Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rutina ndaj eurointegrimit

Korrieri, 24 shtator 2003

Deri në ngulëkembje nga shumë vëzhgues të shoqërisë shqiptare është shumëthënë se populli ynë nuk ka ditur të shfrytëzojë rastet e mbara që i kanë trokitur nëpër histori. Shumë herë për të provuar këtë të vërtetë janë numëruar edhe vitet apo ngjarjet fatsjellëse që ne i kemi anashkaluar. Nuk kanë munguar, në këtë kronikë dëshpëruese, edhe citimi atyre rasteve që i kemi deshifruar me një lehtësi pothuaj të papërgjegjshme siç ka qënë hapja graduale e rrugës për diktaturën hoxhiste. Mirëpo tashmë duket se e kemi kuptuar kombëtarisht që ngjarjet, të cilat do të na sillnin mbrodhësi, i kemi shpërfillur dhe se më në fund në fillim të këtij mijëvjeçari të ri dhe pas dyzinës së parë të pluralizmit kemi përftuar një ndërgjegje shoqërore të mjaftueshme për të mos rënë edhe njëherë tjetër në humbellën e kësaj të mete fatale. Me pak fjalë besojmë bashkarisht se jemi shndërruar në një popull të pjekur.
Por absolutisht pa i fyer bashkëkombasit dhe veten se jemi një popull i papjekur, na duhet të ekspozojmë edhe një rast të ri të mangësisë sonë të vjetër të mosvlerësimit të çastit të mbarë historik: kjo lidhet me aksionin e integrimit në Bashkimin Evropian. Dy javë më parë nga kabineti i Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Integrimit, Ermelinda Meksi, në drejtim të Kuvendit doli një shkresë, sipas të cilës rezultonte se i gjithë proçesi i negocimit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë në BE ishte realizuar në masën e përafërt të një të tretës. Madje kjo përmasë aspak e gëzueshme e volumit të realizimit të detyrave të Brukselit, e krahasuar me vlerën e përmbajtjes dhe të rendësinë së çështjeve të kryera, ishte edhe më modeste.
Lajmi për këtë të vërtetë të pafolur më parë e kapërxeu sinorin e një komisioni të Kuvendit dhe doli në shtyp. Gjendjen dhe përmasën e re të zhvillimit të negociatave për nënshkrimin e paktit të thirrur shkurtimisht MSA me sa duket e pranuan të gjithë, përderisa pas publikimit të saj asgjë e veçantë nuk ndodhi në shoqërinë shqiptare. As në segmentet e saj më të ndjeshme si shoqëria civile dhe institucionet jashtëqeveritare. Nuk ngjau asgjë edhe në fragmentet më të detyruara kombëtarisht për të patur e nxjerrë një përgjegjësi, siç është klasa politike apo organet e qeverisjes qendrore dhe administrata e saj. Deri ato çaste politikanët në përbërje të shumicës qeverisëse kishin rideklaruar vazhdimisht se kjo Marrëveshje do të nënshkruhej brenda gjysmës së parë apo fundit të vitit 2001, se ajo nuk do ta kapërxente as gjysmën e parë të vitit 2002 ose e shumta funddhjetorin e këtij dymbëdhjetë mujori, se patjetër firmat do të hidheshin përgjatë vitit 2003, ca më shumë se presidencat e Bashkimit Evropian do t’i drejtonin fqinjët tanë dashamirë si Greqia dhe Italia. Por presidenca italiane po konsumon gjysmën e mandatit të saj dhe raporti transparent i prapambetjes që zbriti drejt forumit të lartë të ligjvënësve të vendit, nuk shkaktoi asnjë alarm kombëtar. Doemos as edhe ndonjë mobilizim të veçantë për të sforcuar ritmet e realizimit të detyrave të dhëna nga BE që ne, shqiptarët, të mbërrinim standartet e detyruara për çeljen e bisedimeve në rrugën e nisur të integrimit në familjen e madhe të eurovendeve të zhvilluara.
Ndërsa hapësira e kohës pas bërjes publike të prapambetjes sonë, u mbush me heshtje, as fushata zgjedhore për pushtetin vendor (por ku në ballafaqim kanë dalë të ndeshen me të gjitha forcat, strukturat, mjetet dhe vetë kryetarët e pozitës dhe opozitës) nuk e zgjoi dhe e ngacmoi problemin e mprehtë. Përleshja elektorale vetëm bëri që nga rrethet e opozitës të dalë në ekran tre ditë më parë një specialist me në krah, hedhur si gajde, një aparaturë që maste ndotjen e mjedisit dhe ku rezultoi, gjithnjë për hatër të betejës elektorale dhe sfidimit të kryebashkiakut aktual të Tiranës, se në kryeqytetin shqiptar banorët e metropolit më të avancuar për të shkuar drejt standarteve të Bashkimit Evropian, thithnin një ajër pesë herë më i pistë se norma e lejuar nga Brukseli. Një ditë më parë, ndoshta nga qarqe politikisht jo opozitare për qeverisjen qendrore e mbase edhe nga mjedise të afërta me të, hyri në media një lajm akoma më kanosës jo vetëm për mirëjetën e banorëve të Tiranës, por edhe për shendetin e vetë Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Shtypi njoftoi se tashmë mbi kokën e shqiptarëve, përveç problemeve të mëdha me infrastrukturën apo edhe me më jetiket e ekzistencës, ujin, energjinë elektrike dhe nivelin e ulët të punësimit, vërtitet një “bombë ekologjike”. Sipas denoncuesve të saj secili nga ne brenda një viti fut në gjoks dhe në gjak 50 kg pluhur. Ose 21 kilogramë më shumë se katër vite më parë.
