Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Zogu i ZI” apo smogu i zi?

Ballkan, 18 shkurt 2006

Energjia kryesore e politikës së ditës tashmë prej dy-tre muajsh është përqendruar edhe tek çështja e quajtur “Zogu i Zi”. Në këtë mbikalim të pezulluar kjo sjellje e një pjese të politikës ka dinamikën e vet siç edhe ka edhe autoritetin e të drejtës së përzgjedhjes së kësaj teme si fushebetejë aktuale. Kohët e fundit të dy palët rivale që përplasen tek grehina në hyrje të Tiranës kanë lënë pasdore mitingjet apo deklarimet nga selitë partiake dhe luftën po e vijojnë dendurisht nëpërmjet gjykatave. Kjo fazë e re e betejës për “Zogun e Zi” mund të konsiderohet zhvillim pozitiv në mënyrën se si të paktën do të proçedojë e zgjidhet konflikti. Dhe duke patur parasysh se politika edhe më tej do të kujdeset që mbi “Zogun e Zi” të mos bjerë pluhuri i harresës, sepse para ka fushatën zgjedhore lokale, përse mbi grehinat e betonta në hyrje të Tiranës ne të tjerët të mos merremi edhe me pluhurin e vërtetë që ngrihet mbi të kur rrethrrotullohen makinat. Ky pluhur i vërtetë rri lart mbi frymën e të gjithë kryeqytetit shqiptar. Ky dhe në ajër qendron mbi treçerek milioni banorë. Ose mbi një të pestën e bashkëkombasve që ka vendi.
Ditë më parë në një nga forumet ku merr pjesë në internet me diskutimet e tij emigracioni ynë jashtë vendit, njëri debatues i shkruante një bashkëkombasi të tij se gjatë verës së kaluar ky i fundit kishte qënë në Shqipëri, madje në Tiranë dhe më saktësisht në Malin e Dajtit. Tjetri i kuriozuar se si miku i tij e dinte që nga Kanadaja këtë hollësi u gjet shumë shpejt para provës së paraqitur. Debatuesi i dërgoi një foto, në të cilin dukej qartas se shoku i tij kishte dalë në lartësinë e një mali në shoqërinë e disa të rinjve të tjerë. “Por kjo foto nuk vërteton se unë kam qënë në Tiranë, edhe pse në Shqipëri vajta për dy javë?” e pyeste tjetri. “Je saktësisht në Tiranë, shih sfondin pas jush! Poshtë dhe në largësi është Tirana” i përgjigjej debatuesi. “Shoh në sfond, por nuk dalloj asgjë“ reagonte në vijim tjetri, “shoh vetëm një re pluhuri”. “Epo ajo është Tirana” iu përgjegj më në fund bashkëkombasi që jetonte e punonte në Kanada, “Qyteti nuk dallohet mirë sepse prej vitesh e mbulon një kupolë pluhuri”.
Që Tirana është e mbushur me pluhur dhe smog e dinë të gjithë dhe mbase nuk ishte fort e nevojshme dëshmia e mësipërme e nxjerrë nga interneti. Pamja e papëlqyeshme shihet nga çdo rrugë dhe lartësi që zbret e shkon drejt kryeqytetit. Që Tirana ka mbi krye një re të madhe pluhuri dhe smogu kanë kohë që e shkruajnë dhe e thonë edhe disa media të huaja. Nuk ka vetëm një ditë dhe as vetëm një muaj që bashkë me artikujt pozitivë për metropolin shqiptar gjenden edhe shkrime për ndotjen e madhe të ajrit të tij. Këtë gjë e kanë thënë, të paktën prej tre-katër vitesh, edhe shumë media shqiptare, e kanë shqiptuar edhe mjekë të dëgjuar, e kanë raportuar para opinionit edhe disa qendra shtetërore apo jashtështetërore që merren me mbrojtjen e mjedisit, e kanë shkruar e rishkruar edhe mjaft publicistë, e ngrejnë zërin herë pas here edhe mjedisorët e vërtetë e kështu me rradhë. Në fakt nga kjo arradhë e madhe denoncuesish do të mjaftonte vetëm njëri që ta ngrinte këtë problem dhe në reagim duhej të shihnim se si do të viheshin në veprim masat e para korregjuese e mbrojtëse, të paktën më të mundshmet. Por pothuaj nuk ka ndodhur asgjë e rendësishme përveç disa mbjelljeve pemësh, një përpjekjeje të paarrirë për të rritur cilësinë e karburantit të importuar, detyrimit formal për blerje makinash të prodhimeve të fundit, ndonjë dite të rallë kur janë lagur me ujë disa nga rrugët kryesore të Tiranës.
