Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kompleksi i vetndarjes pergjysem

Botuar ne Korrieri, 18 janar 2007

Ndërsa kishin filluar ditët e para të janarit 2007 dhe ndiqja “me mendjen mbrapa” si po zhvilloheshin ngjarjet e ndërlikuara politike në Shqipëri, sipas një tradite që kemi me disa miq në Romë, lamë të kalonim një darkë në një nga restorantet e vjetra tradicionale të kryeqytetit italian. Ndërsa ishim në studion e tij të madhe e bëheshim gati të niseshim drejt tavernës që u zgjodh për festimin e përbashkët të vitit të ri, poeti i njohur Luixhi Manxi më tha se ato ditë i kishte rënë në dorë një libër për Shqipërinë. Ai ka pothuaj dy dekada që tregon miqësi me vendin tonë dhe madje dy vite më parë, pas përkthimit e botimit në maqedonisht, ka publikuar edhe një vëllim të tij poetik shqip-italisht, “Trendafili i vyshkur”. Duke qënë edhe bibliofil i pasionuar, zotërues i një superbilioteke që pasi i ka gëlltitur dy dhoma të mëdha në studio (është arkitekt), ca më shumë ambiente në apartamentin e tij në Romë dhe kush e di sa hapësirë në vilën e tij shumëkatëshe në periferi të saj, librin e ri të gjetur në kërkimet e tij ishte gati ta “sakrifikonte”: do të ma dhuronte. Kështu Luixhi Manxi u shkëput për një gjysëm ore dhe kur u kthye libri që zgjati drejt meje nuk ishte gjë tjetër veç “Historia e Letërsisë Shqiptare”. Botimi ishte i vitit 1959, i kryer në Milano nga Nuova Accademia Editrice, në kuadër të rubrikës së saj “Histori e letërsive të të gjithë botës”. Ishte realizuar me kapak të fortë dhe i mbështjellë me celofan. Si autor nënshkruante arbëreshi Xhuzepe Skiro, I Riu, profesor në Universitetin e Padovës. Nuk është vendi në këtë shkrim të shkojmë më tej në hollësi të tjera se cili është studjuesi i madh arbëresh Xhuzepe Skiro (I Vjetri), as se I RIU këtë libër ja kushton prindërve të tij si edhe “të gjithë shpirtërave të mërgimtarëve të parë shqiptarë në në vitin 1448 mbërritën në Contessa Entellina për të ringjallur këtë dëshmi gjuhe, zakonesh, kulti dhe kujtese”. Nuk do të përshkruajmë po ashtu se si është vendosur dhe sa rendësi i ka dhënë autori një harte të palosur në fillim të librit të tij ku grafikisht përshkruan me një rozë të lehtë, si të jetë trendafil, Shqipërinë në kufijtë e saj shtetërorë dhe me riga të lehta me po të njëjtën ngjyrë edhe atë hapësirë jashtë saj ku flitet me shumicë shqip. Me po këto vijëza delikate Xhuzepe Skiro I Riu përshkruan në Gadishullin Apenin edhe të 31 vendbanimet me arbëreshë, duke filluar nga rajoni i Molises e deri në Siçili.
