Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Haxhireja ne karrige me kapele republike“

Korrieri, 10 korrik 2006

Jemi akoma në fillim të shumë gjërave, jo vetëm të pluralizmit politik dhe shoqërisë së hapur. Shqiptarët nuk po provojnë të mësohen vetëm me udhëtimet e pushimet jashtë vendit, me apartamentet e gjëra apo makinat e shtrenjta, me kompjuterin e internetin, celularët e gjeneratës së fundit, studimet e larta e specializimet gjithkund nëpër botë, fluturimet me avionë dhe superqendrat tregëtare. Atyre u duhet të mësohen edhe me videoregjistrimet e skenave të seksit dhe shpërndarjen e tyre në rrjetin celular apo në online që ta shohin gjer në SHBA apo Australi. Një video e tillë me një skenë perverse kush e di ku filmuar, tronditi shoqërinë tonë namusqare dhe menjëherë u kërkuan fajtorët në një gjimnaz emërmirë të Tiranës. Mirëpo janë gjëra që ndodhin. Në raste të tilla alarmi është reagimi më i padobishëm.
Me gjykimin “nuk kemi përse vëmë alarmin”, do të pëshkruajmë edhe një dukuri të re të pasdiktaturës. Atyre që kanë përjetuar komunizmin do t’u kujtonim se në vitet shtatëdhjetë, nën një ndikim të plotë të politikës dhe madje lejfenizmit të eksportuar, funksionarët e lartë të partisë së vetme në pushtet dhe shtetit të atëhershëm unik visheshin me kostume doku. Atëhere për këta tipa përdorej edhe ironia “shoku me rroba doku”. Kjo ishte edhe uniforma model e administratës së asaj kohe. Për fat këtë risi lejfeniane e ruajtën me xhelozi si të drejtën ekskluzive të tyre vetëm nomenklatura e Tiranës dhe tre-katër hierarkë të tjerë të pushtetit lokal në qytetet e tjera. Kështu edhe pse një palë pantallona apo fund dok ishte e lakmuar, administrata e kohës nuk u dokizua. Ajo ishte e varfër dhe korrekte në veshje, gjithnjë sipas kulturës ideologjike askete të regjimit. Atëhere t’i pritnin baluket po të zgjateshin shumë mbi ball dhe leshrat po të preknin fundin e qafës. Për minifunde apo barqe të zbuluar as që bëhej fjalë.
Pas rënies së diktaturës dhe shembjes së kulturës së saj të jetës, bashkë me minifundet e barqet e zbuluara, xhinset e grisura posaçërisht që të duket ndonjë copë tuli apo veshje femërore pothuaj transparente ku të dallohet qartë e në mënyrë të padyshimtë se ajo që të kalon afër nuk mban brekë tradicionale por modelin më të fundit, të quajturën tanga, jeta e njerëzve përherë e më shumë iu shkëput varësisë nga shteti dhe u kuptua si çështje intime e gjithsecilit. Nuk është kjo një arritje e vogël e një vendi të sapodalë nga një sistem i ashpër kufizues. Për aq pak kohë sa ka kaluar nga viti nëntëdhjetë shoqëria shqiptare dëshmon se duke qënë akoma e ngathët për të reaguar në mbrojtje të shumë lirive të saj, ajo gjithsesi e kërkon vetkoregjimin apo ekuilibrimin e saj të brendshëm. Kështu ajo tashmë ka dalë nga mëdyshja se çfarë duhet të bëjë në rastin kur troket në një derë të administratës publike dhe në krye të tryezës së punës, ulur në karrige apo në ndonjë poltronë të meshintë, sheh një nëpunëse që mban veshur një bluzë të fryrë e të hapur gjer në kufirin ku zakonisht nënat e hapin gjoksin vetëm për çastin kur do t’i japin gji fëmijës. Nëpunësja e një modeli të tillë telefonin e zyrës e ka zgjedhur me ngjyrën rozë, majat e gishtave i rrezëllijnë manikyr, të kuqin e buzëve e ka të freskët dhe herë pas here e shijon duke lëpirë lehtas cepat e tyre. Parfumi që vjen nga ajo tavolinë zyre publike është gjithandej fluturues. Pikërisht tek kjo zonjë apo zonjushë, gjashtëmbëdhjetë vite pas rënies së diktaturës që nuk e lejoi kinematografinë të realizonte në film të paktën një puthje, ti do të kërkosh një shërbim publik që të takon. Nuk paragjykojmë duke ngulur kembë se një nëpunëse e tillë medoemos është zemërngushtë e indiferente ndaj halleve të qytetarëve. Po të mendonim kështu do të ishte një punë e padrejtë dhe falsifikim i shëmtuar. Do ta paragjykonim rastin po ashtu po qe se një nëpunëse tjetër, e cila ka të veshur një model fustani, ku djathtas pala bie gjer afër këpucës dhe majtas ngrihet një pëllëmbë mbi gjurin, patjetër është jo kompetente. Do të shkonim gjer në faj po qe se një nëpunëse e tretë, e cila ka lënë të duket një rrip i hollë mishi i grunjtë nga zona e kërthizës, do ta kategorizonim si një nga ato që ofron jetë të fshehtë shtrati. Pakompetencën profesionale dhe paudhësinë për t’u marrë me jetë intimisht të shthurrur mund ta kryejë edhe një zonjë apo zonjushë që bluzën e mban shtrënguar gjer në fyt, fustanin e rrëzon gjer në fund të kembëve dhe nuk kujtohet shpesh të presë as thonjtë e duarve.
