushtri agresive, por e paisur me armatim dhe teknikë bashkëkohore, dëshmoi se në radhët e saj luftonin bijtë dhe bijat më të mirë të trojeve shqiptare, për të cilët liria dhe mëvetësia ishin aspiratat më të mëdha e më të shenjta, ndaj dhe treguan shembuj të lartë të vetmohimit në emër të atyre idealeve.
Në librin e Ylli Polovinës ndjesia më mbresëlënëse për çdo lexues mbetet ajo që atdhetarizmi është frymëmarrja e heronjve. Po kjo vlen të thuhet edhe për autorin e librit, sepse është e vërtetë që ngjarjet i ka treguar një nga personazhet kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç është Shpëtim Golemi (Dilaver Goxhai, kolonel), por hartimi i veprës është rezultat i përjetimeve tejet të fuqishme të autorit, i cili ka ndjerë drithërimat dhe gulçet e shpirtit të vet për çdo episod të përshkruar, ka zbuluar simpatinë për bëmat heroike në favor të luftës për çlirimin nga ana e luftëtarëve, apo edhe antipatinë për qëndrimet që zbulojnë etjen për karrjerë e pushtet të ndonjë kuadri ushtarak, apo të atyre që pas luftës vrapuan të zenë poste sa më të larta, kur nuk kishin derdhur as edhe një pikë djerse e jo më një pik gjak në shërbim të çlirimit.
Ky këndëvështrim është patjetër merritë e autorit dhe njëheraz dëshmon edhe për atdhetarizmin e tij, ca më tepër që, edhe pse atij ngjarjet i tregohen, i duhet që me një tejpamësi diplomati t’i analizoi e të nxjerrë përfundime me vlerë për historiografinë kombëtare, sidomos po të kihet parasysh se në se në fillim të kësaj epopeje tonin e ngjarjeve e dha egërsia dhe barbaria e shovinistëve serbë, më pas zulma erdh nga hroizmi i shqiptarëve në Kosovë, që u radhitën vullnetarisht në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e, në fund, tonin ngjarjeve ua dha Aleanca e Atlantikut me në krye SHBA me bombardimin e strukturave të armatës së ushtrisë serbe. Në këtë kuadër autorit i është dashur të jetë vrojtues tejpamës i ngjarjeve e fenomeneve dhe i aftë e i zgjuar të zhbiroi përmes mardhënieve të dukshme e të padukshme të forcave bashkvepruese në gjirin e NATO-s, si dhe ato të formacineve të UÇK-së.
Libri i Ylli Polovinës, si gjini letrare, është fare pranë romanit historik, sikundër karakterizonim dikur llojet e prozës së gjatë. Ai përshkruan me besnikëri ngjarje dhe fenomene, në një kohë të caktuar, autorët e të cilëve identifikohen lehtë nga çdo lexues. Pa tjetër që Yllit i është dashur të shfletoi edhe dokumente e rubrika të asaj periudhe, të pasqyruara në organet e ndryshme të medias vendase e asaj botërore. Por të dish të hulumtosh nëpër këto humbella, të duhet të kesh vështrimin e prozhektorëve si dhe aftësi të shquara intelektuale për të përceptuar e arritur në përgjithësime me vlerë, kur të duhet të shqyrtosh dhe taktikën dhe strategjinë e hartuar nga shtabe lufte,vendime luftare të atypëratyshme me një tejpamësi të habitshme, që kanë në krye personalitete të shkencave ushtarake, por edhe shtetërore, edhe diplomatike.
Por edhe në portretizimin e personazheve Ylli Polovina është një shkrimtar realist. Ai kurrësesi nuk e lë penën e vet që të na i paraqesë personazhet bardhë e zi, siç ndodh rëndom në këtë gjini letrare. Përkundrazi, Ylli është i aftë të depërtojë deri në botën e brendëshme të heronjve, të gërmoi në shpirtin dhe memorjen e tyre për të ndjerë çdo përjetim, regëtimë, pëshpëritje, luhatje, gëzim, disfatë,dhimbje, trullosje, tërheqje, përzhitje, fatbardhësi ose tradhëti. Dhe, që të gjitha këto synime letrare autori i arrin me një gjuhë të drejtpërdrejtë, të hapur, por të mbushur me lëngun e jetës së përditëshme dhe të tejpamshme me metafora e përjetime poetike, aq sa herë-herë faqe të tëra hartohen si poezi dhe vlejnë si shëmbull për krijuesit e rinj në këtë fushë.

Atdheu është fati im, atë s’ia kam lypur askujt

Në qendër të romanit, protagonisti është Shpëtim Golemi. Çuditërishtë, që në kreun e parë të veprës, ashtu siç na e vizaton portretin e Shpëtimit autori, mua m’u faneps portreti i Napolon Bonopartit tek vepra e Tarlesë. Një mesoburrë trupshkurtër, i ngjeshur në shpatulla, syzhbirues, këtu gjakftohët e atje zhurritës, i vendosur, këmbëngulës, i papërkulur, guximtar dhe largëpamës. Ç’do t’i duhej tjetër? Hë, po, një ushtarak i lindur në një djep familjar ku kanë pas përkundur dikur dhe heronj të luftrave për liri e mëvetësi të Shqipërisë, një ish skëndërbegas në moshën e adoleshentit, një kursant i dalluar për oficer, një student i shkëlqyer i anglishtes, një oficer i suksesëshëm karjere, deri sa arrin në detyrën e Shefit të Katedrës në një nda departamentet e Akademisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë. Kuadër që njihte taktikën e gjithë llojeve të armëve e shrbimeve të ushtrisë, që llojet e luftimeve, taktikat dhe strategjia ishin fushat ku ai loste për ditë “pingpong” jo vetëm me studentët për akademikë, por edhe me teoricienët e shquar të kohës.
