Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur shëmbej Enver Hoxha dhe lartohej Nënë Tereza

Bouar ne revisten “Shqip”, korrik 2007

E kanë provuar ta deformojnë natyrën, të shfarrosin apo kllonojnë gjallesat e saj, por ajo më në fund jo vetëm i ka refuzuar përdhunuesit, por edhe i ka ndëshkuar rendë. Me mllef dhune dhe epshi sundues ia janë sulur popujve edhe jo pak njerëz të pushtetit. Në fillim popujt janë përpjekur të merren vesh me pushtetarët e papërmbajtur, veç më në fund, kur durimi është kapërxyer, i kanë rrëzuar përdhe, i kanë shembur mes pluhurit.
Ajo që do të tregojmë në këtë shkrim është një nga mijra dëshmitë e këtij rregulli të pacenueshëm. Madje në rastin shqiptar dukuria është mjaft e veçantë, të paktën kur binte diktatura puniste. Ndërsa në eurolindjen komuniste tiranitë dhe udhëheqësit e tyre të ngrefosur binin, në sfond popujve të çliruar u shfaqeshin simbole lirie të historisë së tyre. Këta ishin shkrimtarë të persekutuar nga regjimi, themelues të hershëm të shtetit, heronj të mesjetës. Për një rrethanë që kërkon më shumë faqe se ky shkrim, rrëzimi i enverhoxhizmit në Shqipëri u krye, kur në horizontin e botës kishte lartuar shtatin e saj qiellor Nënë Tereza. Më parë se demonstrimet e Lëvizjes së Dhjetorit në Tiranë të mbanin lart portretet e Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses, në fatin e Shqipërisë ishte shfaqur bashkëkombasja më e madhe humaniste. Për një fat, rastësi ose jo, duhet t’i gëzohemi kësaj mrekullie. Diktatori dhe sistemi i tij politik çnjerëzor u zëvendësuan me humanisten më të zëshme të shekullit.
Eshtë një zhvillim i jashtzakonshëm, krejt ndryshe nga ajo që ndodhi në vendet e tjera ish-komuniste. Enver Hoxha binte sepse kishte mbjellë urrejtjen e njeriut për njeriun. Ngrihej Nënë Tereza, sepse kishte shpërndarë në të gjithë botën dashurinë mes njerëzve.

