Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUÇI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ta dish ti, moj gjermanke!

Korrieri, 5 gusht 2006

Për një rastësi nga ato që më pas në jetë vetëm raste nuk të mbeten ditën kur dy turistët çekë Alena Kodakova dhe Robert Tropak hynë në kufirin shqiptar unë isha aty. Ata sapo kishin kapërxyer dy pikat doganore të hyrjes nga Maqedonia në afërsi të Tushemishtit. Ishin fare të rinj. Alena dukej trupimtë, kurse miku i saj ishte i gjatë. Ajo ngjante me një krijesë të brishtë dhe të gëzuar, tjetri me një strukturë fizike delikate dhe që e mbyllte vështrimin brenda syzeve të tij të bardha. Që të dy mbanin mbi shpinë çantat e udhëtimit që në fakt nuk janë aspak çanta. Ato janë një lloj “kombinati” pajisjesh nga më të nevojshmet për të kryer turizëm nëpërmjet udhëtimit në kembë. Këta lloj turistësh, të shumëpërhapur prej kohësh në botë, duke mbajtur me vete në shpinë deri edhe një dyshek të vogël të sfungjertë e në disa raste edhe çadra të lehta për të kaluar natën, janë realisht të pavarur për të kryer udhëtime edhe në pika të vështira, atje ku mund të mos ketë asnjë infrastrukturë rehatimi.
Atë mëngjez të mesjavës së kaluar, kur hynë në Shqipëri, çekët Alena Kodakova dhe Robert Tropak me pajisjet e tyre mbi shpinë ishin krejtësisht të qetë. Duke qënë se rruga e kufirit ishte e zbrazët dhe përballë njëri-tjetrit u gjetëm të tre, për një ndjenjë që e ka çdo prind me fëmijë në moshën e tyre, u buzëqesha dhe i përshendeta. Alena e brishtë ma ktheu edhe buzagazin, edhe përshendetjen. Ndoshta ajo ato çaste kishte ndërmend imazhin e të jatit të saj, lënë me mall kush e di prej sa ditësh. Tjetri nuk reagoi. Robert Tropak e kishte lëshuar trupin përpara dhe vetëm ecte. Duke qënë se kisha disa ditë që po rrija në ato zonë dhe ndërkohë nuk kisha parë pak, ndërsa trupat e tyre delikatë largoheshin në drejtim të brendësisë së tokës sonë, të shqiptarëve, gati sa nuk thirra “Po a e dini ku po shkoni?” Pjesën tjetër “Ku po shkoni, o të zinj?” nuk guxova t’ja thosha as vetes, por e mendova të plotë. Madje bashkë me shprehjen “o të zinj”, erdhi edhe simotra e saj “o të mjerë“. Isha i sigurtë (Mosqofsha!) se ata dy të huaj do të binin viktimë e ndonjë rrugaçi. Kur në një nga mbrëmjet e javës së dytë të qëndrimit të tyre në Shqipëri dëgjova në televizione atë që u kishte ndodhur, klitha papërmbajtshëm. Ishte gati kujë. Deri ato çaste, ç’është e vërteta, më kishte mbajtur shpresa se dy të huajt me trupa delikatë do të ridilnin nga teritori ynë pa u ndodhur asnjë aksident.
Në të vërtetë aksident nuk u kishte ngjarë. Edhe në vendet më moderne dhe më të sigurta turistët e huaj nuk u shpëtojnë dot ngjarjeve të hidhura. Përshembëll mbytjeve në det, liqen apo rënie nga qafa, shpella e shkembinj malesh. Por ajo që u kishte ndodhur njëzetë e dy vjeçarëve Elena Kodakova dhe Robert Tropak ishte kob. Ishte kulmi i përdhunës, ishte një barbari e vërtetë. Kur u nisën nga qyteti i Pogradecit për të vazhduar udhëtimin e tyre në Liqenas, me qëllim njohjen e bukurive të natyrës shqiptare, dy çekët u kërcënuan, u rrahën egërsisht, u vodhën dhe më në fund të brishtën buzagaz, Elenën, dy rrugaçë nga fshati Zvezdë, një 19 dhe një tjetër 15 vjeçar, e tërhoqën zvarrë pas disa shkurreve dhe e përdhunuan. Më tepër se kaq është vetëm vdekja fizike. Sepse një vdekje psikologjike apo shpirtërore atyre mund t’u ketë ndodhur. Eshtë lavdëruese përkujdesja e policisë lokale të Korçës që dy të rinjtë i ka vendosur në një rezidencë të saj sekrete dhe atje për rehabilitimin e tyre po merren psikologë. Tani mbeten që dy personat e identifikuar të kapen edhe sikur të jenë fshehur në vrimë të miut dhe nëqoftëse ka një gjykatë burrërore në këtë vend dënimi i tyre të jetë i tillë që të rënqethë gjithë horrat e tjerë.
