Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Foto ne studion e poetit Luigi Manzi, Rome, 18 shtator 2005
Foto: Foto ne studion e poetit Luigi Manzi, Rome, 18 shtator 2005
Nje Nate e Bardhe ne Rome


Tetëmbëdhjetë shtatori i vitit 2005, e dielë, në Romë ishte një “Natë e Bardhë”. Kjo donte të thoshte se sipas traditës më të fundit të europerëndimit përgjatë të gjithë asaj nate gjer ndaj gdhirë do të kishte gratis shumë koncerte dhe ekspozita, do të rrinin hapur të gjitha muzeumet, nuk do të kishin fund takimet me artistë dhe shkrimtarë, të gjitha baret dhe restorantet e qendrës historike nuk do t’i fiknin dritat e mbyllnin qepenat e kështu me rradhë. Me një fjalë Roma më 18 shtator ishte në festë. Në stacionin qendror të trenave që në orët e para të pasdites nisën të zbarkonin grumbuj të shumtë me të rinj, të cilët vinin nga qytetet e tjera. Në orën njëzetë edhe trenat e metrosë si edhe autobuzat e shërbimit urban ATAC gjer në mëngjez do të ishin falas.
Ishte pikërisht kjo rrethanë që darkën e takimit me poetin italian Luixhi Manxi, një nga drejtuesit kryesorë të Qendrës Ndërkombëtare Euxhenio Montale si edhe bashkëpunëtoren e tij Daniela Kostanti, e lamë ta bënim në mbrëmjen e vonë të asaj dite. Në darkim do të ishin të pranishëm edhe miq të tjerë romanë, por do të na mungonte Gëzim Hajdari. Poeti shqiptar me banim në Frozinone, ku edhe për merita letrare ishte “Qytetar Nderi” i tij, ishte ftuar në veri të Italisë, kur për librin e tij të fundit me poezi “Dhimbje Hëne” (“Mal di Luna”), pritej po atë mbrëmje të merrte një çmim.
Gjer këtu çdo gjë shkoi sipas një rutine të parashikuar. Ishim takuar në vendin e caktuar me Danielën dhe me makinën e saj po shkonim në një nga tavernat afër Farnezinës, Ministrisë së Jashtme Italiane, kur Luixhi Manxi telefonoi dhe u lut të duronim duke e pritur edhe një gjysëm ore. Për habinë tonë ai nuk ishte duke ardhur nga studioja e tij, por nga Stacione Termini, superstacioni qendror hekurudhor i Romës. Ishte gjendur befas atje, sepse priste të vinte nga Firence kuratorja maqedonase e librit të tij poetik “Trendafili i vyshkur”, i cili ishte botuar në Shkup dy vite më parë. Këtë libër e kisha marrë edhe unë si dhuratë nga Luixhi, por ato çaste të fanitjes së protagonistes së re të darkës sonë intime emrin e kuratores e kisha të vështirë ta kujtoja. Më ndihmoi Daniela. Quhet Anastasia Xhurçinova, saktësoi ajo. Në vitin 2003 poeti Manxi kishte botuar në Shkup italisht-maqedonisht vëllimin poetik “Rosa Corrosa” (“Trendafili i Vyshkur”). Kuratore e tij kishte qënë pikërisht Anastasia Xhurçinova.
Në të vërtetë për shkak të mbingarkesës me ardhës për “Natën e Bardhë” studjuesja maqedonase u vonua mbi një orë dhe detyrimisht e pritëm në tavernën ku do të darkonim. Ishte natyrë e gëzueshme. Shumë shpejt na shpjegoi se në Firence kishte marrë pjesë në një veprimtari me temë “Pakicat gjuhësore dhe kulturore, politikat shumëkulturore dhe shumëgjuhësore”. Në një rast të tillë një shqiptar, ndërsa një maqedonase fliste për pakicat gjuhësore dhe kulturore, edhe pse e di që bashkëkombasit e tij në shtetin fqinj nuk përbëjnë një pakicë tradicionale, por një popullsi shtetformuese, u bë “sy e veshë”. Ndonjëherë një bisedë me një serb, grek e sigurisht maqedonas, edhe kur janë intelektualë, publicistë, shkrimtarë apo historianë, mund të përfundojë panevojshëm në ndonjë tension të ndërsjelltë. Një skenë e tillë në atë darkë intime dhe ca më tepër nën shenjën e “Natës së Bardhë” të Romës, do të ishte një marrëzi e stilit të vjetër nacionalist dhe në atë tavolinë që të dy nuk do të jepnim ndonjë shembëll të mirë. Kështu e anashkalova temën e “pakicës kulturore dhe gjuhësore”.
