Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kapitalizmo-komunizmi shqiptar


Sot, 19 mars 2004

U desh të ngrihej në kembë jo vetëm Lëvizja MJAFT!, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, Avokati i Popullit, pothuaj e gjithë media, opozita ngulshëm, por edhe një pjesë e popullit të delte në sheshe që të mund të rishiheshin tarifat e rritura të Albtelekomit. Ishte një betejë dy mujore, nga më interesantet dhe plot fantazi (kujtojmë protestën origjinale “Telefoni i prishur”). Një shkollë e ushtrimit të demokracisë, por që mund të “stërvitej” në një terren tjetër hallesh që kanë aktualisht shqiptarët. Ku telefoni dhe ku uji i pijshëm! Apo ku telefoni fiks dhe energjia elektrike, papunësia e lartë dhe varfërimi i disa shtresave të shoqërisë! Çështjen ALBTELEKOM e nisën drejtuesit e saj shtetërorë si një rrufe në qiell të kaltër, para festimeve të Vitit të Ri dhe pasi kishin detyruar dhjetra mijra abonentët e tyre të firmosnin disa kontrata rutinë për vitin 2004, ku nuk thuhej asnjë fjalë se pajtimtarët po i priste pas derës dy-trefishimi i tarifave. Kështu shpërtheu në Shqipëri, “thelë mbi bisht”, një hall kot më koti, një problem që mund të shmangej me një mijë mënyra, një tension social që nuk mbartëte në thelbin e vet asnjë konflikt shoqëror në potencë. Me Çeshtjen Albtelekom, të mbyllur normalisht dhe qetësisht disa ditë më parë, disa burokratë kapitalisto-komunistë na dhanë një mundim të kotë, të cilin nuk ua kishim borxh.
Pse kjo çështje u sajua dhe provokua nga këta kapitalisto-komunistë?
Për shumë arsye, disa prej tyre po mundohemi t’i sistemojmë në këtë shkrim. Termi “kapitalisto-komunist” në këtë rast nuk është ndonjë zhargon politik mitingjesh apo shpikje nofkash për të demonizuar një grup personash, pjesë partie apo përfaqësi të ndonjë klase politike. Eshtë një koncept i shumëpërdorur nga politologjia, kur ajo studjon nga afër tranzicionin e vendeve që prej trembëdhjetë vitesh po bëjnë kalimin nga diktatura komuniste në shoqërinë e hapur me ekonomi tregu. Kapitalizmo-komunizmi është një mentalitet që përshfaqet në këtë periudhë kalimtare. Njerëzit apo grupet shoqërore që e mbartin, mund të jenë njëlloj të ndikuar apo mbështetës të partive të majta apo të djathta, rozë, kuq, blu apo jeshil. Mendësia e tyre, si edhe realiteti, është në proçes ndryshimi, por kjo dinamikë e transformimit të tyre është shumë e ngadaltë, nuk ka ritmin e kohës. Ose vetreformimi u është frenuar, bllokuar. Kembët i kanë në vitin 2004, por kokën më 1989.
Pseudoreforma e mëparshme e Albtelekomit, e tregëtuar në opinion madje edhe si një kusht dhe parametër i standarteve që na duhet të plotësojmë për të hyrë në Bashkimin Evropian, ishte mirëfilli komunisto-kapitaliste. Ajo u hartua dhe u vu në jetë (tre muaj pajtimtarët iu bindën rregullave të saj absurde) me kulturën e sloganit “e di partia”. Pra e di drejtoria e Albtelekomit: sa duhet të paguajmë për një impuls brenda dhe jashtë qytetit. Brenda dhe jashtë vendit. Të hënën dhe të dielën. Në mëngjez dhe pas orës 21.00. Të gjitha i di shtabi i Albtelekomit. Pajtimtarët, “populli” duhet të zbatojnë një për një “direktivat e partisë”. Aq shumë jashtë kohe dhe atavike ishte kjo mendësi sa nuk u deshën vetëm pak ditë që “populli” i pajtimtarëve, i cili jeton prej një dyzine vitesh në pluralizëm, të ngrihej në kembë dhe ta rrëzonte të gjithë kështjellën “komunisto-kapitaliste”. Ajo pseudoreformë bolshevike e të vetmes ndërmarrje të telefonisë fikse që kemi, jo vetëm nuk deshi të dëgjonte mendimin e pajtimtarëve të saj, konsumatorëve dhe në thelb investitorëve të saj, por me krenari dhe moskokëçarje tarifat e larta të shtrenjtimeve i bëri njëherësh që nga taksa vjetore e deri tek çmimi i impulsit. Dhe nga që mendësia e hartuesve dhe urdhëruesve ishte larg rregullave dhe mekanizmave më të thjeshtë të ekonomisë së tregut, i