Por ajo që na “mbetet në derë“ ne shqiptarëve është historia tronditëse që ndodhi, si një rast plotësisht i përsëritshëm dhe më pas. Kur në rrugën e zbrazët të atij mëngjezi, ndërsa dy të rinjtë e huaj hynin në tokën tonë, autori i këtyre rradhëve nuk e klithi atë paralajmërimin “A e dini ku po shkoni, o të zinj!” sepse mendon se populli, të cilit i përket, është një bashkësi njerëzish të egër e të dhunshëm. Mendon të kundërtën, pra që është një popull, i cili për dramën e tij të madhe ende dominohet në një pjesë të jetës së tij nga grupe përdhunuesish. Kur shqiptoi ato fjalë nënshkruesi i këtij shkrimi kishte parë në të gjithë zonën që shenjë shteti dhe autoriteti ligji pothuaj nuk kishte. Sepse të kesh shtet nuk do të thotë të kesh vetëm polici, e cila në të shumtën e herëve bën të pamundurën për ta mbajtur rendin publik në kufij të durueshëm. Që të kesh shtet nuk do të thotë aspak që të mbash të hapura disa zyra arkëtimi të KESH-it apo ujësjellësit, ku nënshtetasi paguan faturat. Të kesh shtet nuk do të thotë po ashtu vetëm një mbledhje pune në komunë apo në bashki e ca më pak një pirg me shkresa të firmosura. Shtet do të thotë rregull publik. Mirëpo pikërisht rregull publik ne akoma nuk kemi. Rregulli që ne shohim ndonjëherë para syve nuk është i krijuar nga ndjenja e detyrimi i ligjit. Ai është thjesht një rregull pa rregulla, rregullim spontan të jetës që ne shqiptarët e mbajmë sepse mbi të gjitha jemi njerëz.
Elena Kodakova dhe Robert Tropak hynë qetësisht e të sigurtë nga Maqedonia, sepse atje, në këtë vend, ka shumë më shumë rregull publik e kulturë ligji se tek ne. Ata dy të huaj mund të hynin edhe nga Greqia, ku po ashtu ligjshmëria publike është e lartë. Mund të vinin në Shqipëri edhe nga Mali i Zi, ku po ashtu në kulturën e vetrregullimit kombëtar me ligj janë mjaft më të përparuar se ne. Toka jonë apo hapësira shtetërore ku ne jetojmë, është akoma një teritor që nuk të jep siguri. Nuk ta jep këtë siguri jo sepse nuk ka një shumicë që e dëshiron këtë rregull, por sepse ka përherë një pakicë, një lloj llumi, që e përbalt dhe e përmbyt këtë shumicë. Kultura e respektimit të rregullit publik nuk është gjë tjetër veç dominimi me ligj demokratik i pakicës nga shumica dhe jo e kundërta. Elena Kodakova dhe Robert Tropak, të cilët vetëm dashuria e sinqertë për të njohur Shqipërinë i kishte shtyrë për të vizituar qytetet e Pogradecit, të Korçës, Muzeun Kombëtar Mesjetar, Voskopojën dhe zonën e Prespës, nuk e dinin këtë “sekret” të vendit ku po hynin. Ata nuk e dinin që “djelmoshat me benz”, kjo racë agresive e bashkësisë sonë, vërtiteshin frelëshuar gjithë ditën veç e veç e në grup në të gjithë bregun pushues të liqenit të Ohrit. Kujdes nuk duhej të kishe aq fort se mos mbyteshe në liqen, por se mos të shtypte ndonjë nga këta dema të futur në “Benz”.
Të rinjtë çekë ishin të sinqertë gjer në naivitet kur nuk kuptuan se kjo tokë e bekuar, sepse është vendlindja jonë, ndryshe nga teritori që lanë pas, ishte gjithkund e mbushur me plehra, në ajër, në tokë, në liqen dhe në det. Ata nuk e dinin se vetëm dy javë më parë, për shkak të përhapjes së verdhëzës A në mes të kryeqytetit të shqiptarëve, u zbulua se prej mjaft kohësh nuk ishin pastruar depot e dy ujësjellësave. Analizat tregonin në ujë përqëndrim të madh amoniaku. Por siç dihet amoniaku si emërtim shkencor në fjalorin tonë popullor ka për ekuivalencë fjalën shurrë. Dhe me që na doli turpi le të kujtojmë me këtë rast edhe një ironi që herë pas here ja themi vetes: “Shqiptarët e bëjnë shurrën atje ku e zë“.
Në një të përditshme kombëtare prej shumë kohësh ka zënë vend problemi që paraqet para opinionit një gjermane, e cila banon në Sarandë. Ajo quhet Silke Blumbach. Tregon se çdo ditë syri i lodhet nga papastërtia dhe kaosi i plehrave që ndeshen gjithandej dhe se në fillim ia nisi punës me ndërgjegjësimin e banorëve për të mbajtur mjedisin e përbashkët pastër e të gjelbëruar. Më pas për ta bërë një realitet pastërtinë e hapësirës publike ajo harrxhoi edhe çdo mjet financiar që kishte. Rezultati? Pothuaj rikthim në zero. Në vitin 1993 një gjerman tjetër në një qytezë turistike buzë Ohrit bëri të njëjtën gjë për të mbrojtur liqenin nga hedhurinat që përditë flakeshin nga disa banorë në atë mrekulli të natyrës. Rezultati? Në vitin 2006 ndotja e liqenit të Ohrit nga pjesa shqiptare është alarmante.
Nxorrëm gjermanët, çekët, maqedonasit, grekët, malazeztë më të mirë se vetja? Një fjalë e urtë thotë me shaka se më të mirë nga vetja nuk ka. Mbase urtësia popullore e ka këtë sentencë me kuptim të dyfishtë. Ka një pëlqim të vetes ku të kllapit e deh deliri se je i përkryer. Ka edhe një tjetër pëlqim të vetes: të dallosh e kuptosh ku e ke të metën. Sigurisht për ta hequr.


Ylli Polovina.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com