Më pas Anastasia Xhurçinova, pasi tha se kumtesa e saj e kishte patur titullin “Të jetosh në dy gjuhë”, buzëqeshi enkas, bëri një pauzë spektakolare dhe më në fund e plotësoi frazën me pjesën tjetër të titullit të studimit. Ajo ishte “Vepra letrare e Luan Starovës”. Kjo ishte edhe surpriza e asaj mbrëmjeje. Vetë befasia. Studjuesja maqedonase kishte referuar në Firence mes shumë profesorëve nga i gjithë kontinenti dhe më tej për një shkrimtar shqiptar. Më 1995 një vepër kryesore e Luan Starovës, “Librat e babait”, ishte publikuar shqip edhe në Tiranë. “Librat e babait” cilësohen një sagë ballkanike dhe është botuar në disa gjuhë evropiane dhe të rajonit. Në frengjisht libri është publikuar nga Fayard, duke u konsideruar “rrëfenjë familjare brilante”.
Çuditërisht jashtë kishte shpërthyer një rrebesh i fortë dhe matanë qelqeve të dritareve të tavernës, prej ku bënte panoramë një pjesë e Romës, u duk qartë se rrugët u zbrazën krejtësisht. Kjo derdhje e pafundme shiu mund ta rrezikonte suksesin e “Natës së Bardhë” dhe çuditërisht gjithsecili prej nesh e ndiente veten të lidhur me mbarëvajtjen e saj. Ja delte “Nata e Bardhë” në qytet, do ta kalonim bukur edhe ne atë darkë. Si ajo natë kulturore edhe ne takoheshim jo shpesh, e shumta dy herë në vit.
Gjithsesi uji që derdhej jashtë dhe kërcënonte natën e veçantë të kryeqytetit italian e bëri akoma më intime bisedën me të ardhurën. Anastasia Xhurçinova ishte e shkathët për t’u vendosur butësisht e me kembëngulje në qendër të të gjithë bisedës dhe askush nga të pranishmit nuk kishte ndërmend ta prishte këtë rrjedhë të re të darkës. E meritonte jo vetëm se ishte e reja e asaj darke, por përhapte rreth e rrotull ëmbëlsi.
Ndoshta aty unë, shqiptari, hamëndësohesha nga të tjerët si më “problematiku”, kurse në të vërtetë e shumta që kisha dëshirë të bëja atë mbrëmje miqsh ishte të shfaqja më shumë vëmendje për ato që mikesha e re e darkës sonë tradicionale thoshte. Kurrsesi nuk kërkoja të gjeja shkak për ndonjë polemikë. Por Xhurçinova ishte e zgjuar dhe pasi gjeti një rast për të vënë në dukje se ndihej krenare që ishte maqedonase asnjë shkak tjetër nuk dha për të provokuar një reagim timin të çfardollojtë. Madje ajo e mirëkuptoi interesimin tim ngulmues që, kur të pranishmit të kapeshin pas ndonjë teme tjetër dhe të shkëputeshin përkohësisht nga ajo gllabëruese e vëmendjes, të më thoshte intimisht diçka për Luan Starovën dhe angazhimin e saj profesional për ata që jetonin me dy gjuhë. Në fund të fundit emri i shkrimtarit të njohur shqiptaro-maqedonas në atë darkë ishte gjithsesi një ogur i mirë miqësie mes nesh. Ishte ura që na lidhte. Luan Starova i cili gjatë kohës së ekzistencës së Republikës Federative të Jugosllavisë kishte qënë edhe ambasador në Francë i saj, kishte gjakun e popullit tim, por i njohur në Evropë ishte bërë sepse më shumë shkruante në gjuhën e popullit të Anastasia Xhurçinovës.
Mes zhurrmës së gëzueshme të tavolinës arritëm të bisedonim lirisht. Luan Starova dhe forca e ndërmjetësimit që mbartëte me të qënit “njeri i dy gjuhëve” ishte atë mbrëmje të vonë romane të tetëmbëdhjetë shtatorit 2005 “Nata e Bardhë” mes meje dhe studjueses maqedonase.