“Haxhireja” jonë, pra personazhi dhe subjekti i fantazuar i këtij shkrimi, ka të bëjë vetëm me etikën e veshjes në punë. Doemos mbi të gjitha kur shërben në administratën e shtetit, por edhe kur kryen punë publike në një shërbim privat. E kemi fjalën vetëm për këtë etikë veshjeje dhe e përsërisim që të largohet e bëjë tutje çdo keqkuptim tjetër me personalitetin e një femre nëpunëse. Për fat të keq edhe në botën e përparuar të Perëndimit, ndërsa ligjet e rregullat etike shtrëngohen pa lënduar jetën personale të individit, nëpër media tolloviten modele femrash tundonjëse edhe në zyrën e punës. Nga një ndikim i tillë pak ditë më parë edhe një e përditshme shqiptare mjaft serioze botonte një faqe me të dhëna “shkencore” se seksi në zyrë ishte mjekimi më i mirë kundër stresit (?!).
Jemi në kapërcyell të modernizimit të shoqërisë dhe kemi prirjen të përzgjedhim shëmbuj të mirë civilizimi, prandaj edhe një rregullore për etikën e veshjes në zyrat e administratës, e dalë prej dy-tre kryeministrave të mëparshëm, siç edhe ajo e njoftuar si vepruese nga kryeministri aktual, meritojnë pak më shumë angazhim për t’u respektuar. Ka përfunduar koha e “shokut me rroba doku” apo e çdo lloj tjetër uniformiteti, por veshjet e përshtatshme për punë duhet të jenë rregull i pranuar me bindje. Me veshje për punë nuk kuptohet as kominoshja, as vetëm kostumi i një lloj ngjyre apo kravata e të njëjtit tip. Do të ishte poshtërruese në rast se të gjitha zonjat apo zonjushat në administratën publike duhej të ngjeshnin për tetë orë të njëjtin model veshjeje, përshëmbëll kostumin, si të jetë një qendër tregëtimi. Kur bëhet fjalë për veshje në punë serioziteti i saj e pranon fare mirë larminë. Kur disa ditë më parë pyetëm një bashkëkombas që ka patur fatin të vizitojë gati gjysmën e globit në lindje e perëndim, ai tha pak a shumë kështu: në mëngjez dhe në mbrëmje, në oraret e fillimit dhe të mbarimit të punës, në hyrje dhe dalje metrosh, stacione urbanesh apo parkingesh të mëdha, menjëherë dallohen ata që kanë qënë në punë. Veshur me shije, thjesht, larmishëm, por gjithnjë seriozisht.
Kur pranojmë konceptin “serioz” nuk e shtrijmë atë gjer në absurdin se kur gjendemi në kohën e lirë e jashtë pune, nuk jemi seriozë me veshjet e tjera, ato më të shpenguarat. Një zonjë apo zonjëzë që shpërndan bollshëm erë parfumi, ka hedhur mbi trup lirshëm atë fustanin me një palë që rri mbi gju e një tjetër që shkon tëposhtë gjurit është mirëfilli serioze në një shëtitje të mbrëmjes apo duke shkuar në diskotekë.
Administrata publike apo e thënë më drejtpërdrejtë administrata e shtetit ka në moral shërbimin dhe vëmendjen ndaj qytetarit dhe jo egoizmin për veten. Ajo detyrimisht ka edhe një imazh institucioni që duhet të përfaqësojë me sa më shumë dinjitet të jetë e mundur. Me nëpunësin, të cilit pantallonat i bjenë gjer në nënbark apo kolegen e tij që rri me sandalka me tre rripa të hollë sa fija e perit, nuk dëshmojmë veç shpërfilljen tonë tradicionale ndaj Shtetit.
Dhe nuk e di përse këto çaste na erdhi ndërmend një ish-Mis Albania. Ajo punon në një ministri, ku nëpunësit për arsye pune dalin herë pas here jashtë shtetit. Quhet Monika Zguri. Në kohën e lirë të pasditeve apo fundjavave ajo merr pjesë edhe në pasarela të modës. Ndërsa çdo mëngjez vjen në punë me autobus urban, gjithnjë e veshur pa zbuluar ato pjesë që pëlqen t’i rrëfejë “Haxhireja”. Përherë Monika Zguri xhaketën e kostumit të saj e mban të veshur. Madje kur bë ndopak vapë e palos në njërin krah. Ka vështrimin e bukur dhe hirin e plotë të një zyrtareje.


Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com