Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nano-Berisha, dueli me ballokume

Dita, 16 mars 2004

Konkurenca, gara, ballafaqimi apo më mirë përleshja Nano-Berisha, një nga dimensionet më kryesore të shoqërisë shqiptare të pas vitit 1990 dhe që ka përcaktuar deri tani fatin tonë, ditët e fundit po shënon një dukje të re: ballokumet. Asnjëherë në këta trembëdhjetë vite shokues nuk kishte ndodhur që politika t’i drejtohej një ëmbëlsire. Ajo kishte cituar thikën (pas shpine), helmin, drogën, vdekjen në litar, vrasjen, djegien të gjallë mbi tavolinë, burgun, heqjen zvarrë, hajdutin, zjarrvënësin, xhelatin e popullit, katranin, kancerin. Në mjetet e saj të vënies në jetë ishin përdorur sulmet e demonstruesve ndaj godinave qeveritare, rebelimi me armë, vendosja e prangave për kundërshtarët, bllokimi i rrugëve automobilistike apo moslejimi i punëtorëve të hynin në fabrika, greva e urisë me kinse dhe ajo që hante fshehurazi qofte e pinte shampanjë, guri dhe eksplozivi, bodigardët dhe sherbimi i fshehtë. Vetëm dy-tre vitet e fundit ka nisur të pëlqehet edhe ndezja e qirinjve apo mbajtja në duar e tundja në ajër e tufave me lulemimoza. Por nuk i kishte shkuar në mendje ndonjërit prej politikushtruesve tanë përdorimi si mjet loje konkurence i një ëmbëlsire. Deri dy-tre ditë më parë, çast kur noviteti ndodhi për meritë e dinakëri të Kryeministrit dhe të parit të rozëve, Fatos Nano. Në një manovrim të papërfytyruar edhe nga fantazisti më ekstravagant, ndërsa nuk dukej në horizont një mënyrë e volitshme për të përballuar publikisht efektin sfidues të Marshimit të 21 Shkurtit, demonstrimit madhështor të Partisë Demokratike, njëri nga dy skajet e tendinës që tërhiqet e shtrihet mpikas mbi kokat tona, hartoi Ballokumet. Vetëm kështu mund ta quajmë operacionin politik balancues që kryeministri Fatos Nano projektoi dhe hodhi në veprim brenda jo më shumë se një jave.
Marshimi Ballokume në fillim mori formë në faqen e parë të “Zeri i Popullit”, ku u tha troç se në kuadrin e Lëvizjes Nano Ok ishte parashikuar festimi i Ditës së Verës në Tiranë. Asnjë nevojë nuk kishte mendja dhelparake që e nismoi, ta dekonspironte apo ta zhvishte këtë manovër lakuriq faqe botës dhe të paktën dhjetë televizioneve që titujt e para të gazetave i lexojnë pa pushim çdo ditë që nga ora 7 e mëngjesit e deri më nentë. Shpallja kryelartë e gjestit të ri politik të palës rozë shkaktoi më pas një cikël polemikash dhe ngjarjesh të bujshme, në themel të të cilave ishte kritika e opozitës se Kryeministri dhe partia e tij po politizonin një festë pagane, më të njohurën ndër shqiptarët. Më pas zëmërimi i këtyre të fundit shkoi gjer edhe në Kuvend, ku u tha se Fatos Nano po u vidhte festën elbansallinjve, bashkëkombasve tanë që kanë meritën e respektueshme ta kenë ruajtur me origjinalitet këtë festë kombëtare. Shumë shpejt partitë e djathta, në mision për ta likujduar lëvizjen e fundit të të parit të rozëve, mblodhën në Elbasan një tavolinë të përbashkët, ku shpallën shumë seriozisht tre aksione: Tirana të mos e festonte Ditën e Verës në mënyrë të organizuar, populli shqiptar sipas dëshirës të mblidhej në Elbasan dhe të mos e lejonin Fatos Nanon të shkelte në qytetin e tyre më 14 mars.
