Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kjo eshte Shqiperia, nipi im!

Korrieri, 25 gusht 2005

Si i shumëve edhe nipi im vocrrak është fëmijë emigrantësh shqiptarë në një vend të Bashkimit Evropian. Ka lindur atje dhe tashmë po mbush katër vite e gjysëm që flet gjuhën e tokës ku një sistem i tërë i kujdesit për nënat shtatzana, krejtësisht gratis dhe me përkushtim dukshëm human, u kujdes të ishte mirë që kur nisi të godiste butaz barkun e nënës së vet, vajzës sime, dhe t’i pushonte shkelmat vetëm kur në dhomën e vogël të prindërve të tij hapej posaçërisht manjetofoni dhe dëgjohej muzikë.
Në këta pak vite të jetës së tij të njomë nipi vogëlushi kishte ardhur në Shqipëri vetëm për pak ditë, duke zbarkuar në aeroportin e Rinasit pothuaj me ngut, më shumë për t’u hedhur në krahë të dy gjyshërve dhe dy gjysheve të tij, të cilët i kishte larg. Pastaj me po aq ngut, për shkak të punëve të prindërve, kishte ikur nëpër qiell, fluturoi si ëngjëll. Në apartamentin e vogël të prindërve të vet emigrantë në atë vendin e zhvilluar të BE-së gjuhën shqipe e kuptonte, por nuk e fliste dot. Nuk e kishin nxjerrë nga kjo gjendje edhe një abetare e dërguar me nxitim dhe alarm nga Tirana. Prandaj në atë qytetin e huaj ku ka lindur dhe në vendin e gjyshërve të vet u vendos që kjo situatë të mos shtyhej më. Engjëlli i katër gjyshërve duhej të mësonte gjuhën e vendit, prej ku nëna dhe babai i tij, thjesht për një jetë më të mirë, kishin kapërxyer kufijtë e ikur.
Këtë plan “konspirativ” e muarën vesh edhe disa qytetarë të atij vendi të përparuar të Bashkimit Evropian, të cilët duke qënë shokë pune të të jatit, ndërhynë urgjentisht që nipi im i vocrak të vinte në Shqipëri për ndoshta një javë, gjithsesi i shoqëruar nga prindërit e vet. Por që të mund të rrinte aty dy-tre muaj, në një vend, sipas tyre akoma të prapambetur dhe me probleme të rendit publik, ata perëndimorët e quajtën një gjë pa kuptim, një veprim të panevojshëm, të organizuar thjesht për romantizëm patriotik. Ca më shumë të habitur ishin që fëmija katër vjeç e gjysëm të gjithë inkursionin po e ndërmerrte për të mësuar gjuhën shqipe. Por për këtë pak gjë, nguli kembë njeri prej tyre, mjaftoni vetë ju të dy, prindërit e tij. E shumta, në s’ja dilni dot vetë, vijoi ai perëndimori, në qytetin tonë pesëmilionësh ka edhe kurse të gjuhës tuaj dhe gjithçka rregullohet pa kapërxyer fushat, malet dhe detin.
Kur këtyre miqve të sinqertë shoku i tyre i punës, babai i nipit tim, u tha se kjo ishte një çështje e mbyllur dhe nuk kthehej mbrapsht, dikush prej tyre, në formë shakaje e miqësisht, shtoi se të paktën fëmija kur të zbriste në aeroportin e Rinasit, sapo të delte tek dera e avionit, të thërriste në gjuhën e vendit ku kishte lindur “Mirdita Afrikë!”
