Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Agolli-Kadare, çifti qe nuk u nda kurre

“Korrieri”, 7 nentor 2006-11-07

Në intervistën e gjatë që shkrimtari Ismail Kadare dha në televizionin “Klan” më 2 nentor i bëri një shpjegim të fundit jo vetëm disa qendrimeve apo polemikave korrente, por u rishpreh edhe për kolegun e tij Dritëro Agolli. Në një intervistë të menjëhershme më 4 nentor edhe ky i fundit shfaqi në gazetën “Shqip” opinionin e tij për disa çështje të ditës, si edhe iu përgjegj të gjitha pyetjeve që iu adresuan për raportet me kolegun Ismail Kadare. Ajo që u ra në sy më të shumtëve nga ne ishte dëshira e të dy palëve për të vepruar ashtu siç edhe në një të përditshme u nënvizua “dy të mëdhenj i përulen njeri-tjetrit”. Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli rikonfirmuan atë tipar, i cili ka qënë konstant në marrëdhëniet e tyre për gati një gjysëm shekulli: miqësinë, tolerancën dhe respektin e ndërsjelltë. Tensionet e kaluara mes tyre, tema që do të jenë patjetër objekt vëzhgimesh të mëvonshme, asnjëherë nuk kanë kapërxyer një limit të pranueshëm për të thënë se përgjithësisht në këtë botë të trazuar ata me njeri-tjetrin janë treguar zotërinj. Lajmi i gëzuar i rigjetjes së një ekuilibri mes dy shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë të pasviteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar jo më kot është referuar si një shembull inkurajues për politikanët tanë më aktivë.
Në këtë kontekst pozitiv tema që mes të tjerash na nxit për ta bashkëbiseduar me lexuesin ka të bëjë me disa të dhëna të reja të jetës së Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, të cilat dolën nga kjo replikë fisnike intervistash. Ato kanë të bëjnë me opinionin e qendrimin e tyre ndaj sistemit shoqëror realkomunist që u vendos në vendin tonë menjëherë pas çlirimit dhe zgjati gjer në fillimin e shembjes së tij në dhjetor të vitit 1990. Pak më ndryshe nga herët e tjera në intervistën e tij në televizionin “Klan” e që të nesërmen u zbardh dhe u botua masivisht nga mjaft ditore, Kadare ravijëzon një detaj. Ai pohon se “në ‘60-‘70, për dhjetë vjet rresht” bashkë me Driteroin kanë folur hapur me njeri-tjetrin se “ky është regjim gjakatar, ky i yni ka ikur nga mendja”. Më pas mosçeljen e kësaj teme Ismail Kadare e interpreton jo si heqje dorë nga Dritëro Agolli, por sepse ishte ai që nuk ja hapte më këtë temë bisede për arsyen sepse “unë nuk doja, ai sigurisht mbante një pozicion, nuk them se ishte shkaktar ai, unë më dukej se e vija në pozitë të vështirë, ishte anëtar i Komitetit Qendror”. Më pas nëpërmjet një mënyre që vetë Kadare e konsideroi test për kolegun dëshmon se miku i tij Dritëro për fat të mirë kishte mbetur po ai i pari edhe në vitin 1983 kur të gjendur bashkë në Paris në një delegacion shkrimtarësh shqiptarë pinë një kafe në Champs Elyze e ironizuan Ramiz Alinë. Në intervistën e tij Ismail Kadare i bindur në këtë të vërtetë që ia bën të ditur opinionit nënvizoi se “Kur ai më kritikonte veprat e mia, unë thosha me vete, “sigurisht ti bën analiza shumë të sakta, për \"Koncertin\" sidomos, tallje me komunizmin, sepse ato tallje i kishim bërë bashkë. Kishte dhe ai gisht, tamam në ato. Më vinte një dëshirë të ngrihesha dhe t‘i thosha, ore shok, po këto i kemi bërë bashkë. Edhe prita, dy ditë më pas Dritëroi u përgjigj në një intervistë të gjatë, që do ta quaja të mallëngjyeshme duke thënë që është krejtësisht e vërtetë, ne kemi folur gjatë dhjetë vjetëve, e pranoi dhe shtoi madje se në një udhëtim tjetër, kemi folur gjëra edhe më të rënda. D.m.th pranoi foljen 10-vjeçare, pranoi shakatë e Parisit dhe tha “kemi bërë gjera edhe më të rënda” për ca gjëra intime ndaj Enver Hoxhës, gjë që është krejtësisht e vërtetë dhe që nuk dua t‘i kujtoj këtu atë kohë. Kur duheshin edhe disa muaj që të fillonte lëvizja studentore e dhjetorit ‘90, duhej të kishe miqësi e ta kishe të afërt një njeri që të bëje biseda të tilla”. Kësaj tabloje mjaft interesante i shtohet edhe një informacion i ri që Dritëro Agolli e bëri publike në intervistën e fundit në “Shqip”. Ai tha “Madje përveç atyre bisedave kundër regjimit dhe PPSH-së që ne kemi bërë si në Shqipëri, apo në Paris, kemi bërë biseda të tjera edhe gjatë udhëtimeve tona të përbashkëta më 1983, më 1987 në Siçili, etj. Edhe këtë anë të intervistës së tij, Ismaili e kishte të drejtë dhe të saktë”.
