Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Politike me dhe pa “Buke me vete“


Sot, 5 nentor 2003

Ngjarjet që po ndodhin sëfundi në politikën shqiptare nuk kanë karateristikë vetëm kuotën tepër të lartë të tensionit, por edhe një mosfunksionim normal të saj. Kanë mbitension sepse aksionet politike mes opozitës dhe shumicës në qeverisje janë përqendruar furishëm dhe shkojnë gjer tek logjika “rendin kushtetues ta marrë në dorë populli”. Ndërkohë janë plot debat, konflikt dhe kundërvënie totale edhe palët në luftën e brendshme në Partinë Socialiste. Opozita më e madhe e vendit, Partia Demokratike, ka kryer dy gjeste të rendësishme kundërshtuese të saj: ka frenuar punimet e Kuvendit dhe e ka nxjerrë pararojën manifestuese të partisë së saj drejtpërsëdrejti në shesh. Një aksion ky “me bukë me vete”, pa limit kohor të afërt, veç ditën e pranimit nga pozita të zgjedhjeve të parakohshme. “Bukën me vete” e kanë marrë edhe krerët kryesorë rozë, konferencat e partisë së tyre në mjaft raste nuk ngjajnë më pak se me mitingje.
Eshtë një moment kur secili prej nesh ka të drejtë të pyesë vetveten nëse bashkë me konfliktualitetin ekstrem dhe të padurueshëm të politikës, të paktën kjo zonjë e ashpër po gatuan apo jo “bukë” për jetën tonë më të mirë në të ardhmen. Edhe pse tensioni i lartë i ushtrimit të këtij profesioni është shndërruar tashmë në një stres për njerëzit e thjeshtë, vuajtje të cilën nga e keqja jemi të shtrenguar ta durojmë, mosefektiviteti i saj nuk mund të anashkalohet me shpërfillje apo indiferencë. Politikanët që aktualisht këto dy-tre muajt e fundit janë protagonistët kryesorë të kësaj gjendjeje e kanë ndërlikuar dhe koklavitur keq sistemin e funksionit të demokracisë sonë foshnjë. Aktualisht ata kanë bllokuar vetë sistemin politik. Për pasojë në rast se kjo gjendje bllokimi vijon edhe më tej do të ndodhë që çdo ditë e më shumë zhvillimet e vendit të ngadalësohen, ndalen dhe nuk përbën asnjë çudi të gjendemi përballë me nokdaune kombëtare.
Veprimet që aktualisht kanë bllokuar sistemin politik shqiptar janë disa. I pari dhe kryesori u shfaq me rifillimin e pastabilitetit të shumicës qeverisëse. Në fillim kjo shumicë dikur solide u demtua nga dobësimi i koalicionit Aleanca për Shtetin, nga rrallimi i pjesëmarrësve të tij. Më pas edhe përmidis shumicës së mbetur nisi lufta e brendshme, duke e bërë këtë mazhorancë të rrëshqitshme dhe tërësisht të paqendrueshme për një problem kryesor dhe jetik për vendin: mbështetjen e qeverisë në punë, kabinetit Nano. Kështu brenda vjeshtës pastabiliteti i shumicës mbërtheu edhe vetë qeverisjen, megjithë përpjekjet e kësaj të fundit për t’iu shmangur. Kjo gjymtyrë e sistemit politik mund të mos mpihej në rast se politikanët rozë do të gjenin rrugëzgjidhjet e nevojshme, por nuk ndodhi aspak kështu. Të dy palët konfrontuese kanë rënë në pozicione të papajtueshme dhe ndërsa kryeministri Fatos Nano shtyn provën e tij urgjente të votëbesimit në Kuvend, rivalët e tij vijojnë ta luftojnë me kërkresa maksimaliste: largimin njëherësh nga detyra e kryeministrit dhe e kryetarit të partisë. Kështu kanë hyrë në kolaps në të njëjtën kohë Qeveria, Kuvendi dhe shumica parlamentare rozë. Të tre këto pjesë të sistemit politik janë frenuar. Ideja se kongresi i socialistëve i 12 dhjetorit do ta nxjerrë nga bllokimi këtë gjymtyrë të mpirë të demokracisë sonë fillestare është jo vetëm një iluzion, por edhe një truk i rafinuar. Kongresi rozë do të konfirmojë në mënyrë të padyshimtë liderin e vet historik, do të kompaktësojë rreth tij njerëzit personalisht mbështetës, do të mpakë gjer në minimum hapësirën e bashkëjetesës me të gjithë kundërshtarët brenda llojit dhe do ta rikonfirmojë si kryeministër. Qeveria e re më pas do të funksionojë e mbrojtur nga një koalicion dhe shumicë parlamentare e brishtë dhe kalimtare, ajo do të gjendet në çdo hap të saj e qarkuar prej një kontigjenti të shtuar votash kundër. Kështu do të ndodhë, edhe pse jo fort dukshëm për syrin e zakonshëm, vijimi i gjendjes së mëparshme të ngadalësimit gjer në frenim të Kuvendit, të vetë shumicës dhe të qeverisë. Muajve të kësaj vjeshte me bllokim të sistemit politik do t’i shtohen edhe ata të stinës së vështirë të dimërit.
