Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ta rishikosh historine bashkë me vetveten

Botuar në numrin e tetorit 2007 të revistës “Shqip“


Ka popuj, të cilët e kanë bërë njëherë kushtetutën dhe prej atij çasti mund të kenë rrjedhur qetësisht apo trazueshëm njëqind apo dyqind vite dhe ata nuk e kanë ndryshuar në asnjë kapitull, nen, fjalë apo shenjë pikësimi. Ne, shqiptarët, kapërxyem vetëm shtatë-tetë vite nga kushtetuta më e fundit dhe nuk po rreshtim së foluri për të kryer sa më shpejt në të disa ndryshime. Në vetëm nëntëdhjetë e pesë vite shtet numërojmë në thesarin e çudive tona katër kushtetuta.
Nuk mund të ishim ndryshe edhe për shumë gjëra të tjera, patjetër edhe qëndrimin ndaj historisë.

ooo

Kush e di për të satën herë, tashmë edhe në këtë gjysmë të dytë të vitit 2007, nga mjediset partiake shqiptare nisi të ngacmohet tema e rishkrimit të historisë kombëtare. Mungojnë shumë të vërteta në këtë histori, thonë nismëtarët më të fundit, janë falsifikuar shumë të tjera, ngulin këmbë ata. Mirëpo e gjithë kjo nuk ka asgjë të re, janë tema e çështje të çelura kaq shumë shpesh nga elita e vendit, jo pak edhe nga vetë opinioni i gjërë. E reja kësaj rradhe ka të bëjë me një veçansi: ndërhyrja kërkohet të bëhet të paktën në librat e historisë që mësohet në shkolla. Që pas rënies së diktaturës këto libra mbi të cilat formohet gjenerata e re, janë riparë e rihartuar në vazhdimësi. Autorët e teksteve kanë bërë sa kanë ditur e mundur edhe për interpretimin e ngjarjeve më kyçe të historisë. Mirëpo humbellat, vendet e zbrazëta, gropat e padijes apo vend-pritat e pasaktësive janë ende të shumta.
Në këtë kuptim një përpjekje tjetër, një rishikim sa më objektiv i historisë sonë, duhet nxitur. Patjetër aspak urdhëruar. Urdhëri do të ishte rikthimi në pikën e fillimit, në atë të keqshkrimit të saj.


