Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sa e lehte te vrasesh nje shqiptar


Dita, 20 qershor 2003

Mes kronikës së parreshtur të vrasjeve, ku shqiptarët vriten mes njeri-tjetrit për arsye bisnesi të ndotur, borxhesh shumëmilionëshe, se gruaja keqtrajtohej në familje nga burri apo e tradhëtonte të shoqin në një rast tjetër, se një i ri i kishte gërvishur padashje makinën shokut apo një bashkëmoshatar i tij me dashje e kishte parkuar mjetin para dyqanit të një tjetri, se dy të rritur mbyten në pus dhe katër fëmijë fatkeqë në rezervuar, se dikush për të marrë një jetë zgjedh breshërinë e kallashnikovit, pistoletën, sopatën, përvëlimin me benzinë apo vetmbytjen me bar miu, në këtë zikronikë nuk mungojnë prej shumë vitesh edhe disa viktima të tjera bashkëkombasish: këta i vrasin patrullat kufitare maqedonase.
Rasti i fundit u bë i ditur njëzetë e katër orë më parë. Lajmet lakonike dhe të rreshtuara më së shumti nëpër kende të shpërfillura gazetash shenonin fraza proçesverbalesh si “incidenti ndodhi mengjesin e djeshëm”, “burime zyrtare pranë Ministrisë së Rendit Publik, bënë të ditur se, rreth ores 05:30 të mengjesit, në sektorin e postës së policisë Kufitare Viçisht-Bulqizë (rajon ndërmjet piramidave kufitare nr E-163 dhe E-164), rreth 500 metra në territorin maqedonas, rojet kufitare të këtij rajoni, kanë hapur zjarr ndaj dy shtetasve shqiptarë”, “njeri gjeti vdekjen e menjëhershme dhe tjetri mbeti i plagosur shumë rendë”, “u hap zjarr me armë automatike ndaj dy shtetasve shqiptarë, të cilët po ktheheshin për në shtëpitë e tyre”.
Për opinionin që i jepet mundësia të njihet me këtë lajm mortor shpjegohet, sërish me gjuhë të trungtë proçesverbalesh, se “ngjarja e rendë detyroi autoritetet e policisë lokale të Bulqizës si edhe të Komisionit Sektorial Nr.1 për “Shqyrtimin dhe zgjidhjen e incidenteve kufitare”, të kërkojnë një takim në vendkalimin kufitar të Bllatës. Ndërmjet këtij takimi me palën maqedonase të këtij komisioni, pala shqiptare u njoh me rrethanat e kësaj ngjarjeje të rendë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të saj”. Në fund të të gjithë kësaj procedure nga zyrat tona lajmshpërndarëse nuk harrohet të thuhet me preokupim se nga ana e policisë lokale është ngritur edhe një grup pune.
Të mbuluara nga fletët e pluhurosura të këtyre lloj proçesverbalesh rezulton të jetë arkivuar ngjarja e 22 korrikut 2002, ku gjashtë ushtarë kufitarë të Maqedonisë hynë 150 metra brenda territorit shqiptar dhe zbrazën plumba mbi disa nga bashkëkombasit tanë, midis tyre edhe dy fëmijë, të cilët ishin duke ngrenë një kafshatë bukë. Vetëm gjatë vitit të shkuar statistikat e ftohta të Ministrisë së Rendit dëshmojnë se nga këta lloj kufitarësh të shtetit fqinj janë keqtrajtuar 31 shqiptarë (14 janë rrahur e bërë paq me grushta dhe kondakë brenda hapësirës sonë shtetërore) dhe se vetëm nga komuna e Rajcës gjatë gjashtë viteve të fundit automatikët e kufitarëve maqedonas u kanë marrë jetën fare lehtësisht 12 banorëve të saj.
Këto janë shifra më të larta se të kohës kur ekzistonte Lufta e Ftohtë dhe Muri i Berlinit. Këtu qendron edhe problemi: dukuria e vrasjes së shqiptarëve nga patrullat kufitare maqedonase kanë prirjen dhe dëshirën të marin mbi vete një target politik. Këto jetëmarrje në vazhdimësi dhe pa manifestuar asnjë dëshirë koregjimi sjelljeje nuk janë më punë e vetëm disa takimeve ndërkufitare, e ca komisioneve sektorialë apo edhe e rrëfimit të strukturave piramidale me kodet E apo A. Kjo zhaurimë burokratësh, të cilët i qepin mirë qefinët e disa proçesverbaleve dhe që me kaq shumë dëshirë duan të na tregojnë se kufiri ynë shtetëror akoma ruhet përsosmërisht (pra asnjë nga gurët e piramidave nuk është shkulur për të ndërtuar stane barinjsh) duhet lënë mënjanë të bëjë rutinën e vet teknike. Por nuk mund të lejohet që mbi këtë që po ndodh të bëjë gjumë politika.
