Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dora e nderur e policit apo shenjat e semaforit?

Botuar ne 20 mars 2004

Në një ndër udhëkryqet më të mëdha të Tiranës e padyshim edhe të Shqipërisë, ai pranë godinave kryesore institucionale të Shtetit, për të orientuar lumin e madh të makinave dhe dallgët e papushimta të njerëzve funksionojnë me ritëm të plotë në të njëjtën kohë kompleksi i semaforëve dhe policët urbanë. Duke qënë se dalngadalë po shkojmë drejt një shoqërie moderne me jetë intensive e gjithë gjindja e hekurave të mjeteve dhe e personave të gjallë duhet të respektojë në lëvizjen e vet tre shenjat e semaforit: kuq, portokalli, jeshile. Tërësisht të mjaftueshme për të realizuar një rregull të plotë e të paanshëm për të gjithë. Mirëpo këtu rrinë edhe policët urbane, të cilët janë vendosur si edhe në shumë udhëkryqe të tjera të metropolit të madh shqiptar. Kur u shpall ky mobilizim i dhjetra e dhjetrave prej tyre u bë fjalë se mbi të gjitha ata ishin ngarkuar me misionin e edukimit të kalimtarëve dhe të shoferave të makinave me respektimin e semaforëve të rinj të porsamontuar. Që prej atij çasti pedagogjik, shumë të nevojshëm, ka kaluar një vit dhe po të shohësh me kujdes në mjaft nga udhëkryqet e vegjël, ku nuk ka policë rrugorë, shoferët dhe njerëzit arrijnë ta disiplinojnë lëvizjen e tyre vetëm me semaforët. Ndonjëherë mjaft mirë, duke provuar se në thelbin e tyre shqiptarët dinë të zgjedhin më mirë rregullin se sa anarkinë. Do të ndodhte e njëjta gjë edhe me udhëkryqet e mëdha e komplekse, ku polici urban duhet të jetë i pranishëm, por jo si një “semafor” i dytë. I futur në një kabinë gjysëm të xhamtë në skajin e njërit prej trotuareve që kontrollojnë lëvizjen. Jo në mes të udhëkryqit sepse ata punonjës policie i mbyti zmogu dhe pluhuri, duke i bërë ndër më të rrezikuarit nga infeksionet e sëmundjet kancerogjene. Veç teknikisht ky bashkëkombas i nderuar me uniformë nuk mund të jetë organizatori i trafikut. Detyra e tij në këtë proçes të madh edukimi me bashkëjetesën e dendur urbane është të qënit kontrollor i rreptë i respektimit të qarkullimit. Nuk ndodh vetëm njëherë që polici i trafikut, i vetëbërë semafor, nder dorën e jep shenjën e lëvizjes së lumit të makinave kur semafori i vërtetë nuk ka ndezur akoma dritën e kuqe. Ose komandon blokimin e një krahu të lëvizjes kur semafori e lejon.
Duke e mirëkuptuar emergjencën për të ndërhyrë kur rregulli i qarkullimit të trafikut prishet, nuk mund të japësh konsens kur atë e prish vetë punonjësi i policisë urbane. Tashmë me dhjetra herë brenda një ore mund të bëhesh dëshmitar se si shoferët e makinave (për qarkullimin e njerëzve pothuaj nuk e çan kokën askush) orientohen jo nga semafori, por nga dora e policit. Kur semafori u çel rrugë me të kuqen ata, në pritje të dorës së njeriut me uniformë, kur ku vonon, i bien fort burive që të kujtohet t’u japë shenjë. Kështu ndodh çedukimi i shprehive të marra më parë dhe humbet shpresa se një ditë do të ndodhë të lëvizim në këtë vend jo nga dëshira e një personi, qoftë ky edhe një punonjës i devotshëm, por nga mekanizma që sigurojnë paanshmëri dhe maksimalisht pandikim.