Kështu duhet shënuar se nuk është një ngjarje rutinë ajo që u rilevua para opinionit me dy të mëdhenjtë tanë mes mbrëmjes së të enjtes, 2 nentor , dhe të shtunës, 4 nentor 2006. Ajo duhet konsideruar si një ndodhi e pazakonshme dhe me sa duket ashtu do të trajtohet më pas nga analistë e studjues të diktaturës. Këta nuk do të pakësohen në të ardhmen, por do të shtohen. Diktatura shqiptare për vetë natyrën e saj shumë të ashpër dhe të mbushur me ngjarja nga më mizoret, utopiket apo absurdet, ka për të ngacmuar në të ardhmen edhe më shumë interes në letërsinë dokumentare të eurokontinentit. Pse jo ndoshta edhe më tej. Në një rast të tillë shumë të pritshëm studjuesit shqiptarë, për të dëshmuar vërtetësi, por edhe mundësi depërtimi në tregun e lexuesve perëndimorë, do të orientohen nga intepretimi i regjimit realkomunist shqiptar nëpërmjet analizave të qendrimit të mbajtur ndaj saj nga emrat tashmë të njohur në vendet e tjera. Ja përse, por edhe për shumë arsye të tjera, brenda më pak se dyzetë e tetë orëve u zhvillua dhe la gjurmë historike një risi që ka për t’i shtrenguar studjuesit që për të qënë bindës të kërkojnë e gjejnë prova mosdashjeje të regjimit realkomunist jashtë dy pohuesve Kadare dhe Agolli. Ka mjaft rendësi që diktatura të mos shihet si një kllapi totale mbi shqiptarët dhe se përveç të persekutuarve të ndërgjegjes, të cilët mbeten dëshmia e gjallë e padiskutueshme e të keqes gjysmëshekullore, dakort me mendje dhe me zemër me të nuk kanë qënë edhe persona të rendësishëm që vepruan brenda atij regjimi. Eshtë luks i tepërt të lëmë diktaturën të marrë me vete apo ta lëshojë hijen gri edhe mbi ata që kanë qënë e mbeten emblema e qytetërimit tonë.
