Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Eja, shtator, eja!

“Korrieri”, 27 gusht 2006


Nuk është i pari shtator politik që paralajmërohet si i nxehtë dhe vërtet përfundon në përvëlues. Eshtë bërë tashmë zakon që pas pushimeve të verës shqiptarët ta kenë këtë merak e ankth të veçantë. Në shtator nis edhe sezoni i ri teatror, por kjo gjë nuk përbën as lajm e jo më problem. Në shtator fillojnë edhe botimet e reja të librave, rinisin spektaklet televizive. Në shtator shtegtojnë nëpër kontinente mijra të rinj bashkëkombas që rifillojnë studimet nëpër universitete të njohur, por edhe këto ngjarje nuk ngacmojnë interesin publik. Për shtatorin bota ka edhe një melodi të bukur, “Kthehem në shtator”, por edhe kjo, duke qënë se ka ca dashuri brenda, nuk është luks për këto anë. Pa u lodhur apo pa bërë qoftë edhe një ditë pushim politika shqiptare paratha se përgatiste një shtator problematik. Shtator ka në të njëjtën kohë edhe në Francë, edhe në Britaninë e Madhe, edhe në Itali, edhe në Spanjë, edhe në Gjermani apo Austri. Edhe atje shtatori rinis me hov të jetës politike, sepse fillon punë parlamenti dhe kthehen nga pushimet, bashkë me miliona njerëzit e thjeshtë, edhe qeverisësit. Këta kanë pushuar sipas një kalendari dhe ritmi që nuk dëmton vijimësinë e jetës së vendit. Mirëpo në Shqipëri, ndërsa njerëzit e thjeshtë pushojnë, nuk bëjnë pushim mjaft qeverisës e politikushtruesë. Nuk dihet akoma përse vazhdon të jetë shembull për t’u qortuar pushimi normal në verë i një ministri apo kryeministri, por habia më e madhe është kur mendohet që për pushime verore të mos shkojnë as politikanët e opozitës. Çfarë ka ndodhur tek ne që ka kaq shumë alarm, kaq fort mobilizim, kaq tepër shtrëngim rradhësh, kaq shumë vetsakrifikim dhe asketizëm? Të gjithë në këtë vend e dinë se tek ne nuk ka rrezik lufte (ta zemë) nga fqinjët apo nga ndonjë paqendrueshmëri rajonale, porse ndodh e kundërta: nga të gjitha anët drejt Shqipërisë vjen stabilitet dhe stabilitet përcjell edhe ajo. Po ashtu nuk ka asnjë kërcënim natyror apo përhapje epidemie, atë të pulave e kapërxyem. Në Shqipëri dyqanet janë plot me mallra, aeroportet e portet detare deng me udhëtarë, Instituti i Statistikave lajmëron çmime të arsyeshme dhe rritje modeste të eksporteve, kurse Banka e Shtetit Shqiptar konfimon inflancion të përmbajtur. Ndërkohë duke iu afruar shtatorit u bë disa herë e ditur se edhe turistë të huaj kishim 35 përqind më shumë se vitin e shkuar. Shqipëri më të qetë nuk bëhet. Në faqet e gazetave të përditshme janë shtuar botimet speciale me kuriozitete dhe histori vipash të anëve tona, madje ka ditë që kuriozët ndjekin historinë e disa trasvestitëve, që u arrestuan nga policia në një kend të Parkut të Tiranës. Aq me dëshirë larg trazimeve janë bashkëkombasit tanë saqë ndoqën me mjaft interes deklaratën e njërit nga këta trasvestitë, i cili paska edhe statusin e shefit të gejve shqiptarë. Ky bëri të ditur se në qoftë që vendi ynë dëshiron me të vërtetë të bëjë pjesë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian duhet më parë të plotësojë standartin e lejimit të orgjisë kolektive tek ndonjë gropë në mes të qytetit apo edhe atje, në periferitë e gjelbëruara, ku njerëzit shëtitin.
Po atëhere çfarë ka ndodhur që paralajmërohet shtator i nxehtë politik, në reliev të të cilës ngjarje gjer njëzetë e katër orë më parë u përdorën me shumicë togfjalëshit “destabilizim i vendit”, “revolucion portokalli”, “pakica të reflektojë”, “protesta bashkiakësh”, “po nuk deshi opozita shkojmë vetëm në zgjedhje”, “kundërshtime komunarësh”, “dënime penale”, “rikthim në 28 korrik”? Patjetër që diçka po ndodh përderisa mes klasës politike ka konfliktualitet të ashpër, tjetër gjë që ajo përmasë tensioni mes saj është shumë herë më e lartë nga ajo që dëshiron opinioni publik dhe shoqëria. Për ç’ka po bëhet qameti me fjalë këto kohë nuk është thjesht furtunë në një gotë me ujë, konflikt të sajuar nuk ka. Ka të sajuar vetëm tejashpërsi të këtij konfliktualiteti. Duke qënë se elita jonë politike deri tani këtë konfliktualitet të lartë po e ushtron vetëm në sinoret e saj, në parlament apo në selitë e partive, atëhere nuk na jepet e drejta ta paragjykojmë, pa ndodhur realisht, se ajo synon posaçërisht e në mos artificialisht që radikalizimin e ndërsjelltë mes saj ta përcjellë edhe te populli. Asaj nuk i mohohet as e drejta që konfliktualitetin tejet të lartë në shtator e më tej ta transferojë, në rast emergjence demokratike, edhe tek