Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bravo te qofte, Hakan Ekinçi!

“Korrieri”, 7 tetor 2006

Tani po thonë e shkruajnë se ajo që ndodhi me turkun emigrant në vendin e çuditshëm të shqiptarëve, Hakan Ekinçi, kishte edhe pamje komike. Thonë se ngjarja ishte një subjekt që ndezi fantazi gazetarësh dhe ekranesh televizive, spikati bujshëm politikanë, ministra të brendshëm dhe prefektë, komentatorë të gjeostrategjisë dhe të besimeve fetare apo nxorri nga periudha e meditimeve të gjata masmedialogët e kështu me rradhë. E gjithë kjo është një e vërtetë që nuk ke si e kundërshton. Devijimi pak ditë më parë i një avioni pasagjerësh të linjës “Turkish Airline” përbën një nga ngjarjet më spektakolare të kësaj dekade. Ishte një triller në llojin e vet. Triller të tillë mund të projektojë e realizojë vetëm një mashtrues gaztor dhe inteligjent si Ekinçi. Ai mund të mbahet shënim dhe regjistrohet në kronika si një sharlatanët më të gëzuar të kontinentit, por edhe ndër më gjenialët. Kur hyri në kabinën e pilotimit dhe kërcënoi me shpërthim të avionit, kërkoi menjëherë devijimin e kursit të fluturimit. Atëhere piloti vuri për ekzekutim kodin 7700. Ekinçi i bërtiti “Duhet të vësh kodin 7500! Ky është devijimi”. Piloti pak më parë në të vërtetë kishte përdorur kodin e shpalljes së emergjencës në bord. Kur hetuesit italianë e pyetën si e dinte kodin e ndryshimit të kursit të avionit Hakan Ekinçi tha se kishte hetuar kohë të gjatë në internet. Dhe rezultonte mjeshtër në marrjen dhe dhënien e informacionit online. Që të mund t’i dërgonte një letër Papës dhe ta dinin këtë gjë sa më shumë njerëz kishte hapur në internet një blog. Ndërkohë me vete dhe në çantën e tij të supit (ku gjoja ishte eksplozivi) u gjendën 100 dollarë, katër karta krediti të çelura në Tiranë nga dy banka, tetë skeda telefonike të parapaguara, fatura tërheqjeje llogarie bankare, disa fletë me numura telefoni celular, ku dy u përkisnin italianëve. Pyetjes së hetuesve nëse e kishte planifikuar atë që bëri bashkë me të tjerë Ekinçi iu përgjegj “Nuk ka asnjë njeri tjetër, ju betohem”.
Do të ketë shumë fat dhe mjaft shikuesë ai regjisor, i cili mbi këtë që ndodhi në qiejt midis Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë, do të bëjë një film. Hakan Ekinçi trazoi jetën e katër shteteve dhe për orë të tëra vuri në alarm hapësira kontinentale. “Meteori” i tij nëpërmjet silhuetës së avionit të devijuar “Turkish Airline” fshikulloi temën akoma në përvëlim të një moskuptimi të ndërsjelltë të krijuar përkohësisht mes disa fjalëve të Papa Benedikti XVI dhe shumë myslimanëve në botë. Tensioni ishte duke u ulur vrulltazi, kur aventura e emigrantit turk në Shqipëri, Ekinçi, tentoi ta ringrinte. Ishte vënë në vijë siguria e një vizite të Papës në Turqi, nga më të dobishmet në bashkëjetesën fetare globale, kur ai e rrëzoi gjer tek mëdyshja nëse duhet bërë tani, në fund të nentorit, apo shtyrë për më vonë. Hakan Ekinçi është një kryebatakçi jo sepse i ka bërë bisht detyrimit ushtarak në vendin e vet apo në njësitë turke në Irak (siç u ka pohuar hetuesve italianë), jo ngaqë është marrë me mashtrime të vogla rutinë, porse