Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rishfaqja e lumtur e njerezve te karrigeve

Korrieri, 20 prill 2005

Ndërsa çdo ditë fabulës së zgjedhjeve të pritshme po i shtohet nga një rrëfenjë e kapitull i ri, nga një dërgatë ndërkombëtare apo akuzë e ndërsjelltë mes palësh konkuruese, para opinionit po shpalosen edhe listat e para të kandidatëve për deputetë. Asnjë forum i lartë i partive nuk është mbledhur për t’i miratuar, qoftë edhe formalisht, e megjithatë kryetarët po i shpallin njerëzit e tyre para zonave elektorale. Madje një pjesë e kandidatëve e bëjnë të ditur këtë lajm edhe vetë nëpër gazeta. Qoftë kjo një pamje e zakonshme e anarkisë sonë, sepse kështu do të ishte e keqja me e vogël. Ka një shqetësim tjetër që mund të ishte e keqja më e madhe: mos në disa raste ka ngutje për të bërë fakt të kryer posaçërisht disa emra. Këta të favorizuar vijnë nga parti apo krahë të ndryshëm politikë, nga breza të rinj e të vjetër, nga tituj master apo që nuk dinë asnjë gjuhë të huaj, bashkëkombas nga veriu, lindja, jugu apo perëndimi i vendit, që ushtrojnë bisnese apo pisnese, por që të gjithë dallohen për një tipar të përbashkët: janë karrigësa. Pra, janë njerëz që, në kanë bërë ndonjë betejë në jetën e tyre, është ajo që të marrin një post publik të lartë.
Dhe nuk ka rast më të mirë ta rrëmbesh këtë plaçkë tani, kur kryetarët apo një grup i mbyllur rreth tyre rezultojnë se u është rritur ndikimi mes të vetëve aq shumë sa që peshojnë më tepër se e gjithë partia. Gjithashtu nuk ka rast më të volitshëm se ky çast kur vëzhgimet dhe hamendjet rilevojnë se prej dy partive të mëdha do të merren vota gati në mënyrë të barabartë, secila në maksimumin e mundshëm. Se ky është po ashtu një rast i mrekullueshëm për partitëzat që majtas e djathtas ta rrisin çmimin e peshës në tyre reale, duke e bërë çdo gramë të artë në proçesin final se nga cila anë do të anojë më në fund kuporja e balancës së fitimtarit. Njëkohësisht nuk gjendet rast i dytë, i përsëritshëm herë tjetër, kur në konkurencë janë hedhur edhe dy formacione të reja politike, të quajtura Lëvizje, të cilat premtojnë e ndihen shumë të sigurta se me një goditje strategjike do të zhndërrohen këtë verë në shumicë parlamentare dhe në qeverisëse të vendit. Kësaj situate për ata me profesionin “karrigas”, sipas një të folure popullore, i shkon urtësia e përcaktimit “u bë deti kos”.
Janë në ofertë 140 poltrona parlamenti. Tashmë në një Shqipëri me pesëmbëdhjetë vite pluralizëm u kuptua se një kabinet qeveritar nuk mund të ketë më shumë se njëzetë poste ministrash, kurse Kuvendi ka organikë parlamentare sa për të paktën shtatë kabinete qeveritare. Në një Shqipëri tashmë të qendrueshme dhe me rend publik normal, nuk përjetohet ndonjë rrezik e nuk kërkohet ndonjë sakrificë e madhe të merresh me politikë parlamentare, madje edhe në opozitë. Në vitin 2005 deputetët e shumicës apo të pakicës kanë njëlloj zyra, makina, udhëtime e dieta, kontakte ndërkombëtare e gjithfarë lehtësirash e favoresh. Më 1991 nuk shihje në sallën e Kuvendit deputetë me faqe që shkëlqenin nga mirëqënia, Shqipëria ishte tejet e varfër. Edhe më 1992 pamja ishte po e njëjtë. Më 1996 shumë deputetë të pozitës kishin vënë bark, të opozitës mbeteshin akoma “shendetligë”. Më 2001 “shendetligët” e dikurshëm, tashmë në pozitë, kishin faqe llamburitëse. Porse po u mbusheshin pak nga pak faqet edhe deputetëve të opozitës.
