Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ka edhe lajme te mira

“Korrieri”, 17 mars 2007

Në festivalin e fundit të Sanremos, një nga ngjarjet muzikore më të spikatura të italianëve dhe ku kësaj rradhe audienca arriti një shifër rekord teleshikuesish, siç dihet kendoi edhe shqiptarja Elsa Lila. Artistja jonë, tashmë e njohur në vendin fqinj, për këtë gjë jo vetëm kishte njoftuar median e vendit të saj, por disa televizione në Tiranë ishin bërë gati që sapo ajo të kendonte e ca më tepër të merrte ndonjë çmim, menjëherë lajmin e mahnitshëm do ta transmentonin me titra dhe figurë. Që për shqiptarët, po të ndodhte marrja e një çmimi nga Elsa Lila, do të kishte hare të përgjithshme, nuk duhet dyshuar. Mjaft nga ne e dinë se Festivali i Sanremos shihet nga shumë fansa të muzikës italiane në të gjithë botën dhe një Elsa Lila apo kushdo pjesëmarrës tjetër bashkëkombas në skenën e tij ka fuqi pozitive për imazhin akoma problematik të Shqipërisë disa herë më shumë se një Festival Evropian. Për këtë të fundit ka ndodhur të jenë bërë investime të dukshme edhe nga shteti ynë, në një rast madje u vu edhe një shumë monetare si shpërblim për atë që do të fitonte. Tifozllëk ca i skajshëm ky, një lloj populizmi nacionalist, e megjithatë që të lë shije të mirë.
Për Elsa Lilën nga arka e shtetit shqiptar nuk u përdor asnjë qindarkë. Ajo vajzë elegante dhe me lbyrjen e përhershme të një buzëqeshje të çiltër në fytyrë, gjithçka e kishte të vetën. Në rast se bëhet fjalë për ndonjë “investim” atë e kishte bërë shteti fqinj, taksapaguesit e tij dhe vetë RAI, televizioni publik italian. Kur në vendin tonë rendonte diktatura ata që bënin në Sanremo festivalin e përvitshëm të kengës së lehtë nuk e dinin që ngjarja, e cila për ta ishte thjesht muzikore, në Shqipëri ishte eveniment dhe sëbrendshmi trazim i fshehtë politik. As pas vitit 1990 nuk e kishin këtë vetëdijë organizatorët dhe drejtuesit publikë të tij. Festivali i Sanremos në një farë mënyre punonte “për qejfin e vet”.
Në fundshkurt të këtij viti na duhet të pohojmë se tek organizatorët e tij pati më në fund vëmendje për Shqipërinë, u krye një lloj “investim” miqësie për të, ç’ka duke mos qënë aspak rregull nuk ishte edhe e detyrueshme për ta. Mes njerëzve me autoritet të Sanremos u shfaq për herë të parë vetëdija deri ato çaste e munguar se matanë detit kanë një popull të ndjeshëm ndaj fqinjësisë së vjetër e të qendrueshme me italianët, popull që sepse pati diktaturë dhe varfëri të gjatë jo vetëm ka dërguar në Gadishullin Apenin një çerek milioni bij të vet, por ruan në kujtesë të pashlyeshme të mirën që ai festival u ka bërë. Në kohë të mbrame e të vështirë të regjimit të shkuar nga skena e Festivalit të Sanremos shqiptarët kanë marrë kumte shprese për mundësinë e një jete më të mirë, prej saj morën dhe fshehën thellë në gjoks mesazhin e lirisë e të një shoqërie të hapur. Deri dje në atë skenë arti ishin italianët që na e jepnin këtë shpresë, tani janë edhe shqiptarët. Kësaj rradhe në Festivalin e Sanremos nuk ishte vetëm Elsa Lila që doli para dhjetra e dhjetra milionë shikuesve, por edhe balerini Kleidi Kadiu. Në shtatëmbëdhjetë vite Shqipëri që po realizon atë që e kishte vetëm ëndërr tetëmbëdhjetë vite të shkuara e më tej, nuk është pak. Ta quajmë hov, sepse hov e vrull është. Në vendin tonë, ku disa ndryshime janë të mëdha dhe nga që jemi mësuar me to tashmë nuk i dallojmë dot, apo ku në mjaft gjëra vazhdojmë të jemi aq mbrapa sa të duket që regjimi i shkuar arkaik u mbyll vetëm katër-pesë vite më parë, ajo shfaqje e bukur e dy bashkëkombasve tanë të talentuar në mes të skenës së Festivalit të Sanremos, njërës prej ngjarjeve muzikore më joshëse për median në botë, përbën ngjarje kombëtare. Eshtë dëshmi e një çlirimi të madh shpirtëror që po përjetojmë, provë se po të na ndihmojë pak më shumë kontinenti mëmë, Evropa, dhe t’i kemi më ambiciozë për realizime publike politikanët tanë, ne mund të shndërrohemi në shembullin e një populli që po përjeton një zgjim të madh energjish.
