Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Uje me fekale

Sot, 10 janar 2003


Që në qytetin e Laçit një epidemi e frikshme e tifos së zorrëve rizbuloi edhe njëherë një fenomen tipik shqiptar të përzjerjes së ujit të pijshëm me fekalet kjo gjë mund të klasifikohet edhe si një lajm rutinë. Uji që futin në trup bashkëkombasit tanë sa herë kanë etje dhe ai që ata nxjerrin nga dy-tre herë në ditë, duke zbatuar një rregull të rendomtë e të domosdoshëm biologjik, janë bashkuar e bërë një edhe në qytete të tjera. Pak muaj më parë kronikat njoftuan për një “koktej” të tillë edhe në lagje të veçanta të kryeqytetit. Një vit apo edhe dy të tjerë edhe më tej i pasuruan kronikat e jetës shqiptare me përrenj jashtënxjerrjesh të nevojtoreve, të cilat derdheshin nga të gjitha anët në rezervuarin më të madh të ujit të pijshëm në vend, në atë të Bovillës.
Pra, uji i bardhë dhe uji i zi kanë shumë kohë që ecin sëbashku në jetën tonë.
Ndërkohë vihet re, mbase për ta bërë më konkret dhe më alarmante dukurinë, citimi masiv nga media i fjalës “fekale”, duke na lënë herë pas here përshtypjen se po përmbytemi nga ky prodhim i fundit. Nuk është rasti i parë që në atmosferën përreth nesh fekalet zënë hapësira aq të mëdha saqë mund të flitet edhe për një sindromë të tillë.
Kujtojmë se në mes të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar në Shqipërinë e asaj kohe u shpall bujshëm nga Partia e Punës një aksion i madh kombëtar për grumbullimin, përpunimin e përdorimin e fekaleve (nisiativa e projektuar dhe e nxitur nga lart ishte formuluar saktësisht kështu, sikur të bëhej fjalë për një industri dhe teknologji moderne e të paparë gjer atëhere).
Autori i këtyre rradhëve shtrengohet të kujtojë se në qytetin e tij të lindjes, tamam në sallën e kinemasë, e vetmja e madhe e asaj kohe, kryetari i Komitetit Ekzekutiv (një burrë i ndershëm e fanatik politik) mblodhi në disa seanca përfaqësues të partisë e pushtetit, të organizatave shoqërore, intelektualë, studentë e deri nxënës shkollash. Ndërsa po rishpjegonte objektivat e aksionit kombëtar të grumbullimit, përpunimit dhe përdorimit të fekaleve, për një çast e ndërpreu ligjëratën dhe e pyeti sallën nëse e kuptonte përse bëhej fjalë me “fekale”.
Shumica e pjesëmarrësve u përgjegj sinqerisht “jo”. Atëhere ky term hynte në fjalorin e ngushtë profesional të mjekëve, veçanërisht të atyre që quheshin higjenistë.
“Me që nuk e kuptoni po jua them unë se me fekale duhet të kuptojmë m…”, tha i pari i pushtetit lokal, duke e shqiptuar të plotë fjalën e fundit.
Me një fjalë kur kronikat kaq shpesh citojnë përzjerjen e ujit të pijshëm me fekalet ne nuk kemi ç’bëjmë tjetër veç detyrohemi të nënkuptojnë bashkimin me këtë këtë “m” të famshme. Ndoshta kjo shpjegon edhe një nga dëshirat që na shtyjnë ne shqiptarëve të përdorim shpesh për ta përcaktuar një punë që nuk shkon mirë me togfjalëshin “punë …”
Por mpleksja e ujrave të bardhë dhe të zinj është një realitet shumë më i gjerë dhe më i përhapur tek ne, ai ndeshet gjithkund e në çdo pamje të jetës sonë: turma të madhe dhe agresive të klaneve, ushtria e pandalur e të paaftëve, gëlimi i hajdutëve të shumtë, uturima shurdhuese e krekosësve të shfrenuar, lista e gjatë e kriminelëve në kërkim dhe cikli i papushuar i vrasësve jashtë dhe brenda familjes, revanshi i dehur i sharlatanëve etj etj.