Një shqiptar nuk mund të vdesë kaq lehtë!
Ai me sa duket jashtë kufijve tanë prangoset lehtësisht (janë afro 6 mijë në burgjet greke dhe italiane), lehtësisht edhe klandestinohet apo dëbohet nga vendi i huaj, po kaq lehtë edhe i zmadhohen fajet apo edhe gabimet, linçimi mediatik për shqiptarët është më i lehti mes të gjithë emigrantëve. Ditët e fundit një grup gjykatësish hetuesë të jugut të Italisë kryen një operacion kundër një grupi mafioz italo-shqiptar. Punë e dëshiruar dhe e vlerësuar, porse mjaftoi një nga policët përgjuesë që t’i jepte “në konfidencë” disa gazetarëve (duke vepruar kundër të gjitha rregullave) dyshime të paprovuara se “në Ambasadën Shqiptare në Romë ishte fshehur drogë”. Ky deklarim i papërgjegjshëm e që ka patur kurajën të hidhet në tregun e madh mediatik italian, duke mbërritur në audiencën prej së paku 20 milionë dëgjuesish, nuk ishte veç një agresion i paprinciptë kundër Sherbimit të Jashtëm Shqiptar dhe vetë Shtetit tonë. Vetëm një hetim i të porsaarrestuarve dhe më pas një proçes gjyqësor mund ta provonte aktin e rendë të supozuar apo të shpifur (drogë e fshehur në Ambasadë) dhe pastaj do të vinte ndërgjegjshëm përgjegjësia për individin apo individët fajtorë.
E megjithatë ajo që po ndodh sistematikisht me disa nga patrullat kufitare maqedonase, të cilët i vrasin shqiptarët me dyshime dhe hamendje, shumë nëpër netë të errëta dhe mjaft mes ditës, i ka kaluar të gjitha kufijtë e tolerancës. Mosreagimi politik i Shtetit tonë, për aq sa i duket vetja se përfaqëson shtet, tashmë mund të kualifikohet më e pakta pandjeshmëri njerëzore, sjellje johumane. Sepse ata ushtarë fqinjë që po vrasin vetëm humanizëm nuk kanë në shpirtin e tyre, kurse antishqiptarizëm kanë boll. Po ashtu edhe egërsi. Jo pak shtazëri. Kanë me bollëk megallomani, racizëm, madje edhe miopi politike.
Si mund të vritet njeriu kështu?!
Të gjithë bashkëkombasit tanë të vrarë nga epshi i patrullave kufitare maqedonase, edhe sikur që të gjithë ata të jenë marrë me kontrabandë armësh, sërish nuk mund kategorizohen si qenie që vriten. Kjo kontrabandë lëviz nëpër Maqedoni nga të gjitha anët, por kufitarët e këtij vendi të brishtë plumbat i hedhin vetëm ndaj shqiptarëve. Në vijat e tjera kufitare sjellja e tyre është ndryshe. Kontrabandë armësh apo edhe cigaresh, droge apo nafte vijon të bëhet edhe në kufirin tonë me Malin e Zi, e megjithatë patrullat kufitare malazeze nuk të vrasin, ca më pak me bukë në gojë. Asnjë shqiptar nuk është vrarë nga policia kufitare, tokësore dhe detare, italiane, edhe pse shumë trafiqe dhe rrjete kriminale shqiptare i kanë rënë mëqafë këtij populli. Kur ndodhi që nga shqetësimi i madh mbarëpopullor i tyre të merrte shkas edhe politikani më i vjetër dhe më i njohur, Xhulio Andreoti, të propozonte që skafet e ardhura nga Shqipëria me klandestinë apo drogë, vetëm në kthim, pra kur nuk kishin pasagjerë, por vetëm skafistët, të qëlloheshin nga helikopterët, kundërshtimi politik ndaj tij ishte i madh. Theksojmë, e para kundër reagoi politika, me “jo” u përgjegjën edhe ushtarakët, njerëz të qytetëruar që e kanë profesionin për të përgjuar, ndalur, burgosur dhe dënuar ilegalitetin. Ideja se Shteti mund të vrasë shkakton habi e refuzim total në popullin apeninas.
Një njeri nuk mund të vritet kaq lehtë nga një Shtet, ca më tepër një shqiptar nga Shteti i një vendi fqi, për stabilitetin e të cilit shqiptarët e Tiranës kanë bërë e bëjnë shumë. Nuk mund të vritet kështu një ballkanas tani që Luftën e djeshme të Ftohtë të gjitha vendet e rajonit po e zhndërrojnë me pasion dhe gëzim në një familje të nesërme të madhe evropiane.
Nuk mund të vritet kështu një shqiptar, i dashur politikan bashkëkombas. Nuk duhet më.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com