Tani, në pranverë të vitit 2005, në rast se fenomenin do ta shihje nëpërmjet “faqeve” apo “barqeve”, nuk do të dalloje dot se cili deputet është në opozitë e kush në pozitë. Madje autorit të këtyre rradhëve, i cili deri tani përdori primitivizmin e analizës së “faqeve llamburitëse”, kjo qetësi mirëqënieje në parlament i pëlqen. Përmirësimi i cilësisë së jetës është rritur edhe për jo pak shqiptarë e nuk ka pse kërkojmë pamje askete deputetësh. Çështja është se stabilizimi i jetës shumëpartiake në Shqipëri dhe zhvillimi ekonomik i vendit, qendrueshmëria e tij e brendshme dhe e vetë rajonit, rruga e nisur drejt eurostandarteve si edhe pasurimi i grupeve apo i shtresave të ndryshme të popullit duhej të na çonte në një zhvillim të ri cilësor të nivelit të përfaqësimit të demokracisë. Në përzgjedhjen e reformatorëve të Shqipërisë, në spikatjen e realizuesve të pasionuar e largpamës të eurointegrimit. Kjo periudhë fatmirësisht e qetë nuk mund e nuk duhej të krijonte iluzionin e komoditetit të rindërtimit të Shqipërisë. Nuk duhej të lehtësonte kaq dukshëm rishfaqjen e lumtur të “brezit të karrigeve”.
Këta të fundit akoma nuk e kanë mbushur vitin e një hovi të ri në zbatimin e teorisë së “luftës së brezave”. “Brezi i karrigeve” i ka shpallur luftë “brezit të rezistencës”. Një pjesë e atyre që ruajtën deri tani jo vetëm identitetin, por edhe vetë ekzistencën e partive të tyre, intelektualë e militantë të vendosur e qendrestarë, me të mbërritur periudha e qetë e hipjes në pushtet apo e afrimit të tij të sigurtë, shpallen masivisht të panevojshëm prej rivalëve të tyre brenda të njëjtës parti. Madje shumica e “brezit të karrigeve” nuk vijnë nga partia, por burojnë e gurgullojnë nga administrata e saj në qeverisje apo nga gjithfarë shoqatash joqeveritare. “Karrigasit” i cilësojnë njerëzit e rezistencës si të paaftë, “xhaketa të vjetra”, figura të konsumuara e kështu me rradhë. Pastrimi prej tyre, purga e madhe, është misioni i të porsaardhurve. Sot të sulmuarit t’u largohen sa më shumë kandidimit për deputetë, nesër posteve ministrore. Prandaj, për të kapluar mbi këto karrige, nderin para faqeve të gazetave apo kamerave televizive titujt master (njëri e kishte marrë me studimin e shtegtimit të fluturave të natës), arritjet ekonomike të sektorit që administrativisht drejton (një lloj shifre afër njëqind për qindëshit, aq sa mund të thuhet se thjesht bëri detyrën). Apo rikthehen si “djem plangprishës” jo nga e kaluara pa sukses e një ish-funksionari të lartë të të djathtëve, por edhe nga dështimi i të qënit po aq funksionar i lartë i të majtëve. Njëri prej këtyre të porsaardhurve thotë se “nuk do të kandidoj si deputet për një, por për disa mandate rradhas”, tjetri është më i drejtpërdrejtë: Në PD nuk u ktheva për të dhënë këshilla, por për t’u bërë deputet.
Njëqind e dyzetë vende parlamentarësh kanë dalë në ofertë në këtë pranverë 2005. Në pritje të elitës së vërtetë të shqiptarëve, njerëz të sprovuar e me përvojë partiake apo qeverisëse, të rinj që japin garanci për të qënë qendrestarë në zbatimin e programeve të formacioneve të tyre politike. Njëqind e dyzetë vende në ofertë, për të cilat, para konkurimit në betejën elektorale, duhej ta kishin bërë këtë konkurencë mjaft rreptësisht brenda partive të tyre. Ky që vjen nuk do të jetë thjesht Kuvendi i socialistëve, demokratikëve, republikanëve, mbretërorëve, socialdemokratëve, por parlamenti i Eurointegrimit.
Në vitet e pasluftës në Shqipëri u bë i përhapur “çoborapushizmi”. Personazhi ishte një krijesë artistike e Dhimitër Shuteriqit dhe mbartëte mesazhin e teprimit të atyre ish-partizanëve, të cilët edhe pas një apo dy dekadash që lufta kishte mbaruar, me meritat e tyre të pjesëmarrjes në repartet partizane kërkonin të siguronin poste të larta në administratën e kohës. Pluralizmi nuk e pati “fat” këtë lloj çoborrapushizmi. Vetëm në vitet 1992-96 u vu re një prirje e politizuar drejt çoborrapushizmit, pati mjaft militantë të shpërblyer me të gjitha llojet e posteve. Më pas për shkak të një politizimi më të pakët dhe të një pragmatizmi ala “kapitalist”, dukuria u fik. Çoborrapushizmi në formën e parë pushoi.
Ai jeton tashmë në formën e re, krejt të kundërt.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com