ooo

Në mes të verës së këtij viti në një nga sallat e një institucioni të rëndësishëm muzeor kombëtar pjesëmarrësve të mbledhur në një veprimtari saktësimi (apo rishikimi) të historisë iu shfaqën disa dokumenta, në të cilat provohej, sipas organizatorëve, që Halit Lleshi, i jati i ish-presidentit të Shqipërisë komuniste, Haxhi Lleshi, merrte pagesë të rregullt, për shërbimet që kryente, nga qeveria e Beogradit. Lleshët atë kohë jetonin në territorin e mbretërisë jugosllave dhe ishin qytetarë të saj.
Vetëm dy vite më parë një profesor i universitetit të Tiranës në një libër që botoi për mendimin politik shqiptar, kryer me frymën e një rishikimi tërësor, bëri të ditur, sipas tij, se Isa Buletini nuk ishte gjë tjetër veç një njeri që u kishte shërbyer fshehurisht serbëve. Një vit më tej, pra në 2004, një ish-diplomat i kohës së diktaturës, i cili pas rënies së regjimit u rreshtua me opozitarët e saj, bëri një artikull të gjatë, ku u përpoq të provonte se Gjergj Kastriot Skënderbeu kishte punuar e luftuar kundër vetë interesave të shqiptarëve. Madje edhe kishte therrur turma të tëra me bashkëkombas për t’i shtrënguar të ktheheshin nga muslimanë në të krishterë.
Ja pra, siç e shihni, tek ne mund të rishihen të tëra. Mund të rishkruhen nga fillimi të gjitha ngjarjet. Mund shëmbet e të ribëhet që nga themelet çdo gjë.
“Të rishihen” gjer tani për ne ka përgjithësisht kuptimin që të përmbysen. Rishikimi, rishkrimi për mëndësinë tonë është akoma kthim kokëposhtë. Njëlloj siç bëhet me një të mbytur, të cilit për t’i zbrazur ujin që ka deng në trup, duhet ta kthesh përmbys e ta shkundësh. Historia jonë me shumicën e kohës mbushur me regjime, ja ka ngecur gjer në fyt bashkëkombasve me atë që kanë dashur të shkruajnë për veten e tyre politikanët e fortë. Dhe duke qënë se mes nesh akoma vazhdon ndikimi i logjikës se ai që del në krye nuk hap shteg për ndarje pushtetesh, por i grumbullon ato të gjitha, atëhere rezulton se shoqëria shqiptare akoma prodhon të superfuqishëm. Mirëpo aksioma nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë: historinë gjithnjë e shkruajnë fitimtarët. Në rast se në një luftë apo garë ngadhënjimtar është vetëm një shtet, atëhere ai do të bëjë gjithçka që të rishkruajë, siç i intereson atij, edhe vetë historinë e kombeve të tjerë. Në rast se fitimtari është një individ, do ta ndryshojë ai, në dëm të të tjerëve, mënyrën si deri ato çaste është shkruar historia e bashkëkohësve.
Për ta bërë më të thjeshtë kuptimin e kësaj të vërtete, pra të asaj që në shkrimin e historisë nuk vendosin dot më të dobëtit, por më të fuqishmit, le të marrin çështjen e imazhit të Shqipërisë. Jemi dakort ne apo jo, jemi pjesërisht të një mendjeje apo tërësisht, imazhin për shqiptarët dhe vendin tonë e krijojnë në këtë botë vendet e fuqishme. Ne mund të zëmërohemi edhe me të gjithë globin, po të duam, por asgjë nuk ndryshon në llojin e përfytyrimit që të huajt kanë për ne. Në rast se ata mendojnë që ne merremi me drogë, me prostitucion, se anojmë tepër nga muslimanizmi apo jemi një popull që u bjemë më qafë, përshembëll, serbëve, atëhere kështu do të përhapet ideja për ne dhe po kështu do të besohet nga shumica e njerëzve përtej kufijve tanë. Kështu edhe do të shkruhet e rishkruhet edhe historia jonë nga më të fuqishmit.
Ka ndonjë zgjidhje?
Një gjysëm-zgjidhje ekziston. Për të shpëtuar nga pesha e ndikimit jopozitiv të historisë sonë që shkruhet nga të huajt, na duhet të bëjmë figurë më të mirë vetë ne në jetën tonë, në Shqipëri. Historia bëhet, por edhe shkruhet këtu. Jashtë vendit tonë ajo shumëfishohet.
Prej bezdisë së mësipërme dhe të mbrapësht që na sjell, është të mos prodhojmë e lejojmë në Shqipëri individë apo parti të stërfuqishme. Individi si Luigj XIV, Ligji si Maliq dhe Partia si Shtet ofrojnë vetëm shtrëmbërim të historisë, deformim të saj. Për sa kohë në Shqipëri uni politik do të shpëtojë nga kontrolli i shoqërisë, do të bëjë që historia jonë të rishkruhet përherë.
Mirëpo kjo do të thotë që ajo të mos mund të shkruhet realisht asnjëherë.