ooooooooooooo

Më 19 shkurt 1991 Eduard Selamin, atë kohë Sekretar i Përgjithshëm në Partinë Demokratike si edhe Edmond Trakon, anëtar të kryesisë së saj, e thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Zyra për ku i shoqëruan nuk ishte dosido, por ajo e vetë Ministrit. Hekuran Isai formalisht u tregua i sjellshëm. Rrinte në një poltron të meshintë ngjyrëgri, tepër shpinëmadh për shtatin e tij modest. Në njërën anë të tavolinës së madhe qendronte i heshtur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Në selinë e Partisë Demokratike për këtë takim njoftimi u kishte ardhur ngutshëm, por ftohtë. Me që dy ditë më pas, më 21 shkurt, për në Paris e Bruksel do të nisej një delegacion i kësaj partie, Ministri kishte dëshirë t’i takonte. Dërgata e PD-së kësaj rradhe përfaqësonte grupin e parë zyrtar që do të takohej me vetë presidentin e Parlamentit Evropian Egon Klepsh. Delegacioni do të kishte shumë kontakte zyrtare edhe me personalitete të tjera të shquara të kontinentit. Në vetëm tre muaj jetë partia e re e kishte rritur autoritetin shumë. Ajo e kishte detyruar Partinë e Punës të pranonte zgjedhje të lira më 31 mars.
Eduard Selami dhe Edmond Trako, duke e ditur përse po i thërritnin, nuk dyshonin fare se pas atij “kujdesi” fshihej teknika e rendomtë e presionit. Për ta kuptuar se Ministri i Brendshëm nuk kërkonte nga ai takim as më shumë dhe as më pak, por tërheqjen nga ajo dërgatë, dy të zgjedhurit e lartë të Partisë Demokratike pritën me durim si do të hepoheshin ngjarjet në zyrën e madhe të njeriut që zotëronte edhe pushtetin e veprimit të fshehtë. Deri ato çaste rrethanat, që lidheshin me udhëtimin e tyre në Paris e Bruksel, po përshtjelloheshin mistershëm. Biletat vajtje-ardhje të tre anëtarëve të delegacionit ua kishte paguar që nga Parisi Idriz Basha, organizatori i takimeve. Mirëpo kur vajtën tek agjensia, ku sipas njoftimit të Bashës, duhej të ishin biletat, këtu u thanë se ato vërtetë ekzistonin, ishin prenotuar e paguar, por pak çaste më parë kishin ardhur t’i merrnin dy punonjës të Ministrisë së Brendshme.
Pasi Selami dhe Trako u ulën në skajin tjetër të tavolinës Hekuran Isai shqiptoi qartas e duke i ndarë mirë fjalët nga njëra-tjetra: “Djem të mirë, e keni menduar mirë se çfarë po bani?”