Në periudhën e përmbysjes së sistemit totalitar, vjen një çast dhe nga mbrapështitë e administratës këpushë burrokratike, që s’donte t’ua lëshonte karriket më të diturve e më të rinjve, Dilaver Goxhai (Shpëtim Golemi i nesërm) mbetet pa punë. Si qytetar me shpirtin plot atdhedashuri e kokën plot-përplot dituri, ngulmon dhe, duke mos iu tutor lodhjes dhe fatit, pranon të jetë fillimisht banakjer nate në një local të Tiranës dhe më vonë mësues i gjuhës angleze, mësues rezervë praën Drejtorisë Mësimore të qytetit të Tiranës, deri sa emërohet definitiv diku në Kodër Kamëz. Koha rrjedh si lumi dhe ja, Dilaveri, që jeton me fatet e popullit të vet, tronditet kur mëson për barbarinë dhe masakrën e ushtrisë serbe në Prekaz, në 7 Mars 1998. Vetëm nga fisi i Jasharajve u vranë 56 vetë, midis të cilëve 28 gra e fëmijë. Një fis përballë një ushtrije. Ç’bëhet kështu me vëllezërit tanë kosovarë? Kjo pyetje e mundoi gjatë Dilaver Goxhain. Netëve, kur kthehej nga Kodër Kamza ku jepte mësim, në shtëpi nuk e zinte gjumi. Ç’po bëhet me shqiptarët e trungut amë, ç’është kjo heshtje në këtë gjamë? Vet pyeste, vet përgjigjej. Me aq sa lexonte shtypin, qeveritarët tanë, gjasme, bënin njërin vesh shurdh e njërin sy qorr. Iu kujtua shprehja: “Politika është kurvë” dhe pështyu tutje, sa që e shoqja e qortoi. Që atë natë, kur të jerët ranë në gjumë, u ul e shkroi artikullin: “Kosovarët u detyruan të shpërthenin luftën”. Trokiti në të gjitha redaksitë e gazetave tona, askush s’pranoi t’ia botonte. Në këto vajtje-ardhje nëpër redaksi, e kish përsëritur dhjetra herë atë fjalën e turpshme për politikën. Po ja, artikullin e mësipërm ia boton “Rilindja”. Kaq u desh. Boton rishtaz, aq sa tërhoqi vemendjen e mbarë publikut, jo vetëm brenda vendit. Kjo rrugë e çoi të lidhet me kosovarët dhe, një ditë prej ditësh, në shkurtin e vitit 1999, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin (shef i shërbimit informative të UÇK-së), Brdhyl Tahirin (oficer i ushtrisë shqiptare) dhe disa ish-oficerë shqiptarë të armatës jugosllave nisen dhe, pas peripecive të shumta, gjendet në Kosovë, në Divjakë të maleve të Berishës, në qendrën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku nis të kryej detyrën e zevendës shefit të atij shtabi.
Qysh nga kjo ditë, nga njera faqe e librit në tjetrën, lexuesi ndjek, si të ishte bashkë me të, jetën dhe veprimet e Shpëtim Golemit (Dilaver Goxhait) në shtab, duke ngrënë një herë në ditë, si gjithë luftëtarët dhe populli nëpër male ku luftonte UÇK-ja; duke punuar natën për të hedhur në harata plane taktike; duke punuar strategjinë për veprimet e brigadave të UÇK-së; duke pritur e përcjellë drejtues e komandantë; duke polemozuar me Hashim Thaçin, apo me Bislim Zyrapin për marrje vendimesh luftarake e më vonë me Agim Çekun për të gjetur dhe vendosur varjantin më të mirë taktik në veprime, për të përballuar sulmet gjakëderdhëse të serbëve dhe për të mbrojtur popullsinë, që kish braktisur trojet familjare dhe strehohej nëpër pyje; për t’u siguruar këtyre ushqime dhe ilaçe, si dhe për të furnizuar repartet e brigadat Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armatime e me municione. Po ashtu, protagonistit të librit i takojnë edhe veprime individuale, që dëshmojnë për personalitetin e tij si qytetar, si shqiptar dhe si i vetsakrifikuar me vetëdije të lartë, të cilat autori ka ditur t’i kapi e t’i qëmtoi. Këtu bëjnë duk lëvizjet e shpeshta të Shtabit të Përgjithshëm, nga rreziku i agresionit të ushtrisë serbe, apo për të qenë sa më afër trupave që drejtonte ai shtab dhe, njiherësh vërehet se si Shpëtimi bashkë me kolegët marshojnë natën, nën breshërinë e predhave të armikut, si gjenden edhe në vijën e parë të frontit duke luftuar me armë për ditë të tëra, ashtu siç kemi vënë re që sa pa hyrë mirë në trojet kosovare u rrezikua dhe se si bashkë me shoferin , falë guximit të tyre shpëtuan, kur makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe fluturoi në gjirin e një ujëmbledhësi.
