Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Devijimi i 12 tetorit


Korieri, 16 tetor 2003

Edhe njëherë tjetër i shtuam historisë sonë kombëtare dhe biografisë së pluralizmit tonë njomzak një rast të ri devijimi të politikës, duke bërë një veprim që fare lehtë mund ta shmangnim që në fillim: i politizuam skajshëm këto zgjedhje lokale.
Në të gjithë përvojën e zhvillimeve demokratike ballafaqimet zgjedhore për pushtetin vendor dhe administratën lokale konsiderohen ngjarje elektorale me një minimum ngarkese të nevojshme politike, karakteristikë që nuk është aspak e tillë kur bie fjala për zgjedhjet për përfaqësuesit në Parlament dhe nëpërmjet tij edhe caktimin e të ngarkuarve për qeverisjen qendrore. Mirëfilli në të gjithë letërsinë e politikës janë pikërisht këto të fundit që emërtohen me termin e plotë korrekt si “zgjedhje politike”, kurse e njëjta letërsi me po ato kritere shkencore i përcakton të parat thjesht si “zgjedhje për administrimin lokal”.
Mirëpo zgjedhjet e 12 tetorit u realizuan nga partitë si të ishin ato që do të vijnë për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit, në ditën e tyre të caktuar përtej këtij viti. Me parametra të plotë politikë hynë në betejën zgjedhore të gjithë kryetarët e strukturave partiake, mbështetësit e tyre më të afërt dhe vetë liderët, mjetet mediatike që zotëronin dhe burimet financiare, ritmi i thekshëm i mitingjeve dhe i lëshimit të sloganeve, akuzat dhe kundërakuzat, sondazhet dhe antisondazhet, spotet dhe thirrjet për “instruktim” në qendër. Me një bindje të plotë se ishin në zgjedhje për qeverisjen qendrore punuan dhe u shfaqën përditshëm dy më të fortët e skenës politike shqiptare, Fatos Nano, me të njëjtën bindje të patundur nxituan të mbanin hapin e më të mëdhenjve edhe Fatmir Mediu, Skender Gjinushi, Genci Pollo, kështu deri tek më i riu drejtues partie, Paskal Milo.
E megjithatë ishin zgjedhje që e kishin të mjaftueshëm një ritëm më intensiv të figurave që konkuronin për kryetarë bashkish e komunash dhe jo të krerëve partiakë. Kjo përmbysje misionesh dhe rolesh bëri që këta të fundit, përveç në Tiranë e Durrës, të mbetnin jo fort të njohur brenda territoreve të tyre e veçanërisht edhe të evidentuar në shkallë kombëtare. Një porosi e ish-Presidentit Sali Berisha ishte “kursin politik e kam unë, kandidatët kanë problemet lokale”. Ky parim i zbatuar rigorozisht nga kryetari i PD-së bëri që mbi hallet konkrete, të cilat kanë njerëzit dhe çfarë ata janë tërësisht të interesuar në zgjedhjet vendore, të derdhej tymi dhe flaka e betejës mes vetë krerëve partiakë në qendër. Mbi problemet dhe konkurencën lokale kaluan blindet e politikës, të ardhur nga Tirana.
Kjo prishje e rendësishme e mënyrës së konceptimit dhe të ushtrimit të ballafaqimit elektoral të 12 tetorit ka prodhuar e po shkarkon mbi shoqërinë shqiptare një tension të lartë të tepërt dhe që klasës politike nuk ja ka borxh njeri. Ndërkohë kjo gjendje po lendon dhimbshëm edhe imazhin ende problematik të Shqipërisë si edhe të popullit të saj, i cili edhe njëherë tjetër të dielën e kaluar ridëshmoi se është shumë më demokratik se jo pak nga prijësit e tij. “Tepër zhurrmë, shumë zhurrmë” thotë një fragment i kengës për Tiranën, mesazh muzikor i nisur si art dhe spot bashkë në mbështetje të Edi Ramës, por që në këtë rast po i referohemi për profecinë që përmban brenda vetes.
Ishin zgjedhje për drejtuesit e administratorët e pushtetit lokal dhe në çdo pikë të globit vota në këtë rast hidhet kryesisht për një person, për të cilin, pa i parë gjithnjë gunën politike, voton për interesa imediate. Kjo e vërtetë u rikonfirmua edhe më 12 tetor, kur shumë të pavarur rrezikuan ndjeshëm kalorësit e rreshtuar, të pajisur dhe të ushqyer nga partitë, kur fituan mbështetjen e mjaft segmenteve të partive rivale. Sikur të mos vepronte kjo veçansi e zgjedhjeve vendore nuk do të ndodhte që në Durrës të votohej ndjeshëm Lefter Koka dhe në Elbasan Adrian Turku. Prej këtij veprimi ndodhi të thellonte distancën me avokatin Ngjela edhe vetë më i mbështeturi i socialistëve, Edi Rama.
Ja përse politika, për më pak vetpolitizim, i dha stërmundim vetes dhe popullit të saj. Prej kësaj vetdehjeje e vetmpirjeje Partia Demokratike akoma nuk shpreh gëzim dhe nuk bën festë që, pa i lëshuar kryekalanë e saj, Shkodrën, arriti t’i marë të majtës dy nga kështjellat qytetare me emër, Korçën dhe Elbasanin, por akoma i mbetet rob gjendjes padrejtësisht depresive se ka humbur Tiranën e Durrësin !? Ndërsa ajo që ndodhi nuk mund të kualifikohet e të ndihet aspak si një humbje. Thjesht sepse këta dy qytete mandatin e kapërxyer i kishin socialistët. PD mund vetëm të pikëllohet se nuk i mori, çka mund të jetë vetëm një situate e përkohshme trevjeçare.
Një vetndjerje tejet politizuese kësaj rradhe shkoi gjer edhe tek njeriu më i urtë dhe më i matur i politikës, Sabri Godo, i cili në këtë atmosferë deklaroi se duheshin shpallur në pranverë të vitit të ardhshëm zgjedhjet e parakohshme.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com