Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Aeroporti i Rinasit ose “Lendina e Loteve“

Korrieri, 30 shtator 2006


“Lendina e Lotëve” ndodhet në Korçë dhe këtë e dinë të gjithë. Nga ky qytet i bukur, intimisht thirrur si “Parisi i vogël”, të paktën dy gjëra u janë ngulitur në kokë të gjithë shqiptarëve: serenatat dhe “Lendina e Lotëve”. Në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar të dy këto monumente të historisë së Korçës ishin në lulëzim. Kendohej dhe qahej. Hidhej në nota veglash muzikore dashuria e të rinjve, derdhej pastaj në lotë të nxehtë tek ajo lëndinë, prej ku djemtë përcilleshin për në kurbet. Pas lufte emigrimi u ndërpre tërësisht, më pas të arratisurit e paktë nuk kishin aq kohë dhe liri që në ndarjen e fshehtë të derdhnin shumë lotë në supet e njeri-tjetrit. Kështu ndërsa serenata, duke mos u rinovuar dot, u ruajt duke u kultivuar si trashëgimi, “Lendina e Lotëve” u mbyll. Mbeti vetëm në toponimi. Që atëhere kanë kaluar dekada dhe kurbeti ka gjashtëmbëdhjetë vite që ka përthithur nga Shqipëria një nga çdo tre banorët e saj. Tani, edhe pse kohët e kushtet e emigrimit kanë ndryshuar fort, “Lendina e Lotëve” është rikrijuar. Nuk gjendet në Korçë, por në aeroportin e Rinasit.
Kjo fushë uljeje dhe ngritjeje aeroplanësh punon ditë e natë. Avionët mund të të sjellin në Rinas edhe pasmesnate, edhe në orën tre a katër, edhe në prag të zbardhjes së ditës. Ata mund të të largojnë drejt kontinenteve të tjerë po ashtu në orare që nuk e ndajnë dot dritën në qiell nga errësira. Në këtë dallgëzim të madh njerëzish, sidomos rritur gjatë pushimeve të verës apo në prag festash tradicionale, gjen gjithçka nga “Lendina e Lotëve” e Korçës. Më e dhimbshmja nga të gjitha është ndarja e gjyshërve me nipat dhe mbesat e tyre. Këta të fundit tashmë flasin të gjitha gjuhët e botës, por gjuhën e lotit e kanë njëlloj. Njëlloj u çurgon mbi mollëzat e faqeve dhe njëlloj ngashërejnë e mezi u ndahen nga krahët. Të ngushëllohemi të paktën që pas dhjetë vitesh në Rinas do të qahet më pak, siç akoma më pak do të lotohet edhe dy dekada më vonë. Një ditë edhe “Lendina e Lotëve” e Rinasit do të mbyllet. Lidhjet shpirtërore mes ikësve dhe përcjellësve të tyre, për shkaqe natyrore siç është vdekja e një brezi e më pas edhe e brezit pasardhës, do të tëhollohen. Shumica do të këputen. Po të mos kishim patur diktaturë emigrimi do të kishte qënë një proçes më i natyrshëm dhe nuk do të kishte patur atë shfrim që ndodhi disa herë pa pushim që në mes të vitit nentëdhjetë me “futjen në ambasada”. Shfrimi i lotëve është pjesë i këtij shfrimi të vazhdueshëm politik që përjeton bashkësia jonë. Shqiptarët janë ndarë me të gjitha mënyrat, sidomos shkëputja e tyre nga njeri-tjetri ka qënë përherë shumë e rendë. Ai ka qënë gati përgjysmim i kombit, i shtetit, i familjes. Psikologjikisht mezi e durueshme. Jo rrallë fund e krye një vuajtje (Kush e ka krijuar këtë gjendje me dashje apo pa e ditur?)
Mirëpo kjo shkëputje masive mes shqiptarëve ka mbartur mjaft probleme për fuqinë ekonomike dhe politike të këtij kombi, për rigjenerimin e tij intelektual, për rolin e tij ndikues dhe konkurues në rajon e më tej. Ky përgjysmim i vazhdueshëm që ciklikisht e papushuar nisi që më 1913-tën ka shkarkuar mbi psikikën tonë ndjenjën e përhershme të largimit nga vendi, dyshimin gjer në mosbesim të plotë se një Shqipëri si vend i zhvilluar nuk bëhet dot. Ndarja e madhe dhe e vazhdueshme e shqiptarëve ka shkaktuar edhe shumë probleme socialë, sidomos për dhjetra mijra prindër tashmë pa asnjë fëmijë brenda mureve të shtëpisë. Ja përse, duke qënë vend që kthesat i marrim rrëmbimthi dhe në çdo njërën prej tyre flakim jashtë “makinës” sonë të shkapërdredhur një pjesë e bashkëkombasve, ka ardhur koha që kur të mblidhemi tek aeroporti i Rinasit të mos përlotemi as ditën dhe as natën. Të paktën te “Lendina e Lotëve” në Korçë kjo gjë ndodhte vetëm në mëngjez, sepse udhëtohej me karvanë dhe dita duhej të ishte përpara.