ooo

Me pak vite pluralizëm e pjesa tjetër kohë e rendë regjimesh, veçanërisht periudhë realkomuniste, kanë bërë që historia jonë të shkruhet e të përhapet mes nesh si një informacion e kulturë e gjymtuar. Për të paktën një gjysëm shekulli ngjarjet e saj u seleksionuan ideologjikisht, duke e mpakur vlerën e tyre dhe shpesh edhe duke e zhdukur, shfarrosur. Në Shqipërinë e sunduar nga diktatura bolshevike nuk u burgosën, internuan apo u vranë vetëm njerëz, krim aspak i vogël, por edhe vlera të mëdha historike. Kjo mbetet një gjëmë e madhe. Vlerat tona kombëtare artificialisht u zvogëluan disafish dhe rikthimi i kësaj pasurie aspak të vogël, ndërsa pjesërisht po bëhet, nuk mund t’i lihet edhe më rutinës me ngadalësisë së saj të njohur “të bëhet sa mund të bëhet”. Një shoqëri e zhvilluar e nxit këtë proçes, e shtyn përpara.
Por ndërsa, përshembëll, në historinë e letërsisë e të arteve me reabilitimin e autorëve të mohuar, shkrimtarë apo poetë, piktorë apo gazetarë, menjëherë pas shëmbjes së regjimit vendosja e ekuilibrit u bë më shpejt dhe më mirë, nuk ndodhi kjo me historinë politike të vendit. Gjergj Fishta u rikthye pa ndonjë rezistencë e pa krijuar asnjë problem. Rierdhën tërësisht Fak Konica, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova apo Kasëm Trebeshina. Erdhën me kujtimet e tyre edhe politikanët e dëbuar përdhunshëm si Mehdi Frashëri apo Eqerem Bej Vlora. Në sajë të lirisë së të shprehurit u rikthyen të gjithë. Sigurisht në libra e faqe gazetash.
Ata thanë të vërtetat e tyre, duke ndihmuar në shkrimin sa më të drejtë të historisë. Ndihmuan të bëheshin koregjimet. Mirëpo ata nuk janë as Akademia e Shkencave, as Instituti Albanologjik i ardhshëm, as Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, as këta apo ata autorë të njohur të teksteve mësimorë.
Tjetër gjë janë libraritë apo bibliotekat publike, kioskat e gazetave apo debatet e lira në ekranet televizive, tjetër gjë librat mësimorë për nxënësit e shkollave apo studentët. Pushtetet politike u ndërruan me zgjedhje të lira në mars 1992 dhe u alternuan më pas, porse më e rëndësishmja nuk ishte cili qeveritar do të administronte punët e Shqipërisë në këtë apo atë mandat, por si do të ndryshonte mentaliteti i tyre kulturor edhe ndaj vetë mënyrës se si duhej bërë e shkruar historia kombëtare. Shumica e shqiptarëve, veçanërisht ata që kishin jetuar periudhën diktatoriale, jo vetëm kishin dijeni të gjymtuara mbi ngjarjet kryesore të historisë politike të vendit të tyre, por tashmë edhe kërkonin më shumë kohë që të kuptonin interpretimin e ri. Ca më tepër çlirimi i kësaj mëndësie nga doktrinimi i shkuar u vështirësua nga mësymja politike e atyre që shkrimin e historisë, pra koregjimin e saj, plotësimin, saktësimin, e gjykonin si përmbysje. Sepse pas vitit 1990 u shfaqën edhe fitimtarët e rinj, një pjesë e të cilëve nuk ishin gjë tjetër veç thjesht të mundurit e djeshëm. Këta kujtuan se rënia e komunizmit për meritë që nuk ishte aspak e tyre, automatikisht u jepte të drejtën të përfitonin statusin e ngadhënjimtarit të ri. Filloi të ngulmohej se komunistët të gjithë ishin mëkatarë që gjatë luftës së çlirimit dhe se vetëm nacionalistët, pra ballistët, ishin idealistë. Kërkohej (por edhe akoma bëhet presion), që historia të shkruhet në favor të këtyre të fundit.
Po në histori edhe komunistët, edhe ballistët, për arsye krejt të ndryshme, ishin humbës. Humbësve nuk u jepet asnjëherë status të rishikojnë historinë, e cila siç thamë më sipër, është e drejtë e fitimtarëve. Kjo për shqiptarët do të thotë se është vetëm e drejtë e shoqërisë dhe elitës së re pluraliste të pasdiktaturës.
Ja përse shkrimi i historisë nuk duhet të jetë rishkrim. Duke qënë i nevojshëm, për shkak të gjymtimeve politike, një proçes i thellë saktësimi apo thellimi në të, shkrimi i historisë duhet të jetë mbi të gjitha rikthim i vlerave të humbura.


