Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiptaret ne boten e çudirave

Korrieri, 5 shtator 2005


SHQIPTARET NE BOTEN E ÇUDIRAVE


Më në fund më 1 shtator u shpallën të 140 deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit Popullor. Gara e hapur elektorale për të marë çertifikatën e mandatimit kishte nisur katër muaj të shkuara, dita e dhënies së votës dy muaj më parë, më 3 korrik, dhe përfundimi i proçesit të numërimit të tyre zgjati plotësisht 60 ditë. Vetëm pas një peripecie të tillë në Shqipëri u hap rruga që njëri ekip qeveritar të tërhiqet nga dhomat me butonat e pushtetit dhe në to të hyjë lirisht qeveria tjetër. Pyetjes “përse kaq gjatë” të gjithë i kanë dhënë përgjigjen e tyre, shpesh të ndihmuar edhe nga analiza të shumta bërë për këtë dukuri specifike. Pra “përse-ja” nuk ka asnjë sekret. Të gjithë e dinë. Të gjithë çuditemi me këtë që bëmë, me këtë që na panë sytë, me këtë që sapo hoqëm qafe. Pas pak kohësh, në mos kanë filluar, do të lulëzojnë barsaletat, skeçet estradeskë, tele e kinokomeditë. Tani që e keqja kaloi na takon të qeshim, madje të shqyhemi gazit, të gajasemi. Më parë e kishim të vështirë këtë shkujdesje, mbanim frymën përditë se mos shtetit tonë të brishtë i ndodhte ndonjë fatkeqësi e madhe. Përreth nëpër botë terrorizmi radikal islamik hidhte bomba nëpër autobuza e metro, tërmetet dhe ciklonet merrnin jetë njerëzish, avionët e pasagjerëve binin nga qielli fare afër nesh, njëzetë kilometra nga Athina dhe po kaq milje nga Palermo. Por tek ne, në Shqipëri, nuk ndodhi asgjë. As bombë, as tërmet, as ciklon, as rënie avioni. Pati një eksitim të krimit të rrugës, por u la të kuptohej se përveç shfrytëzimit që ai po i bënte periudhës së konvaleshencës në ndërrim të dy qeverive, i gjithë bumi ishte pjesë e një cikli të përvitshëm veror, i cili lidhej me ardhjen e përkohshme të dhjetra mijra emigrantëve. Në vend të tërmetit, ciklonit apo ndonjë thatësie na ndodhi një përmbytje e rradhës në qytetin e Lezhës. Ardhja dhe ikja e ujit shkatërrues këtu u hap dhe u mbyll vetëm me lajmin se në ministrinë përkatëse nuk përgjigjej asnjë numër telefoni i “shefave”. U tha po ashtu se në pyje kishim patur gjatë gjithë verës afro 4000 zjarre, por ky doli se nuk përbënte lajm, ndërkohë që disave po u “digjeshin” karrige dhe disa të tjerë për ato karrige po “digjeshin” papushim. Sezoni i stërgjatë i kalimit të kompetencave të pushtetit nga njëra qeveri në tjetrën pati edhe jo pak rradhë të gjata dhe konfuzione në pikat kryesore doganore të ikjes së bashkëkombasve emigrantë, por edhe kjo gjë u përcoll si pjesë rutinë e kronikës. E kishim edhe vjet, edhe më parë, u përgjegj një nga drejtuesit e doganave lokale. Këtë vit jemi më mirë, shtoi ai.
Me një fjalë, sipas të gjithë kësaj logjike, me këtë që na ndodhi, në mos duhet të jemi një popull i lumtur, të paktën kemi lindur me fat. Nuk mbetet gjë tjetër veç të hamendësojmë se ndoshta ajo forcë “hyjnore”, e cila shpërndan hallet tek njerëzit e popujt e botës, kur ka rënë fjala për Shqipërinë, ka thenë pak a shumë kështu: “Boll e kanë fatkeqësinë që i ka zënë, kanë dy muaj që po numërojnë votat”.
Në këtë periudhë puberteti politik dhe social, ekonomik dhe kulturor, sipas të dhënave të shpallura nga INSTAT, Dhoma Kombëtare e Tregëtisë apo Banka Kombëtare, nuk përjetuam asnjë krizë financiare, nuk patëm asnjë lloj inflancioni, asnjë rënie të treguesve të import-eksportit. Edhe rritja e çmimit të një fuçie nafte kaloi mbi kokat tona vetëm me ndonjë paralajmërim të shoferave ndërqytetas dhe të sindikatës së tyre se do ta rritnin çmimin e biletave. Veç këtë gjë do ta bënin jo tani, por pakëz më vonë.
Atëhere pas të gjitha këtyre habereve entuziaste ku gjendej gabimi i klasës sonë politike, i dy partive të mëdha apo i atyre të voglave, i KQZ-së apo i Kolegjit Zgjedhor, i Presidencës apo i Qeverisë, i Kryeministrit në ikje apo i atij në ardhje? Në ajër e në mediat televizive, në faqe gazetash apo nëpër konferenca shtypi u tha dhe u fol për krizë, ndërsa të gjitha shenjat e çudi-mrekullisë shqiptare kallzuan se kapërxyem, duke numëruar votat me nge për dy muaj, një fazë normaliteti. Madje më shumë normale se kurrë. Ky është një paradoks, sigurisht, por a nuk tha një ish-funksionar i lartë i qeverisë rozë se “fitorja më e madhe e Partisë Socialiste ishte humbja në zgjedhjet e 3 korrikut”?
