Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kane dale eshtrat e nacionalizmit

Korrieri, 1 korrik 2006

Një nga specialistët mjekoligjorë që mori përsipër shpjegimin publik të inventarit të vërtetë të eshtrave të gjendura në arkivolet e metaltë të Kosinës tha se mes ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore kishte edhe gra e deri fëmijë. Ishte edhe një xhuxh. Eshtrat e një fëmije ishin shpërndarë në disa arkivole. Këtu një krah, krahun tjetër diku bashkuar me një skelet tjetër eshtror, shpatulla e majtë mungonte, e djathta duhej kërkuar, në një thes gjetëm dy nofulla, njërën me dhëmbë e tjetrën pa dhëmbë. Mes kokallave kishte shenja plumbash vetëm në pak skelete, këto ishin të të rënëve grekë. Tek të tjerët diku u gjet edhe një gozhdë. Ishte një rrëfim i dhimbshëm që specialisti e bëri për të qënë korrekt me një problem të madh që po tolloviste opinionin shqiptar dhe atë të popullit fqinj. Eshtrat e të vdekurve nuk lëndohen dhe ca më pak nxirren para ekraneve. Mesa duket u detyruan të gjithë. U shtrënguan të bëjmë këtë punë pothuaj makabre sepse një prift i shkallës modeste në hierarkinë e Kishës Autoqefale Shqiptare është mobilizuar për të rikthyer në atdheun e vet eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në luftimet e tyre me fashistët italianë si edhe për çështjen e rikthimit të truallit të një kishe ortodokse, ku pjesërisht disa dekada më parë në Përmet është ngritur edhe Shtëpia e Kulturës e qytetit.
Para se të merrte përmasa publike po ai prift dhe të tjerë që e përkrahnin atë ky çift ngjarjesh, grumbullimi i eshtrave dhe beteja për truallin e kishës në Përmet kishin vijuar heshturazi jo vetëm me muaj, pro edhe me vite. Atëhere përse shpërthyen tani si të ishin dy gjysma mase uraniumi? Thonë se shkaktar u bë një nga varrmihësit, i cili pasi kishte zaptuar prej një pakete eshtrash një varëse floriri, duke mos dashur ta dorëzonte, kallzoi historinë e ngatërruar të atyre kokallave. Tani ky që vetëm moralisht hero nuk është, pra varësflorirmbajtësi, është fshehur diku dhe denoncon kërcënime që i bëhen. Por mund të ndodhte që edhe pesë varrmihës të pakënaqur të denonconin apo protestonin dhe halli i tyre të mos shkonte dot der në faqet e një gazete lokale e jo më të shkaktonte vorbull mediatike gjer në agjensi të mëdha botërore lajmesh.
Lenda që i dha këto përmasa të larta ishte dhe mbetet nacionalizmi i ndezur ballkanik. Ai ka qënë një nga protagonistët më të mëdhenj të jetës në këtë gadishull me plot drama kombëtare dhe shovinizëm. Edhe politika, edhe letërsia, edhe kërkimi akademik, edhe besimi fetar, edhe ndeshja e futbollit, edhe loja me tenis, edhe dasma, edhe vdekja, edhe emri i të porsalindurit, edhe tatuazhi, edhe bluza apo kanotjerja, edhe çibuku, edhe çakmaku, edhe kapela në kokë, edhe dhurata për martesë, edhe flamuri në themelet e një shtëpie, mundësisht të gjitha që kanë të bëjnë me jetën e një njeriu, janë veshur sinqerisht e jo pak herë djallëzisht me simbolet e nacionalizmit. Kjo që themi nuk është një turp as për shqiptarin, as për malazezin, as për sërbin, as për grekun. Ajo thjesht është një gjë anakronike për Evropën e sotme e veçanërisht për rrugën që ka marrë zhvillimi i shpejtë i njerëzimit. Ne në Ballkan mund të themi se nuk kemi faj që jemi kaq të lidhur me nacionalizmin, e kemi atë nga pas një trashëgimi të shkruar me gjak bashkëkombasish. Lum ai nacionalizëm dhe popull që këtë të kaluar të dhimbshme e peshërendë e jo rrallë mëkatare, këtë “adn” e testament, e ka me shënimin “nuk i ka rënë mëqafë territorialisht popujve të tjerë”. Mes defekteve që kemi ne shqiptarët këtu mund të ndihemi të qetë. Nacionalizmi ynë, i të gjitha kohrave, sistemeve shoqërore apo regjimeve, nuk ka qënë shoven. Ai ka reaguar vetëm për t’u mbrojtur, nuk ka sulmuar kurrë. Kanë një mijë jetë bashkë që disa studjues vetmitarë kërkojnë të provojnë të kundërtën dhe po e harrxhojnë kohën kot.