Pikërisht atë mbrëmje do të mësoja se Anastasija Xhurçinova ishte një ndër frekuentueset e pasionuara jo vetëm të takimit të përvitshëm poetik të Strugës, por edhe e çmimit “Ballkaniada”. Çdo vit në Strugë grumbullohen për disa ditë poetë nga i gjithë Ballkani dhe jo njëherë çmimin e parë aty e kanë fituar disa nga bashkëkombasit tanë. Kurse për “Ballkaniadën”, një çmim letrar që për nismë lindjeje ka Shqipërinë, në javët e mëpasshme do të informoheshim në kohën kur kjo veprimtari u çel në mjediset e hotel “Adriatikut” në Durrës. Ajo tërhoqi dukshëm vëmendjen e medias dhe të opinionit publik shqiptar. Çmimin e parë në “Ballkaniadë” e fitoi shkrimtari bullgar Dimitar Shumnaljev, kurse i dyti u rendit shkrimtari sërb Sveltislav Basara. Në konkurim ishte i pranishëm edhe Luan Starova. Përgjatë “Ballkaniadës” çuditërisht rrallë pati ndonjë gazetë të Tiranës që botoi ndonjë foto të tij apo kamera, e cila në endjet e saj për të fiksuar pamjet e veprimtarisë, u ndal për pak çaste tek ai.
Ky ndryshim mes nivelit të simbolikës që Luan Starova përfaqësonte në Shkup dhe në Tiranë përbënte edhe atë diferencë që në mbrëmjen e vonë të tetëmbëdhjetë shtatorit në Romë ndjeja që ekzistonte mes meje dhe Anastasia Xhurçinovës. Dëshironim të afroheshim dhe akoma ndiheshim jo pak të ndryshëm. Kështu me siguri në atë tavolinë i ulur do të ndihej çdo shqiptar i shtetit amë dhe po ashtu çdo nënshtetas maqedonas. Kishte akoma mes të dy palëve shumë hapësirë ndërmjetëse ende të zbrazët nga kurajua për t’u afruar më shumë.
Detyrimisht kjo hapësirë mes shqiptarëve dhe maqedonasve në shtetin e tyre ishte më e madhe dhe më e mbushur me ankth e tension. Atje ajo nuk dukej si vakuum, por si një barrierë postoblloqesh, akoma si një truall i mbushur me të papritura kanosëse.
Tetëmbëdhjetë shtatori 2005, ndërsa jashtë xhamave të asaj taverne romane kullonte pafundësisht shi, e risillte herë pas here në kujtesë ngulmësisht Luan Starovën. Bashkë me Xhurçinovën pasi flitnim për të bënim një përpjekje për ta larguar e marrë me një temë tjetër, por dukej punë e pamundur, sfilitëse dhe pa asnjë rezultat. Starova ishte diplomati i asaj “Nate të Bardhë” romane mes meje dhe studjueses maqedonase, ishte ai që na mbante të lidhur në marrëveshje për të bërë dialog. Ai ishte i dobishëm edhe për Anastasinë, edhe për mua. Luan Starova atë mbrëmje të vonë dukej i nevojshëm, madje i domosdoshëm. Ai ishte në të njëjtën kohë shkrimtar i dy popujve, e përfaqësonte doalogun jo së jashtmi, por Brenda vetes. Edhe në takimin ndërkombëtar të Firences ai kishte qënë zëri që përfaqësonte njëherësh kombëtarisht maqedonasit dhe shqiptarët.
Zbulimi i kësaj përmase të re të shkrimtarit Luan Starova atë tetëmbëdhjetë shtator më sugjestionoi. Nuk do ta kisha pikasur këtë dimension të tij në rast se çasti nuk do të bashkonte në një praninë time në Romë, darkën intime ndërsa jashtë binte shi, “Natën e Bardhë“ dhe ardhjen e papritur të Anastasia Xhurçinovës nga Firence.