Duke mos dashur të pranonte heshtjen, që i mbërriti pas pyetjes, ndryshe ajo do të dukej hapët se ishte mosbindje, Ministri i Brendshëm iu drejtua Eduard Selamit “Je i martuar?”. “Jo”, u përgjegj ky, “Jam beqar”. Isai u kthye nga Edmond Trako dhe i bëri të njëjtën pyetje. “Unë kam një vajzë”, ktheu përgjigjen Trako. “Të uroj!”, shqiptoi Ministri. Duke mos dashur të hynte në mes edhe një pauzë tjetër e padëshiruar Hekuran Isai e ripyeti: “Paske vajzë, por a e mendon se ku po shkon?” “Po”, u përgjegj Edmond Trako. “Po a e ke menduar mirë?” nguli kembë e vështrim Ministri. “Po”, iu rikthye përgjigja, “E kam menduar edhe vajtjen, edhe kthimin”. Pas kësaj nga goja e Ministrit doli vetëm një “Ashtu, hë?!” Në reagim Trako përsëriti një tjetër “Po”. “Qenke goxha i vendosur!”, shtoi Hekuran Isai. “Megjithatë do kujdes kjo punë”, vijoi. Pastaj saktësoi: “Besoj se e keni dëgjuar, shokë pedagogë, se kanë dalë ca forca të errëta?”
Togfjalëshi “forca të errëta” kishte disa ditë që kishte hyrë në gjuhën e komunikatave të shpërndara nga qeveria komuniste. Ishte një zhargon propogandistik, i cili synonte ta djallëzonte lëvizjen demokratike dhe ta paraqiste atë si bartëse të destabilizimit të vendit. “Forcat e errëta” ishte një formulim demoniak edhe për të frikësuar njerëzit. Kush trembej apo kishte fantazi frelëshuar le t’i merrte këto forca, po të donte, edhe si “skuadrone vdekjeje”.
Ministri për të parë efektin e ndërhyrjes së tij rrotulloi rreth vetes poltronin gri të errët dhe tha “Ne kemi për detyrë tua sugjerojmë që të keni kujdes”. Pastaj, duke përsëritur rrotullimin, kësaj rradhe nga krahu tjetër, vështroi Edmond Trakon dhe theksoi: “Ca më tepër ty, që qënke familjar”. Një sekondë më vonë përsëriti edhe njëherë fjalët “Shokë pedagogë”. Në sekondën pasardhëse la të kuptojë se priste të dilte në krah të tij edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ky foli fare pak, por ishte më ngulëkembës në rrezikun që për sigurinë e njerëzve paraqitnin “forcat e errëta”. Shqiptoi një herë edhe togun e fjalëve “shokë pedagogë”. Ishte një mënyrë për t’u rikujtuar se nga një pedagog universiteti për lendën e estetikës, siç ishte Eduard Selami dhe në Fakultetin e Mjekësisë, siç ishte Edmond Trako, ata prisnin ndërgjegje më të lartë besimi tek qeveria që i kishte vlerësuar me ato punë të mira. Pastaj, po ta ndjenin të vështirë e të kanosur jetën e tyre, mund të hiqnin dorë nga ai udhëtim për në Paris. Dueti i dy të fuqishmëve të shtetit synonte pikërisht këtu.
Kur Eduard Selami dhe Edmond Trako dolën nga godina hijerendë e Ministrisë së Brendshme jashtë binte shi i madh, i rendë e pikëmadh. Qullte çdo gjë. Bashkë me të ftohtin e atij shkurti ikja pas dy ditësh drejt Francës, avioni, qielli, kapërximi i detit, depërtimi drejt qendrës së Evropës, Parisi, Brukseli, dukeshin si vetëm një ëndërr që ishte prishur me të hapur sytë. Regjimi mund t’u bënte ndonjë sfidë të papritur për t’i penguar me çdo kusht.

