Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Protesta e kuptuar si sbor ushtarak


Sot, 13 dhjetor 2004

Në zhvillimet më të fundit të konkurencës politike në vendin tonë mjeti më i përdorur nga opozita gjithnjë e më shumë po bëhet protesta. Në një deklarim të dalë nga Selia Blu thuhet qartas se krahas të gjitha mjeteve demokratike kundër kryeministrit Fatos Nano dhe kabinetit të tij aktualisht protesta ka marrë përparësi. Arsyeja përse është dalë në këtë konkluzion dhe marrë ky vendim, sipas të gjitha gjasave, duhet të ketë rrjedhur nga analiza e gjendjes dhe raportit të forcave politike, veçanërisht mes shumicës dhe opozitës. Pra një përfundim i tillë rezulton të jetë mbështetur në gjykimin e opozitës në bashkim se koalicioni rozë gjendet në pikën e tij më të ulët të reputacionit dhe të mbështetjes popullore, gati për një rishpërthim të dytë ndarjeje, socialistët vetë në luftë të brendshme të papushuar, lideri i tyre shumë i kritikuar nga media dhe lëvizjet qytetare, njerëzve iu shtrenjtua jeta dhe për pasojë ka tendencë varfërimi për shtresa të tëra të popullit, mbështetja ndërkombëtare për qeverinë nuk është më entuziaste. Në llogaritë e opozitës për të përcaktuar çastin e duhur dhe hedhur në veprim “protestën si mjet me përparësi” duhet të ketë ndikuar edhe një forcim i dukshëm i pushtetit të Kryeministrit në partinë e tij si edhe në të gjithë strukturën qeverisëse, ç’ka e bën Partinë Demokratike, “kokën e diamante” të opozitës, që të mos e shtyjë goditjen duke e vonuar për në një çast të dytë, ndërsa riforcimi politik i Kryeministrit mund të jetë më peshërendë. Në arsyetimet e strategjisë së protestave me përparësi duhet të ketë influencuar edhe konkluzioni se tani për tani kabinetit qeveritar nuk do t’i vijë ndonjë e papritur nga lufta parlamentare dhe manovrat me vota brenda tij. “Njëqind mijë dollarë është bërë një votë deputeti” deklaroi një nga eksponentët politikë më të vendosur të strategjisë së protestave, Nikollë Lesi, duke lënë qartas të kuptohet se nëpërmjet blerjes së parlamentarëve të veçantë nuk ka asnjë shpresë të afërt për të mëkembur një shumicë kundërqeveritare dhe rrëzuar kabinetin Nano, bashkë me të edhe ndërprerë mandatin e dytë të rozëve.
Në përllogaritjet e opozitës mund të kenë hyrë edhe tregues të tjerë të analizës, ca më tepër që pranë PD-së tashmë janë në efiçensë edhe disa këshilltarë të cilët premtojnë ta mëkembin dhe çojnë në marrjen e pushtetit, intelektualë partish që nën përvojën e kolegëve të Francës po institucionalizojnë një Komitet për Hartim Politikash. Nisur nga të gjitha këto që sipërcituam dhe jo pak edhe nga deklarimi i ish-Presidentit Berisha se bashkësia ndërkombëtare i mbështet protestat paqësore, opozita rezulton se ka hyrë seriozisht në fazën e “luftës politike në sheshe”. Kështu formulohet nga teoria e politikës ai çast kur një parti apo bashkim i tyre, një person apo bashkësi individësh, një shtresë apo një grupmoshë e caktuar e zhvendos luftën jashtë mureve të godinave dhe institucioneve. Në këtë kuptim protesta, duke dalë “në shesh”, nuk është politikë rruge.
Në vijim të arsyetimit tonë përderisa për disa ditë apo javë ne, qytetarët e Shqipërisë, do të gjendemi të pranishëm në këtë faze të re dhe mjaft tensiononjëse të politikës, detyrimisht dy pyetje kërkojnë përgjigje qetësonjëse: protestat e opozitës do të jenë të tilla që nëpërmjet veprimeve në sheshe do ta realizojnë pa asnjë dëm për stabilitetin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit objektivin e tyre të rrëzimit të Qeverisë dhe Kryeministrit apo do të ndodhë e kundërta? Përballë kësaj strategjie të kundërshtarëve të vet shumica dhe kabineti i saj qeveritar do të reagojnë në mënyrë inteligjente, me shpirt dhe tolerance demokratike, apo ashpërsisht dhe me egërsi, duke rënuar po njëlloj qendrueshmërinë dhe imazhin e Shqipërisë?
Përvoja e këtyre trembëdhjetë viteve pluralistë na ka dëshmuar tre raste autentikë të rrëzimit të një kabineti qeverisës nëpërmjet ushtrimit të politikës opozitare me përparësi sheshin. Shembulli i parë ka ndodhur pothuaj një dyzinë vitesh më parë kur një sindikatë “e pavarur”, e udhëhequr nga opozita, tashmë e tretur në kohë dhe e harruar, organizoi një grevë kombëtare dhe rrëzoi kryeministrin e kohës. Ai ishte Fatos Nano. Dëshmia e dytë e veprimit drejt për së drejti në shesh për të rrëzuar një person dhe bashkë me të edhe një qeveri e shumicë parlamentare ka për kohë veprimi gjysmën e parë të vitit 1997. Personi i larguar ishte Sali Berisha. Ndodhia e tretë e dukurisë së përsëritur ishte messhtatori i vitit 1998. Individi që iku nga posti i kryeministrit ishte sërish Fatos Nano.