Bashkë me eshtrat e rrethinave të Kosinës dhe kokëfortësinë e çuditshme të priftit që luftën për të drejtën e tij e bëri shtrembër dolën nga nëntoka edhe eshtrat e nacionalizmit. Ato kanë dalë edhe më parë, do të kërcejnë mbi sipërfaqe edhe më pas. Vendet e Ballkanit më shumë se ushtri apo edhe studentë, kanë veteranë të luftrave për nacionalizëm. Ata duan vetëm pak lëndim që të mobilizohen dhe futen në rreshta. Kryeministri shqiptar dy-tre javë më parë bëri një nga gjestet që do të ngulitet në historinë e re të gadishullit, edhe pse tani për tani nuk duan t’i hapin vend. Do ta kuptojnë më vonë. Në vizitën për tek bashkëkombasit e vet, ku nuk mungoi një çast të deklaronte se shtëpia e Berishajve kishte qënë një bazë e UÇK-së, ai realizoi edhe vajtjen në Fushë Kosovë. Nuk shkoi tek monumenti i përkujtimit të betejës së madhe të saj, atë të 28 qershorit 1389. Mund të shkonte natyrshëm edhe këtu, sepse 617 vite më parë në luftë për të mbrojtur Evropën nga vala e re e pushtimit osman, ishin rreshtuar edhe shqiptarët. Ajo ka qënë një betejë në të cilën krerë të tyre dhanë jetën dhe nuk ka ekzistuar asnjë provë se gjatë zhvillimit të saj arbërit e kanë tradhëtuar qëllimin e kësaj lufte. Shqiptarët pas disa dekadave do të nxjerrin edhe më të madhin mbrojtës të eurokontinentit, nga më të dëgjuarit në botë, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në emër të kësaj të kaluare proevropiane para se të shkonte tek Memoriali kushdo nga Beogradi, mund të shkonte edhe gjithkush nga Tirana. Por Kryeministri shqiptar nuk deshi as të bëjë sfida, as të bjerë në ngutje, ca më pak të linte gjurmët e një gjesti që mund të keqinterpretohej si provokacion. Do të ketë një ditë kur në një tjetër 28 qershor në Fushë Kosovë do të jenë në krah të njeri-tjetrit edhe përfaqësuesi i lartë i Beogradit, edhe ai i Podgoricës, edhe ai i Bosnjës, edhe ai i Shqipërisë, edhe ai i Kroacisë. Numuri një i ekzekutivit shqiptar zgjodhi tjetër simbol, ai shkoi tek manastiri dhe ofroi miqësi dhe paqe. Prifti i thjeshtë sërb e kuptoi mesazhin, sepse e pa me sytë e tij që funksionari i lartë nga Tirana ishte i sinqertë. Ai e kuptoi se vizita dhe dëshira për të kontribuar financiarisht për restaurimin e asaj kishe nuk ishte ndonjë sfidë as për autoritetet e Sërbisë dhe as për Kishën Ortodokse të saj. Përkundrazi. Sali Berisha, dhe kjo është e qartë si drita e diellit, “sfidën” e kishte me bashkëkombasit e vet. Ai deshi t’u rithoshte atyre se vij unë nga Tirana që të mbroj të drejtat e shenjta të sërbëve që do të bashkëjetojnë me ju në shtetin e ardhshëm të Kosovës, jo më ju që për këtë mision duhet të mos lodheni kurrë. Kur në fund të vitit të shkuar administrata e tij shqiptoi opcionin e pavarësisë së kushtëzuar, e kishte fjalën pikërisht për këtë thelb të zhvillimit të domosdoshëm të pavarësimit të Kosovës. Fraza