Ajo që dëshirojmë të nxjerrim në pah në këtë shkrim ka të bëjë me një befasi që gjithsecilin prej nesh me siguri do ta trondiste. Në mes të 267 faqeve të librit ndodhej një copëzë e prerë nga një gazetë e vjetër italiane dhe e ruajtur në brendësi me shumë kujdes. Ishte një shkrim i titulluar “Ikja e Ernest Koliqit”. Në mbititull thuhej “Një humbje tjetër për kulturën tonë”. Në shtatëdhjetë e katër rradhët e shkrimit nënvizohej se po përjetonin ditë veçanërisht të dhimbshme: kishte ndërruar jetë “impulsuesi më i madh dhe burimi më i kualifikuar i kulturës shqiptare në Itali”. Në vijim në pak fjalë të kursyera rreshtohej e gjithë jeta dhe vepra e tij letrare dhe studimore. Aty po ashtu flitej për “mërgimin e hidhur”. E gjithë jeta politike e Ernest Koliqit shprehej brenda vetëm formulimit “postet publike që pati në Shqipëri”. Në shkrimin e nënshkruar nga Ettore Paratore nuk përmendej as komunizëm dhe as antikomunizëm. Në fund të tij një dorë që e njeh shumë mirë shqipen shenon me bojë stilografi “18-1-1975”. Eshtë një mënyrë grafike që nuk e kanë përdorur ndonjëherë arbëreshët. Me siguri njeriu që me aq kujdes e ka prerë copën e artikullit nga një gazetë romane e kohës dhe pastaj futur e ruajtur mes faqeve të atij libri për historinë e letërsisë shqipe duhet të ketë qënë një nga përfaqësuesit e diasporës sonë së pas Luftës së Dytë Botërore në Itali. Ajo ndryshe quhet edhe diaspora antikomuniste edhe pse në të vërtetë në përbërje të saj kishte jo pak edhe demokratë liberalë që nuk frymëzoheshin patjetër nga kundërkomunizmi, por që regjimi i ashpër e më pas tiranik në Tiranë i kishte zbuar e shpallur armiq të papajtueshëm.
Ajo dorë që me stilograf dhe bojë “Pelikan” shenon datën e artikullit të botuar 3 ditë pas vdekjes së Ernest Koliqit (shkrimtari e studjuesi i shquar ndërroi jetë në Romë në mengjezin e 15 janarit) është me siguri e ndonjerit nga këta antikomunistë. Kryeqyteti italian ka qënë një nga qendrat më të mëdha ku pas vitit 1944 u grumbulluan të gjithë të ikurit. Për një dhimbje të trishtë kur regjimi ra, pra në fillimet e viteve nentëdhjetë të shekullit të shkuar, ndodhën edhe ditëvdekjet e shumicës së tyre. Nga ky brez në kryeqytetin italian tashmë kanë mbetur dy apo tre përfaqësues, më i vjetri i të cilëve është pothuaj nentëdhjetëvjeçar dhe emrin po ja mbajmë “sekret” thjesht për t’i hapur vend të dukshëm në një shkrim tjetër. Për më shumë se një gjysëm shekulli kanë qënë kohë të vështira për shqiptarët, të cilat nisën me rrëzimin me forcën e armëve të Ahmet Zogut, pushtimin fashist musolinian e hitlerian të Shqipërisë dhe më pas rënien nën diktaturën e komunistëve stalinistë, të cilët ishin edhe çlirimtarët kryesorë të atdheut të tyre. Kohë e pështjelluar gjer në marrëzi dhe në nonsens. Ai libër që sapo më kishte dhuruar poeti Luixhi Manxi me siguri ishte pjesë e kësaj turbullire të madhe: antikomunisti anonim kishte ndërruar jetë një apo dy vite më parë dhe mbase i biri, si çdo djalë që është gjeneratë tjetëre e mbase edhe italianizuar, e ka nxjerrë në treg bibliotekën e të jatit dhe librat e saj të vyer kështu kishin rënë në dorë të bukinistëve profesionistë apo edhe të shitësve të rendomtë, të cilët gjithçka ta japin me dy apo tre euro.
