Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kush na mbron?

Ballkan, 17 janar 2006

Duhet të jenë të paktë ata shqiptarë që në prag të festës së këtij Viti të Ri 2006 nuk kanë blerë karta telefonike nga ato, të cilën një minutë bisedë jashtë shtetit ta ofrojnë me gjysmën e tarifës që e përfton nga Albtelekom dhe akoma më lirë nga dy kompanitë celulare AMC dhe Fodafone. Po ashtu nuk duhet të jenë të shumtë edhe ata bashkëkombas që kanë blerë vetëm një kartë. Me siguri kanë pëlqyer dy. Kjo për arsyen e thjeshtë se në Vitin e Ri na duhet të urojmë të gjithë të afërmit që kemi nëpër glob, po ashtu edhe miqtë më të ngushtë. Duke ditur se afro gjysmën e shqiptarëve e gjen prej vitesh që nga Australia deri në Kanada dhe nga Greqia deri në Spanjë e Finlandë kuptohet që më e pakti harxh që duhet të bësh në mbrëmjen e vonë të 31 dhjetorit kanë qënë afërsisht dyzetë minuta biseda telefonike. Ja përse edhe këtë vit kartat e lira u blenë me një sasi të madhe. Në Shqipëri nuk dihet sa shpenzon një familje për këtë festë tradicionale, duke filluar nga dhuratat, ushqimet dhe udhëtimet. Askush jo vetëm nuk e llogarit këtë shifër, por as merr mundimin t’ia kërkojë këtë njehsim organeve të caktuara. Shumëve kjo punë u duket thjesht si një kureshti e tepërt dhe harrohet se prej një shifre të tillë të detajuar mund të nxirren konkluzione të rendësishme për nivelin e jetës dhe prognozat e zhvillimit ekonomik të vendit.
Kur nuk dihet se sa kemi shpenzuar mezatarisht për lodra apo kompjutera dhuratë, për blerje librash apo komaktdisqesh, për fryta dhe mishra të ndryshëm, nuk ka si të gjendet edhe ndonjë shifër se sa kemi harrxhuar në biseda telefonike me aparate fiks, me celularë, me karta apo edhe me dërgim sms-sh.
Kështu që nuk mundet kurrsesi të dihet përse në prag të Vitit të Ri dhe deri sot vijojnë të na mashtrojnë me kartat telefonike që i blemë dhe nuk i përdorëm dot. Ato ishin jashtë funksionit, numurat e tyre ishin dhe janë të bllokuar. Ishin të bllokuar që pak ditë para festës së Vitit të Ri. Kështu me njerëzit tanë biseduam me tarifat e shtrenjta të dy kompanive tona të telefonave të lëvizshëm dhe me çmimin akoma të kripur të Albtelekom-it. Kartat e blera nuk funksiononin as në një apo dy janar, as në datën pesë, as në atë dhjetë, nuk punojnë as sot e kësaj dite. Duke qënë se për këtë shpërdorim të madh dhe patjetër vjedhje jo e vogël që u është bërë shqiptarëve askush nuk të informon, përveç vajtje-ardhjeve të shpenguara të thashethemeve, një hetim gjithsecili ka qënë i detyruar ta bëjë personalisht. Të paktën për vetëmbrojtje. Nga një verifikim i tillë del se dy kartat telefonike më të kërkuara nga shqiptarët, edhe pse nuk funksionojnë që prej dy javësh, ende tre televizione i propogandojnë si oferta. Rezulton se në disa dyqane të kryeqytetit, ku ato edhe shiteshin me kontigjente më të mëdha, përfaqësues të këtyre kartave kanë kërkuar që ato të mos shiten deri në një urdhër të dytë. Sipas shitësve këta menaxherë paskan sqaruar se kartat nuk punojnë për shkak të prishjes së antenës dhe se me t’u rregulluar ajo do të vijojë mrekullia e çbllokimit të tyre. Në tregun e shitësve ambulantë të kartave telefonike, në zemër të kryeqytetit, pra në sheshin para godinës tradicionale të Postave Shqiptare dhe ngjitur me drejtorinë e përgjithshme të Albtelekomit, përgjithësisht priren të heshtin dhe të të ofrojnë kartat që nuk punojnë. Një pjesë janë më të hapur dhe të shpjegojnë aq shumë variante rreth këtij bllokimi sa që gjen prehje duke iu drejtuar njërit prej tyre, një tipi ngazëllimtar. Ai të siguron se të dy kartat janë shbllokuar, por e gjitha ka një sekret. Ai të tregon një tufë me karta ku e ngjitur me zamkë një copëzë letër e bardhë të thotë se që ato të funksionojnë duhet numurit të mëparshëm t’i shtosh edhe një shifër të re. Ky është njëshi. E provon këtë gjë me të mbërritur në shtëpi dhe e gjitha të ridel mashtrim. Ky numër nuk fuksionon edhe sot.