qëlloi në mjedisin tonë politik dhe nacional si një formulim i palumtur, por nuk ishte aspak një shmangie nga dëshira e bashkuar e të gjithëve. Që nga formula që mban fjalën e thjeshtë e të qartë “pavarësi” apo edhe ajo që nxirret së fundi në Prishtinë si “pavarësi e pakushtëzuar”, brenda vetes do ta kenë këtë “kusht”: realizimin e mbrojtjen e plotë të të drejtave të pakicave në Kosovë e ca më shumë të sërbëve, kjo e fundit nisur nga lëndimet e shumta historike mes tyre dhe shqiptarëve. Ish-Federata Jugosllave, mbretërore, komuniste apo pluraliste ra sepse nuk mundi dot të realizonte plotërisht këtë bashkëjetesë. Probleme do të ketë edhe Kosova si shtet i pavarur në rast se nuk do të luftojë e gjitha, qeveri, elitë e popull, për një bashkëjetesë shembullore me sërbët e të gjithë pakicat e tjera. Eshtë domosdoshmërisht e realizueshme, por rezulton të jetë boll e vështirë. Nuk e dëshirojmë, veç po u muar lehtësisht do të jetë një “Gur Sizifi”.
Për fat të keq me ndërprerjen e papritur të pragpunimeve për restaurimin e asaj kishe-simbol në Fushë Kosovë rezultoi se të tjerë ndërkohë kishin gërmuar me shpejtësi e nxjerrë nga nëntoka eshtrat e nacionalizmit. Me pak vullnet veteranët e të shkuarës mund të mbaheshin në qetësi e të patrazuar në kujtimet e tyre.
Prifti i Kosinës apo kushdo tjetër që ngacmoi “eshtrat e nacionalizmit” mund të rikthehet tashmë në çastin kur nuk kishte ndodhur asgjë e tillë. Mjafton që normalizimi, pra rifutja e kokallave të nacionalizmit në kutitë e tyre, të nisë me dëshirën e përbashkët që një varrezë e të rënëve grekë kundër fashizmit italian të nisë të marrë jetë pa u vonuar. Jo e fshehur nëpër malet e jugut, por buzë rrugës që të gjithë udhëtarët, vendas e të huaj, ta shohin e nderojnë. Ata do të jenë dëshmitarë se me sa dashuri e përkujdesje do të sillen shqiptarët me këto varre martirësh. Nuk ishin andartët famëkëqinj të Luftës së Parë Botërore apo dy luftrave ballkanike ushtarët grekë të viteve dyzetë.
Që eshtrat e nacionalizmit të rrinë sa më pak të trazuara mjafton që edhe të mirëkuptohet se nuk mund të shtyhet për shumë kohë ajo çështja e zgjedhjes brenda bashkësisë së krishterë e një kreu ortodoks shqiptar. Miqësia mes dy kishave asaj greke dhe shqiptare, pas kësaj ndodhie, do të bëhet më e fortë, siç edhe më solide ajo mes dy popujve dhe dy qeverive. Pastaj duhet mirëkuptuar se problemet e brendshme andej dhe këtej kufirit nuk zgjidhen me shprehjen kategorike “ka” apo “nuk ka asnjë problem çam”. Këta të fundit përveç pronave të humbura prej një dëbimi etnik, për një simbolikë të qartë të frymës së tyre paqësore, kërkojnë të gëzojnë edhe të drejtat e çdo qytetari grek. Domethënë se pranojnë që duke qënë kombëtarisht shqiptarë, Greqia mbetet për ta në nivelin e statusit të atdheut.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com