Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Jepini goje Akademise te flase!

Ballkan,22 korrik 2005

Para pak muajsh Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë botoi fjalorin e parë shpjegues të sinonimeve në gjuhën shqipe. Ky fjalor ishte rezultat i një pune të gjatë e të vështirë e një grupi leksikografësh të njohur, autorë edhe të fjalorëve të gjuhës shqipe në vitet 1980, 1984 dhe 2002. Këta gjuhëtarë quhen Jani Thomaj, Miço Samara, Hajri Shehu dhe Thanas Feka. Kjo kryevepër e Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë së Shqipërisë dhe e katër autorëve të saj përmban 29.000 fjalë dhe ka 1057 faqe.
Kur lajmi i botimit të këtij fjalori u bë publik diçka shkruajtën fare pak të përditshme dhe e hodhën në thesin e kronikës në fund të edicioneve informative një apo dy televizione. Pastaj gjithçka ra në humbellën e zakonshme të rutinës, ku kanë statusin e lajmit të gjitha gjërat, përveç atyre që lidhen me jetën intelektuale shqiptare dhe elitën e saj shkencore. Kjo mënyrë të sjelluri nuk lidhet fort me tranzicionin, në kuptimin se duhet pritur edhe pak vite sa të vijë çasti fatlum që fytyra e shqiptarëve dhe e shtetit të tyre të kthehet e gjitha nga „truri“ i saj. Në historinë tonë ka zënë vend e nuk dëshiron të luajë shpërfillja për elitën e vërtetë, e cila ka patur „fat“ vetëm nëse ka bërë kompromise politike me pushtetarë të kohës. Kjo ka ndodhur, për fat të keq, sepse ne akoma priremi nga respektimi i më të fortit të shoqërisë, jo i më të mënçurit. Kështu futim në „ekskluzive“ vëmendjen për të „fortin“ dhe lëshojmë në gropën e harresës më të diturin. Këtë fat dhe jo tjetër do të kishte edhe fjalori sinomik shqiptar, një dëshmi plot autoritet e identitetit kombëtar shqiptar dhe e nivelit të lartë të gjuhës sonë. Vetë vepra është një kontribut që nuk mund të barazitet as me shtatë kullat që pritet të ngrihen në mes të Tiranës apo me një dyzinë vendimesh të parlamentit shqiptar. Para kësaj kryevepre të diturisë kombëtare edhe një seli partie duket si çikërrimë. Madje një politikan apo shtetar i mënçur këtë rast mund ta kishte shfrytëzuar për të thënë para opinionit se Instituti i sipërcituar, duke punuar gati si një ministri eurointegrimi, kishte plotësuar një nga kushtet më sublime dhe më simbolike të standarteve të Bashkimit Evropian: kishte dëshmuar së thelli se gjuha jonë letrare me pasurinë e saj është në nivelin e simotrave të saj në zemër të kontinentit.
Por kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte si të ngjante. Në BE (duan të na ngulin në kokë) mund të na çojnë vetëm dhe vetëm ata, njerëzit e politikës, ndërsa në të vërtetë, pa mohuar aspak të parët, këtë punë të bukur e fisnike e bëjnë edhe shkencëtarë si Jani Thomaj apo Thamas Feka, si Miço Samara apo Hajri Shehu. Dhe plot të tjerë. E realizojnë edhe institucione dijesh si Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë apo edhe institucioni i saj epror, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Mirëpo të marrësh përsipër të vendosësh në piedestal që të shihet nga të gjithë, qoftë edhe për fare pak çaste, Akademinë, mund të lësh përreth një përshtypje jo fort të mirë. Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë është përherë e qortuar, gjithnjë e kritikuar, jo pak edhe e mohuar. Në thelb furtuna e zëmëratës për të, veçanërisht nga disa publicistë të ditur, nuk ka të bëjë vetëm me strukturën e saj akoma të kohës së regjimit njëpartiak, as vetëm me stilin tejet të mbyllur të punës kërkimore-shkencore, as me mënyrën jo fort efektive të organizimit të institucionit apo me apatinë e saj tradicionale, jo vetëm njëherë duke mbetur edhe jashtë kohës. Në disa raste qortimi që i bëhet publikisht Akademisë nënkupton edhe mungesën e pasionit të këtij institucioni të lartë për të luajtur rol të rëndësishëm protagonist në shoqërinë shqiptare, e cila po kalon një tranzicion të vështirë.
Problemi është kompleks, në kritikat mund të ketë edhe teprime, siç ka edhe jo pak të vërteta. Gjatë periudhës së realkomunizmit Akademia kishte nën udhëheqjen e saj shkencore 25 institute, tani në varësi profesionale veprojnë 13 institute. Mes tyre edhe Instituti i Historisë, ai i Kulturës Popullore, Instituti i Arkeologjisë, ai i Studimeve Gjeografike, Qendra e Studimeve për Artin dhe ajo e Informatikës dhe Matematikës së Zbatuar, qendra kërkimore të Fizikës Bërthamore, të Sismologjisë apo Kërkimeve Biologjike, Qendra e Fjalorëve Enciklopedikë apo e Kërkimeve Ujore. Kështu e gjithë kjo grehinë të krijon përshtypjen e një megastrukture të ngritur posaçërisht për të qënë „koka prej kuarci“ e mendimit kërkimor-shkencor shqiptar, sonda që depërton e teston çdo hap të terrenit, ku shoqëria shqiptare më pas do të hedhë hapin e sigurtë të përparimit.