Pesëmbëdhjetë ditë mashtrim, asnjë informacion dhe transparencë, heshtje gjithkund. Sikur vetëm nga një kartë pesëqindlekëshe të kenë blerë dhjetë mijë familje e gjithë shifra e mashtrimit më të ri të shqiptarëve nxjerr numërin e pesëdhjetë milionë lekëve të vjetra. Porse shifra e shpërdorimit dhe e faniljeve të rëna viktimë është me dhjetra herë më e madhe.
Prej kësaj që ndodhi secili prej nesh ka të drejtë të ripyesë: Kush na mbron?
Sepse nuk i mbrojtën në kohën e duhur shqiptarëve u ndodhi që një dekadë më parë për afro dy vite rresht të përjetonin vjedhjen e mashtrimin më të rendë financiar të të gjitha brezave të tyre që nga shpallja e pavarësisë: atë nëpërmjet të quajturave fondacione huamarrëse. Shifra e plaçkitjes iu avit dy miliard dollarëve. Kjo me kartat telefonike për nga shuma është tepër larg atyre të fondacioneve mashtruese, por kultura e mosmbrojtjes së konsumatorëve duket po ajo. Në administratën shtetërore ka të paguara hallka të tëra që mbrojnë qytetarin edhe si konsumator, mirëpo ato nuk bëzanë. Jashtë këtyre strukturave ka hallka të tjera organizmash jashtëqeveritare, por edhe ato heshtën. As media nuk kembënguli ta bënte problem vjedhjen e re fringo. Në rast se i afrohet të vërtetës rasti më inkurajues i një reagimi administrativ shtetëror sipas të cilit menaxhuesve të këtyre kartave telefonike u është ndërprerë lidhja për t’i detyruar të shlyejnë detyrimet e tyre të papaguara, përse kjo punë u bë tamam në ditët e prag Vitit të Ri, kur dihej që do të ndodhte edhe bumi i blerjeve të tyre. Ishte bumi më i pafajshëm dhe nga më njerëzorët në botë: do të flisnin prindërit me fëmijët e tyre emigrantë. Në rast se duam të tregohemi formalisht kaq të rreptë përse u harrua pala tjetër e dëmtuar përveç arkës së shtetit, ajo e njerëzve të thjeshtë që i blejnë këto karta. Impulset pak më të lira nuk i blejnë bisnesmenët dhe as ata administratorë publikë, të cilët një pjesë të shpenzimeve telefonike ua përballojnë taksapaguesit. Këto karta nuk kishin pse ishin një taksë e re në fundvit, por duhej të ishin një akt mbrojtjeje i tyre. Mbrojtje minimalisht donte të thoshte se që kartat e mbetura në treg të sekuestroheshin menjëherë dhe po ashtu, menjëherë, t’u bëhej thirrje njerëzve që të mos i blenin.
Tani kemi të drejtë të druhemi se mashtrimi nga njëra anë dhe indiferenca nga ana tjetër përbëjnë aliazhin më të mirë që të mos garantohemi se dukuria do të përsëritet. Ajo mund të rishfaqet në një formë tjetër edhe për faktin se duhet shumë kohë dhe shumë përpjekje që realisht kultura e shërbesës së administratës dhe e shumë hallkave të tjera të vetë shoqërisë të shkojë deri tek qytetari. Ky akoma ndihet i pambrojtur jo vetëm nga shumica e ushqimeve që ble në treg dhe është tejet dyshues ndaj tezës euforike se gjithçka tek ne është nën kontroll. Të gjithëve na kujtohet se para një viti u bë hata e madhe në media duke denoncuar zmogun e rendë mbi kryeqytetin e shqiptarëve dhe lendët e rrezikshme shkarkuese të ndonjë ish-kombinati metalurgjik në Elbasan, por më pas asgjë nuk ka ndodhur. Thjesht ka rënë ca shi më shumë dhe ai, duke e përthithur dhe derdhur helmin e zmogut si ujë në tokë, ka lënë përshtypjen se në ajër ndotja nuk është renduar më tej.
Kurse në të vërtetë edhe sot akoma vijon zmogu i lartë dhe i rrezikshëm për jetën tonë. Po ashtu nëpër pika të ndryshme ambulante apo dyqane të veçuar do të gjeni shitës që të ofrojnë qetësisht karta telefonike që prej pesëmbëdhjetë ditësh nuk punojnë. Funksionon logjika “të mbrohet kush të mundet dhe si të mundet”. Librat e historisë shkruajnë se një mendësi e rregull i tillë jete mori formë të dukshme në mesjetën e hershme.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com