Ooooooooo

Mirëpo e nesërmja bëri që të ishte shumë larg jo udhëtimi i dërgatës së partisë opozitare drejt Francës, por vetë Ministri i Brendshëm bashkë me poltronin e tij shpinëmadh me ngjyrë gri të errët, të cilin e vetrrotullonte në një kombinim dinak të fjalëtogut “shokë pedagogë” dhe “forca të errëta”.
Atë ditë, më 21 shkurt, paradite, në sheshin qendror të Tiranës u rrëzua përmendorja e madhe e Enver Hoxhës. Kur ajo ra Edmond Trako ishte larg shëmbjes së masës së bronxtë të diktatorit jo më shumë se pesëmbëdhjetë metra. Tek u shemb përdhe shtatorja u nda në dy pjesë: në një anë trupi dhe në anën tjetër koka. Protestuesit, shumica fare të rinj, e morën kokën e bronxtë të diktatorit dhe e tërhoqën në drejtim të Rrugës së Kavajës. Mbi të ra i gjithë zëmërimi i të revoltuarve. E goditnin me shkelma, i futnin presh në gojë, i derdhnin ujin e hollë. Ndërkohë masa e madhe e trupit të shtatores, nëpërmjet një kavoje, u lidh pas një kamioni dhe u hoq zvarrë nëpër Tiranë gjersa u la në një nga sheshet e Qytetit Studenti. Ishte apo ai shesh tashmë historik, prej ku ishin grumbulluar dhe nisur të tridhjetë përfaqësuesit e opozitës që kërkuan takim me Ramiz Alinë dhe vunë kusht fillimin e pluralizmit partiak.
Kur Edmond Trako menjëherë pas shembjes së shtatores vrapoi për në selinë e Partisë Demokratike, atë kohë në Rrugën e Kavajës, me gëzimin se do të ishte ndër të parët në dhënien e superlajmit, Sali Berisha tashmë e dinte. Entuziast, i emocionuar, por ndërkohë edhe i tronditur, foli para se Trako të formonte fjalën “Ra”. Berisha shqiptoi saktësisht po atë folje. “Ra” ishte ato çaste më e kuptimshmja dhe më shprehësja e shembjes së madhe që kishte ndodhur. “Ra” nuk do të thoshte se kishte rënë vetëm një përmendore e diktatorit apo simboli i diktaturës. Ishte këputur e rrëkëllyer përdhe vetë diktatura, koha e nëmur e saj.
Menjëherë bashkë me Sali Berishën ata hipën në makinë dhe u nisën për në Qytetin Studenti. Këtu cikloni kundërkomunist gjeneronte forcë, por edhe maturi. Pas atij rrëzimi Shqipërinë mund ta përfshinte një paqendrueshmëri e plotë, mbase edhe luftë civile. Mundja e këtij rreziku të ri do të niste patjetër nga qyteti i madh studentor. Në dërgatën për në Paris dhe Bruksel ishte planifikuar edhe Sali Berisha, por prej atij momenti ai u tërhoq. “Duhet të jem këtu”, shpjegoi shkurt, “çdo gjë mund të ndodhë”.
Në mbrëmjen e asaj dite të 20 shkurtit 1991 u shtua përpjekja e turmës së pambaruar për të ndarë copa-copa e shtatin e bronxtë të diktatorit. Përdoreshin vare e çekanë të formateve nga më të ndryshëm, jo pak edhe sharra metalike. Shumë shpejt mllefi për ta shbërë përmendoren e gjymtuar që në çastin e shembjes u shndërrua në dëshirë për të shkëputur copra për kujtim. Për shqiptarët ajo masë trupi të bronxtë e vetëm një njeriu ishte si Muri i Berlinit.
Atë mbrëmje, pra diçka më shumë se një gjysmë dite para se delegacioni i parë zyrtar i Partisë Demokratike të nisej për në Parlamentin Evropian, Edmond Trako u gjend në këtë shesh, ku me të gjitha llojet e mjeteve të forta nga trupi i diktatorit shkëputeshin copra relikesh. Një simpatizant i opozitës për degën e Tiranës, me të cilin njihej, e ndihmoi të merrte edhe ai një copë. I riu e shkëputi nga shpatullat e shtatores së diktatorit. Ishte një pjesë e palltos së tij. Këtë copë veprimtari i PD-së më pas e preu me një sharrë metalike, duke e bërë dypjesësh. Edhe kjo ndjarje ishte punë e mundimshme, por Edmond Trako i shpjegoi të riut se një copë dëshironte ta ruante për vete, porse një tjetër do ta çonte si dëshmi në zemër të Evropës. Ia tha sekretin: në mesditën e të nesërmes një dërgatë e opozitës do të nisej për në Paris.
Kur la Qytetin e Studentit dhe mbante me vete dy copërat e bronxëta, ora ishte njëzetë e dy e tridhjetë. Në shesh mbetën akoma grumbuj njerëzish që përjetonin ekstazën e ngadhënjimit.