Kjo është dukja, po ashtu edhe dëshira. Mirëpo në internet gjendet një nga enciklopeditë më të klikuara on line në botë, e cila quhet Wikipedia. Aty për Akademinë e Shkencave ka vetëm një rresht („Akademia e Shkencave u hap në vitin 1972”) dhe më pas, një rradhë më poshtë, lutet që t’i sjellin informacion për ta mbushur, sepse nuk ka. Duke mbetur prej vitesh bosh, Wikipedia ose siç quhet Enciklopedia e Lirë, këtë zë, “Akademia e Shkencave e Shqipërisë”, e kategorizon në llojin “cung”. Pra vetëm të krahasueshëm me një cop trungu e prerë gjer afër rrënjëve.
Patjetër që kjo Akademi dhe të gjithë institutet e saj nuk janë realisht cungje. Shëmbëllin e botimit të fjalorit sinonimik e cituam që në fillim të shkrimit për të dëshmuar edhe të kundërtën. Siç me të njëjtin qëllim simbolik rreshtuam edhe kritikat publike që i bëhen në mënyrë të vazhdueshme kësaj Akademie. Trembëdhjetë institutet dhe Akademia e Shkencave janë jo vetëm një konvejer i madh i punës studimore, por edhe një thesar kombëtar. Organizuar mirë, mjaftueshëm apo keq, çështje që u takon më të informuarve me struktura të tilla, “të katërmbëdhjetët” janë të mbushur me dijetarë e njerëz seriozë. Nipi apo mbesa, militanti apo partiaku i mitingjeve depërtojnë pothuaj kudo, por më pak se kudo në këto qendra shkencore. Nisur nga ky realitet, por edhe nga nevoja e ditës, një qortim shoqëror mund të bëhet i sigurtë ndaj dijetarëve tanë që paguhen nga Shteti, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Ata duhet të dalin nga apatia e tyre shoqërore. Të shpëtojnë institucionet e tyre, të shpëtojnë veten, të na shpëtojnë edhe ne. Me këtë dalje apo shfaqje para opinionit nuk e kemi fjalën t’i shtrengojmë dijetarët tanë të braktisin sallat e bibliotekave apo tavolinat e tyre të punës, përkundrazi. Të rrinë edhe më fort pas studimit. Profesioni i tyre kërkon kohë e durim, lyp shpesh edhe punë në heshtje. Mirëpo duke e respektuar këtë “heshtje” që është brenda punës së shkencëtarit, duke e mirëkuptuar qendrimin larg vëmendjes së medias dhe opinionit, ka ardhur çasti që ata të shfaqen dukshëm edhe në faqe gazetash apo në ekrane televizive. Në rast se disa publicistë që zotërojnë njohuri të mjaftueshme për fusha të ndryshme të shkencave, marrin pjesë energjikisht në shtypin e ditës, kjo nuk e bën të paarsyeshëm mosprotagonizmin e dijetarëve dhe punonjësve të Akademisë dhe instituteve të saj. Shkencëtari vërtet nuk prodhon lajme dhe as komenton kronikën politike të ditës, mirëpo Shqipëria po kalon shumë probleme të fazës kalimtare drejt shoqërisë së hapur dhe ka përpara një grumbull e kapicë vështirësish sidomos në aksionin jetik të përmbushjes së standarteve të proçesit të eurointegrimit. Akademia mund të qartësojë me dijetarët e saj shumë errësirë e paqartësi. Ajo njeh shumë mirë historinë e kombit tonë, të metat e virtutet kombëtare, njerëzit e dijes dhe të politikës, epokat e ndritura dhe të terrta, raportet me fqinjët apo pasuritë e shpirtit e të tokës arbërore. Punonjësit e saj dinë shumë, ata janë ndër të paktët që përditë mësojnë gjëra të reja dhe të gjitha këto mund të na i rrëfejnë bukur nëpër biseda apo debate televizive. Në disa nga ekranet tona shpjegohet më lehtësisht si gatuhet patllixhani, bëhet kokteji, hiqet vetulla apo çqimëzohet sqetulla, se sa ftohet një dijetar. Po bëhet paragjykim ideja se këta nuk përbëjnë interes për shikuesin, ndërsa me siguri është e kundërta. Shfaqja e tyre sa më e shpejtë do ta gëzojë shoqërinë shqiptare, do ta inkurajojë dhe ndriçojë atë.
Kështu shkundet pak nga rutina edhe Akademia e Shkencave, edhe media. Shkundemi edhe ne, të gjithë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com