ndodhi që në vend të delte me të ardhura më të mëdha, të pësonte të kundërtën. Logaritë e buxhetit të saj të shumëpërfolur rezultuan menjëherë me humbje: Albtelekom, “pronare” e një treçerek milioni abonentësh, shtrenjtoi faturat tona mbi dyfish dhe mblodhi para në arkën e vet më pak se në periudhën para zbatimit të pseudoreformës. E gjithë kjo ndodhi sepse duhej të vepronte saktësisht ashtu siç edhe më në fund e miratoi reformën Qeveria dhe Enti Rregullator i Telefonisë. Një nga novitetet e këtij reformimi ishte zbatimi i kritereve bazë të ekonomisë së tregut: sa më shumë flet, aq më pak paguan. Ky mekanizëm i thjeshtë (sepse vendet me ekonomi të zhvilluar tregu në fushën e nxitjes dhe grishjes së konsumatorëve përdorin një pafundësi gjetjesh) e nxit pajtimtarin që edhe hallin e tij ta zgjidhë në telefon, por edhe po t’i duhet të “çuçurisë” në receptor ta bëjë këtë gjë me endje, i sigurtë se nuk do të paguajë shumë. Nëse ju kujtohet kapitalisto-komunistët e mëparshëm të Albtelekomit këshillonin që në bisedat urbane, brenda qytetit, njerëzit të flitnin në telefon sa më pak. Sa më shkurt. Mundësisht me kod. Çdo minutë kishte një çmim të kripur. U bllokuan bisedat e të rinjve, të dashuruarit nuk kishin mundësi të shprehnin adhurimin për njeri-tjetrin, të keqkuptuarit të sqaroheshin, miqtë të shmalleshin, shokët të bënin ndonjë shaka. Një kolegu ynë ndaloi rreptësisht vajzën e tij që të vazhdonte si më parë të konsultohej në telefon me një shoqe të saj për detyrat e matematikës dhe e pësoi me disa nota të ulta.
Kapitalizmo-komunizmi shqiptar ka një lulëzim të vërtetë atje ku edhe komandon shteti. Privatët me kohë kanë hyrë në ekonomi tregu dhe po mjeshtërohen në përvetësimin e artit të saj. Dy vite më parë autori i këtyre rradhëve pati kënaqësinë të bisedonte me një funksionar të lartë të KESH-it, një intelektual i padyshimtë. Mes bisedës, ca nga kurioziteti dhe jo pak nga hutimi, e pyetëm përfaqësuesin me përvojë të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare se cilat ishin arsyet që “tavanin” për faturat e konsumatorëve familjarë e kishin venë treqind kilovatorë. Ndryshe nga “tavani” komunisto-kapitalist i Albtelekomit, i cili nuk ka kriza prodhimi impulsesh dhe në thelb duhej të ishte “dysheme”, një vijë kufizuese për të mos lejuar tejkalime të pafre të shfrytëzimit të energjisë elektrike mbetej masë e arsyeshme. Sidomos në kushtet e periudhave të thatësirës apo edhe të një mopaguarjeje masive apo afrofeje që ekziston tek ne. Në përgjigjen se çfarë kishte marrë parasysh brenda kuotës së treqind kilovat-orëve tek një familje shqiptare grupi studimor dhe më pas drejtoria e KESH-it, ishte mes të tjerash edhe një dush në javë. Larje koke vetëm për në fundjavë. Për uikend. Ka një skeç komik që nga koha e komunizmit për “të shtunën e larjes së kokave”. Këtë gjë nuk e paskan harruar “kapitalistët” tanë!
Kur në harmoni me Albtelekom KESH nisi reformën e re të saj, sërish të kontestuar masivisht dhe menjëherë nga lëvizjet qytetare, opozita, Avokati i Popullit dhe një pjesë e madhe e shoqërisë sonë, “tavanin”, kuotën e treqind kilovat-orëve, e uli edhe më. E degdisi në dyqind e njëzetë. Thoshte se për të arritur këtë konkluzion shkencor një ekip studimor i saj kishte punuar plot gjashtë muaj. Le të lëmë gjithsecilin në të drejtën për të besuar apo jo në këtë afat me “tavan” të lartë që paskan në Koorporatë për efektivitetin e punës shkencore. Problemi është gjë tjetër: jo tek oferta për ta larë kokën (duke deklaruar se po plotësojmë standartet e Bashkimit Evropian) nga njëherë në javë në çdo dhjetë ditë. Shqetësimi mbetet se edhe kësaj rradhe shqiptarëve, deri sa iu rigjetën parametrat normalë reformës së nevojshme, iu desh të kalonin një hall kot më koti. Thjesht për llogari të kapitalizmo-komunizmit.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com