Por sistemi gjendet i bllokuar edhe në gjymtyrën tjetër të tij: tek opozita. Kjo e zënë me luftën e saj ritmikisht të lartë dhe frontale kundër rivalëve të vet synon rikthimin e zgjedhjeve në Tiranë dhe humbjen e Edi Ramës, përsëritjen e këtij triumfi në Durrës dhe vetëtimthi pas tyre mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. E megjithatë, e aftë të jetë po kaq protagoniste sa edhe rozët (në disa raste mos më tepër), ajo po kryen veprime që nuk rrjedhin e dalin në ndonjë perpektivë të qartë. Në rivotimet e pjesëshme në Tiranë mund të rifitojë sërish kryebashkiaku aktual, në Durrës të mbesë ai që ka nisur ligjërisht punën dhe në zgjedhjet e parakohshme të rifitojë një shumicë të re e majta. Epërsia e saj ndaj të djathtës rezultoi qartë nga shifrat e zgjedhjeve të 12 tetorit. Një situatë e tillë favorizon rrethanat e paralizimit të brendshëm të veprimit politik të opozitës, mospasjen e rezultatit, lëvizjen bosh brenda një qerthulli. Në vazhdimësi mund të qëllojnë “pa bukë” të gjitha aksionet, jo vetëm demonstrimet në shesh duke marrë “bukë me vete”.
Kçëto ditë me sa duket një pozitë e bllokuar po pasohet nga një opozitë po kaq e bllokuar. Sistemi politik, për pasojë, është afër një kolapsi. Madje këtë gjendje të tij të paralizuar ai e përjeton jo vetëm me brishtësinë e qeverisjes së majtë, me mosfunksionimin normal të Kuvendit, me veprimet pa rrugëdalje të qarta të pozitës dhe opozitës, por edhe me shfaqjen kërcënuese të një treguesi të ri: bllokimit të përgjithshëm të politikës i është bashkuar edhe paefektiviteti real i ndërhyrjes së institucionit të Presidentit, më të lartit operator ekzekutiv, kushtetues dhe moral të vendit. Kryetari i Shtetit tashmë sulmohet ashpër e njëherësh nga të gjitha krahët e politikës, madje nga eksponentët e saj më kryesorë konsiderohet edhe i padëshiruar. Për t’ja diktuar këtë mesazh ata i kanë kujtuar disa herë dorëheqjen. Kjo do të thotë se zoti Alfred Moisiu nuk ka më asnjë influencë të dukshme tek partitë kryesore shqiptare, autore të paralizimit të sistemit. Kjo situatë ja cënon rendë imazhin e aftësisë, autoritetit dhe ndoshta thjesht të mundësisë për të qënë në lartësinë e misionit të tij. Kjo nuk është gjë tjetër veç rikonfirmim i gjëmës se tashmë gjendet plotësisht në paralizë e gjithë struktura e sistemit politik shqiptar. Kjo do t’i krijojë ndonjë stërmundim shoqërisë shqiptare, e cila, edhe pse pa mekanizmim orientues e drejtues të saj, gjithsesi shtyhet përpara.
Rrugëdalja? Mënyra e shbllokimit? Rifutja e sistemit politik në punë, në normalitet? Ky është një problem shumë i mprehtë dhe nuk është pjesë e ndonjë “çelësi” sekret apo “kopil”. As gjenialitet i ndonjë personi të veçantë. As meritë e ndonjë partie. Bllokimi i sistemit politik në vendin tonë kësaj rradhe nuk është një dukuri aq kalimtare dhe e pjesshme, si përshembëll në rastin e vetëm të mëparshëm të kolapsit, të ndodhur në mes të vitit 1996. Atëhere paralizimi i Kuvendit, rënimi i autoritetit të Kryetarit të Shtetit dhe i qeverisë ishte pasojë e mpirjes së vetëm një gjymtyre të tij, të pozitës. Tanimë, duke u mbyllur viti 2003, frenimi vjen prej vetë mënyrës dhe kulturës jo efektive dhe kohëshkuar të ushtrimit të politikës nga pothuaj e gjithë klasa e saj, të paktën nga shumica e protagonistëve më të votuar nga ajo pakicë e shqiptarëve që me shpresë të pashuar shkon ende në kutitë e votimit për ta ndryshuar për mirë Shqipërinë.



Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com