Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A ndryshon dot Sali Berisha?

Dita, 24 prill 2003

Disa vëzhgues të veçuar të zhvillimeve politike më të fundit në vend nuk e vlerësuan si efikas vijimin prej dy eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste, konkretisht Fatos Nano dhe Edi Rama, të përdorimit të \"kartës\" antiberisha. Në mbledhjen e të zgjedhurve më të lartë lokalë të kësaj partie, të mbledhur para pak kohësh në Tiranë, të dy të majtët e spikatur për zhdërvjelltësi në gjuhën elektorale, duke përdorur më shumë se herët e tjera formula elegante dhe ironike, në thelb ribënë të njohurën: e përshkruan shefin e opozitës jo vetëm si një përfaqësues të vjetëruar e të konsumuar, por nuk ngurruan që disa herë të uronin \"me gjithë zemër\" që ish-presidenti të mbeste sa më gjatë në politikën shqiptare dhe kështu t\'i ndihmonte ata të fitonin edhe mandate të tjera qeverisjeje.
Sigurisht kjo platformë e përbashkët e liderit socialist dhe e kryebashkiakut të Tiranës, më shumë se koordinim paraprak mes të dyve, është një konkluzion e njëjtë. Përshkrimi i rivalit të tyre që, me një energji të pashterrur, nuk i lë të qetë qoftë edhe një minutë, si një figurë anakronike e së kaluarës, mund të konsiderohet tashmë si një stil i tejkonsumuar i luftës politike. Noviteti kësaj rradhe ishte tek sloganet ironike që u përdorën dhe tek reagimi rutinë që u bëri rivali i ironizuar: ky iu sul të dyve me të njëjtën gjuhë si edhe shumë muaj e vite më parë. Nuk ndryshoi as intonacionin e fjalëve dhe as plastikën e gjesteve.
\"Karta\" antiberishë çdo ditë e më shumë ka marrë rrugën për t\'u konservuar në arkivat e politikës shqiptare, tamam si edhe u arshivua fjala-akuzë \"komunist\", e tejpërdorur nga aparati propogandistik demokrat për shtatë-tetë vjet rresht. E megjithatë duke e përdorur dy nga ushtruesit më \"ideologë\" të së majtës u dëshmua në një farë mënyre se, në rast se njëra palë po përpiqet t\'ja zgjasë jetën mjetit të vet djallëzues, pala tjetër duket se jo gjithnjë është gati që t\'ja shpejtojë edhe ai vetë fundin këtij \"demonizimi\". Djallëzimi i kundërshtarit patjetër që është një teknikë shumë e nevojshme dhe jo pa rezultat në konkurencën politike. Duke e përshkruar kudo Sali Berishën si një figurë që jo vetëm është kohëtejshkuar, por mbi të gjitha një udhëheqës që nuk ndryshon, prijësit e socialistëve nuk bëjnë gjë tjetër veç përdorin mjetin e lejuar dhe të këshilluar në çdo demokraci normale. Në fund të fundit Berisha i përshkruar si \"anakronik\", \"primitiv\", \"folklorik\", \"i vjetëruar\" përbën një shembëll më të përmbajtur e më të kulturuar të demonizimit të rivalit se sa modeli i përdorur nga ish-presidenti për kundërshtarët e tij si \"vrasës\", \"drogmenë\", \"kontrabandistë\", \"terroristë\", \"pastrues parash të fëlliqura\", \"trafikantë\" etj.
Është puna e përdoruesve të antiberishizmit në do ta vijojnë këtë mënyrë të tyre të dobësimit të opozitës dhe të mosdhenies asaj të shansit për t\'u rikthyer në qeverisje. Mbetet e drejta e tyre ekskluzive për ta demonizuar edhe në rast se e gjykojnë që kundërshtari agresiv Berisha realisht nuk është më ai i pari, madje po lëviz nga shtampat e tij të vjetra, duke u përpjekur të kapë kohën e humbur. Ata edhe një rast të tillë fatlum për opozitën do ta devijojnë duke përhapur kudo legjendën se ish-presidenti ka mbetur i ngurtësuar në kallëpet e para vitit dymijë. Problemi kryesor nuk është këtu, tek loja politike, por tek realiteti nëse ekziston vetëdija dhe gadishmëria e liderit të opozitës për ta bërë ndryshimin. Pra a ndryshon dot Sali Berisha?