Parë formalisht kështu eksperienca të thotë se kur janë tre raste përse të mos bëhen katër. Tashmë kjo mënyrë ushtrimi e politikës përbën një “rast shqiptar” dhe kontinenti apo gjysmësferat e tij “rastin gjeogjian” nuk kanë përse e begenisin. Më 1991 greva kombëtare e Valer Xhekës, një kopje e dështuar të Lez Valezës polak, përdori edhe elementë force për të ndaluar hyrjet e punëtorëve nëpër fabrika, konsumoi njëherësh bllokimin e rrugëve nacionale dhe përgjithësisht rrëzimin e kryeministrit të kohës e realizoi nëpërmjet goditjes ekonomike që i dha vendit. Këtë humbje Shqipëria e pranoi duke menduar se kryente ndërkohë, me këtë çmim të qortueshëm, edhe përfundimin e rrëzimit të regjimit komunist. Më 1997 në protestat e natyrshme qytetare të mijra shqiptarëve të vjedhur nga struktura kriminale “fondacionesh” jo vetëm presidenti Sali Berisha humbi vetkontrollin e ushtrimit demokratik të pushtetit, por edhe opozita e tij bëri tejkalim të drejte me nxitjen pa vetëpërmbajtje të tyre. Më pas, kur anarkia nisi marrshimin e saj përdhunues e rënimtar mbi të gjithë vendin dhe në ajër u tendosën armët, të majtët u distancuan menjëherë nga logjika e mëparshme e veprimit. Pas tyre bëri praptazi edhe Berisha. Më 1998 ngjarjet nga “sheshi” kaluan plotësisht “në rrugë”. Kësaj rradhe po aq sa vrasja e Azem Hajdarit ishte një krim i shemtuar edhe goditja me armë e Kryeministrisë e pushtimi i dhunshëm i disa institucioneve të tjera ishte mirëfilli një rrugaçëri.
Përderisa në biografinë pluraliste të protestës politike shqiptare ka të ndërthurrura shumë dhe keq elementë “të rrugës” dhe “të sheshit”, shqetësimi i një riciklimi të katërt të tyre vjen natyrshëm. Një provë e freskët e kësaj të vërtete ndodhi më 7 janar. Megjithë një epërsi të dukshme të shumicës së manifestuesve për të ruajtur parametrat paqësorë të demonstrimit të tyre kundërqeveritar, një segment i saj degjeneroi në një tentativë të pastër dhune për të hyrë e pushtuar selinë e Kryeministrisë.
Më 11 shkurt opozita e bashkuar në një deklaratë të saj u përpoq ta rikonfiguronte lëvizjen “Nano, ik!”, duke lënë të kuptohej se vala e protestave do të shoqërohej me intensifikimin e veprimtarive parlamentare dhe diplomatike, propogandistike e informuese, që të gjitha legale dhe transparente. Një gjest i tillë shton një argument e mundësi më shumë që mjeti i protestave të opozitës kësaj rradhe do të dijë më shumë të largohet nga mentaliteti i rrugës. Me këtë korekturë të aksionit të saj më të fundit vihet në vështirësi ajo strategji e shumicës për ta parë kundërshtaren e saj të mbërthyer nga psiqika e turmës. U veprua mjaft keq duke u kumtuar opozitarëve që nga tribuna e foltores së parlamentit se policia (nën shembullin europerëndimor suedez apo italian?!) në disa raste mund edhe të qëllonte mbi demonstruesit. Kurse përshpejtimi i një muri të nevojshëm para selisë së Kryeministrisë ishte një punë edhe më e ngutur. Opozita në mënyrë të padyshimtë dëshiron kësaj rradhe të zhvillojë protesta të padhunshme, pjesërisht për të mbërritur në këtë çast ajo është shtrenguar nga mjaft rrethana jashtë saj. Do të ishte mëse e dobishme për demokracinë tonë ende të papjekur që këto protesta kësaj rradhe as të mos i paragjykojmë, as të mos i nëmim, as mos t’i provokojmë, ca më pak të përdorim ndaj tyre kërcënimin apo nëntekstin e përdorimit të dorës së rendë shtetërore. Ligji duhet të veprojë plot autoritet, por edhe largvështrimi. Kurbën e politikës së “rrugës”, kaq famëkeqe në trembëdhjetë vite pluralizëm, duhet ta afrojmë edhe më shumë tek parlamenti dhe tek “sheshi”. Po e bëmë sëbashku kemi bërë një hap serioz në përparimin tone drejt kulturës europerëndimore.
Në një farë mënyre është zgjedhje e lirë e opozitës që beson se do të mund të përndezë një lëvizje masive qytetare. Eshtë sovranitet i saj që të vijojë me eksperimentimet pa sukses të cikleve të pambarura të protestave njëzetë e katër orëshe apo njëzetë e katër ditëshe përdorimin e logjikës së “zboreve:. Shoqëria dhe elita e saj duhet t’i heqë nga trupi asaj dhe kujtdo tjetër “rrobat ushtarake”.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com