Ooooooooo

Më 21 shkurt bashkë me Eduard Selamin dhe Preç Zogajn shkuan në aeroportin e Rinasit. Ishin pa bileta dhe ashtu hipën në avion. Njerëzit e Ministrisë së Brendshme nuk i penguan. Në aeroportin e Parisit i priti vetë Idriz Basha me të shoqen. Fizikisht nuk njiheshin dhe me njeri-tjetrin deri atëhere patën folur vetëm në telefon. Në kryeqytetin francez moti atë pasdite të vonë ishte i vrenjtur, tipik dimëror.
Të nesërmen takimi i parë u bë me Zhiskar D’Estenin, në zyrën e tij. Në fillim ishte njohja me situatën në Shqipëri dhe në opozitë. Foli më shumë Eduard Selami, i cili ishte edhe kryetari i delegacionit, por pyetje iu bënë nga D’Esten dhe stafi i tij edhe Preç Zogajt e Edmond Trakos. Në momentin kur Idriz Basha tha se protestuesit kundër regjimit në Tiranë kishin rrëzuar shtatoren e Enver Hoxhës dhe ish-presidenti francez pohoi se atë skenë e kishte parë në CNN që një ditë më parë, madje ajo pamje ende ritransmentohej, Trako nxorri nga çanta copën e këputur nga përmendorja e diktatorit. Duke iu drejtuar Zhiskar D’Estenit tha “Kjo është një copë nga busti i rënë”. “Nga cila pjesë e trupit?, pyeti ish-presidenti francez pothuajse i hutuar. Edmond Trako shpjegoi. Atëhere D’Esten u brofi në kembë dhe thirri “Shampanjë!”
Dollia u bë në çast.
Enver Hoxha kishte shkruar në kujtimet e tij se idetë komuniste i kishte marrë në Francë dhe në rrethe të ngushta nuk e mohonte që ishte një frankofon. Njerëzit e regjimit të tij hynin e delnin në Paris më lehtësisht se në çdo kend tjetër të botës. Qarkullonin edhe fjalë se vërtet diktatori nuk ndihej aspak miqësor me SHBA-në apo BRSS-në, por me Francën ndodhte e kundërta. E megjithatë “francezi” Enver Hoxha më 20 shkurt u shemb në Tiranë dhe dy ditë më pas, për rrëzimin e tij u pi shampanjë në Paris.
Pasditen e 22 shkurtit dërgata e opozitës kreu edhe disa takime të tjera, mes tyre tek ish-kryeministri Zhak Shirak, ato çaste kryetar i bashkisë së Parisit, dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës. Pa u vonuar më pas u nis për në Bruksel, atje ku ishte edhe ngjarja më e madhe: takimi me kryetarin e Parlamentit. Për nder të dërgatës opozitare nga Shqipëria në Bruksel u bë darkë madhështore. Të tre anëtarët e delegacionit shkruan edhe në librin e Parlamentit Evropian, duke u bërë treshja e parë jo komuniste që hidhte firmë. Në mbarim të misionit u rikthyen në Paris. Veprimtaria e tyre ndërkaq ishte filmuar, fotografuar dhe intervistuar nga televizioni publik belg, prej të përditshmeve të Brukselit “Vers l’Avenir”, “Standart”, “La Dernier Heure”, nga “The Time” dhe “Zëri i Amerikës”, nga BBC, AFP, ANSA, RAI, “Le Monde”, “Le Soir”.
“L’Avenir” e Luksemburgut mes të tjerash shkruante se tre opozitarët shqiptarë ishin “miq të Idriz Bashës, kryetar i Bashkimit të Shqiptarëve të Lirë“, “Preç Zogaj ishte shkrimtar i Tiranës dhe mik personal i shkrimtarit Ismail Kadare”, “Eduard Selami, prijësi i dërgatës dhe Sekretar i Përgjithshëm, ishte vetëm 29 vjeç” dhe se “Edmond Trako përfaqësonte përgjegjësin e komitetit organizator të opozitës për zgjedhjet të lira, që do të mbaheshin më 31 mars”. Sipas të përditshmes luksemburgeze Trako kishte thënë se statujat e diktatorit po rrëzoheshin kudo, në qytet e fshat, dhe se “është një aventurë të marrësh pushtetin në Shqipëri, por Shqipëria meriton ndryshimin e rrugës së saj, bashkimin me Perëndimin, me shoqërinë e të Drejtave e Njeriut, atë të ndryshimit”.

Ooooooooooooo

Ambasada Shqiptare në Paris me telefon u tha se i kishin ata biletat e kthimit dhe se i prisnin në seli. E refuzuan. Shpjeguan se biletat ishin personale dhe të paguara nga miku i tyre Basha. Shkuan në aeroport me mendimin se ambasada do tua kishte lënë atje, por nuk i gjetën. Ritelefonuan përfaqësinë dhe një nga punonjësit përsëriti “A do vini këtej, ne po ju presim”. “Nuk kalojmë andej”, i tha prerë Eduard Selami. Kështu humbën avionin dhe nisja për në Tiranë u bë të nesërmen.
Kur e rrëfen këtë moment Edmond Trako shton se megjithatë ndodhin gjëra të mahnitshme, transmentohen simbole. Nga Parisi në Romë në vendin pranë kishte një italian. Këtu ky zbriti dhe në vend të tij u ul Nënë Tereza. Shoqërohej nga tre bashkëfetare të saj. Po vinte në Tiranë dhe Trakos së emocionuar gjer në drithërinë i bëri pyetjen për rëzimin e përmendores së Enver Hoxhës. E kishte parë kronikën e CNN, por donte hollësi.
Ajo që duhet të thuhet, duke e mbyllur këtë shkrim, ka të bëjë me autografin që humanistja e madhe e shekullit la në bllokun e Edmond Trakos atë ditë, më 2 mars 1991, në orën 15.30. Ishte urimi “Zoti i bekonte shqiptarët!”
Në gjuhën e përgjithshme, edhe të laikëve, kjo donte të thoshte se i bekonte demokracia.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com