Ja përse këtu, në Shqipëri, gjyshërit e gjyshet e të vogëlit, pasi e kuptuan mire shakanë e atij perëndimorit, gjetën një arsye më shumë për ta nisur e çuar gjer në fund misionin që, bashkë me dhjetra mijra të tjerë bashkëmoshatarë, e kanë nisur prej viteve nentëdhjetë të shekullit të shkuar: t’i mësonin të folurën shqip “mjaltit të mjaltit”. Dikush këtë punë të vyer, aspak më të vogël se të rilindasve tanë të njëqind viteve më parë, e bën me aq sa di, shpesh brenda mureve të shtëpisë ose duke e lënë krijesën e vogël të luajë bashkë me fëmijët e shkallës. Të tjerë, ku kam fat të hyj edhe unë, zgjedhin ndonjë shkollë a kopësht privat. Ne dy gjyshërit e Tiranës që e kishim marë përsipër misionin e shqipnxënies, duke qënë se e kishim mundësinë dhe “kompetencën” për ta realizuar kursin intensiv të gjuhës shqipe, zgjodhëm për nipin kopshtin e shkollën private “Delfinët e vegjël”. Në fund të dy muajve nipi ynë fliste shqip fare serbes, madje edhe me disa shprehje të të folurës “tironçe”. Po ashtu edhe me nëpër të të ndonjë fjale të huaj të vendit, ku ka lindur. Pastaj “kursi intensiv” u vijua edhe me dhjetë ditë pushime në Tushemisht, buzë liqenit të Ohrit, ku vogëlushi i mahnitur u kacavirr zbathur nëpër pemë dhe pa të gjitha “kafshët dhe pemët e pyllit”. Duke filluar nga gomerët e duke përfunduar tek mjellmat e pjergullat me rrush.
E gjithë kjo tablo fort e lumtur u zhvillua pikë për pikë kur tek ne sokëllinte fushata elektorale dhe më pas fishkëlleu “vallen e napoleonit” situata e zvargur paszgjedhore.
Nipi, duke qënë ende tepër i vogël, përveç kendeve të lodrave dhe shëtitjeve, orëve të bukura tek “Delfinët e vegjël” dhe piknikeve të dielave tek “Liqeni”, nuk mori vesh se në Shqipëri po ndodhte edhe një ngjarje tjetër. Dhe kjo nuk ishte një ngjarje dosido, nga ato të rutinës, por një “eveniment”. Lidhej kryekëput me provimin e Shqipërisë nëse ishte apo jo gati të niste rrugën e firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asoccimit me Bashkimin Evropian. Nipi im, edhe sikur të ishte më i madh e të kuptonte ndonjë gjë nga politika, sërish nuk do të shfaqte për buçimën e zgjedhjeve ndonjë interes si ne, shqiptarët që popullojmë Shqipërinë. Ai që kur ka lindur, është në BE. Madje në vendin e tij po bien dakort të gjitha partitë politike dhe drejtuesit e shtetit që të konsiderohet qytetar i atij vendi çdo fëmijë emigranti i lindur aty. Prandaj ai i përket një bote ku kanë parametra të tjera në ushtrimin e politikës dhe në tv me rastin e zgjedhjeve nuk sokëllin njeri.
Kur më në fund ëngjëlli i vogël u ngrit drejt qiellit me një avion të mengjezit dhe pasi bëri një rrotullim mbi Tiranë, mori drejtimin e përtej detit, lumturia e gjyshërve të tij ishte më rrezëllimtare se ai shirit i ndritshëm që aeroplani supersonik linte pas.
Gjyshërit e tij shqiptarë ishin të lumtur edhe për një arsye tjetër: formalisht i kishin dhënë “një mësim të mirë” atij perëndimorit me ndjenjë të lartë humori, i cili e kishte ftuar vogëlushin që tek dera e avionit, sapo të zbriste në Rinas, të thërriste togfjalëshin e xhunglës “Mirëdita Afrikë!” Ata ishin të sigurtë se që prej atij çasti kur e mbajtën pranë për të mësuar shqipen dhe përherë më pas, ndërsa vendi i prindërve dhe i gjyshërve të tij do t’i ndodhë t’i shfaqet nga kuverta e ndonjë trageti apo poshtë krahëve të ndonjë avioni, nipi i shtrenjtë i tyre do të thërrasë çiltërsisht brenda shpirtit të tij “Mirëdita Shqipëri!”