“Në Ballkan unë jam një rast i rrallë dhe disi i çuditshëm” kishte thënë Luan Starova në një intervistë për një të përditshme franceze. “Disa më pyesin” vazhdonte shpjegimin “se ç’do ti, një shqiptar, me maqedonasit? Midis këtyre që më bëjnë të habitur këtë pyetje ka mjaft edhe shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët më kritikojnë përse shkruaj në maqedonisht…Kjo dëshmon se sa akoma janë ndarë shpirtërisht njerëzit që jetojnë në të njëjtin territor. Aktualisht më vjen më shumë të shkruaj në shqip, por nuk është konjuktura e ditës, e cila ma detyron këtë gjë, mbi të gjitha e ndjej si një nevojë të brendshme. Në të vërtetë tanimë po përpiqem të shkruaj një libër për gjuhën e nënës sime. Eshtë një libër për të dhe duke patur një nënë shqiptare vetvetiu gjuha shqipe më imponohet në shkrimin e tij”.
Patjetër Anastasija Xhurçinova e kishte përzgjedhur veprën e Luan Starovës e ndikuar më së pari nga kembëngulja e këtij të fundit për të shkruar në maqedonisht. Ajo e kishte referuar ndërkombëtarisht shëmbullin e tij sepse ai nuk ishte prej atyre shqiptarëve të vendit të saj që mbyllen vetëm në gjuhën e tyre dhe shkruajnë e botojnë vetëm në të. Me siguri ajo nuk do të shkonte në Firence para dhjetra studjuesve të botës për të paraqitur një Luan Starova që, nënshtetas maqedonas, do të shkruante vetëm në shqip. Porse mund të zgjidhte një shkrimtar me një kombësi tjetër, përshembëll bullgare, turke, rome apo greke. Gjesti i saj ishte mbresëlënës pikërisht sepse kishte përzgjedhur një shqiptar. Pa dyshim edhe sepse Luan Starova ishte një shkrimtar i shumënjohur edhe në Francë, por duke përllogaritur se shembulli që do të paraqiste para studjuesve nga e gjithë bota do të kishte edhe një përmbajtje e mesazh politik. Xhurçinova shkrimtarin shqiptar e kishte mbartur me vete deri në Firence për të dhënë një kumt paqeje, për të dëshmuar se vendi i saj pas ngjarjeve të viteve 2000-2001 kishte hyrë në stabilitet edhe në marrëdhëniet me shqiptarët, nismëtarë e atyre trazimeve.
Ajo në fund të fundit as nuk ishte e specializuar për gjuhën apo letërsinë shqipe. Anastasia Xhurçinova ishte diplomuar në Shkup, më 1985, për letërsi të krahasuar si edhe gjuhë e letërsi italiane. Në vitin 1992 në Beograd tezën pasuniversitare e kishte mbrojtur me një studim për shkrimtarin italian Italo Kalvino. Duke qënë presidente e Shoqatës Maqedonase per Letërsi të Krahasuar ajo ishte në Shkup njëkohësisht edhe nënkryetare e Intitutit “Dante Aligieri”. Pra më shumë se ndihej afër shqiptarëve ajo ishte e lidhur fort me italianët.
Atë mbrëmje të 18 shtatorit pashë qartësisht se mesazhi i dialogut kulturor mes shqiptarëve dhe maqedonasve nëpërmjet “njerëzve që jetojnë me dy gjuhë“ nuk do të funksiononte aq mirë po të mos ishte në mes Italia dhe Roma. Historikisht gadishulli Apenin ka qënë ogurmirë për ruajtjen e identitetit shqiptar.
Duke u marrë gjithë kohën me letërsinë italiane, zgjimi i interesit të studjueses maqedonase për gjuhën e letërsinë shqipe kishte qënë i vonë, çuditërisht pas vitit 2002. Në rast se lufta e armatosur e UÇK-së e kishte tronditur, Marrëveshja e Ohrit me paqen që kishte sjellë pas saj e pati bërë Shqipërinë për të jo vetëm një vend kurioz. Anastasia Xhurçinova kishte pikasur një kanal të ri komunikimi kulturor, po ashtu paralelisht edhe një mundësi të re që të ndihte sa më shumë atdheun e vet për të shpëtuar njëherë e mirë nga kthetrat e rënimit kombëtar e në mos shkatërrimit si shtet më vete.
Luan Starova ishte mjeti me të cilën ajo mbronte Maqedoninë.
