Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PS: Misioni i pamundur 3

Sot, 12 dhjetor 2003

Heqja njëherë e mirë e zotit Nano kësaj rradhe nga poltroni i tij si kryetar nga të gjitha gjasat duket krejtësisht mision i pamundur. Për të tretën herë. Në fillim një aksion i tillë dështoi në gjysmën e dytë të vitit 1996, më pas ngjarja u përsërit në fillim të vitit 1999, për herën e tretë tani, në prag të mbylljes së vitit 2003. Kur Fatos Nano u gjend për herë të parë përballë rrezikut se, i burgosur politikisht nga shemri i tij Sali Berisha, mund të shmangej lehtësisht nga drejtimi konkret i socialistëve, shtegdaljen e fitores e gjeti nëpërmjet një dokumenti të quajtur Mocion. Thelbi i këtij gjesti ishte shpëtimi i socialistëve nga ndikimi brenda partisë i mbeturinave dhe përfaqësuesve të ideologjisë marksiste, aksion që do të realizohej nëpërmjet rinovimit dhe reformimit liberal-demokrat të PS-së. Herën e dytë rruga e rikthimit në udhëheqje të rozëve ishte projektimi i lëvizjes Katarsis, një aksion për vetpastrimin e socialistëve nga mëkati i korrupsionit. Tani, për herë të tretë përballë rivalitetit për postin e lartë të piramidës së madhe të të majtëve, veprimi i kryetarit ngadhënjyes nuk ka asnjë devizë dhe mesazh të veçantë. Thjesht ai konstaton se është më i votuari në krye të socialistëve, po ashtu se drejton qeverinë e tyre, ndërkohë që kundërshtaren kryesore politike, Partinë Demokratike, deklaron se e kanë mundur në të gjitha betejat elektorale. Pra, sipas të gjitha rregullave të lojës ai nuk ka asnjë arsye të rëndësishme për të qënë dakort për ndërrimin dhe zëvendësimin e tij. Madje nuk citon as nevojën për Ndryshimin, pra reformimin e partisë, tezë e propozim që kaq shumë zë vend në analizat e përfaqësuesve më kryesorë të opinionit publik shqiptar apo në fjalimet e rivalëve dhe kritikëve të tij Meidani, Rama dhe Meta.
Fokusojmë për pak çaste këtë temë të fundit: Përse Fatos Nano, emri që mes socialistëve më shumë se çdo përfaqësues tjetër i tyre ka mbartur me vete për dymbëdhjetë vite me rradhë simbolin e alternativës së reformimit të kuq-rozëve, nuk u përshfaq sërish në betejën e re të brendshme me të njëjtin mesazh?
Shpjegimi më i parë është ai që nënvizohet herë pas here nga vetë zoti Nano: jemi një parti progresiste, anëtare e Internacionales Socialiste, formacion liberal dhe pro ekonomisë së tregut, një iniciatore por edhe realizuese e hyrjes së afërmi në strukturat Euroatlantike, kembëngulëse për fillimin e proçesit të integrimit në Bashkimin Evropian, përcjellëse e frymës së miqësisë me fqinjët dhe flamurtare e kulturës moderne e paqësore të Shengenit Ballkanik. Të gjitha këto janë të vërteta dhe peshojnë jo pak në përcaktimin e fizionomisë së përparuar të Partisë Socialiste. Në rast se kujtojmë që ky formacion politik është krijuar në të njëjtën orë, sallë e pjesëmarrje, bashkë me mbylljen e Kongresit të Dhjetë të Partisë së Punës, ndryshimi rezulton i madh dhe i vlerësueshëm. Po ashtu është përtej përmasës modeste edhe shkalla e vetreformimit liberal të kësaj partie.
Shpjegimi i dytë i pandjeshmërisë së kryetarit të socialistëve për një hov të ri të reformimit të partisë e sidomos anëtarësisë së saj mund ta ketë shtratin edhe në merakun e tij se pas ngulëkembjes së rivalëve për këtë rinovim nuk fshihet veç një mënyrë e teknologji e njohur e makiazhit politik. Gjithnjë për t’u shfaqur para elektoratit të majtë e sidomos brenda rradhëve të socialistëve si alternativa udhëheqëse më e mirë se ajo ekzistuese. Nuk ka patur më pak “tualet” të tillë edhe nga vetë Fatos Nano në dy aksionet e tij konkuruese e fituese të viteve 1996 dhe 1999.
