Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUÇI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Verferimi qe po vjen majtas

Sot, 13 dhjetor 2003

Kongresi rozë i mbylli punimet në një mënyrë dhe me vendime që kjo bashkësi e quajti të arsyeshme. Dhe më në fund të dërguarit e bazës entuziaste u rikthyen në terrenet e tyre, u rimbartën në vendet e punës edhe delegatët e kryeqytetit. Në të dy ditët e zhvillimit të kësaj ngjarjeje të rendësishme të shoqërisë shqiptare, nga çasti i çeljes së punimeve dhe deri në minutat mbyllëse, shumëkush nuk ndërhyri për të bërë trysni së jashtmi, pati vetëm një reagim të ashpër të kryetarit të opozitës më të madhe, disa komente analistësh dhe përgjithësisht prani intensive e të ekuIlibruar të medias për ta pasqyruar ngjarjen sa më gjerësisht.
Besojmë se tani pa shkelur asnjë rregull etik, por edhe administrativ, mund të shprehemi të gjithë. Autori i këtyre rradhëve përzgjodhi si temë atë që i duket më jetikja për një nënshtetas dhe nëpunës, shërbyes i Shtetit të vet. Kongresi socialist ishte kuvendi i qeverisësve aktualë dhe mes të qeverisurit, një nga të cilët në rastin konkret është bërësi i këtij shkrimi, dhe qeverisësve është e nevojshme të ketë një dialog të hapur. Mbi të gjitha për çështjet që i shërbejnë një jete më të mirë të shqiptarëve, por sidomos mbi pagat apo pensionet që marrim. Togfjalëshi “buka e gojës” u përdor shumë gjatë debatit të konkurentëve rozë, duke patur parasysh njerëz që nuk vuanin “për një kafshatë”, pra që jetonin modestisht, por të tillë që “kafshonin” tendera e poste doganash.
Një parti e majtë bashkëkohore, duke qënë kryesisht mbrojtëse e shtresave popullore më të dobëta, gjatë mandatit të vet punon në mënyrë të programuar të marrë masa në favor të tyre. Këtu nuk është fjala për të cituar kategoritë sociale tashmë anakronike “punëtorë” dhe “fshatarë” apo shprehur mosbesim e shpërfillje ideologjike për bisnesmenët. Në partitë e sotme moderne konturet tradicionale të së majtës dhe të djathtës nuk janë fort të prera dhe ato ndërthuren. Sidoqoftë në parim të gjitha llojet e tipet e partive demokratike kanë ndjeshmërinë që zhvillimet në ekonomi dhe reformat në të të mos veprojnë në dëm të shtresave që i mbështetësin. Interesat ekonomike e lëvizin politikën jo vetëm për ushtruesit e kësaj të fundit, por edhe për vetë njerëzit e thjeshtë. Nga ky rregull nuk mund të përjashtohen edhe shqiptarët, populli që nuk ka sindikata për të mbrojtur të drejtat e veta ekonomike. Populli që e mirëkupton se tranzitimi i Shqipërisë nga diktatura në shoqërinë e hapur të ekonomisë së tregut ka bërë e do të shtrengojë të bëjë që një parti e djathtë si PD të merrte dje e të marrë nesër masa tradicionalisht të majta dhe një formacion politik i majtë si PS të zbatojë aktualisht masa po aq tradicionalisht të njohura si të djathta. Të veçojmë, përshembëll, çështjen Albtelekom. Kjo sipërmarrje shtetërore është e detyruar të rrisë tarifat e saj të pajtimit dhe të bisedave brendaurbane, sepse dukshëm ishin të ulëta. Ajo që me këtë rast refuzohet është jo vetëm stili i mungesës së transparencës gjersa superndërmarrjen shtetërore të telekomunikimit e shkundi protesta e një shoqate konsumatorësh, lëvizja “Mjaft” apo Avokati i Popullit. Refuzohet dhe nuk mund të pranohet përmasa e rritjeve të tarifave. Në ngjarjen e ndodhur bash në prag të Kongresit të 6-të të Partisë Socialiste jo vetëm ka rendim të të ardhurave të pasigurta dhe të vogla të shumicës së popullsisë (250 mijë abonentë janë të paktën një milion shqiptarë), por edhe një pandjeshmëri të dukshme të partisë në pushtet ndaj gjestit ekonomik shtrengues të një ndërmarrjeje që administrohet nga qeveria e saj. Masa rënduese ekonomike e Albtelekomit për njerëzit e thjeshtë për ditë me rradhë nuk u kundërshtua, koregjua apo denoncua nga asnjë përfaqësues, zyrë apo strukturë e partisë rozë. Përveç donjë prej rivalëve për kryetar partie i PS-së. Kjo sy e veshmbyllje për të mbrojtur popullin është jashtë logjikës programore dhe madje vetë identitetit të së majtës.