Jemi të qetë për këtë gjë që bëmë. Jemi të ngazëllyer që nipi ynë i vogël iku nga Shqipëria me ndjenjë gëzimi për të. Pra e bëmë mirë patriotin. Kryem një gjest mëmëdhetari. Tani mund të jemi të qetë. I vogëli iku me krenarinë se mësoi shqipen dhe se në vendin e tij shokët e shoqet e kopshtit janë më mbrapa tij se nuk e dinë akoma këtë gjuhë. Madje vogëlushi u kthye në vendlindjen e tij me vendimin se, sapo të takojë një shok të shkallës, do t’i thotë se nuk është as më shumë e as më pak, por “një shqipo” (“Jo gjer kaq”, thirri me shaka e jëma, vajza ime, “sepse kështu do të nisë të vuajë nga kompleksi i klandestinit!”)
Mirëpo, ndërsa avioni linte pas atë shtëllungën e ndritur e të mbushur me diell, unë, gjyshi i “stilit të vjetër”, mora edhe një vendim tjetër: kur të rritet e të kuptojë se si është bota, kam për detyrë t’i shpjegoj me durim se ç’është tamam edhe Shqipëria. Edukata e lumturimit të tij vetëm patriotik për vendin e prindërve dhe gjyshërve të tij do të ishte më e keqe se një propogandë realkomuniste si ajo e tipit të “njeriut të ri” dhe e “kështjellës së pamposhtur”. Do t’i shpjegoj jo vetëm historinë e trazuar si u bëmë shtet apo dy regjimet e famshme të monarkisë dhe komunizmit specifik shqiptar, por veçanërisht pasvitet nentëdhjetë. Çastet ku na e dhanë shansin për të qënë realisht më mirë dhe se disa punë i bëmë bukur dhe të tjerat keq e shumë keq. Do ta sqaroj patjetër nipin tim se vërtet jemi shumë më të mirëqënë se më parë, në diktaturë, porse akoma fatet mbi kokë na rrokullisen bashkë me gjithë të këqijat. Do t’i shpjegoj se kemi të paktën gjashtëdhjetë vite që jeta na ka mbetur tërësisht në duart e politikës dhe të klasës së saj. Se akoma i shohim ata si shenjtorë apo perandorë dhe kemi lënë pas dere njerëzit tanë të shumtë të kulturës dhe të dijeve. Do t’i shpjegoj pa hezitim nipit tim se Lëvizja e Dhjetorit ka qënë një mrekulli dhe se vitet e para të demokracisë na dhanë shpresë të madhe. Pastaj njerës të asaj klase politike që ne i lejojmë të grumbullojnë mbipushtet, nisën të ushtrojnë dhunë e presion mbi shoqërinë, duke provokuar e marë si shpërblim më pas pasojën më të natyrshme të sjelljes së tyre: përgjigjen me të njëjtin mjet. Do ta informoj nipin tim që ka lindur andej e do të jetë qytetar i Bashkimit Evropian, se kjo që ndodhi në vitin 1997 na ktheu aq shumë mbrapsht sa disa gjëra themelore i rinisëm nga fillimi. Do ta sqaroj një ditë nipin e rritur se pas këtij viti të mbrapësht u bënë punë të mira, por shumë shpejt erdhi një ditë kur mbi shoqërinë u shkarkua e u përhap një antikulturë e tërë e korruptimit dhe se në fund të mbretërimit të kësaj periudhe pasbizantine shoqëria ia ktheu përgjigjen korruptuesve duke i lënë vetëm dhe madje edhe të braktisur nga “miqtë e shportës me fiq”.
Do t’i them patjetër nipit tim, kur të rritet, se në fillim të vjeshtës 2005 na u avit një grup i njohur politikanësh, i testuar njëherë, dhe se duam e lutemi që në këtë herë të dytë mos bëjnë faje ndaj Shqipërisë dhe sistemit të shoqërisë së hapur, por të kryejnë punë të sinqertë dhe vetëm gabime pune.
Pastaj do ta informoj si ndodhi në të vërtetë, duke i shpjeguar se për të tretën herë shoqëria shqiptare bëri rregullin e saj: ua ktheu përgjigjen siç u sollën ata me të.
Ja përse, nipi im, nuk është thjesht një slogan patriotizmi anakronik ajo thirrja e bukur “Mirëdita, Shqipëri!” Eshtë e merituar.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com