Shpjegimi i tretë përse kryetari historik i rozëve e konstaton reformimin e partisë së vet si një çështje aktualisht jo të dorës së parë dhe emergjente, duke e anashkaluar, mund të gjendet edhe në hamendjen se pas tezës urgjente të reformimit maskohet gracka për të krijuar një terren mbështetës minimal për të dhe raport tjetër force brenda PS-së. Pra konturohet plani për të nxjerrë në shumicë një emër të ri. Loja që vijon të bëhet nga të dy palët rivale në këtë parti për nenin e statutit të saj në do të jenë të mbartura apo jo tek i njëjti emër kryetari i partisë dhe posti i kryeministrit, e konturon mjaft mirë trukun e larjes së ndërsjelltë të hesapeve.
Një shpjegim i katërt ka të ngjarë të jetë edhe më i thjeshtë: zoti Nano dhe rrethi i tij nuk druhen prej asnjë nga variantet e mësipërme, ata ndihen të sigurtë në epërsinë e tyre. Të tjerët le të bëjnë fjalë sa të duan, po të duan edhe për temën e reformimit, por ata kanë me vete “bazën”.
Mund të ketë edhe hamendje të tjera për indiferencën e kryetarit historik të socialistëve ndaj emergjencës së vetreformimit, porse përtej skemave të zhvillimit të betejës së brendshme mes rozëve dy pyetje kërkojnë një përgjigje të hapur: A është plotësisht e reformuar si bashkësi e majtë Partia Socialiste dhe përse zoti Nano, çdo herë plot intuitë për ta kapur i pari inisiativën në një ballafaqim politik, kësaj rradhe nuk ua “rrëmbeu” tezën e reformimit rivalëve të tij?
”Pashkathësia” lidhet me një realitet që përherë e më shumë rrënjëzon qartë në partinë më të madhe të koalicionit qeverisës: tek përmasat e papërmbajtura të demagogjisë politike. Nuk e kemi këtu fjalën për “buqetën” e fundit të sihariqit se vitin e ardhshëm pensionet do të rriten nga 10-20 përqind (ai thjesht kështu është planifikuar në projekbuxhet), por në dëshirën e dukshme për t’i qendruar larg vetreformimit. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë krijuar apo themeluar nën nismat e disa elitave intelektuale. Elita të tilla, të paharrueshme për shqiptarët, kanë përfaqësuar PD-në gjatë gjithë kohës që zhvillohej revolucioni i kadifenjtë shqiptar i dhjetorit 1990, në sajë të një elite të shquar intelektualësh të vendosur në Tiranë të majtët arritën të ndahen me të kaluarën e ndotur të Partisë së Punës dhe të ushqejnë me ide transformuese krijesën e re socialiste. PS nuk lindi në “bazë”, ajo u mëkua në qendër, në kryeqytetin shqiptar. “Baza” e mbështeti nismën e këtyre reformatorëve të mëdhenj, të cilët në fillim të vitit 1991 përbëjnë një listë të gjatë emrash të nderuar, duke nisur me Dritero Agollin, Servet Pëllumbin, Moikom Zeqon, Maqo Lakrorin, Spiro Deden, Namik Doklen e duke përfunduar po kaq spikatshëm aktualisht tek Rexhep Meidani apo Edi Rama. Ky shpirt reformator i vitit 1991, ku emri dhe portreti që e simbolizonte më bukur ishte ai i politikanit të ri modern Fatos Nano, pasi është mpirë e ntrashur nga ndenjësja e rehatshme e shtatë viteve në pushtet, po kërkon për herë të dytë të rigjallërohet. Këtë mesazh dha konferenca e Tiranës dhe protagonizmi i elitës së saj, këtë dëshirë me siguri do ta kenë edhe ata që në kongres do të vijnë nga baza e partisë, njerëzit e çmuar që i japin jetë reformimit.
Në rast se kësaj rradhe “baza” do të konceptohet si brohoritëse e vetëm një emri dhe mbushëse kutish votimi atëhere “misioni i pamundur 3”, pra moszëvendësimi i Fatos Nanos, do të jetë thjesht shifra e thatë e një rezultati jetëshkurtër. Po ndodhi që ajo sëbashku me elitën e saj do të kushtrojnë për nevojën urgjente të vetreformimit të Partisë Socialiste, atëhere do të kemi efektin jetëgjatë të një “misioni i mundur 2”.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com