Secili reflekton pas kësaj që ndodhi mes 2 dhe 4 nentorit. Në fillim mund të ketë nga ata që natyrshëm janë hutuar. Në pamje të parë të trondit e pështjellon kontradikta se si dy bashkëkombas që patën funksione të rendësishme në atë regjim kanë qënë njëkohësisht edhe padukshëm totalisht kundër tij. Mirëpo kërkohet pak më shumë mosbindje ndaj klisheve dhe rropamës së thashethemeve e prirjes së inkriminimit total për të kuptuar se e thënë deri dje vetëm nga Ismail Kadare pohimi ishte në pozita lehtësisht të kundërshtueshme. Ca më tepër që ai ka edhe një natyrë karakteriale të ndërlikuar dhe disa herë jo pak lenduese për të tjerët. Mirëpo tashmë që ka ridalë edhe njëherë “pika e dytë”, Dritëro Agolli, formohet e plotë “drejtëza” e faktit se ka qënë gjithsesi një e vërtetë. Autori i këtyre rradhëve për këtë temë hyn mes atyre shumëve që duke e dashur personalisht ka prirjen të besojë sinqeritetin e Dritëro Agollit. Për këtë arsye të thjeshtë ai nuk anon dot nga dyshimi se këto biseda ose nuk kanë ekzistuar ose kanë qënë në nivelin e talljeve të lehta për persona të veçantë, realitet që ato kohë ekzistonte për shkaqe të thella rivaliteti edhe në vetë qarqet e larta të diktaturës. Prej dy protagonistëve të mëdhenj Agolli-Kadare kësaj rradhe konfirmimi është fare i qartë, i koordinuar dhe i pranuar: ata gjithsesi ishin kundër jo vetëm Enver Hoxhës, por edhe vetë sistemit politik shoqëror që ai kishte vendosur në Shqipëri. Këto ditë kur Kuvendi miratoi një deklaratë për krimet kundër komunizmit dhe përreth ka një shfrytëzim politik dhe në jo pak raste për qëllime përfitimi apo manipulimi personal të së shkuarës, ngjarja e re mund të lexohet pozitivisht. Pa qënë aspak disidentë krijimtaria e Ismail Kadaresë dhe e Dritëro Agollit herë pas here e në vazhdimësi ka patur raste konfliktimi publik me metodën e realizmit socialist, themelin doktrinar të regjimit për letërsinë dhe artet. Po ashtu të dy korifejtë e letrave shqipe kanë kryer gjeste politike të hapëta kundërdiktatoriale: ikja e Kadaresë në Paris në vjeshtë të vitit 1990 dhe prej andej denoncimi i regjimit në Tiranë si edhe fjalimi akuzues i Agollit kundër veprimtarisë përdhunëse të Enver Hoxhës në kongresin themelues të Partisë Socialiste në qershor 1991. Këto gjashtëmbëdhjetë vite të shoqërisë së hapur për të dy, për Dritëro Agollin përveç një apo dy raporteve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të kohës dhe për Ismail Kadarenë incidentin jo të lumtur me një të ri, nuk regjistrohet jo vetëm asnjë krim i drejtpërdrejtë, por as i tërthortë a vetëm tentativë. Në të kundërt: konstatohen disa herë përpjekje për t’i mbrojtur me sa mundnin të goditurit nga lufta e atëhershme e klasave. Për një gëzim që nuk ka pse ta anashkalojmë, të dy shkrimtarët tanë më të zëshëm kanë manifestuar qendrueshëm para vitit nentëdhjetë dhe më pas një ndjenjë kombëtarie shumë të spikatur, pse jo edhe shembëll për shumicën e elitës sonë.
Kur rrekemi të nënvizojmë se përbën jo vetëm lajm të mirë, por edhe të besueshëm fakti që pavarësisht funksioneve publike që patën gjatë diktaturës Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli sëbrendshmi nuk e kanë dashur sistemin e diktaturës bolshevike, kjo përjashton se dritësimi mbi këtë të dhënë shton harrimin mbi ata që realisht u persekutuan. Nën efektin e fakteve të reja që dolën nga intervistat e 2 dhe 4 nentorit është pikërisht kjo pjesë e bashkëkombasve tanë që del e duhet të ridalë më qartas nën dritë. Për shumë arsye që mbase edhe vetë nuk i kishin në dorë, të persekutuarit nuk u mbrojtën dot nga asnjë status që mund ta gëzonin dy të mëdhenjtë e letrave shqipe. Ndoshta edhe nuk zotëronin artin e nëmur për të bërë kompromiset e nevojshme apo të detyruara me regjimin në kembim të mbrojtjes së jetës apo të talentit të tyre.
Por edhe kjo mungesë e fundit që jo gjithnjë është meritë e nderuar, e shton dhimbjen njerëzore për ç’ka padrejtësisht u ka ndodhur.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com