Kultura e “ujit të zi” i shtynte disa edicione informative televizionesh private të transmentonin si lajm të parë të vitit të ri 2003 një kronikë të dhimbshme vdekjeje, e cila megjithatë në asnjë mënyrë nuk i jepte kurrkujt të drejtën për t’ja shpërndarë si kryekumt një populli të tërë e mjaft të stresuar nga probleme e halle të pafund.
Ndërkohë si kryekumt i këtij viti u shpërnda gjithandej edhe një lajm që të gjithë duhet patjetër ta dinim: u prish marrëveshja mes shumicës qeverisëse dhe opozitës.
Kjo ngjarje e fundit ta fut në ngërç çdo shprehje që të shkon menjëherë në mend dhe me të cilën dëshiron të shprehësh idenë se edhe në këtë rast uji i bardhë është përzjerë me ujin e zi.
Shpalljen e prishjes e bëri opozita, maxhoranca akuzohet prej saj se ka qënë kjo e fundit që me zgjedhjet në një zonë elektorale në Elbasan e ka shkelur atë. Pas kësaj kritike fare lehtë tek individë të veçantë e partiakë mund të dalë konkluzioni se është pikërisht koalicioni në qeverisje që e ka prishur i pari këtë marrëveshje.
Por njeriu i thjeshtë me mendje të kthjellët dhe zemër të pastër nga e gjithë kjo kupton se ka ndodhur një shkelje dhe se një shkelje në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e barabartë me një prishje përfundimtare. Shkelja, në ka ndodhur vërtet, korrigjohet dhe se, dreqi e mori, në fund të fundit uji i bardhë nuk mund të përzihet me të ziun. Shumë popuj të tjerë, më të ditur nga ne, kësaj i kanë gjetur shprehjen “nuk flaket, bashkë me ujin e pistë, edhe fëmija”.
Bashkëkombasi i thjeshtë po ashtu mendon se ajo gjë e bukur e lindur me kaq mund në pranverë të vitit të shkuar, pas gjithë asaj shprese të madhe kombëtare e ndërkombëtare që pati, po vyzhket e po vdes.
Në gjendjen e re shprehja e kobshme “marrëveshja u prish” atij i ngjan me një klithmë vaji.
Mirëpo secili nga ushtruesit e politikës, të qeverisjes apo të opozicionit, mund t’i formulojë si të dëshirojë frazat për propogandë imediate, për nevojat e një gjashtëmujori dhe të vetëm një posti konkurues: të vendit të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Gjithahtu secili përdor fjalorin që e konsideron më të suksesshëm për të mbledhur votues dhe prej kësaj zgjedhjeje merr edhe rezultatet.
Problemi është tjetër gjë: ajo që po ndodh, pra prishja e marrëveshjes për euroreformimin e Shqipërisë, është një gjest i bërë me ngut dhe pa largpamje. Po iu shkua më tej kësaj rruge, veprimi i ndodhur simbolikisht tamam me fillimin e vitit të ri 2003 shumë shpejt do të cilësohet akt i pashembëllt papërgjegjësie kombëtare.
Ajo që u nis në qershor të një viti më parë nuk mund të prishet nga askush, madje as edhe nga protagonistët e saj. Ajo është tepër e madhe përballë disa individëve apo partive politike dhe ka jetë më shumë se të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare të mbledhur sëbashku.
Ajo do të vazhdojë edhe kur ndonjë nga partitë aktuale nuk do të ekzistojë më.
Marrëveshja për euroreformimin e Shqipërisë është mbipartiake.
Partive, duke u shprehur respektin për kontributin që japin, pas deklaratave të shqiptuara apo akoma jo për prishje të saj, vetëm mund të thuhet: larg duart nga Marrëveshja!

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com