Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Keshtjella shqiptare e mbrojtjes se ebrenjve

Ushtria, 28 janar 2005

Ndërsa shumë nga vendet më të zhvilluara të kontinentit, duke përkujtuar 27 janarin, 60 vjetorin e çlirimit te kampit nazist te shfarosjes ne Aushvic-Birkinau, kanë problem që popujt e tyre të mos e harrojnë këtë krim të pashembëllt nazist, në Shqipëri rezulton një shqetësim tjetër. Ne duhet të kujtojmë edhe më spikatshëm kontributin tonë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë vende të Perëndimit prej hitlerianëve u ngritën kampe të shumta përqendrimi. I quanin kampe pune, madje mbi portat e tyre hyrëse shkruhej me gërma të mëdha metalike “Puna të bën të lire”. Kurse brenda telave të dyfishtë me gjemba dhe korent i skllavëronin dhe i shfarrosnin. Kampe të tilla nuk kishte vetëm në Poloni, Austri apo Gjermani dhe Francë. Kishte edhe në Hungari apo Jugosllavi. Ndërsa në Shqipëri nuk kishte. Kjo veçansi nuk shpjegohet dot vetëm me pozicionin gjeografik të vendit, rajonin jo fort të qendrueshëm apo trupat ushtarake naziste të shpërndara më shumë në hapësira të tjera të luftës. Apo edhe me mungesën e linjave hekurudhore, famëkeqe në këtë kohë për transportimin drejt kampeve të përqendrimit të qindra mijra çifutëve. Dokumentat që janë zbuluar kohët e fundit në arkivat tona konfirmojnë për një mbrojtje të hapët që në Shq ipëri u kanë bërë ebrenjve jo vetëm populli i thjeshtë, por edhe qeveritë shqiptare të periudhës së pushtimit fashist.
Këtë gjë tashmë nuk e kanë pohuar vetëm organe të ndryshme të shtypit apo ndonjë televizion. Më 26 janar vetë kryeministri i vendit, Fatos Nano, duke takuar për herë të parë në historinë e qeverisjes kombëtare përfaqësuesit e komunitetit çifut në Shqipëri, deklaroi hapët “Nuk ka ndodhur ne ndonje vend tjeter qe Gestapoja naziste ti kerkoje Rajhut te mos i preke hebrejte e nje vendi, sepse qeveria e atij vendi i konsideron hebrejte “Ceshtje te brendshme”. Kjo ka ndodhur vetem me Shqiperine. Qysh ne vitet 1930, shtypi i Perendimit e quante Shqiperine “nje Palestine te dyte”, ndersa te tjere flitnin per “kolonizimin hebraik” te Shqiperise. Nje merite te vecante per instalimin ne diplomacine mbreterore te Shqiperise te nje ndjenje simpatie dhe te nje pergjegjesie mbrojtjeje ndaj hebrejve kane dy ish-ambasadoret respektive te SHBA ne Tirane dhe te Shqiperise ne Eashington: Herman Bernstein dhe Faik Konica”. Në këtë fjalë të Kryeministrit gjendet edhe shprehja “Ne qendrimin ndaj hebrejve shfaqet nje cilesi e etnotipit shqiptar: dhenia e dores se ndihmes ne momentin kritik cilitdo qe gjendet ne rrezik, duke perfshire edhe kundershtarin”.
Mirëpo ne jemi akoma të vonuar e të ngathët për ta bërë sa më shumë të dukshme para botës tolerancën tonë tradicionale, kësaj rradhe edhe nëpërmjet sjelljes shumë miqësore me popullin çifut. Gropa e madhe që na u krijua prej regjimit punist nuk po mbushet dot siç duhet këto pesëmbëdhjetë vite pluralizmi. Gjatë diktaturës u ul dhe u zbeh shumë tradita e trashëguar qeveritare për të popullarizuar ndërkombëtarisht mbrojtjen e hebrenjve. Atëhere disa gjeste në këtë drejtim nuk munguan, porse vetizolimi si edhe kriteret e ashpëra ideologjikë e çensuruan mjaft të vërtetën e ndodhur mrekullisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në atë regjim ndodhte që merita e shqiptarëve për mbrojtjen e hebrenjve nga persekutimi nazist të kufizohej, përshembëll, se për hir të miqësisë komuniste me Palestinën duhej të sfumohej e lihej në harresë, apo cilësuar shtet imperialist Izraeli.
