Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tirana, atje ku te vret makina

Ballkan, 9 korrik 2005

I themi me kënaqësi që është metropoli i parë në historinë tonë, superqyteti modern, krenaria e gjithë etnisë sonë në Ballkan, modeli i zhvillimit, perspektiva, vatra e ekspansionit të qytetërimit shqiptar, hapësira që prodhon vëllimin më të madh kulturor të vendit, territori ku janë vendosur pothuaj të gjitha elitat tona politike apo qeverisëse, ku funksionojnë qendrat e shërbimeve më bashkëkohore, ku jeton bashkësia që ble mezatarisht çdo vit disa mijra kompjutera dhe ku në eter konkurojnë disa dhjetra stacione televizive e radiofonike, botohen tre-katër libra në ditë e mbi pesëmbëdhjetë gazeta të përditshme nacionale, qyteti i madh ku për pesëmbëdhjetë minuta kap aeroportin e vetëm civil të vendit dhe për njëzetë e pesë portin e trageteve në Durrës.
Këtyre konsideratave nuk mund t’u heqim asnjë presje edhe pse ca teprim e jo pak romantizëm anakronik në to ka. Veç nuk mund të shkojmë më tej në këtë patriotizëm të tipit ballkanik po qe se këtë Tiranë e komplimentojmë dhe e përkëdhelim më shumë nga çduhet. Tirana është edhe metropoli ynë që vret njerëz. I vret në mes të sheshit, në qendër të saj dhe në anë të shatërvaneve, buzë bulevardeve të gjërë, nën kembët e shumëkatëshme të xhamtë, jo larg godinave kryesore të Shtetit, përpara ministrive.
Në Tiranë shqiptarët i vret shqiptari. E bën këtë punë kriminale jo me kallashnikov apo pistoletë, por lehtësisht me makinën e tij private. Dhe më e dhimbshmja është se në shumicën e herëve grumbulli i hekurave që ngasin në timonë disa nga bashkëkombasit tanë janë pleq e plaka, të moshuar të cilët nuk ja dalin dot të kapërxejnë një rrugë të gjërë e «moderne». Sidomos aty ku akoma nuk kanë vënë semaforë. Sepse kalimtaret duhet ta kalojnë atë brenda një deri e shumta dy sekondave, me sa më shumë vrap, mundësisht duke marë këpucët në dorë. Pas kapërximit të rrugës «bashkëkohore» shumë mbajnë kembët mbi trotuar, nuk kanë fuqi më të shkojnë më tej, ngulçojnë e mallkojnë, mbushin gjoksin me frymë. Sytë i kanë të çapëlyer. Jane te tromaksur.
Pak ditë më parë në superrugën tiranase të buzë Lanës, një nga më të populluarat e kryeqytetit shqiptar, para Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë një makinë vrasëse goditi për vdekje një dyzetë e pesëvjeçar. Bashkë me njollat e gjakut në asfalt mbeti edhe njëra këpucë si edhe një copë letër modulari familjar, të cilën do ta mbushte për dyqind lekë të vjetra në një shërbim konsullor. Kronikat televizive sqaruan menjëherë se viktima e kishte pësuar nga shpejtësia e madhe e ngasësit të makinës. Pa kaluar një orë nga ky krim në anën tjetër të Lanës, në po atë drejtim ku goditën bashkëkombasin e pafat dhe ku gjendet jo vetëm Ministria e Shendetësisë por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, një makinë e madhe e tipit fuoristradë goditi me gjëmim një transportues të blinduar nga ata me të cilat bankat lëvizin shumat e parave nga një vend në tjetrin. Në mbrëmje në po këtë segment, pra përballë tre ministrive dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit, njerëzit dëshmuan se një makinë vrastare kishte goditur një fëmijë. Pak javë më parë në këtë «poligon» të Tiranës iu muarr jeta një të moshuare.