ai ishte konvertuar në të krishterë me sa duket jo për të dashur sinqerisht fenë e re, por për të akuzuar të mëparshmen e tij, fenë myslimane. Ekinçiu fytyrëqeshur apo dhembëzbardhur tani që Turqia laike lufton të përmbushë standartet për të hyrë në Bashkimin Evropian, e quajti atë shtet mysliman. Thua ai gënjeshtar i talentuar nuk e di se në rast se Republika Turke ka një realizim nga më të spikaturit në këtë botë është se ka bërë të bashkëjetojnë e ngjizen fort një shtet laik dhe një shoqëri me shumicë dërmuese islame. Sharlatani fytyrëpafajshëm Hakan Ekinçi nuk u mjaftua vetëm me nëmjen e atdheut të tij, ku të gjithë grehinën e sajesave e ka ngritur për t’u ikur detyrimeve si qytetar, por ngriti gisht edhe kundër Shqipërisë. Në letrën e tij të përgatitur për Papën ai vendin tonë e quajti një shtet mysliman (jemi shtet laik) që nuk ja kishte përfillur të drejtat si i krishterë. Nuk e di nëse gjendet provokator më të madh se ky Ekinçi vetëm një ditë pasi Benedikti XVI i deklaroi ambasadorit shqiptar pranë Vatikanit se uron hyrjen sa më të shpejtë të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Disa janë mallëngjyer se kur policia italiane e mori prej krahësh dhe e nxorri nga avioni Hakan Ekinçi u kishte kërkuar falje pasagjerëve në tre gjuhë. Lëre çfarë ndjese! Për shkak të kontrolleve të rrepta që pasuan dyshimet se në bord të aeroplanit kishte bashkëpunëtorë me paketa eksplozivi të mbi njëqind udhëtarët kaluan një natë ferri. Me lojën e një gënjeshtari ai ngriti në kembë qeveri të tëra, avionë luftarakë si edhe mijra policë e agjentë, të cilat për fondet publike të shteteve përkatëse përbëjnë harrxhe. Madje tek ne batakçiu buzagaz ndezi edhe më shumë luftën politike të deshifruar me kodin “Albatros”.
Dhe që të jemi më të drejtpërdrejtë qendrojmë për disa çaste tek më kryesorja. “Meteori” Hakan Ekinçi me aventurën e tij personale për pak sa nuk goditi rendë imazhin e Shqipërisë. Nuk ndodhi dhe nuk kishte për të ngjarë një gjë e tillë për imazhin e Greqisë, Italisë apo edhe të vetë Turqisë. Ngjarja me të tre këta vende kishte një lidhje të tërthortë. Pingul e kishte lidhjen me ne. E çfarë i kishte bërë Shqipëria këtij njeriu? Nuk rezulton asgjë negative, madje as edhe e ka mbajtur nën vëzhgim, qoftë edhe miqësisht. Sepse nëse dëshmohet që ka patur edhe një të dashur në Ministrinë e Brendshme atëhere rrufjani ua ka hedhur edhe profesionistëve tanë. Hakan Ekinçi në Shqipëri patjetër ka ardhur për të ikur sa më lehtë përtej detit. Hetuesve italianë u ka rrëfyer se ishte përpjekur disa herë të shkonte në Itali, drejtpërdrejtë te Papa, madje disa skafistë nga Vlora i kishin marrë paratë dhe më pas nuk e kishin hedhur deri në Pulia. Sidoqoftë një eventurier vetmitar si Ekinçi synonte ta bënte Selinë e Shenjtë ta priste zyrtarisht si një shembëll e model se si duhej të vepronin, duke u konvertuar në të krishterë, të gjithë myslimanët e tjerë. Ky hero mashtrues shkonte me planin se për të mos bërë ai detyrimin ushtarak apo që të jetonte me duar në xhepa Vatikani do të sakrifikonte raportet strategjike me besimet e tjera fetare, ca më shumë këto kohë me islamizmin.