Do të ishte gabim që këtë fakt të fundit, edhe pse mjaft tronditës dhe që bën përgjegjës jo vetëm një apo disa kabinete ministrore, por edhe një shoqëri të tërë akoma të pamësuar të respektojë rregullat më elementare të bashkëjetesës dhe të publikes, ta interpretonim si një dëshmi të ecjes sonë kombëtare stërprapthi. Shqipëria po ecën përpara dhe si busull për çdo gjykim dhe lëvizje tonë drejt standarteve të BE-së duhet të udhëheqë kjo e vërtetë dhe aspak shtegverbëria e mohimit. Problemi i shfaqur në pauzën e zbrazët kohore mes bërjes publike të një të vërtete transparente të nxjerrë drejt opinionit nga zyrat nënkryeministrore (sigurisht me dijeni dhe miratim të vetë shefit të qeverisë) dhe pirgut me zmog e dhe që gëlltitim në mes të Tiranës, mbetet mosbërja përshtypje. Mosalarmi shoqëror. Mosshqetësimi. Pandjeshmëria gjer në nivelin e një populli në fillim të zgjimit të ndërgjegjes sociale. Moskuptimi i prapambetjes sonë reale në raport me plotësimin e standarteve të para për hapjen e rrugës së gjatë drejt Bashkimit Evropian. Aq moskuptim të gjendjes sonë ka sa “bombën” politike që përcolli në eter selia e lartë e qeverisë nuk e shfrytëzoi asnjë fije edhe opozita, e mësuara që raste të tilla t’i kapë në fluturim dhe t’i “shtrydhë” mirë. Të vërtetën e mbetjes prapa në raport me treguesit e detyrueshëm për realizim nga Bashkimi Evropian nuk i keqshfrytëzuan edhe zyrat aktuale qeveritare për ta hedhur lëmshin e zjartë të akuzës për ministrat kolegë pararendës të të njëjtës parti apo shumicë.
E megjithatë problemi mbetet: kombëtarisht jemi ende larg vetndjerjes së mjaftueshme për të kuptuar se edhe një rast tjetër fatmadh po na kalon pranë dhe ne ende po manifestojmë ndaj tij një apati tradicionale. “Mirë që kembëngul Brukseli” tha me shaka dikush një ditë “se po të ishte për ne rrugën drejt BE-së do ta kishim marrë aq shtruar sa nuk dihej në do të mbërrinim atje një ditë”. E marë dhe e kuptuar si shpoti dashamirëse thënia e mësipërme, jo vetëm njëherë e dëgjuar, rilevon praninë e rastit aktual historik që po na kalon afër dhe që nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të ikë në rutinë.
Po të bëhet misioni i integrimit në BE një ndërgjegjësim mbarëshoqëror, një objektiv i të gjitha shtresave të popullit, i të gjitha mediave dhe organizmave jo qeveritare, i bisnesit dhe i shkollës, i të gjitha zyrave dhe instituteve kërkimore, motiv e thirrje kushtrimi për intelektualët, mision imperativ dhe i matshëm për kabinetet qeverisëse, nuk do të ndodhë anomalia e ngjarë gjer tani kur një apo disa parti politike, kabinete qeverisëse apo kryeministra e ministra të ngarkuar apo specializuar për Eurointegrim marrin mbi vete meritën e hyrjes së nesërme në Bashkimin Evropian. Apo do të refuzojmë publikisht mentalitetin e atyre ushtruesve të opozitës politike që, nisur nga e njëjta logjikë personalizuese, shpallin përgjegjës e të fajshëm vetëm ata që drejtojnë Shtetin apo Administratën, duke harruar se misioni i integrimit në BE është hapësirë e horizont përtej partive dhe kabineteve ministrore, përtej pozitës dhe opozitës. Ai është një mobilizim dhe ndërgjegjësim i të gjithë Shqipërisë dhe i popullit të saj për fat shumë properëndimor. Rasti historik vjen për të gjithë shqiptarët dhe konsiderohet i kapur kur ata si bashkësi të mos e lenë të humbë, por ta dallojnë, kuptojnë e mirëshfrytëzojnë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com