Shpëtim Golemin në faqet e librit lexuesi e ndjek tek vepron dhe gjykon bashkë me Bislim Zyrapin, shefin e shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me Kadri Veselin, me Adem Shehun e Hashim Thaçin, me Bardhyl Tahirin, Rahman Ramën e Agim Çekun, me Sulejman Selimin e Sami Lushtakun, me Ramush Haradinaj e Sabit Gecin, më Muharem Mustafën e Mustafa Gashin, bacë Sokol Dubrunën e komandant Ferrin, me Ahmet Qeriqin e Martin Çunin, me Nezir Myrtën, Azem Sylën e Jakup Krasniqin, me Indrit Carën e Rame Kucën, me Berat Luzhën dhe shtabin e Divizionit shqiptar në Kukës, me atasheun tonë ushtarak në Turqi e atë boshnjak, i shkruan letra Uesli Klarkut, komandantit të NATO-s, në emër të Shtabit të tyre të Përgjithshëm, komunikon me Shon Bërns e me oficerat ndërlidhës të NATO-s me UÇK-në si dhe oficerat anglezë që erdhën në Divjakë për të përgatitur bisedimet midis NATO-s dhe UÇK-së si dhe me ata amerikanë, ku djali i tij është shoqërues dhe përkthyes i tyre. Janë me dhjetra personazhet realë, me të cilët merr dhe jep Shpëtim Golemi si zevendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe gjithmonë, edhe në situatat më të vështira, pak kush e dinte se ai ishte nga Tirana, nga që ai jetonte, punonte e luftonte si kosovar, sepse gjithmonë e pat ndjerë veten shqiptar e bir shqiptari, që për të do të thosh se e dinte bukur mirë kufirin e vatrës mëmëdhetare dhe për këtë vatër, ashtu si edhe e dëshmoi më shumë se në një rast, ishte gati të derdhte gjakun si me le. Jo rastësishtë, kur një nga drejtuesit e Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, i propozoi Dilaver Goxhait për të punuar në Prishtinë, si gazetar partiak, ky i ktheupërgjigjen: “Erdha këtu se dëgjova zërin e Atdheut, ai nuk zgjidhet, është fati im, atë s’ia kam lypur askujt dhe nuk kam ardhur t’u shërbej partive!”.

Përbrënda një zemre – krejt mëmëdheu

Si e kam përfunduar së lexuari për të dytën herë librin e Ylli Polovinës, tek thith cigarin, i përhumbur në mbresat që kam përfituar, tek tund lehtas kryet, jo pa habi, vetvetiu shqiptoj nën zë: Brënda një zëmre krejt mëmëdheu! Si i nëpërmenduar nga një ëndërim, ato fjalë i shqiptoj rishtaz dhe e dëgjoj zërin tim. Më tingëlloi bukur, po a ishte i saktë ky mendim? Thitha përsëri cigarin, ndoqa tymnajën, që dredhonte kuturu, sipas rrymës së ajërit në dhomë dhe përhumba në motin, kur Koloneli Dilaver Goxhai, tashmë me emrin ShpëtimGolemi, niset nga fare pranë shtëpisë time në rrugën “H. Hidri” në Tiranë, për larg. Në makinë me të ishte Hashim Thaçi e Kadri Veseli, po në retinën e syve kolonelit iu fiksuan edhe ca gra e fëmijë në dyert e partave të asaj rrugice tiranase, që përshëndesnin me duar ata që iknin, a thua edhe ata e dinin misionin e tyre! Dhe në s’e dinin e ndjenin, edhe në gjokset e tyre rrihnin zëmrat. Në portat e zemrave, vetëm zemrat trokasin. Në ato çaste, zemra e kolonelit patjetër që ishte zmadhuar tej mase, ajo lypsej të nxënte edhe zemrat e atyre që sapo e përshëndetën. Po vështrimi i zinte kudo të njohur, njerëz të dashur, jo vetëm në rrugët e Tiranës, por edhe në Qafë Krabë, në Elbasan, në Librazhd, në Rajcë, nga filloi marshimin në këmbë, kudo. Dhe fytyrat e tyre të shtrenjta i fiksonte në retinën e syve, ashtu siç përfshiu me një vështrim edhe malin e Stërblevës, edhe atë e morri me vete. Po me vete Shpëtim Golemi kish marrë trollin amë, Shqipërinë e përkëtejme, me njerëz, male e fusha, me lumenj e kodra. Mëmëdheu, oh, ishte tejet më i madh dhe ai ish nisur pikërisht që ta fuste në gjirin e vetë tërë këtë hapësirë! A s’kish kuptim që një njeri, një dru, a një gur i këtyre anëve të ishte më i çmuar a më i mirë nga njerëzit, drurët dhe gurët e atyre anëve, që padrejtësishtë patën mbetur tutje truallit amë, qysh në motin e pabesë 1913!