Nuk rezulton të jetë shaka ajo që na fshikulloi si gur mbi kokë emigranti turk Ekinçi. Sigurisht që nuk bëhet fjalë se ishte një punë e organizuar, veç dëmin për pak do të na e bënte aq sa një vepër e mirëfilltë terroriste. Po të vëzhgosh të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe faktin se detyrimisht edhe analiza më e vogël do të niste nga masat e sigurisë në aeroportin e Rinasit, përfytyroheni një grimë se çfarë rrebeshi akuzazh do të binin mbi Shqipërinë po të kishte ndodhur që kontrolli i kryebatakçiut Hakan Ekinçi do të ishte i sipërfaqshëm. “Airport Patners” për fatin tonë dhe të sajin ka shkëlqyer. E ka kontrolluar halldupin tre herë të mira. Dhe kështu ndodh atje vërtet, nuk është rastësi ajo që pamë të regjistruar. Sharlatani Hakan bindshëm duket njeri paqësor dhe kurrë nuk do të kishte marrë me vete armë apo lendë shpërthyese, por po të tentonte do të kapej. Ky tregues sigurie në Rinas, të cilin duhet ta pranojmë se është shumë më i lartë nga mezatarja që kemi në shkallë vendi, shpërndau nëpër kontinent e botë një imazh mjaft pozitiv të sigurisë në Shqipëri. Kësaj duhet t’i gëzohemi, edhe pse nuk i duhet hapur rrugë për t’u shfrytëzuar politikisht as si shenjë e përhershme qendrueshmërie dhe as si dështim skandaloz pasigurie.
“Meteori” i çakërdisur Ekinçi na fshikulloi pranë, por nuk na goditi dot. Ai zhurrmoi në median e vendit të vet, ku pushtoi faqe të para dhe të dyta gazetash, të përparme dhe të mbrapme. Nuk i kursyen për të faqet e para të të përditshmeve edhe italianët. Po ashtu edhe lajmet e para të edicioneve informative apo shërbimet Live. Për dyzetë e tetë orë zhvillimet për këtë ngjarje përmbytën median franceze, britanike, gjermane dhe kapërxyen vërtikthi oqeanin. Volumi informativ që është prodhuar me këtë rast ka qënë i barabartë sa për një superngjarje globale. Jo më kot para kamerave rrufjani Hakan Ekinçi vinte buzën në gaz. Ishte bërë qendra e ciklonit informativ dhe për afro dy ditë e dy netë e kishte sjellë botën vërdallë. Për këtë talent mund “t’i hiqet kapelja”.
Për fat ndodhi një “fund i lumtur”. Në mijra citime që iu bënë Shqipërisë në këtë zallamahi të madhe ajo doli si vend normal. Pa kaosin që e mbajnë mend nëpër botë, pa pamjen e rrumpallës siç jo vetëm njëherë është realisht. Brenda vetes kemi shumë probleme që lidhen pikërisht me këto të meta që kësaj rradhe nuk na dolën jashtë derës, por sërish le të gëzohemi. Ishin në pritë shumë qarqe jo dashamirëse që në rrethanat ku po kalon çështja shqiptare në Ballkan do të shumëfishonin e shkumëzonin se jemi një bazë e terrorizmit ndërkombëtar e veçanërisht e fondamentalizmit islamik. Ishin gati, ndenjën në pritje, kafshuan majat e gishtave e thonjtë, fundet e kravatave apo thërrmuan nga nervozimi buzët e qelqeve të gotave me lengje të alkoolizuara. Ata shfrytëzuan sa mundën lajmet e para konfuze ku nga padija e stereotipi negativ për Shqipërinë u lëshuan mbi ne kritika. Më pas, kur doli e kundërta, e qepën gojën. Nuk mund të na mburrnin.
Kush është kurioz për këtë shënim të fundit mund të shohë titujt e faqeve të para të disa gazetave andej e këtej nëpër gadishull.


Ylli Polovina










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com