Në ritheksimin e meritës së shqiptarëve për mbrojtjen e çifutëve këto vitet e fundit, përveç medias po e japin edhe disa studjues të historisë. Ndërkaq nuk ka një libër të mirëfilltë ku të dëshmohet kjo vlerë kombëtare, nuk ka një statujë apo çdo formë tjetër evidentimi publik në sheshe, ku këtë të vërtetë ta shohin të gjithë, sidomos të huajt.
Që një nismë parlamentare apo thjesht qeveritare është mjaft e dobishme për ta theksuar kontributin shqiptar mund të argumentohet me mjaft prova. Njërën prej tyre e theksoi Kryeministri, por ajo që më parë është bërë e ditur nga disa studjues. Kjo ka të bëjë me kontributin e kabineteve qeverisëse të kohës, të cilat janë të fajshme për kolaboracionizmin e tyre, por nuk mund t’u mohohet merita se kanë bërë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar nga masakrimi nazist dhjetra familje hebrenjsh.
Një dëshmi tjetër ka të bëjë me përmasat e numurit të hebrenjve që jetuan në Shqipëri dhe të cilët populli e qeveritë e tij i mbrojtën. Sipas drejtorit të Arkivave të Shtetit, dijetarit Shaban Sinani, numri i saktë, i hebrejve të strehuar tek ne gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të jetë rreth 3 mijë. Që të gjithë këta, sipas tij, janë marrë në mbrojtjen e shtetit nga grupimet politike të kohës dhe veçanërisht nga populli i thjeshtë. Shifra prej 3 mijësh nuk është e vogël në një popullsi që atë kohë i avitej vetëm një milionëshit.
Një provë e pakundërshtueshme për të dëshmuar kontributin ndërkombëtar shqiptar ka të bëjë edhe me faktin se tek ne nuk gjendet asnjë shqiptar nga ata që u kompromentuan me pushtuesin e me krime të tij, i cili të ketë lyer duart me gjak me hebrenjtë. Në Ballkan kjo dukuri është një gjë tepër e veçantë për arsyen e thjeshtë se grupime politike apo të armatosura ekstremiste në Serbi dhe Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë luajtur rol të dorës së parë në ndjekjen e çifutëve, zbulimin e vendodhjeve të tyre të fshehta, në kapjen dhe deportimin e tyre në kampet e shumta shfarrosëse në qendër të Evropës. Sot me të drejtë thuhet se shqiptarët nuk i bren ndërgjegjia në këtë gjashtëdhjetë vjetor dhe mund ta përkujtojnë si një popull i qytetëruar dhe fisnik. Nga Tirana me makina apo Durrësi me anije nga kufijtë shqiptarë nuk është nisur drejt Dakaut apo Aushvicit asnjë grup e indivi hebre i kallzuar nga bashkëkombasit.
Këtë realitet nuk mund ta tregojmë duke e kompromentuar me ndonjë shkrim të përsëritur disa herë nga një e përditshme, e cila për t’i shërbyer politikës së ditës dhe luftës së saj të ndërsjelltë tregon se si një komuniste durrsake na ka kallzuar me një letër një familje hebre të fshehur. Edhe në një qytet të jugut mund të ngulet kembë për një çifute që u bë spiune e fashistëve italianë dhe kallzonte komunistët, por kjo nuk ka të bëjë me thelbin e problemit. Shqipëria e vogël dhe vetë në ato çaste të vështira me plot probleme të ekzistencës së saj, u bë kështjella e mbrojtjes së çifutëve.
Saktësisht siç thuhet në kodin tonë kombëtar “miku i mirë në kohë të vështirë”.
Shqiptarët për popullin hebre janë miq të mirë.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com