Sa dramë e madhe ka qënë ajo që na ka ndodhur kur mendon se që të gjithë e donin shumë Shqipërinë! Të dy palët apo të gjitha kishin luftuar me papërulje njeri-tjetrin në emër të kombit. Në të gjitha shtëpitë e antikomunistëve jashtë vendit e kemi parë flamurin e kuq me shqiponjë të nderur anë e kend, në faqe muresh e mbi suprina bibliotekash, në sallonin e madh dhe në dhomën e ndenies, mbi fotografinë e familjes apo te komodina e shtratit, vënë në gjoks e mbajtur në dorë. Kur jo pak antikomunistë stërviteshin në qendra të huaja përgatitjeve për diversion e rrëzim me forcë të regjimit realkomunist në Tiranë, shumë prej tyre, përfshi edhe Ernest Koliqin, luftonin për kultivimin e krijimtarisë artistike kombëtare, të gjuhës dhe studimeve gjithshqiptare. Eshtë dramatike që koha me dhunën e kthesave të saj të papritura të bëjë që një shkrimtar, studjues dhe stilist i madh si Koliqi ta nisë jetën si fanolist, ta vazhdojë si kundërzogist e më pas të pajtohet me të, të bashkohet më vonë me pushtimin dhe të punonjë si ministër arsimi i një regjimi fashist. Kur shumica e shqiptarëve, përfshi këtu edhe komunistët, rrëmbyen armët për çlirim, edhe pse Koliqi favorizoi shkollimin e shumë intelektualëve bashkëkombas dhe hapi mjaft shkolla në Kosovë, njollën e murrmë të kolaboracionizmit nuk ja heq dot njeri nga jeta. E megjithatë atdheun e tij e donte aq fort dhe aq shumë atij iu përkushtua. Më kujtohet në qytetin tim të Beratit kur nisi lëvizja demokratike. Ndërsa vinte liria një apo disa duar thyen bustin e Hajdar Tafës. Ai kishte qënë një komunist, i cili kishte rënë heroikisht në piramidën e kufirit duke mbrojtur Shqipërinë nga një sulm ushtarak serb.
Nuk kemi ditur sa duhet ta bëjmë kombin të na bashkojë. Por ndërsa rrethana historike apo padije na kanë shtrenguar dje, nuk ekzistojnë objektivisht të tilla sot. Kemi bindur njeri-tjetrin se përgjysëm na kanë ndarë fuqitë e mëdha të kohës dhe këtë padrejtësi ua kemi lënë të tërën atyre “në derë”. Nuk kemi pyetur ndonjëherë me kembëngulje njeri-tjetrin se mos këtë dramë etnike e kemi patur edhe sepse në psikologjinë tonë kombëtare ka ende një kompleks vetndarjeje përgjysëm. Nuk duam ta faktojmë këtë ide me disa paudhësi që na kanë ngjarë edhe pas vitit nentëdhjetë, sepse për këto gjashtëmbëdhjetë vite më të shumta kanë qënë të mirat dhe dobitë. Po ashtu nuk dëshirojmë ta rradhisim në këtë argumentim edhe krizën e fundit të gjatë që klasa jonë politike, ndryshe nga sa ishte prirja e njerëzve të thjeshtë, e zgjati gjer në pasoja besueshmërie për hyrjen e shpejtuar në Bashkimin Evropian.
Kombi e ka gjithnjë forcën e bashkimit, vetëm ai e bën këtë mrekulli. Pluralizmi funksionon deri atje. Ne nuk kemi shumë kombe që të bëjmë pluralizëm edhe me të. Eshtë e pikëllueshme por siç doli nga një debat i fundit televiziv me përfaqësuesit politikë të partive shqiptare në Luginën e Preshevës (ishin shtatë në vetëm shtatëdhjetë mijë bashkëkombas) në prag të zgjedhjeve të lira në Serbi ata kishin prishur marrëveshjen për të dalë të bashkuar e kështu fituar tre deputetë. Për “pluralizëm”, sikur të bëhej fjalë thjesht për zgjedhje të disa kryetarëve të komunave brenda Luginës së Preshevës, ishin ndarë dhe kështu rrezikuar të fitonin vetëm një vend deputeti në parlamentin e Beogradit. Njëra palë ishte për garim elektoral dhe tjetra për bojkot, kurse interesat gjithkombëtare, të cilat ata i kuptojnë këto çaste fare mirë, i kërkojnë të rrinë të bashkuar dhe të bashkuar të marrin pjesë në votime.
Eshtë tashmë e provuar se Lugina e Preshevës ndihet me më shumë të ardhme kur edhe Kosova në proçesin kontruktiv të pavarësimit është më mirë.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com