Historia e mëtejshme e Marrshimit Ballokume u zhvillua krejt ndryshe nga ajo që u vendos prej tryezës së partive djathtiste të qytetit të njohur jo vetëm për pasionin e organizimit dhe nderimit të Ditës së Verës, por edhe gjeste të tjera shumë të bukura kombëtarisht. Në Tiranë 14 marsi u bë një ngjarje që me siguri vitin e ardhshëm do të përbëjë një nga ditët më të paharruara të një viti shqiptar të raskapitshëm. Ky festim u bë kryelajmi i të gjitha edicioneve informative të televizioneve të dielën dhe një ditë më pas të faqeve të para të gazetave. Më pas një hapësirë plot respekt, e megjithatë modeste, nuk i mungoi edhe Elbasanit. Një formulues lajmesh apo ndonjë zyrë pas tij nuk mungoi të theksonte se në këtë festë të madhe e të rrallë për Tiranën në rrugët kryesore të kryeqytetit shqiptar ishin derdhur pesëmbëdhjetë mijë njërëz, dikush tjetër tha tridhjetë mijë. E gjithë kjo bëhej për ta vënë festën popullore dhe ku asnjë njeri nuk doli për pasion partiak, përballë dhjetra mijve pjesëmarrës të Marshimit të 21 shkurtit. I pari i rozëve, pa dyshim ideatori i kësaj lëvizjeje të befasishme politike, jo vetëm shkoi në Elbasan, ku “nuk do ta lejonin”, por ishte rivali i tij që nuk u duk në asnjë sekuencë të filmuar të Ditës së Verës. Jo vetëm në qytetin ku një koalicion partish të djathta kishte premtuar bojkotin e shemrit të tij, por as edhe në Tiranë. Mosdukja e të parit të bluve ishte shenja e sigurtë se më 21 shkurt kishte fituar ish-Presidenti Berisha, por në 14 mars triumfator ishte Kryeministri Nano. Ky i fundit, i kundërshtuar në Elbasan nga disa njerëz me vezë të pazjera në xhep, bëri edhe shakanë se nuk ishte mirë të politizohej Dita e Verës. Ndryshe shumë ballokume, siç ironizoi ai, do të mbeteshin pa ngrënë.
Kështu para syve tanë nesh kishte ngjarë çudia. Përpjekjen dhe fantazinë për ta politizuar këtë festë, të paktën sipas faqes së parë të “Zëri i Popullit”, e kishte njeriu numur një i rozëve. Por rivali i tij, i cili shpesh vetkomandohet nga emocionet, ishte futur menjëherë në lojë, në garën e rradhës ishte “hedhur me kokë”. Shemri i tij, në emër të të cilit (Lëvizjes Nano OK), ishte futur në zbatim projekti i shfrytëzimit politik të Ditës së Verës për llogari të së majtës, nuk u ngut kurrë personalisht ta implikonte 14 marsin me ndonjë mision të tillë. Duke u treguar dinak dhe befasues gjer në fund ndodhi që balancet e lojës dhe të fitimtarëve të saj u kthyen përmbys. Ditën e Verës ishte Fatos Nano që qortonte kundërshtarët për të mos rrëshqitur në gabimin e politizimit të një feste të pastër gjithëpopullore. Dhe i ftonte të hanin ballokume, sepse ishin ëmbëlsira mjaft të shijshme.
Marrshimi i Ballokumeve, pjesa më e çuditshme dhe realisht aksioni i parë i Lëvizjes Nano OK , fitoi. Kështu 21 shkurti dhe 14 marsi janë një me një. Pritet njëzetë marsi, rradha e aksionit politik të Lëvizjes Nano Ik. Parashikohet një triumf tjetër i Partisë Demokratike dhe aleatëve të shtrenguar rreth saj. Duke e bërë rezultatin e garës politike dy me një. Dy për Berishën dhe një për Nanon. Marrshim paqësor dhe plot kulturë nga e djathta, me ëmbëlsira dhe zbavitje nga e majta. Shqipëria, që rri në mes të duelit të rreptë trembëdhjetë vjeçar Nano-Berisha, mund të marrë më në fund pak frymë. Duke e quajtur fjalorin përleshës të dy rivalëve, shpesh edhe në mes të Kuvendit, një marrëzi të rradhës apo edhe mbetje atavike të politikës së mëparshme. Në fund të fundit për shqiptarët ka rendësi që institucionet e vendit të tij dhe simbolet e imazhit të qendrueshmërisë së Shqipërisë të mos cenohen. Njëzetë e një shkurti dhe katërmbëdhjetë marsi e lënë dukshëm të kuptohet se politika konfrontuese ka të ngjarë që prej këtu e tutje të rrjedhë mes demonstrimeve të forcës (pa përdorim force) të opozitës dhe “ballokumeve” të shumicës në qeverisje. Siç ishte, përshembëll, ajo “ëmbëlsira” e dy miliardë dollarëve investime për qytetin e Vlorës.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com