Dhe unë, tek shfletoja faqet e librit, ndjeja jo thjeshtë pulsing e zemras të Shqpëtim Golemit, por edhe regëtinat e zemrës të Ylli Polovinës, që ecën pas gjurmëve të heronjve të tij. Kjo përshtypje është aqë e fortë, sa që nuk mendoj se i pari ka ndjerë të ftohtin e erës dhe borës në natën e errët tek ngjiteshin Stërblevës, se sa i dyti, aq sa më ngjan se që të dy bashkë heroi dhe autori, e kanë zbritur atë mal, duke i shndëruar kapotat në “slita”, për të arritur sa më shpejtë në bazën sekrete atje, në Fjerishtë të Strugës. Në rrokopujën që ndodhi, fare afër postës sërbe, në përpjekjen për kalimin nga Maqedonia në Kosovë, kur makina shkau e u përmbys e ra në liqen, në mos brënda në makinë me udhëtarët, diku aty praën ka qënë edhe Ylli, i cili i ka ndjekur me ankth veprimet e Shpëtimit, për të dalë me automatik në dorë nga makina e zhytur me rrota përpjetë në ujë. Gjithë ato veprime për të mbijetuar vetë Shpëtimi, si dhe për të nxjerrë shokun e plagosur rëndë, teksa gjaku i buçiste nga hundët dhe veshi, dëftojnë se ai ishte nisur drejtë Kosovës jo për të vrarë, por për të shpëtuar vëllezërit e gjakut, për të mposhtur genocidin, për të shpurë gëzim në çdo vatër kosovari, për t’iu gëzuar lirisë dhe mëvetësisë bashkë me ata. Dhe vetvetiu, ende pa e marrë detyrën e zëvendës shefit të Shtabit të UÇK-së, me një intuitë të vetvetishme, me një guxim prej një njeriu tejpamës, sa ushtarak, aq edhe paqësor, me një shpirt të butë si të një fëmije, sapo mbledh veten nga gjëma që i panë sytë, tek robërit gremiseshin nga karroceria e mjetit me të cilin ishin trasportuar për t’u ekzekutuar, urdhëron që t’u bëhet gjyqi, t’u merren deklaratat dhe të lirohen… Të lirohen robërit tradhëtarë! Po, po, të saktësohet, se ne shqiptarët, kosovarë e labë, cilëtdo nga soji jonë, s’jemi gjakatarë, por njerëz humanë, që nuk mund të imitojmë kriminelët e Millosheviçit, që masaktuan gra e fëmijë, jemi luftëtarë për çlirim dhe vëllazërim. Po, ku e hodhi hapin Shpëtim Golemi dhe nuk la gjurmë të pashlyeshme tek individët dhe tek vetë banorët e fshatrave dhe të krahinave të Kosovës! Lexuesi do të ndjekë njohjen e tij me Ejupin, që u arrestua vetëm se qëlloi me breshëri automatiku, nga dëshira për të ndaluar makinën ku ai udhëtonte, vetëm e vetëm që të përqafonte një të ardhur nga Tirana. Do të jetë ky një nga personazhet, për të cilin në libër do të derdhet poezia si poleni i luleve në lëndinë, në faqet e librit, aq sa ai bëhet i dashur jo vetëm për kolonelin, i cili e merr që atë moment si ajutant, por edhe për Yllin, edhe për mua, edhe për cilindo lexues.
Jo më pak mbresëlënëse janë faqet që hedhin dritë mbi figurën e Indrit Carës, nga Kavaja, djaloshit që lufton në vijën e parë në mal të Gallushës, një stërnip i Mustafa Carës (kosovar), që pat shoqëruar Ismail Qemalin në ditët e ngritjes së flamurit në Vlorë. Ish skëndërbegas, kursant e më pas oficer zbulues, si pat emigruargjashtë vjet në Itali dhe në Londër, që andej “e zuri gjaku” i masakrave të sërbëve në Prekaz e Dukagjin dhe fluturoi dhe zuri vendin e vet në rreshtat e komandantëve të UÇK-së, për të mbetur në ato troje si symbol i vetëflijimit për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës. Pena e Ylli Polovinës shndërohet në penelatën e piktorit dhe përpara nesh shfaqen madhështore tabllo kompozicionale, që herë-herë na shndërohen në gravura mbresëlënëse. Po me të tillë forcë artistike pasqyrohen situatat që kalon Baca (Sokol Dobruna), Drejtor i Drejtorisë Juridike pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, një personalitet i shquar i luftës për lirinë e Kosovës dhe bashkim me shtetin amë. Njëherësh ai në libër na skalitet si një personazh me individualitet letrar e artistik, tejet i admirueshëm dhe, përjetësimet e tij vetjake kalojnë drejtpërsëdrejti në shpirtin e lexuesit. Irredentist i përjetshëm, ai dhe vëllezërit e tij e ngrysin jetën në burgjet sërbe dhe, kur mundi e gjeti rastin, edhe pse 59 vjeç, duke qënë magjistër, i cili i pat kryer studimet juridike në Kroaci, e gjeti vendin e vet në radhët e UÇK-së. Në marëdheniet e Bacës me Shpëtimin, autori i librit ka qëmtuar thellë në psikologjinë dhe karakteret e tyre, përmes një figure të ndërmjeme, gati anonime, por që shpalos madhërishtë vetitë dhe virtytet e heronjve tanë. Një biznesmen kosovar në Tiranë, për aq sa di ai (i cili është në lidhje me UÇK-në dhe në shërbim të saj) gjykon se një i burgosur nga UÇK-ja duhet patjetër të pushkatohet, të pushkatohet një sekondë e më parë. Për këtë i kërkon Shpëtim Golemit në telefon që ky të japë urdhërin për pushkatim. Eh, po ai nuk e di se formimi gjenetik dhe intelektual i këtij heroi, sado i çartur në trimëri dhe inisiativë, është i tjetërsojt, i tjetër brumi, paçka se ruan respektin për bashkëbiseduesin që i telefonon nga Tirana. Biseda e thjeshtë, por zëmër për zëmër me Bacën, hedh dritë mbi shpirtbardhësinë e bazuar mbi parimet e drejtësisë, gjë që shpije jo në pushkatimin e të burgosurit, por në lirimin e tij, sepse u vërtetua që ai nuk kishte qenë dezertor nga UÇK-ja dhe më vonë ai i akuzuar për dezertor shndërohet në hero.
