Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Si ne kohen e “Xhaxhit“

“Korrieri”, 2 gusht 2006

Ai hipi në furgonin tonë në të dalë të qytezës së tij. Elegant, trup dukshëm marë me sport, i porsaardhuri mbante po ashtu veshur një këmishë ndritshëm të bardhë dhe këpucë me një shkëlqim kafeje të butë. Pantallonat e tij të zeza ishin qepur me shijen më të fundit. Gjatë udhëtimit të përbashkët pëlqeu heshtjen. Gojëhapja e tij ndodhi vetëm kur, i nxitur nga një lloj karizme që e dalloi ta kishte brenda vetes, autori i këtyre radhëve tentoi ta njohë sadopak. Dhe pati fat. Djaloshi që kishte në brinjë, ishte një suprizë.
Duke mos qënë fare e nevojshme t’ja themi personazhit tonë emrin, sepse ajo që do të paraqesim më poshtë na duket se nuk është një pasaportë njeriu, por një dukuri sociale, nënvizojmë thelbësoren: ai ishte student në Universitetin e Tiranës në vitin e parafundit të një dege inxhinierie. Detaji i dytë: ishte 30 korrik. Biseda, dëshironim apo jo, gjatë një ore të tërë, deri sa mbërritëm në stacionin e fundit të furgonit dhe të gjithë pasagjerët ikën, u mbajt e shtrënguar fort mes këtyre dy rrethanave. Ai e gjykonte kohën dhe vendin e tij si student, duke qënë njëkohësisht i impresionuar fort edhe nga ngjarjet e zhvilluara në Kuvend gjatë pesë-gjashtë ditëve të fundit të muajit.
Ndërsa interpretonte ato që ndodhnin përreth tij ai jo vetëm një herë, në përpjekje për të krahasuar zhvillime të pas dhe para vitit 1990, përdori shprehjen “si në kohën e “xhaxhit”. Kjo donte të thoshte “si në kohën e Enver Hoxhës”. Në mënyrën se si e përdori fjalën “xhaxhi” nuk kishte asnjë ironi. Të dukej sikur togfjalëshit të përtej vitit 1990 “xhaxhi Enver”, thjesht për shkurtim e moshumbje kohe, i kishte bjerrë pjesën e dytë për ta lënë shprehjen në atë formë përkëdhelëse “xhaxhi”. Në pamje të parë kjo mënyrë adresimi për diktatorin shqiptar të një gjysmëshekulli ishte një nonsens. Asgjë nga eleganca e tij dhe mosha krejt e re nuk shpjegonte dot përfundimisht këtë mënyrë interpretimi me delikatesë dhe një lloj respekti për Enver Hoxhën. Ai nuk duhej të ishte më shumë se 23 apo 24 vjeç. Kur diktatura kishte rënë ai nuk ka qënë asnjë muaj mbi moshën tetë vjeç. Kur kryekomunisti shqiptar kishte ndërruar jetë po ashtu ai nuk i kishte kapërxyer as me një ditë të tre vitet jetë. Atëhere përse i referohej ai student Enver Hoxhës me aq kujdes?
Gjatë bashkëbisedimit duke bërë qëllimshëm një trysni të lehtë për t’ja zbuluar sadopak arsyet e vlerësimit për “xhaxhin” dhe kohën e tij, nuk ndesha tek pala tjetër shfaqje të nervozizmit apo dëshirë për të kundërshtuar. Ai djalë kishte një kulturë të thellë e të qëndrueshme pluralizmi dhe merrej me idenë, jo njeriun mbartës. Mendimi ndryshe atë as e lodhte, as e mbyllte brenda vetes, as e bënte agresiv. Mendimi i kundërt e gjallëronte. Kjo donte të thoshte se studenti i inxhinierisë në Universitetin e Tiranës në mendësinë prej “kohës së “xhaxhit” nuk ia kishte qejfi fare të pranonte metodën totalitare të qeverisjes së vendit të tij.
Mund të rreshtojmë më tej edhe mjaft prirje të tij që shkonin në të kundërt me kohën, të cilës iu referua pa e stigmatizuar. Duke kërkuar misterin përse ai student modern shqiptar në formimin e tij, duke mos patur në thelb asgjë të përbashkët me gjysmëshekullin traumatik, përdorte qetësisht vlerësimin “në kohën e “xhaxhit”, në fillim besuam se atë shprehje ai e konsumonte thjesht për edukatë. Duke qënë se ndaj Enver Hoxhës, në vend të analizës, përdoren përherë nga disa mospëlqyes të tij edhe fjalë të ashpëra e të renda, jo rrallë edhe fyese, djaloshi student u duk se kishte zgjedhur thjesht një formulim të mirësjellshëm. Këtë bindje e patëm sepse ai ishte tepër refuzues ndaj fjalorit që përdorte një pjesë e politikës aktuale.