Ndërkaq për mua në atë tavolinë me miq të njohur romanë vepra dhe gjesti i Luan Starovës ishte një dëshmi me autoritet për të kembëngulur se në shtetin tonë fqinj shqiptarët gjithnjë dhe historikisht kanë qënë faktorë stabiliteti dhe se shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë edhe në maqedonisht jo vetëm do të shtohen, por edhe janë ballkanasit e të ardhmes. Nëse janë pak xhelozë pas traditave dhe gjuhës së tyre, u thashë të pranishmëve, kjo ndodh sepse veprimi i mbrapësht asimiluesë i shteteve shovenë i ka shtrënguar ta mbrojnë nëpërmjet gjuhës së tyre jo vetëm identitetin kombëtar, por edhe vetë ekzistencën. Gjuha amtare, u thashë, ka qënë për shqiptarët kështjella e vetme, e cila nuk është dhënë kurrë, sado i madh e perandorak ka qënë pushtuesi.
Sot është koha, bëra batutë, që edhe shkrimtarët maqedonas të shkruajnë edhe shqip, të bëhen edhe ata “njerëz që jetojnë në dy gjuhë”. Anastasia Xhurçinova qeshi. Ata në fakt nuk kanë një “Luan Starovë” të tyre.
Pikërisht në atë mbrëmje të vonë romane, në një çast, duke treguar pak për jetën e saj dhe familjen, Anastasia Xhurçinova pas një hopi heshtjeje të beftë më tha me zë që dukej sikur nga çasti në cast do të binte në një ngashërim se kur UÇK kishte shpërthyer luftimet në malet e Tetovës e të Gostivarit, të dy fëmijët e saj të vegjël e kishin pyetur me frikë në sy “Mami, përse shqiptarët po shtjenë me armë?”
Kjo frazë ra si gur i rendë në bisedën mes nesh, por siç dukej Xhurçinova nuk mund ta linte pa e thënë. Unë nuk i dhashë asnjë përgjigje, por studjuesja maqedonase dukej lehtas që nuk e kishte shqiptuar për të hapur debat. Thjesht e kishte psherëtirë sepse nuk mund ta mbante gjatë në mes të brengave të saj. Për një një traumatizim të tillë nga nisja pas luftës së Kosovës edhe e bataresë së armëve në Maqedoni, kishte folur edhe Arbër Xhaferri, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare që atë kohë ndodhej në koalicionin qeverisës. Madje periudhën e luftës së drejtuar nga Ali Ahmeti deri vonë Arbër Xhaferi dhe njerëzit e tij e kanë quajtur krizë. Ka patur nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë edhe nga ata që kanë deklaruar se “ju do të mbani përgjegjësi për traumatizimet që i keni shkaktuar popullit”.
Ja pse Anastasia Xhurçinova me episodin e trembjes së fëmijëve të saj nga krismat e armëve që binin mbi Tetovë kishte thënë një gjë që nuk synonte rënimin e asaj bisede e ca më pak të qëllimit që i kishte dhënë vetes me atë udhëtim pune gjer në Firence.
Kur mbërriti mesnata dhe në Romë shiu megjithatë nuk kishte pushuar, u ngritëm të iknim. U ndamë me të tjerët dhe me makinën e Luixhit u nisëm drejt qendrës së qytetit. Më pas nisi lënia e gjithsecilit pranë shtëpisë së vet. Ndërsa udhëtonim telefonoi Gëzim Hajdari. Në Komo kishte marrë çmimin “Popujt që Ecin Përpara”. Edhe Hajdari ishte njëri nga ata “jeton në dy gjuhë”. Botimet e tij në italisht e shqip kanë filluar në vitin 1999, menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Bashkë me Daniela Kostantin ai grumbulloi poezi të nxënësve të një shkolle romane, kushtuar Kosovës, dhe në librin “Edhe kuajt fluturojnë” i përktheu edhe në shqip. Libër dygjuhësh shqip-italisht me përkujdesës dhe përkthyes Gëzim Hajdarin ishte edhe ai i poetit Luixhi Manzi “Guri dhe myshku”, të cilin ndërkohë e kishte botuar editori italian Livio Muçi, edhe ky një nga ata që “jeton në dy gjuhë”.
Të nesërmen morrëm vesh se shiu i furishëm nuk e kishte prishur “Natën e Bardhë“. Edicionet televizive të lajmeve dhe faqet e para të gazetave informonin se kishte patur një sukses të plotë.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com