votuesit e mbështetësit e saj. Problem mbetet vetëm pranimi i më kryesores: janë elitë që konkurojnë vetëm për qeverisje, jo për të grumbulluar pushtet dhe privilegje. Me një fjalë shqiptarët i zgjedhin në krye periodikisht që të mirëmenaxhojnë interesin publik dhe jo atë personal. Këtë vjeshtë dhe dimër zgjedhjet e lira dhe të drejta janë interesi publik numër një i shqiptarëve. Janë të pakrahasueshme për nga rendësia me njëmijë autostrada apo njëmijë investime të reja në ekonomi. Zgjedhjet e pritshme të lira dhe të drejta janë refuzimi i çdo tentative që nga individë të klasës politike synojnë përparësinë e interesit vetiak. Deri tani në “kartelat klinike” të shumë ngjarjeve që e kanë trazuar jetën shqiptare rezulton se në raportin mes interesit publik dhe atij personal një pjesë e rendësishme e elitës sonë politike ka bilanç jo fort pozitiv.
Për fat të keq, përjashto diktaturën e para vitit nentëdhjetë, që konfliktualitetin e kishte që në gjenezë, përplasja agresive ka qënë tek ne një atmosferë permanente edhe me ndërrimin e sistemit. Ky konfliktualitet i lartë pas vitit nentëdhjetë është ulur apo kolauduar në përputhje me normat e zhvillimit progresiv të vendit vetëm nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është një trashëgimi e trishtueshme, sepse më parë se shkopin e gomës apo prangat, më parë se grupet e armatosura apo provokimin e anarkisë, politika ka një mjet të shkëlqyer për të zgjidhur jo vetëm problemet e shoqërisë, por modestisht edhe të vetat: dialogun. Kur nuk di apo nuk do të bëjë dialogun, i cili ka magjinë të të çojë deri tek kompromisi, politika le të realizojë deri edhe pazarin e rradhës. Ajo mund të kënaqë të gjitha aspiratat e saj idealiste apo lakuriqësisht materialiste me marrëveshje të ndërsjelltë. Ne, populli, deri tani nuk kemi patur aq shumë kulturë pjesëmarrëse sa t’ua pengojmë apo prishim pazaret. Me një fjalë duke qënë se në shoqërinë tonë politika jeton me statusin e superfuqisë, pra në parim bën çfarë të dojë, përse atëhere bën kaq shumë zhurrmë? Edhe këto ditë gazetat e përditshme njoftojnë se nën ndërmjetësinë e një ndërkombëtari apo të një ambasade të huaj kanë nisur bisedimet dyermbyllura për një marrëveshje pozitë-opozitë. I gëzueshëm patjetër ky lajm, por edhe kaq shumë pikëllues. Vetëm një sherr fëmijësh kërkon patjetër ndarjen nga një i rritur. Ndërkohë që duhet thënë se politikanët tanë tashmë jo vetëm janë me shumë përvojë, por gati janë formatuar plotësisht si profesionistë. Ata, po të duan, përballojnë çdo nivel ballafaqimi në tavolinë. Por problemi është se nuk e konsiderojnë politikë dialogun, nuk përfillin pikërisht atë që konsiderohet si themeli i politikës dhe i identitetit të saj. Pëlqejnë “sheshin e burrave”. Tavolina me sa duket i zhburrëron. Shihni se si ka disa muaj që në dy rreshtimet kryesore rivale politikanët “pëllumba” janë mënjanuar fare nga “skifterët”. Këta të fundit e sundojnë nga mëngjezi i herët deri në mesnatë skenën mediatike. Mirë shefat e mëdhenj majtas e djathtas, sepse janë mirëfilli politikanë. Pranohen edhe disa ministra kur janë të stërvitur në politikë, por nuk e keni vënë re se në poteren e madhe kanë hyrë edhe disa zëvendësministra, maksimalisht janë futur edhe disa zëdhënës blu e rozë që kur komunikojnë një qendrim të institucioneve përkatëse, jo vetëm picërojnë sytë si të duan të të hanë të gjallë, por të lënë përshtypjen se bashkë me fjalët skërmitin edhe dhembët. A nuk e keni parë që me statusin e plotë të politikanit të sertë hyn përditë në luftën-lojë deri edhe shefi i kabinetit të kryebashkiakut të Tiranës? Fare mirë të drejtën e institucionit që ngarkohet të përfaqësojë, ai mund ta mbrojë pa interpretim a manipulim politik. Vetë shefi i tij, kur është në rolin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit dhe jo në atë të shefit të opozitës, është shumë më i përmbajtur në impostim politik, se vartësi i tij teknik.
Do të trokitet në shtator me përdorimin e dialog-kompromisit apo edhe ky muaj do të vijojë si të mëparshmit? E qartë është vetëm një gjë: klasa politike është e detyruar të mbrojë interesin publik dhe ky interes kërkon që liria dhe drejtësia e zgjedhjeve lokale të mos preken as me marzhin e manipulimit dy apo tre përqind. Sepse për aq bëhet fjalë në diferencën aktuale të konsensusit që të sforcohet apo jo dalja e një fitimtari të pamerituar majtas apo djathtas.
Shtatori do të vijë. Mirse të vijë!


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com