Por ky do të ishte një gabim kalimtar apo i rastësishëm, lehtësisht i korregjueshëm, nëse do të ndodhte të regjistrohej si i vetmi. Veç nuk është kështu. Saktësisht në prag të Kongresit të 6-të u shpall një shtrenjtim tjetër masiv, tashmë pa përjashtim i të gjithë popullit. KESH, superndërmarrja tjetër shtetërore, njoftoi rritje deri në 20 përqind të faturave familjare dhe ulje të tavanit në një të tretën e masës ekzistuese, e rrëzoi në 220 kw. Këtë gjest korporata të paktën po e konsulton me konsumatorët, por që në fund të fundit gjithçka do të përfundojë në një ngritje të re të çmimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë socialistët dhe qeveria e tyre premtuan këtë vit një rritje modeste të rrogave të pjesës më të madhe të punonjësve të paguar tradicionalisht nga shteti, të të quajturve “buxhetorë”. Edhe pse kjo rritje e premtuar për shumicën po ndodh të harrojë padrejtësisht deri edhe specialistët e thjeshtë e të keqpaguar të vetë strukturave qeverisëse (Ministrive etj), zvarritja dhe vonesa e saj për të tjerët vijon nga muaji në muaj. Çdo qeveri në një vend normal mund t’i paguajë shumë më pak se një strukturë private punonjësit e vet, por është e detyruar çdo vit, thjesht për të përballuar inflancionin dhe mbajtur në vend rrogat, të bëjë një “rritje” në përmasën 5-6 përqind. Ngritja e vërtetë e pagave, nëqoftëse duhet të emërtohet ndershëm si rritje, nis me shifrat mbi inflancionin vjetor. Partia që këto ditë mbylli kongresin e saj të rradhës duhej të bënte presion korregjues mbi qeverinë e saj për faktin që vetëm prej inflancionit e pa llogaritur rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit ajo e varfëron çdo vit gjashtë pikë punonjësin e saj. Por ajo çuditërisht ka shkuar edhe më tej, jo vetëm me dy aksionet e saj parakongresuale të jetështrenjtimit të KESH dhe Albtelekom (të cilat gjithsesi mund të tolerohen për shkak të nevojës së detyruar të reformimit me standartet e BE-së), por edhe me veprime të tjera të po këtyre përmasave sociale. Tutelimi nga të quajturat “reforma e pensioneve” (dalja nga puna për meshkujt në moshën 65 vjeç dhe femrat në 60) në të gjitha partitë e majta të vendeve të pasura europerëndimore përbën akoma themelin e programit dhe të aksionit të tyre mbrojtës, kurse në Shqipërinë ende të varfër një simbiozë e saj hipokrite u zbatua menjëherë dhe pa dridhje zemre nga vetë koalicioni i majtë në pushtet. Po t’i shtojmë kësaj gjendjeje edhe mungesën e patolerueshme të mosreformimit të sistemit shendetësor, në karakatinën teknologjike dhe gjiratoren korruptive të të cilit jo vetëm arka e shtetit, por edhe buxheti i vogël i të gjithë shqiptarëve humbet dhjetra mijra miliarda lekë, situata e varfërimit të njerëzve të thjeshtë prej disa masave jopopullore të të majtëve bëhet edhe më shqetësuese. Në rast se për disa shtresa ky varfërim nuk duket, madje konstatohet prosperitet në rritje, kjo është meritë e punës së tyre vetiake.
Po t’i bashkëngjisim kësaj gjendjeje edhe kolerën që ka plasur mes disa strukturave të arsimimit shqiptar për të gjallëruar ekonominë e zezë të gjoja kurseve jashtë klase për pothuaj të gjitha lendët e provimet që jepen në shkollat tona publike, mund të merret me mend se sa “bukë goje” humbasin dhjetra mijra nga bashkëqytetarët tanë në këtë humbellë të madhe të re zhvatëse.
Duke e lënë mënjanë në këtë llogaritje të thjeshtë të firimit të xhepit të shqiptarëve çështjen e punësimit (në tranzicion më e shumta ndodh që për shumë kohë proçesi i rritjes së vendeve të punës të jetë i pasigurtë), reformimi i sistemit të shendetësisë, arsimit, pensioneve dhe pagave përbën të gjithë bazën e të qënit i majtë për një formacion politik.
Po luftojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian, askush nuk është kundër këtij kursi të palëkundur kombëtar, për këtë sipërmarrje klasa jonë politike dhe ca më shumë qeveria duhet të rrethohen me mbështetje. Por nuk mund të përkrahet logjika e atij nëpunësit të lartë të Albtelekomit që u përpoq t’u mbushte mendjen shqiptarëve se rritja aq e vrulltë e tarifave telefonike ishte “këshillë e BE-së”. Ka qënë në kohën e vet përtej demagogjisë edhe deklarata se përbënte një parametër përparësor të plotësimit të standarteve të hyrjes në Bashkimin Evropian ngritja e moshës së daljes në pension apo orari i zgjatur i zyrtar (gjer në ora 20.00!?) i nëpunësve.
Në Bruksel, kur flasin për realizimin e reformave në Shqipëri, të paktën kanë parasysh që shqiptarëve, më parë se t’u rriten njëherësh e me një frymë tarifat e shërbimeve esenciale për t’iu afruar atyre të komunitetit evropian, duhet, në pamundësi t’u lirohet, të mos u shtrenjtohet jeta. Do të ishte jo vetëm një paradoks, por edhe bumerang për BE-në, po qe se përkëtej Adriatikut, tek njerëzit e thjeshtë shqiptarë, do të krijohej përshtypja se rruga drejt Brukselit do të kalonte edhe nëpërmjet varfërimit.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com