Që Shpëtim Golemi, sapo vuri këmbën në trojet e Kosovës tonë, e ndjeu se ish në shtëpinë e vet dhe gjithë banorët i kishte të afërm të gjakut dhe për ta, si dhe për luftëtarët e UÇK-së, do mendonte dhe do vepronte si për sivëllezërit. Autori, veç të tjerave, e vë atë në mardhënie buzë më-buzë e shpirt-më-shpirt me figura me peshë në luftë, siç është Sokol Dobruna. Kjo vjen një çast dhe luftëtari sypatrembur e jurist e ndjen se ja, lufta po mbaron, ndërkaq lufta për pushtet nis me etje për poste e lavdi, gjë që i sjell neveri, dhe ia hap zëmrën mikut të ardhur nga Tirana. Shpëtim Golemi, që ka ndjekur nga afër bëmat, sjelljen dhe ënëdrimet e gjithësecilit, me aftësinë e pedagogut psikolog, parandjen gulçet e thella munduese të mikut dhe merr të tilla masa parandaluese, që jo vetëm Sokoli të mos vetësakrifikohet, siç saktësishtë ai e pat planifikuar, por të mbijetojë dhe më vonë të kthehet përsëri në shtab.
Të tilla tabllo plot dramacitet, në veprën e Ylli Polovinës janë të panumurta dhe gjithësecila është në funksion të paraqitjes realiste të asaj epopeje gjëmimtare për çlirimin e Kosovës, si dhe të portretizimit të karaktereve aq të ndryshëm, aq të veçantë. E, mbi të gjithë, në qëndër të vëmëndjes së shkrimtarit qëndron Shpëtim Golemi, jo se është kolonel, jo se ka ardhur nga Tirana, por nga që veprimtaria e tij si ushtarak, specialist, kuadër i shtabit të UÇK-së është e pandarë nga figura e tij si njeri, si qytetar i botës së re, si demokrat i kulluar, sa edhe si shqiptar i epokës së Rilindjes, nëpër mushkritë e të cilit rjedh ajri që vibron nga poemat e Naim Frashërit dhe kënga që del nga kënga e mitralozit të Karadakut (Xheladin Beqirit), Mustafa Matohitit, Asim Zenelit, Asim Vokshit, Ganimet Vendreshtit, dajos të tij, Kamber Dinaj, vrarë me Karadakun e gjithë heronjve të kombit shqiptar, nga Rafshi i Dukagjinit, Shala e Bajgorës, Preshëvës, Hot e Grudë, Kumanovë, Shqipëri e Çamëri. Se është pikërisht kështu, se është brumosur me këto ideale, se është i formuar me këtë botëkuptim, ai përballon jo vetëm punën e rëndë e me shumë përgjegjësi tek e ngrys dhe e gdhin në “studjot” malore, ku gjëmojnë bombardimet e vërshëllimat e plumbave, duke planifikuar e hedhur plane në harta, duke marrë e dhënë urdhëra për lëvizjen e brigadave dhe të njësive të tjera të UÇK-së për luftën partizane, sulme e kundërsulme, apo mbrojtjen e çdo pëllëmbe kur e lypte nevoja, por ai arrin të përballoi edhe cmirën, paaftësinë, intrigën, apo cektësinë e individëve, që mbase rastësishtë u gjendën diku në UÇK dhe e këshillonin që në mardhënie me ndërkombëtarët të mos e emërtonte veten me pseudonim, por të jepte emrin e tij të vërtetë, Dilaver Goxhain, sepse “nesër do të të harroi historia”. Por jo, jo, djali i Labërisë nuk kish shkuar në Kosovë ta merrte historia, ai donte që ashtu si ndër shekuj, historia e Kosovës martire të shkëlqente me dritën më verbuese për armiqtë e sajdhe të fitonte lirinë e mëvetësinë, edhe pse ky vet mund të jepte jetën në luftë. Kjo ishte ëndra e Shpëtim Golemit, heroit të ditëve tona, prandaj dhe e lanë në harresë, e shtëmëngën nga evidencat emrin e Dilaver Goxhait dhe e shuan, si shuhet një numur arithmetike i shkruar me shkumës në tabelën e klasës. Por, oh, Dilaveri mbajti fort në zëmrën e vet mëmëdheun, të gjithin, me njerëz, me gurë e drurë dhe vetvetiu mbetet i përjetshëm edhe në sajë të veprës së bukur të Ylli Polovinës.

E tërë familja në luftë për çlirimin e Kosovës

Është me interes për lexuesin e librit të Ylli Polovinës, që të mësoi se si në të vërtetë, gjat kohës së luftës për çlirimin e Kosovës nga ushtria agresore e Sërbisë, morrën pjesë me dhjetra e dhjetra nga krahina të ndryshme të vendit amë, të cilët shkuan atje vullnetarë, midis të cilëve përmëndim edhe luftëtarët e kuadrot e shquar për drejtimin e luftimeve të ndryshme, siç është komandant Adem Shehu nga Farka e Tiranës, Indrit Cara nga Kavaja (dëshmor), Astrit Suli nga Berati (dëshmor), Dashamir Alliu nga Librazhdi, Adem Dahri nga Çamëria, Tahir Sinani nga Tropoja (dëshmor), Genci Sefa nga Lushnja, Bardhyl Tahiri nga Shkodra e Kolonja. Por këta e shumë të tjerë pak janë zënë në gojë nga përfaqësuesit e propagandës qeveritare, të cilët vijojnë lojacakun: “lere sot se kemi kohë nesër” deri sa harresa bëhet zotëruese dhe qeveritarëve tanë u shkojnëpunët vaj, sidomos kur ndërkombëtarët u buzëqeshin.