Kështu reja apo kupola mbytëse rri mbi kryeqytet e patrazuar nga askush që sadopak ka një pushtet ekzekutiv apo kompetencë. Duke shpresuar se kultura ambientaliste në vendin tonë, përballë shumë falsarëve të saj, jo vetëm do të ndërgjegjësohet por edhe rritë forcën e trysnisë pozitive, gjejmë rast ta ringrejmë këtë problem. Pra të rikujtojmë se pa mohuar që ka edhe një çështje të Zogut të Zi, në shoqërinë tonë bën apel të madh dhe urgjent edhe çështja e Smogut të Zi.
Që Tirana dhe banorët e saj akoma nuk janë të vetëdijshëm se ditë e natë, nga njëra e hënë deri tek tjetra, njëzetë e katër orë për njëzetë e katër mbi kokat e tyre qendron një kupolë e helmatisur dhe se ajo përditë u rrëmben nga jeta e tyre jo vetëm vite, por u edhe cilësi jete, nuk po e provojmë me atë që dy javë më parë e njoftoi Instituti i Shendetit Publik nëpërmjet një drejtuesi të saj që merrej me monitorimin e ajrit. Atëhere ai deklaroi se “Lidhur me ndotjen në Tiranë nga grimcat e imta (PM 10) që padyshim janë shumë të dëmshme, është vendi të shqyrtojmë hollësisht situatën, pasi monitorimi i këtij qyteti për disa vite rresht tregon për situatë tepër të vështirë që po vjen e rëndohet gjithnjë e më shumë ”. Ai tha se shifrat tregonin që ndotja ishte dhjetë herë më e madhe se norma e lejuar.
Tani në një ballafaqim metodik me problemin e ndërvarësisë së plotë që ka ndotja e ajrit me vetë jetën e një njeriu, po i referohemi të njëjtit problem, por jo të njëjtës kulturë dhe ndërgjegjësimi mjedisor për masa mbrojtëse. Sipas një studimi të Komisionit Evropian për çdo 10 mikrogramë Pm10 në ajër pas një periudhe nga 15 deri 20 vjet jeta shkurtohet me 6 muaj. Sipas disa të dhënave të fundvitit të kaluar në Gjermani ku masat e mbrojtjes nga ndotja e ajrit janë të larta dhe sigurisht po të kishte një Tiranë me këtë gjendje do të shpallej menjëherë qytet i ndaluar dhe do të rrethohej nga ushtria që të mund të mos hynte dot asnjë njeri, vetëm për arsye të smogut në ajër çdo vit vdesin 65.088 vetë. Në Itali statistikat tregojnë një shifër më të ulët: 39.436 të vdekur në vit. Këtu kanë llogaritur edhe koston sociale të shkaktuar nga ajri i ndotur. Në dymbëdhjetë muaj italianët për shkak të ndikimit negativ në shendetin e tyre të smogut humbasin 37 milionë ditë pune. Sëmundjet më të shpeshta të shkaktuara nga ajri i ndotur janë kollitja, astma, bronkitet e ndryshme dhe tumoret. Vetëm të shtruar nga sëmundje të shkaktuara prej smogut në Itali çdo vit janë10.700 vetë.
Mirëpo tashmë gjysma e shqiptarëve të cilët jetojnë apo udhëtojnë nëpër Evropë e dinë shumë mirë se në qytetet e saj ka kaq shumë hapësira të gjelbëra dhe masa shtrenguese saqë ajri duket tejet i pastër. Pluhur që ta shohësh me sy nuk gjen kurrë.
Tirana, Elbasani apo Durrësi, po u lanë në këtë gjendje, do të kryejnë një masakër të heshtur ndaj shqiptarëve.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com