Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kultura e Shtetit

Botuar ne Dita, 15 janar 2003

Sigurisht kultura e Shtetit nuk mund të jetë e barabartë me një paradë ushtarake.
Ajo është shumë më e thellë dhe më e gjerë se demonstrimi i djeshëm i Policisë Shqiptare, realizuar me rastin e 90-vjetorit të krijimit të saj.
E megjithatë ajo që u manifestua dje në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës, është pjesë e rëndësishme e kësaj kulture, kaq shumë të munguar, të manipuluar e të shkatërruar në historinë e kombit tonë.
Më 3 dhjetor 2002 dhe dje, më 13 janar, me dy parada modeste, por mjaft emocionuese, Shteti i shqiptarëve ka treguar se mes të metave të tij nga më seriozet, ka nisur të kuptojë se duhet të ndreqë veten e të mëkembet.
Se duhet të shkojë drejt normalitetit, ndërsa me kohë kanë marrë rrugën drejt tij, shumica me kokën e tyre, e njerëzve të thjeshtë.
Pra Shqipëria duhet t’i japë fund periudhës së anormalitetit, pamje kjo e trishtuar kryesisht e superstrukturës së saj. Kjo kohë e zymtë anomalie nuk nisi në dhjetor 1990, por menjëherë atë çast kur Enver Hoxha dhe mbështetësit e tij fanatikë, teksa po lindëte një Shqipëri e re dhe e fituar me gjakun e njëzetë e tetë mijë dëshmorëve, dëbuan nga e drejta e ligjshme për të qeverisur apo bërë opozicion, dhe kështu edhe për ta forcuar nëpërmjet demokracisë atdheun e tyre, të gjithë kundërshtarët politikë, rivalë personalë apo ideologjikë.
Të kthehesh në normalitet është një punë tejet e komplikuar, ca më shumë kur në jetën e një Shteti me vetëm nentë dekada mbijetim nuk ke pika referimi. Ato mungojnë në çdo kthim koke prapa, madje janë të zbehta edhe në periudhën e mundit titanik të rilindasve për pavarësi, edhe në përpjekjet e jashtzakonshme të viteve njëzetë për një regjim demokratik republikan, edhe në disa arritje të pjesshme të mbretit të vetshpallur e autokrat Ahmet Zogu.
Drita e normalitetit na ka munguar në shumë çaste e ngjarje të dymbëdhjetë viteve pluralistë. Më 1997 ne shkuam aq larg në stërprapthjen tonë sa arritëm të ngrejmë përmbi botë fenerin e anarkisë dhe të kulturës së antishtetit.
Kemi vetëm pak kohë që i po i përcjellim opinionit të kontinentit tonë e përtej tij se po hyjmë, edhe pse ngadalë, në jetën normale të një populli normal. Kjo “pak kohë” nuk përfshin datën e fitores së socialistëve dhe aleatëve të tyre në qershor 1997. Asnjë parti nuk ka arritur gjer tani të ketë të drejtën e cilësimit si frymëzuesja apo nismëtarja e normalizimit të Shqipërisë. Edhe demokratikasit e koalicioni i tyre me fitoren e merituar të 1992 tentuan ta futnin në normalitet Shqipërinë, por më pas e nxorrën atë nga kjo gjendje plot shpresë dhe, duke e trazuar kokëfortësisht dhe me arrogancë ekuilibrin e saj të brishtë politik e social, e rizhytën në anomali.
Periudha e normalitetit shqiptar i dha të sigurta impulset e para në verën e 1999, vit i jashtzakonshëm çlirimi gjithëkombëtar.
Parada e djeshme e Policisë, si një muaj më parë edhe ajo e Ushtrisë, do të vinin një ditë përderisa tashmë lufta politike në Shqipëri po hyn në kufijtë e ndeshjes dhe konkurimit normal, pra ajo po kryhet në vendin normal të ballafaqimit të saj, në parlament. Ja pse “parada” e parë ishte ai çast i shumëpritur kur deputetët e Partisë Demokratike u ulën në vendet e tyre në Kuvend, duke i dhënë fund një cikli vetvrastar të bojkotimit të tij nga parti të majta e të djathta.
Më pas manifestimet e një Shqipërie që po i kthehet normalitetit u dukën tek marrëveshja mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, në zgjedhjen e një Kryetari Shteti të pranuar nga të gjithë, në frymën e dëshirën e përbashkët për t’u integruar me komunitetin e vendeve të zhvilluara të kontinentit.
Shteti i përbashkët i të gjithëve po ngrihet, duke iu marrë kembët, por po ngrihet.
Urime Shqipëri!


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com