Tek provon këtë habi sigurisht nuk bëhesh aq humorzi apo shpotitës sa të thërrasësh me gëzim “Ah, sikur të kalojmë edhe nja dy muaj të tjerë si këta, pa të shohësh si do t’ja kalojmë në zhvillim edhe vetë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!” Si njerës që jemi, pra si homo sapiens, mënyra më e mirë para këtij paradoksi është të vëmë me sa mundim në lëvizje motorrin e dijes për ta kuptuar atë që na ngjau në mes të ditës dhe në mes të vitit 2005.
Një nga sprovat e shumta të deshifrimit të “mrekullisë shqiptare” do të ishte edhe kjo:
Periudha 3 korrik-1 shtator 2005 mund të jetë dhe është totalisht një anormalitet në raport me standartet e një vendi me demokraci europerëndimore. Por mbetet e nuk është anormalitet për ne, vendin e shqiptarëve. Aspak sepse jemi popull apo vend anormal, por sepse nuk jemi ende një shoqëri aq e zhvilluar sa një simotër në BE. Atje sistemi politik është aq i konsoliduar dhe i tendosur në ekuilibër sa një çbilancim fare i vogël prodhon menjëherë lëkundje të mëdha. Kështu edhe kriza më e vogël ndihet dhe menjëherë korregjohet. Për të ilustruar këtë ide, thjesht jo si dëshmi e dorës së parë por më shumë si kuriozitet, informojmë se para disa ditësh në Itali, duke parë se gjatë 35 viteve të fundit më shumë se pesëmbëdhjetë stina vere kanë qënë të lagështa në periudhën 1-21 gusht, shkencëtarët kanë bërë gati një propozim të ri për vendin. Duke qënë se shumica e italianëve pushimet (deri edhe me mbyllje totale të fabrikave) i kryejnë në këtë periudhë, tani e tutje kjo shumicë mund t’i kryejë pushimet e verës në periudhën 15-31 korrik. Kjo gjetje e re erdhi si pasojë e nevojës që jo vetëm vendasit të gëzojnë pushime më të siguruara me diell, por edhe për të rivendosur gjendjen pozitive në industrinë e madhe të turizmit, të tronditur nga tekat e klimës së re. Mirëpo tek ne sistemi akoma nuk ndjen përmbytjen e Lezhës, jo më të ketë ndjeshmëri çfarë po ndodh nëpër plazhe.
Në vendet ku kanë standarte të larta zhvillimi zbatohet deri edhe kultura e ekuilibrimit të jetës politike apo sociale nëpërmjet shkaktimit të ndërgjegjshëm të krizave korregjuese. Ajo që kaluam në dy muaj ne shqiptarët sigurisht që nuk ishte një mrekulli, kokë e kembë ishte një krizë e provokuar nga mosadministrimi i mirë dhe qytetar prej një pjese të rendësishme të klasës politike të vetë sistemit demokratik pluralist. Ka mbi një dekadë që mbi këtë sistem bëhet presion, me mënyra të forta apo të buta. Duke shkaktuar kriza “të tharta” si në vitin 1997 dhe “të ëmbëla” si në vitin 2005. Veç kjo fjalë, kriza, pothuaj nuk u përmend kurrë këto dy muaj.
Me pamjen e saj “xhentellmene”, kriza që nuk na shkaktoi asnjë hata, përfundoi për fat si një krizë e tipit korregjues. Ka të ngjarë që ajo në këta dy muaj “numurimi votash”, të jetë devijuar nga kursi i saj i shtrembër dhe mirëdrejtuar sadopak. Kjo duhet të ketë ndodhur më shumë pavetëdijshëm se në mënyrë të organizuar e të ndërgjegjshme. Përveç vullnetit pozitiv të disa institucioneve dhe të një pjese të elitës sonë politike autor të parë “mrekullia shqiptare” ka popullin, maturinë dhe atdhedashjen e tij, madje deri edhe me reflekset dhe instiktet e vetmbrojtjes. Në këtë përvetësim pozitiv të negativitetit që kaluam njerëzit e thjeshtë kanë meritë sepse nuk u dekurajuan, por vijuan punën në ekonominë e madhe e të vogël private, studentët dhe nxënësit në testet për shkolla. Emigrantët erdhën sërish me milionat e tyre të eurove dhe i dhanë gjallëri tregut. Media nuk e humbi fillin e optimizmit. Ai “fati” që përmendëm dy herë në këtë shkrim nuk është gjë tjetër veç dëshmi se ne shqiptarët vërtet jemi fort larg nga eurostandartet, por të paktën mund të konsiderohemi popull vital. Përveç një pjese të administratës së lartë që mbeti pjesërisht pezull apo u shtrengua të ulte ritmet e punës, gjithçka tjetër funksionoi. Kurse Policia e Shtetit punoi me sa mundej shumë mirë.
Kështu e kapërxyem (apo “e hodhëm”) periudhën e çuditshme 3 korrik-1 shtator 2005. Duke bërë një “mrekulli”.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com