Po nuk mund të mos përmëndet fati i një familjeje të tërë, siç ish është ajo e ish ushtarakut të Forcave tona të Armatosura, shef katedre në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Dilaver Goxhai. Si gjeti pseudonimin Shpëtim Golemi, me ndihmën e gazetarit të “Rilindjes”, Ramush Tahiri, në Tiranë, i tregon gruas një pasaportë fallco, gjasme me anën e sëcilës po nisej për në Zvicër dhe u humb fëmijëve nga sytë. Ndërkaq, i biri, Dritani, që pat mbaruar shkollën e aviatorëve në Vlorë, ndodhej në Greqi duke bërë praktikën fluturuese. Kur kthehet, Dritani, tek hetonte për të zbuluar udhëkryqet nëpër botë të babait, Dilaverit, ra në kontakt me kosovarët e këtushëm të UÇK-së dhe u bind që i ati ishte në luftë në Kosovë. Foli në telefon me të dhe, si u bind, bisedoi me katër nga shokët e tij oficerë dhe vendosën edhe ata të ndiqnin rrugën e kolonelit. Por në Kosovë, mirëpritësit i caktuan në formacionet sulmuese që mësynin nga toka amë, larg Shtabit të Përgjithshëm, ku drejtonte edhe Dilaveri. Dritani kontakton me të atin pasi mbaron lufta, merr pjesë në aktivitetet për ristrukturimin e UÇK-së dhe emrohet si pilot në Krahun Ajror të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Por gjatë luftës Dritani ishte njohur edhe me luftëtarë e kuadro nga rajoni i Preshevës. Paqja, pas bombardimeve në Prishtinë e Beograd nga NATO, në bashkveprim me UÇK, u vendos në Kosovë, por jo në Preshevë Siç u pa açik, vullnetarët luftëtarë, të ardhur nga Shqipëria, apo vise të tjera, ata që e morrën pushtetin, pas luftës i harruan, i lanë “të lirë” si të shkonin në punët e tyre. Por në vetëdijen e Dritanit ish formuar bindja se pa u çliruar edhe Lugina e Preshevës, lufta s’kish se si të mbaronte. Dhe u nis për në Preshevë aq i vetëdijshëm, sa që disa herë, drejtues të lartë të UÇPMB-së patën thirrur edhe Dilaverin, që të rrinte në shtabin e luftës, e cila duhej dhe do të vazhdonte. Dilaveri kish shkruar e botuar në organin “Çlirimi” artikullin: “Cila duhet të jetë strategjia jonë në Preshevë?”, luftë që nisi më 21 janar 2000. Dilaveri mund t’u gjëndej si konsulent sa herë që ata ta kërkonin, por që të radhitej me ta, nuk e quajti të udhës. Ja tek ishte i biri, tashmë edhe ai me përvojë. Dhe, i mirëkuptuar me ta, Dilaveri u kthye në Prishin. Gjithë atë komunikim me shokët e luftës, djalin dhe me veten, tërë atë preokupim dhe ide nuk mund ta tregojë askush më mirë se Ylli Polovina.
Po edhe Dritani, pasi kish marrë pjesë në luftimet në Luginën e Preshevës, për gati një vit rresht, u kthye në Tiranë për t’u mjekuar, nga që gishtrinjtë e këmbëve ishin bërë gjak nga hematoma dhe me zor qëndronte në këmbë. Në atë gjendje as që mund të kryente detyrën e komandantit të nënzonës me qendër te kodra e Shën Ilisë mbi Vranjë. Dhe ja, tek rrinte shtrirë në divan, në familje bie zilja e telefonit dhe Dritanin e kërkojnë “për një kafe”. I lutet bashkëbiseduesit , ish-shok i tij i luftës në UÇK, që t’i vinte në shtëpi, por ai ngul këmbë që Dritani të shkoi në takim. Dhe ky vishet e del, e takon dhe ja, sa hedhin bashkë disa hapa, që të dy arrestohen në bulevardin e Tiranës në mesditë, por “shoku” lirohet, edhe pse atij iu gjet arma pa leje, ndërsa Dritan Goxhai, luftëtari sypatrembur në Preshevë, djali i heroit të luftës në kosovë, i biri i një familje me tradita të shquara atdhetare, do të rrinte në burgun 316 në Tiranë për 13 muaj, edhe pse u bënë disa seanca gjyqësore, edhe pse u fol për këto probleme me Presidentin e Republikës, me ish Ministrat e Mbrojtjes, me kryetarin e SHIK-ut, ish kryeministrin, me zevendës Ministrin e jashtëmpor, i cili gjat luftës në Kosovë ishte Ministër Mbrojtje, me ambasadorin amerikan, etj. Për aktin e ulët të qeverisë dhe policisë shqiptare shkruan edhe disa gazeta, sidomos “Shekulli”. “Republika”, “Gazeta Shqiptare”, “Spektri”; u dhanë edhe intervista në TVA dhe “Koha” nga gazetarët Mentor Kikia dhe Aleksandër Çipa; dha një kronikë të zgjatur edhe Telenorba, bile u bë edhe një filmim nga gazetarët e Kosovës në trashetë e luftës në Luginën e Preshevës me bashkluftëtarët dhe komandantët e Dritanit, të cilët i bënin thirrje qeverisë shqiptare t’u lironte komandantin me pseudonimin “Shqipëria”, dhe që u trasmetua nga TVA; edhe veteranët e UÇK-së bënë protestë masive para zyrës përfaqësuese shqiptare në Prishtinë me banderola, ku shkruhej “Lironi komandant Dritanin”. Ky është rast unikal në historinë e shtetit shqiptar që çlirimtarët protestojnë kundër shtetit amë! Por jo, jo, ai, Dritan Goxhai, që ishte këmbëngulës për vazhdimin me vendosmëri të luftës për çlirimin edhe të Luginës së Preshevës, që ish radhitur në listat e ndërkombëtarëve si terrorist, të dhëna nga ish-kolegët dhe ish-eprorët e Dilaverit gjatë luftës, Dritani kurrësesi nuk duhej të lirohej.