Ka riparim e ndreqje kjo gjë, pra të përlotemi më pak? Patjetër që ka po të kërkohet dhe kembëngulet. Kurbetlliu i një shekulli më parë shkonte drejt një bote që dukej e përbërë nga copra të largëta nga njëra-tjetra. Motivi kryesor i shumë kengëve të vjetra të kurbetit e përshkruajnë emigrantin që kthehet pas shumë kohe në shtëpinë e tij dhe nuk njeh gruan e jo më fëmijën që e pati lënë akoma embrion. Atëhere të bëje apo merrje një telegram apo letër ishte punë mjaft e ndërlikuar dhe jo rrallë e pamundur. Të kaloje detet njëherë në vit e paimagjinueshme. Kishte njëherë ikje dhe njëherë ardhje si kthim përfundimtar. Siç kishte vetëm ikje. Kurse tani mund të flasësh në telefon me të gjithë globin dhe “telegrami” i djeshëm pothuaj i pamundur të vjen në celular si mesazh. Me të mbërrin edhe fotua e fundit e nipit apo e mbesës. Bota tani po bën me shpejtësi afrimin e atyre “coprave” që njëqind vite të shkuara dukeshin pafundësisht të largëta. Po ndodh globalizimi. Duke qënë se këtë njerëzit e thjeshtë e kanë kuptuar më shpejt, i takon shtetit të jetë më i angazhuar për tua lehtësuar përfshirjen në proçesin e ri. Dhe nuk është fjala vetëm për “mosikje truri” apo “kthim truri”. Patjetër kjo është punë e mirë sepse ka të bëjë me mbajtjen gjallë dhe rritjen e efektshmërisë së elitës sonë në këtë botë që globalizohet dhe konkuron me parametra cilësorë.
Problemi mbetet “masa”, njerëzit e thjeshtë. Në pamje të parë duket se ajo nuk ka forcë aq sa të përcaktojë fatin e ardhshëm të Shqipërisë, ndërsa në të vërtetë është e kundërta. Eshte “masa” dhe jo “truri” që konturon imazhin tonë dhe vendos ritmin e hapit përpara. Duket sikur emergjente është “truri”, ndërkohë që urgjente është “masa”. Në fund të fundit 1.2 miliardë dollarë në vit atdheut ia kthejnë ata. Ne kemi nevojë për “tru”, por më shumë për para. Kujdesi për “masën” është kyçi i zhvillimeve të nesërme. Mbajtja e bashkuar e shqiptarëve, edhe pse e shpërndarë copra-copra nëpër botë, është urgjenca kombëtare. Gjithkush e ka vënë re se në këto pushime verore shërbimet policore shqiptare në pikat kryesore të hyrjes nga toka apo deti kanë qënë shumë më lehtësuese se më parë. Kjo shkaktoi jo njëherë entuziazmin e bashkëkombasve që vinin dhe gjallëroi dëshirën e tyre për t’u rikthyer herë pas here. Nuk ishte ky humor për mijra të tjerë në kthim, sidomos në portet detare. Nervozizmi i tyre në rradhë të gjata ishte sheshit. Mirëpo detyra e administratës sonë është që emigrantëve tua bëjë të kendshme hyrje-daljen në Shqipëri si edhe gjithë shërbimet e tjera për sa do të rrinë. “Shqipëria një euro” më së pari është për ta që të mos mendojnë se vendi i tyre vlen vetëm një lek. Do të ishte më e dobishme të mos u llastohemi vetëm shifrave të hyrje-daljeve, por treguesve të cilësisë së mikpritjes dhe jetesës së vëllezërve tanë. Tani për tani bashkëkombasit i sjell malli dhe lidhjet akoma të forta që kanë me njerëzit e tyre. Nesër edhe malli do të dobësohet pak nga pak, po ashtu edhe lidhjet e gjakut. Mirëpo nuk jemi një popull i madh numerikisht dhe në botën e globalizuar qindramilionëshe na duhet të jemi shumë të bashkuar për t’u ndjerë komb. Në këtë botë të ardhshme shtetet lokalë mund të sfumohen, porse kombi do të tejforcohet. Kjo do të thotë se për t’i dalë kohës përpara duhet të nxitojmë që kur të tëhollohen e këputen njëra pas tjetrës lidhjet e gjakut, të na mbajnë fort ato të interesit kombëtar. Veç pas një apo dy dekadash patriotizmi nuk do të jetë foklorik dhe as thirrje “ejani investoni në Shqipëri”. Ai do të jetë një solidaritet nacional që e bën bashkëkombasin tonë të jetojë në Melburn të Australisë apo në Miçigan të Shteteve të Bashkuara dhe të ndihet si të jetë në Tiranë. Kjo do të thotë se në këtë botë të zhvilluar kemi më pak shans për të grumbulluar “trurin”, por më shumë fat për të mbajtur të bashkuar “masën”.
Prandaj që të përlotemi sa më pak te aeroporti i Rinasit “abc”-ja mbetet e drejta e qarkullimit të lirë të paktën në kontinent. “Masës” i duhen “vizat”. Lajmi se Rumania dhe Bullgaria më 1 janar 2007 bëhen anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian na dëften se jemi shumë larg.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com