ooo

Do të mjaftonte lista e gjatë e emrave të njohur që për arsye ideologjike i munguan Shqipërisë për dekada të tëra për të kuptuar e ndjerë sadopak se çfarë dëmesh kolosale janë krijuar nga të quajturat “rishkrime”. Por sa vlera të tjera, të mijra e dhjetra mijra të tjerëve të mohuar, do ta kishin bërë vendin tonë më të begatë në rast se mbi to nuk do të binte dhuna. Po marrim njërën prej tyre. Ka emrin e thjeshtë Robert Martiko. Pesëdhjetë e nëntë vjeç. Bashkëkombas që jeton në Korfuz. Rrugën e emigrimit e mori që në fillim të dekadës së viteve nëntëdhjetë.
Dino Martiko, i jati, i njohur në Vlorë për cilësitë idealiste të moralit të tij dhe krenarinë, u burgos tre herë nga diktatura. Herën e tretë dhe të fundit ndërroi jetë në qeli.
Ndjenjën për drejtësi dhe ndershmëri ia la të birit, të vetmen që mund t’ja trashëgonte pa kaluar në kontrollin e “partisë” dhe të shtetit të saj totalitar. Roberti atë kohë ishte një i ri plot dëshirë për të shkruar letërsi, por për shkak të rrethanave që i krijoi sistemi çensurues, nuk mundi dot kurrë t’i sendërtojë në një botim. Vetëm tani, në liri, Robert Martiko, ka botuar dy romane mjaft interesantë (“Dritëhije shpirtrash të humbur” dhe “Flijime të skajshme”) dhe merr pjesë me një dinjitet të spikatur kulturor në debatet e ndryshme në disa forume në internet.
Sa vite vonesë i krijuan këtij talenti ata, rishkruesit e historisë së vitit 1944? Sa e madhe është humbja personale për Robert Martikon si shkrimtar dhe sa e kapërxyeshme është ajo mungesë e gjatë për një vend, i cili nuk është aq i bollshëm me njerëz dhe hapësira gjeografike sa të mos ketë nevojë urgjente për të mbështetur politika që krijojnë vlera? Askush nuk ka për ta matur kurrë në cilën lartësi letrare do të kishte arritur, me liri të ndaluar për një gjysëm shekulli, i biri i një të burgosuri politik.

ooo

Na duhet të bëjmë vetveten dhe bashkë me të edhe historinë.
Në ka ndodhur që e kemi bërë lëmsh të shkuarën tonë, po nuk ndryshuam shpejt, po ashtu si lëmsh kemi edhe për ta shkruar. Ndër themeluesit e shtetit të pavarur shqiptar ka emra që mbahen në terr vetëm e vetëm se në vitet dyzetë u futën në qeveri kolaboracioniste me pushtuesit fashistë. Ngjarja tjetër kyç, i quajturi “revolucioni i qershorit”, duke mos qënë në thelb aspak revolucion, tanimë nga shkrues të rinj të historisë ngulet kembë që patjetër të emërtohet “grusht shteti”. Mbledhja e Mukjes nuk ka marrë dritën e duhur dhe Konferenca e Pezës akoma mbrohet si kuvend pluralist, ndërkohë që atje u vunë tinëz themelet e hegjemonisë bolshevike. Periudha “socialiste” nga shkruesit fitimtarë antikomunistë u fshi e tëra. Nuk thuhet, përshembëll, se për ruajtjen e monumenteve të kulturës bëhej shumë dhe shpenzohej jo pak. Viti 1997, ajo trazirë, është akoma aq zonë e nxehtë saqë historianët nuk i afrohen dot. Nëpër tymin e saj lëvizin tutje e tëhu politikanët.
Por edhe nga shkruesit e historisë, edhe pse jo aq spikatshëm, gjen “të kuq” dhe “blu”.
Ja pse gjithçka nis nga vetvetja. Fillon nga politikani, i cili veprimin si bërës kryesor i historisë, duhet ta kryejë me idealizëm për vendin e popullin e tij e jo i nxitur keqas nga interesat personale. Vijon me vetë hartuesin e librit mësimor, ku shkruesi i historisë duhet të jetë sa më pak i influencuar nga anëshmëri partiake apo nga ideologji të ndryshme. Shkrimi i drejtë i historisë ka themel opinionin publik, i cili përherë e më shumë duhet të jetë “vetja”, pra forca që vendos ekuilibrin midis bërësve dhe shkruesve.
Eshtë shoqëria jonë, e cila duhet të jetë sa më shumë demokratike dhe e zhvilluar që t’i ndajë njëherë e mirë nga njëri-tjetri këto dy pushtete: bërësit e historisë dhe shkruesit e saj.
Vetëm që prej këtij çasti shkrimi i historisë hyn në proçes normal. Domethënë që nuk do të rishkruhet kurrë.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com