Ndërkaq dhunë dhe egërsi ushtrohej edhe ndaj babait të Dritanit në Prishtinë (para se të ktheheshin në Tiranë në mesin e vitit 2000). Në banesën ku vet ish drejtuesit e luftës e kishin strehuar, ata i prenë dritat dhe ujin, që të ikte nga Kosova dhe të merrte me vete edhe të birin me gjithë familje. Miq e shokë të stisur, me demek se i qanin hallin, i kujtonin se i biri, Dritani, ishte mirë të largohej nga Presheva dhe të hiqte dorë nga lufta për Luginën e Preshevës dhe bashkimin e saj me Kosovën. Po në ato ditë, të birit i vjedhin makonën, ku ishin ngarkuar edhe kopjet e librit që do te promovohej në Prishtinë: “Rruga që më çoi në radhët e UÇK-së”, enkas që ky promovim të sabotohej. Ca më tepër, kur një nga “të afërmit”, një kosovar, e vë në dijeni Dilaverin se, i biri i tij, Dritani, qënkej në një listë si irridentist e terrorist bashkë me dymbëdhjetë persona të tjerë dhe, madje në krye të listës. Kështu që Shpëtim Golemin, heroit të luftës për çlirimin e Kosovës, tani që shumëkush i kish përvetësuar atributet e çlirimtarëve dhe kish siguruar edhe poste më të larta në strukturat shtetërore të pasluftës, kosovare e ndërkombëtare, tani që Shpëtimin e njihnin të gjithë ngado si koloneli lab Dilaver Goxhai, po e trajtonin si një njeri të padëshiruar në ato nahije, po bënin çmos që ai, në mos sot, nesër, t’ia mbathte për në Tiranë. Dhe, që këto përpjekje ishin të qëllimshme e të programuara nga drejtues dhe politikanë të lartë shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, u duk fare haptazi, kur edhe Mirveten, bashkëshorten e kolonelit, specilistia e parë për laboratorin e raketave këtu, e pushuan nga puna me porosi të Majkos, pa as një motiv. Oh, jo, motivi ishte i qartë: Dilaver Goxhai, mblidhe familjen, nga e ke e nga s’e ke dhe shporru, nuk ke më Atdhe, ndryshe, po ndejte këtu nuk dotë kesh burime jetësore. Akoma ca më tepër: na ler neve këtu, që jemi zotër shtëpije se dimë vet si t’i kullandrisim punët, në mirëkuptim me ndërkombëtarët, sidomos me ata fqinjë, që atë çështjen e Preshevës e kanë mbyllur me kapak floriri!
Për përfshirjen fizikisht e shpirtërisht të të gjithë pjestarëve të familjes Goxhai në veprimtarinë e drejtpërdrejtë, apo tërthorazi për çlirimin e Kosovës, është me interes të vihet në dukje edhe fakti që vet shtëpia e Dilaverit (kur ai ndodhej në Divjakë të Berishës, në Shtabin e Përgjithshëm) u kthye ne një qendër për grumbullimin e lajmeve dhe vlerësimeve kombëtare dhe botërore për luftën në Kosovë, sistemoheshin dhe i lexoheshin Dilaverit çdo natë, në orën dy të mesnatës, i cili i regjistronte në shiritin e telefonit-faks të shtabit. Pastaj koloneli i zbarthte dhe ia dërgonte gjithë formacioneve të UÇK-së në komunikatën e përditëshme të çdo mëngjesi për të ngritur moralin e luftëtarëve dhe për të rritur besimin tek lufta që bënin, duke u thënë se jo vetëm tërë kombi ynë, por e gjithë bota ishte me ne. Dhe këtë informacion ia grumbullonte, duke ndjekur shuëm medja botërore në TV e bija, në atë kohë lufte maturante, me mëmën e saj dhe me Dritanin (deri sa ai ish pa u nisur ende në front). Po ashtu, ajo banesë u kthye në një vatër bujare e përkujdesëse edhe për familjen e major Adem Shehut, i cili edhe pse ishte në krye të Brigadës 153 të UÇK-së në malësinë e Gollakut, si rjedhojë e luftimeve të pandërprera me armatën serbe, nuk gjente kohë të lidhej me familjen, dhe për fatin e tij ishte tejet e shqetësuar jo vetëm gruaja e vet dhe të dy djemtë e vegjël, prindërit dhe vëllezërit e tij, por edhe vet Dilaveri, që akoma nuk kish gjetur dot gjurmët e këtij kuadri të devotshëm dhe kur më në fund lidhen në telefon, më shumë qanin se sa bisedonin. Nga gëzimi që nuk ishte secili i vetëm.
Jeta e Dilaver Goxhait, Adem Shehut, Indrit Carës, Tahir Sinanit, Bardhyl Tahirit dhe të dhjetra e dhjetra vullnetarëve që u shkuan në ndihmë vëllezërve kosovarë gjatë luftës kundër barbarizmave të shovinistëve sërbomëdhenj me në krye Millosheviçin në vitet 1998-1999, po ashtu, hapja e zemrave dhe e dyerve të shtëpive nga mijëra e mijëra familje shqiptare në shtetin amë, në pritje të qindra mijëra të moshuarve, grave, fëmijëve, burra, djem e vajzave kosovare, në sytë e të cilëve lexohej tmerri që kishin parë nga masakrat, dëshmojnë se shqiptarizmi përbën vitalitetin e vet kom bit shqiptar, vitalitet që ngrihet mbi çdo forcë shkatërrimtare dhe i shndëron njerëzit në male të patundur, siç dëshmon gjithë historia shumë shekullore e popullit tonë heroik.