Përgjigja më e parë, madje e dhënë “sa hap e mbyll sytë”, formulohet dhe përfundon me një “jo” të fortë: Berisha nuk ndryshon dot. Dhe fillon analiza e shpejtë e karakteristikave të tij që e frenojnë apo e pengojnë këtë dëshirë për të ndryshuar. Ai në metodën e tij të punës ka mbetur si edhe më parë, i prirë për ta monopolizuar atë. Në një seancë plenare debati me rivalët e tij të majtë është numëruar të ngrihet nga vendi dhe të shkojë drejt podit folës deri edhe shtatëmbëdhjetë herë (e megjithatë duket qartë se në kontaktet me median si edhe në drejtim të komisioneve të rëndësishme hetimore parlamentare ai ka lëshuar hapësirë të dukshme për bashkëpunëtorët e tij më kryesorë). Sali Berisha vijon të ketë një shkallë aq të lartë politizimi saqë e bën materien e ideve të tij fort të ngurtëzuar të pamundur të shpërbëhet, të shkrifërohet e riformohet (e megjithatë një shterrje e rendë e ideve të tij kur partinë e mobilizonte për veprimtari manifestuese në rrugë është zëvendësuar nga një ribuisje e tyre kur tashmë volumin kryesor të aktivitetit po e mban të orientuar në teknikat e luftës parlamentare. Vetëm fare pak kohë më parë brenda një jave ai shpalli para opinionit një dekalog të luftës kundër krimit dhe menjëherë realizoi bujshëm një deklaratë konsensusi me shumicën për raportin qortues të Bashkimit Evropian). Ish-presidenti i lë vend në mjaft raste që kërkojnë gjakftohtësi, më shumë emocionit se arsyes. Për pasojë ai vazhdon si edhe në vitet e tij të hershme të përfshihet nga dallgë ekzaltimi. Në rast se i pëlqen një ide apo një njeri ai dashurohet aq shumë me të sa nis, për shkak të ambientimit, të mos kuptojë se gjërat nuk janë si më parë dhe i duhet të ndryshojë qendrim. Po ashtu ai priret t’i ekzagjerojë aq shumë akuzat kundër rivalëve sa u zhvesh atyre thelbin real dhe racional, kështu ua bjerr atyre besueshmërinë (e megjithatë i ka më të shpeshta se më parë çastet e vetpërmbajtjes dhe të marrjes së vendimeve më logjikëftohta). Lideri i opozitës më të madhe është i tejngarkuar me aq shumë urrejtje për kundërshtarët saqë është e vështirë t’i besosh aftësisë së tij për të ndarë në kohën e duhur ngarkesën inatçore si pjesë e lojës apo sharmit të propogandës dhe vetë marrjes së vendimit ekzekutiv (e megjithatë nëpër konferencat e tij të shumta për shtyp apo edhe në mes të debateve të zëmëruara parlamentare atë e përfshin befasisht humori dhe fjalën kërcëllitëse e lë t’ja zerë vendin ndonjë batutë e gëzuar). Sali Berisha vetëm në një gjë nuk ka bërë as ndryshimin më të vogël, qoftë edhe të stilit kozmetik: fjalori i tij akuzues është plot fjalë, që në vend një populli t’i mprehin vigjilencën, ia trembin fëmijët që në bark të nënës.
Eshtë e ligjshme që dikush, pasi lexon këto rradhë që përpiqen të argumentojnë pamundësinë apo vështirësinë e ndryshimit të ish-presidentit, të pyesë “Përse i riciklon kësaj figure vetëm të metat dhe jo anët pozitive?” Në përgjigje jemi të shtrenguar të rilevojmë se pamjet e virtutshme të Berishës, siç janë korektësia morale, punëdashja, trajtimi në besë i bashkëpunëtorëve të tij besnikë nuk arrijnë të kenë ndonjë peshë ndikuese në përmasën e mundshme të reformimit personal. Ato jo rrallë mund edhe ta mbajnë bartësin e tyre në terrenin më begatues të mosndryshimit, siç janë serat që ngrohen me idealizëm, naivitet dhe dogmë.
Një gjë, me këtë rast, mund të thuhet: cili politikan shqiptar e paskomunizmit ka pësuar ndonjë ndryshim rilevant? Asnjeri. Absolutisht asnjeri. Politikanët janë materia që ndryshon më ngadalë dhe më pak nga të gjithë njerëzit publikë. Ndërkohë ajo që ka ndryshuar e vijon të reformohet është terreni ku ata lëvizin e ushtrojnë konkurencën e tyre: shoqëria shqiptare. Ka që habiten me këtë kontrast zhvillimi dhe jo njëherë progresin e mjedisit social e marrin si argument për ta paraqitur politikanin bashkëkombas si njollë prapambetjeje. Në të gjitha shoqëritë e hapura gara e reformimit mes popullit dhe ushtruesit të pushtetit në pjesën dërmuese të rasteve përfundon me fitoren e të parit.
Pra Sali Berisha nuk ka ndryshuar po aq sa edhe kolegët e tij, reformimin e ka po kaq të ngadalshëm dhe të zbehtë sa ata. Rivalët e tij të fuqishëm, Fatos Nano apo Edi Rama, janë në të drejtën e tyre ta paraqesin Berishën si kurrë të ndryshueshëm dhe të paaftë për t’u rikthyer në qeverisje. Edhe ish-presidenti bën të njëjtën lojë. Veç një veprim i tillë nuk mund t’i lejohet të gjithë atyre që, duke mos e parë demokracinë të lidhur totalisht e patjetër vetëm me një parti apo bashkim të tyre qeverisës, kanë të drejtë të trysnojnë opinionin për një ndryshim progresiv sa më të shpejtë të vendit. Nisur nga kjo arsye dhe motiv pozitiv ne duhet t’i bëjmë presion ish-presidentit që të ndjekë rrugën e reformimit, madje sapo të dallojmë një lëvizje të tij në këtë drejtim, të kemi bonsensin ta inkurajojmë.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com