Natyrisht Elsa Lila dhe Kleidi Kadiu janë dy artistë të talentuar e shumë popullorë në Itali përderisa arritën të ngrihen gjer në atë skenë që përbën ëndërr për të gjithë artistët e vendit fqinj. Merita e parë mbetet krejtësisht e tyre. Ishin ata që e bënë “investimin” për atdheun. Por kësaj rradhe në Festivalin e Sanremos kishte edhe diçka tjetër. Drejtuesi i Festivalit, legjendari Pipo Baudo, para se ajo të kendonte, posaçërisht i kërkoi Elsa Lilës të përshendeste në shqip popullin dhe vendin e saj. Kush nga pak e di se si funksionon një skenar i miratuar nga disa nivele, çka është procedurë e rreptë edhe në RAI, e kupton se në atë mesazh të madh miqësie për popullin shqiptar nuk kishte ndikim vetëm autoriteti i madh i Pipo Baudos. Askush, as ai, nuk ka aq fuqi për “të shtuar nga xhepi” tekstin e përshendetjes në gjuhën e një populli tjetër, ca më tepër në një festival rreptësisht të vetëm kengës së lehtë italiane. Aq më shumë kjo punë nuk është “nga xhepi” kur dihet që mbi imazhin e shqiptarëve rendojnë akoma silhueta të errta të vjedhjeve të vilave, të prostitucionit apo transportit e shpërndarjes së drogës. Edhe pse bashkëkombasit tanë të emigruar tashmë pothuaj janë integruar në jetën e popullit fqinj dhe pjesa kriminale e saj është tkurrur në vetëm një lajm kronike në dy-tre javë, duhet të kesh një shtysë të madhe morale të dalësh mbi zeherin e gojëve të këqija e të dërgosh faqe gjithë botës kaq shumë mirëdashje për shqiptarët.
Mirëpo kjo ngjarje e bukur ndodhi. Në Festivalin e Sanremos për të folur e për ta përshendetur shqip popullin mirënjohës përtej detit Elsa Lilën nuk e nxiti vetëm Pipo Baudo, por edhe e shumënjohura tjetër në krah të tij, zvicerania Michelle Hunziker. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo gjë në atë festival ngjau edhe një befasi tjetër. Shumë nga ne nuk do ta kenë pikasur dot dhe kjo jo për fajin e tyre. Episodi tjetër i bukur që ka të bëjë me Shqipërinë, lidhet me një legjendar tjetër të televizionit italian dhe të Festivalit të Sanremos. Ai është Mike Bongiorno (Majk Bonxhorno). Kur në një nga ditët e fundit të festivalit ai doli në skenë dhe përshendeti simbolikisht bëri papritur edhe një rrëfim. Nuk e kishte bërë kurrë në mjedise aq të ndjekura nga teleshikues. Madje as edhe në rrethe të mbyllura nuk e kishte shqiptuar. Mike Bongiorno para dhjetra milionë njerëzve pranoi se të parët e tij ishin nga Mezzoiuso (Mecojuzo). Kjo qytezë ndodhet në Siçili, në qarkun e Palermos dhe është vendbanim historik i shqiptarëve të emigruar përgjatë rezistencës kundër pushtimit osman. Pra Mezzoiuso është qytezë arbëreshe. Autori i këtyre rradhëve ka shkuar atje disa herë. Këtu dëgjoi për herë të parë se Mike Bongiorno e kishte origjinën prej Mezzoiusos, pra ishte arbëresh. Shkruesit të këtij artikulli dhe shumë bashkëmoshatarëve të tij u kishte mbetur në kokë, që prej më shumë se tridhjetë vitesh, një pikëpyetje. Në një quiz televiziv, lojë mendore, të cilën mjeshtëri Mike Bongiorno edhe tani e ka pasion, ai u bëri dy konkuruesve edhe pyetjen “Në çfarë vendi të botës ekziston një krahinë, e cila quhet “buongiorno”?’” Siç e dini të gjithë “buongiorno” italisht do të thotë “mirdita” dhe tridhjetë vite shkuar kësaj pyetjeje asnjë nga konkuruesit nuk i dha dot përgjigje. Mirëpo sekretin e dinte vetë Mike. Sepse më mirë nga kushdo ai e dinte se mbiemri i tij vinte nga Mirdita jonë dhe të emigruar pesë shekuj më parë në brigjet e Italisë së Jugut të parët e tij nuk kishin bërë gjë tjetër veç e kishin kthyer në gjuhën e vendit mikpritës atë fjalë: Mirdita.
Kështu ndodhi që faqe të gjithëve, siç nuk kishte bërë asnjëherë më parë, në fundshkurt të këtij viti, në Festivalin e Sanremos, ku Shqipëria u citua si vend që meritonte dashamirësi dhe inkurajim, Mike Buongiorno pranoi origjinën e tij shqiptare. Aq i pandodhur më parë ishte ky pohim saqë menjëherë në Mezzoiuso dhe në një qytezë tjetër bashkëngjitur, dikur lagje e saj, shpërtheu debati se saktësisht prej kujt nga dy vendbanimet ishte shoumeni i famshëm. Që të dy qytezat janë arbëreshe.
Kështu në një ndër skenat muzikore më të ndjekura botë ata që folën shqip ishin pesë vetë, pothuaj një “festival” më vete. Festival miqësie.
Ja ky është lajmi i mirë që deshëm t’u rikujtonim. Sepse ai nuk është i vetmi. Ndërkohë që në Sanremo mbylli siparin kryengjarja muzikore e italianëve në Francë ka ndodhur edhe diçka tjetër. Shqiptari Vasil Qesari realizoi në televizion publik France 3 reportazhin e njëmijtë. Ai vetë heshti, por lajmin e gëzuar të ngadhënjimit në një ekran tjetër të eurokontinentit e bëri të ditur një kolegu ynë gazetar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dalip Greca.
Pak ditë më parë, kur ja thamë dikujt, nuk e besoi. Nuk i zuri besë shifrës njëmijë, iu duk shumë e bujshme, pothuaj e pamundur. E megjithatë besoheni! Për shqiptarët nuk janë të mundshme vetëm disa mbrapështi, por edhe gjërat e mira.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com