Edhe një herë tek mendimi i Anastas Kondos

Kujtoj përsëri atë bisedë të sinqertë me Anastasin, në prani të të paharuarit Todi Lubonja, në lidhje me shprehjen e tij: “Koha është e maskarenjve”. Në librin e mrekullueshëm të Ylli Polovinës lexuesi, përmes fakteve e ngjarjeve të qëmtuara me passion e dashuri, gjen me qindra episode që hedhin dritë mbi vetitë dhe virtytet më të çmuara të shqiptarit. Mbi të gjitha spikat dashuria për trojet, tokën, baltën mjaltë, dashuria për mëmëdheun, që dëshmohet nga qëndresa dhe aktet heroike në luftimet e zhvilluara në Prekaz, në Drenicë, në luginën e Pagarushës, në Gollak, në Pashtrik, Jezercë e Topillë, Bajgorë e Anadrin, në Glloxhan e Dukagjin, në Budakovë e Berishë e kudo ku serbi u turr me zjarr e hekur për të shkretuar vendin dhe për të zbuar banorët. Heroikë ishin të gjithë luftëtarët e UÇK-së, por po kaq heroikë ishin edhe banorët, që edhe pse me dhunë u detyruan të braktisnin shtëpitë, iu ngjitën maleve ku luftonte UÇK-ja dhe aty krijuan “qytete” me plasmase (me nailon sikundër i thonë në Kosovë), duke krijuar banesën e përkohëshmë , duke i lidhur me degët e lisave. Po kështu, mbarë populli heroik shqiptar, në trungun amë dhe ai në Maqedoni, jetoi me drithërimë çdo ngjarje që zhvillohej tej kufijve shtetërorë, se e thërriste gjaku stërgjushor, dëgjoheshin klithmat e Isë Buketinit,e Çerçiz Topullit, të Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit, të Adem Jasharit dhe Bajram Currit, të Karadakut e të Qemal Stafës, të Asim Voksjit e Ganimet Vendreshit e te mijëra heronjve te tjerë të rënë në luftra për lirinë dhe mëvetësinë e mëmëdheut. Këto veti e virtyte, që trashëgohen edhe nga brezat e sotëm, kudo në trojet shqiptare, dritësojnë të sotmen por rrezëllejnë, thotë romani Ylli Polovinës, për të arthmen e kombit.
Në të njëjtën kohë, edhe sipas dëshmive historike dhe letrare, që na sjell në librin e vet Ylli Polovina, në ditët tona mardhëniet individ–shtet, individ-komb, janë më të pleksura e më kontraditore se sa mardhëniet individ-individ, individ-komunitet. Duke qënë se edhe sot e këtë ditë, ata që drejtojnë institucionet e larta të shtetit, për konjuktura thelbësorë ndërkombëtare, por edhe për paaftësi, formim të cunguar dhe në ndonjë rast edhe për vënien në shërbim të interesave të të huajve, për këto arsye pra, edhe pse ne vet ua kemi dhënë votën, ata me ne, banorët e këtyre trojeve, që përbëjmë shumicën dërmuese, janë më “të ftohtë”, ndërsa me ndërkombëtarët janë më “të ngrohtë”. Lypsej të ndodhte e kundërta! Në këto mardhënie individ-shtet, qëndron një hapësirë e zymtë, e mjegullt, ku shpesh individi konsiderohet një hiç dhe pushtetari një zot. Këtu edhe e ka burimin çdo e keqe, çdo ligësi, çdo babëzi e çdo tradhëti. Dhe vetvetiu vërshojnë valë-valë intrigat, mosmarrëveshjet, apo marrëveshjet djallëzore, korrupsioni dhe gjithë të zezat që ua trishtojnë jetën, ua ligështojnë shpirtin, ua varfërojnë jetën qytetarëve, aq sa në këtë terren mbijnë, rriten e lulëzojnë veset, , që ua marrin frymën njerëzve të virtytshëm. Dhe në këto kushte dita emërtohet me bëmat e maskarenjve: vjedhje të pasurisë dhe pronës së tjetrit, rrëmbim të fëmijës së biznesmenit, hakmarrje për larje hesapesh, prostitucion, shitblerje fëmijësh jetimë, krijohen monpolet, ndalon interesi për prodhimet e vendit, mjerohet fermeri, rriten çmimet në Pazar se jemi të varur nga tregu i jashtëm, keqësohet gjendja social ekonomike e popullit e kështu me radhë. Po, në këtë hulli lypset të studjohen edhe qëndrimet e sotme ndaj njerit e tjetrit akt pozitiv, fjala vjen, heroik, të një a disa individëve. Sot, çuditërisht, nga shumëkush përqeshen aktet sublime të dëshmorëve dhe heronjve, në këtë kuadër edhe qëndrimi tejet atdhetar i oficerave, kuadrove e vullnetarëve që lanë shtëpitë e vatrat e ngrohta familjare dhe rrëmbyen armët dhe u përleshën për jetë a vdekje me barbarët serbë, për të shpëtuar popullin e për t’i dhënë liri Kosovës, akoma nuk është vlerësuar. Askush nga ata nuk kërkon dekorata për t’i varur në gjoks, por mirënjohja na takon neve t’ua shprehim me zë të lartë dhe jo t’ua zymtojmë jetën me qëndrime antishqiptare, antinjerëzore.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com