Të vrarë nëpërmjet shtypjes me makinë mund të gjesh nëpër të gjithë gjatësinë « mahnitëse» të superstradës së buzë Lanës, e cila nga një bulevard apo shëtitore është kthyer në një pistë garash shpejtësie dhe për pasojë edhe në një varrezë të hapët mes Tiranës. Në gjysmën e saj shumëkilometërshe, ku edhe është krejtësisht e drejtë, në distancën mes urës që të çon në lagjet e Selitës dhe asaj që të bën të kalosh buzë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bëhen gara të çmendura me motorra shpejtësie. Sigurisht në mes të ditës dhe sfidues para çdo patrulle të motorrizuar të uniformave blu. Pak ditë me pare dy punonjës policie që rrinin pranë veturës së tyre të punës, një skene të tillë i kthyen shpatullat dhe vijuan bisedën. Motorrat garues, të fuqishëm dhe me forcë goditëse sa të disa bombave bashkë, pak muaj më parë vranë njëherësh dy plaka, të dyja kunata, të cilat përkrahu po shkonin në një gëzim. Motorrngasësit nuk i vranë në rrugë, ua morën jetën mbi trotuar. Prej shpejtësisë njëri nga garuesit doli nga shtrati i gjërë i rrugës dhe fluturoi mbi to. Vetë u rrokullis në pjerrësitë e buta të dheut buzë Lanës dhe nuk e humbi jetën. Por në këtë segment të superstradës kanë vrarë edhe motorrat e lehtë. Për fat këta jo gjithnjë ta marrin jetën. Ata të lënë invalid për sa vite të kanë mbetur të kalosh mbi këtë botë.
E gjithë kjo nuk ndodh vetëm sepse një shqiptar i hipur mbi një makinë ndihet më i forti i këtij rruzulli. Ai në të vërtetë njëherazi ndihet edhe i dehur nga kënaqësia se ka një makinë dhe për rrjedhojë është më i miri, më i zoti dhe më i mençuri se të gjithë ata që nuk kanë një mjet të tillë. Këto vrasje në mes të metropolit të Tiranës nuk vijnë vetëm nga që në këto vite ka një bum zhvillimi dhe jo përherë ke mundësi ta organizosh atë në mënyrë te tille që të bësh një rrugë para se në atë rrip toke makinat të shtohen dhe të bëhen një tufë e papërmbajtur demash të egërsuar. Këto krime urbane me vrasje nëpërmjet makinës ngjajnë në Tiranë jo vetëm sepse shumë nga patentat akoma jepen «me mik» apo edhe sepse akoma nuk kemi një shtet të fortë e një polici të përzgjedhur e mirëstërvitur. Vrasjet me motorr apo makinë ngjajnë mbi të gjitha për arsyen e thjeshtë e të turpshme se në shoqërinë tonë akoma njeriu nuk përbën gjënë më të çmuar e më të paprekshme. Sepse njeriu njeriut këtu i duket si fill kashte apo bëzhdilë ndodh që pikërisht kur ti e sheh se ke të drejtë të futesh në vijat e bardha e turra e makinave të çakërdisura është larg, shumë nga ata me timon në duar, të dehur nga epërsia e hekurave me katër rrota, në vend që të ngadalësojnë shpejtësinë, e shtojnë përbindshëm atë. Duan patjetër të ta kalojnë, sepse kështu të sfidojnë, të shpërfillin, të ulin, të nënvleftësojnë, të poshtërrojnë. Për ta ti, o kalimtar i thjeshtë, duhet ta dish njëherë e mirë se ata janë « kaluar», kurse ti që ecën nëpër vijat e bardha je thjesht një « kembësor», pra një njeri i dorës së dytë.
Nuk mund të jetë veç një mendësi e tillë përbuzjeje atavike kur sheh se aksidentet e vrasjet më të mëdha me makinë bëhen në rrugëkalimin përballë ministrive të Shendetësisë, asaj të Jashtme dhe të Ekonomisë. Dy apo treqind punonjës të tyre përbëjnë argëtimin e shumë ngasësve. Jo vetëm, edhe pse mbi asfalt ka ca palo vija të bardha, nuk i lenë të kalojnë, por herë pas here gjenden që u hedhin edhe ndonjë romuz. Këta punonjës tashmë nuk kanë më shumë hall ngarkesën profesionale që do të përballin në zyrë, por kapërximin e shtatë-tetë metrave rrugë.
Njeriu shqiptar që duket i vogël dhe i shpërfillshëm përbën kulturë jo vetëm tek ngasësit e makinave vrasëse, por edhe tek pakujdesja e organeve përgjegjëse për të vënë semaforë dhe çdo sinjalistikë tjetër. Tek indiferenca e tyre e tejzgjatur dhe heshtja shumë e çuditshme.
Sa mirë që këto ditë u janë shpërndarë shkollave të Tiranës rreth 25 mijë kopje të librit «Këshilla praktike për përdoruesit e rrugës", ku nxënësve pa makina u mësohet si të njohin dhe respektojnë rregullat e qarkullimit rrugos ! Akoma më mirë do të ishte që jo vetëm të botohet, por edhe të shpërndahet një libër tjetër, ai me titullin e mundshëm «Këshilla si të shpëtosh jetën nga makinat-plumba në Tiranë».


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com