Vetëm më pas mundëm t’i avitemi me një lloj shpjegimi atij nonsensi, ku regjimin diktatorial nuk e deshte të përsëdytej dhe Enver Hoxhën e merrte si pikë reference. Kjo kishte të bënte pothuaj me vetëm një problem: në raportet e tij si nënshtetas me vetë shtetin e tij. Ai ishte thellësisht i deziluzionuar nga ky i fundit. Për të shoqëria e hapur shqiptare kishte prodhuar rritje të mirëqënies individuale, liri lëvizjeje dhe hov të bisnesit, jetë personale më të çlirët dhe libra e filma më shumë, por nuk kishte realizuar dot një shtet të fortë. Ai student inxhinierie që fliste disa gjuhë të huaja dhe konsultohej përditë në internet, njohës i mirë i organizatës Mjaft apo i Institutit Liberal Shqiptar, i pajisur me karizmë për të qënë nesër ndoshta edhe vetë një lider, u shpreh shumë kritik ndaj mënyrës se si ushtrohej politika e vendit të tij. Sipas tij formacionet partiake dhe veçanërisht dy partitë kryesore, ndërsa mund të vlerësoheshin për disa kontribute dhe një prirjeje të ngadaltë vetemancipuese, nuk e meritonin aspak vlerësim për raportin e tyre me Shtetin. Për atë student ato në vend që ta forconin përditë e më shumë shtetin e tyre të përbashkët dhe njëkohësisht të të gjithë shqiptarëve, e sulmonin, e nduknin, e gjymtonin, e personalizonin, e nepotizonin, e privatizonin, ia merrnin frymën me partitokraci, në ndërrim pushtetesh ia linin njëra-tjetrës me shumë probleme. Unë jam student, tha ai, për shkollimin e specializimin tim unë e familja ime bëjmë harrxhime të mëdha. Jam unë që kudo gjendem me investimin tim për të ardhmen, shtet pranë nuk kam. Të paktën nuk e ndjej. Sigurisht e ardhmja më së pari është imja, por ajo është edhe e shoqërisë. Unë nuk jam thjesht një individ që punon për veten, jam edhe një qytetar që duhet të punoj për republikën. Duke qënë qytetar unë dua të kem afër, jo si tutelë, por si forcë ndihmëse dhe inkurajuese edhe shtetin tim. Mirëpo ai është flu, një lendë pothuaj e padukshme.
Nga një muaj pushime në vendlindje ai kishte dalë i tronditur. Anarkia për të vijonte si përherë, veç zhvillohej “butësisht”, pa përmbysur rendin publik. Kush deshte të vriste ndonjë shpend të egër qëllonte në mes të ditës dhe nga të mundëte, kush dëshironte të gjuante peshk pa leje e bënte këtë në mes të ditës dhe duke e tundur pastaj peshkun e kapur para të gjitha llojeve të makinave që kalonin në rrugën kombëtare buzë liqenit. Për këdo që dëshironte të përdorte dru për dimër funksiononte lirisht kontrabanda dhe në mes të natës të shkarkohej tek dera e shtëpisë kamioni që kishte prerë e shkatërruar pyllin. Duke mos i mjaftuar këto një ditë në qytezën e tij ja kishte behur një grup përhapësish të fesë Jehovai. Kishin organizuar shfaqjen e një filmi të besimit të tyre dhe spektatorët e ftuar ishin vetëm fëmijë të mitur, më i rrituri dhjetë vjeç. Nuk kishin marrë asnjë leje nga komuna, ndërsa nuk ishte dukur as edhe ndonjë nga të pushtetit lokal. E kishin ndalur shfaqjen e filmit vetë, një grup banorësh me të në krye, duke u thënë përhapësve të Jehovait se po përfitonin shumë nga apatia e shtetit. Ata mund ta shfaqnin filmin e fesë së tyre vetëm pasi të siguronin me shkrim lejen nga komuna dhe vetëm pasi spektatorët të ishin të aftë të gjykonin në mënyrë të pavarur, pra të ishin mbi tetëmbëdhjetë vjeç. Nën këtë moshë fëmijët duhej të vinin të shoqëruar nga prindërit.
“Unë dua shtet të fortë” përsëriti studenti i inxhinierisë. “E dua të fortë edhe për çështjen kombëtare, edhe për Kosovën, edhe për mbi një milion emigrantët tanë të përhapur nëpër botë“.
“Po “xhaxhi” ç’punë ka këtu?” i thamë “Ai e mbajti Shqipërinë pesëdhjetë vite dhe pas një përpjekje të shkurtër vetforcimi në fund u la bashkëkombasve ushqimin me triska”. Tjetri buzëqeshi. Ishte edhe djalë i bukur. “I them “koha e “xhaxhit” vetëm për të shprehur protestën time ndaj disa politikanëve të sotëm. Për fat të keq edhe ky zakoni im është një shfaqje e vesit të anarkisë së brendshme. Realisht Enver Hoxha e dëshironte një shtet të fortë, por për shkak të ideologjisë që kishte dhe Luftës së Ftohtë e bëri atë stërprapthi. Këta të sotmit nuk i pengon asnjë lloj ideologjie dhe rrethane ndërkombëtare, por nuk e di përse nuk kanë aq fort shqetësim dhe aq mjaftueshëm idealizëm të bëjnë një shtet e Shqipëri të fortë? Nuk ju detyroj, por a mund të ma shpjegoni ju këtë?”


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com