Në të vërtetë, duke i lënë policët e thjeshtë urbanë në punën e tyre të mundimshme, nga dilema “Dora e policit apo shenjat e semaforit?” vuan dukshëm e gjithë shoqëria shqiptare. Për një shoqëri, e cila synon të mbetet e kompaktësuar në një formë të qytetëruar, simbolikisht semafor ka Ligjin. Nuk mund të ketë Individin. Edhe kur ky gjendet në pushtet, i ngarkuar me konsensus të shumicës dhe i përzgjedhur legalisht për ta drejtuar këtë shoqëri drejt një niveli më të lartë zhvillimi. Mirëpo individët e fortë, ca më shumë në Shqipëri, ku ne vuajmë jo pak nga dëshira për protagonizëm (pra për t’u ndjerë), çështja e fetishizimit të rolit të njëshit përbën historikisht një problem të mprehtë. Në rast se kameleonë apo sharlatanë, njerëz destruktivë, të shitshëm apo mercenarë kemi në përmasën e një mezatareje tipike rajonale, të zellshëm për protagonizëm kemi disa herë mbi çdo kuotë mezatare të gadishullit e kontinentit. Jo vetëm në fushën e politikës ku dominimi i klasës së saj mbi shoqërinë ndihet dukshëm dhe përbën devijim nga normat më elementare të një shoqërie të rregulluar nga e drejta, por edhe në fushën e medias apo edhe të biznesit. Vetëm ditët e fundit një bisnesmen i sukseshëm dhe me media të kualifikuar, në një debat me një përfaqësues të respektuar të një vendi shumë mik, e ushtroi protagonizmin alashqiptar me një “mos më ça b…”. Në ciklin aktiv të protestës qytetare të MJAFT dhe ZMQ në mobilizimet e tyre të fundit, mjaft të dobishme për emancipimin tonë shoqëror, gjen shpesh edhe përshfaqje të thekshme të protagonizmit individual. Njëri drejtues e përdor ironinë nxitëse gjer në tallje fyese e tjetri nuk e përmban vetëndjerjen edhe si politikan. Ky intensitet i lartë protagonistësh që depërtojnë pak apo shumë në territoret e të drejtat e të tjerëve, duke mos manifestuar kulturën e rregullit, në thelb përhapin edhe mentalitetin e mosbatimit të ligjit. Implikimi që Shqipëria pati me zgjedhjet e fundit lokale, ku iu ricënua imazhi i dëshirës për të kryer zgjedhje të pakontestueshme, erdhi prej tejkalimit të protagonizmit sidomos nga strukturat partiake të dy formacioneve më të mëdha të vendit. Ajo historia e listave të paplota të zgjedhësve nuk ishte tentativë për vjedhje. Edhe hajdutët më të rendomtë të rrugëve e jo më “profesionistët”, nuk mund të përvetësonin vota në atë mënyrë ku i gjithë mileti u bë dëshmitar. Incidenti i fundit, i cili për qëllime lufte të brendshme politike u denoncua padrejtësisht në qarqet me të autoriteshme të Bashkimit Evropian si vjedhje e organizuar elektorale, vetëm e tillë nuk ishte. Erdhi vetëm e thjesht nga kultura e “dorës së nderur të policit”. Mungesës së kulturës së ligjit, me këtë rast defekt i shtrirë plotfuqishmërie që nga shërbimet tona të gjendjes civile e deri tek komisionet elektorale të partive.
Ideja apo edhe hamendja se kjo mendësi e mosrespektimit të “semaforit” përbën një të metë kombëtare të shqiptarëve nuk duket e saktë. Kur elitat tona qeverisëse kanë arritur të përpilojnë ligje të drejta dhe kanë kërkuar zbatimin e ligjit bashkëkombasit tanë janë ndjerë të predispozuar të orientohen nga rregulli. Kultura e ligjit, edhe pse jemi shtet i vonë, ka qënë e dukshme që me qeveritë e para të viteve njëzetë. Ndoshta ka pak humor ky shembull që po sjellim, por dëshirë rregulli e dëshmon: që në vitin 1921 ne kemi patur deri edhe ligj për shtëpitë publike. Monarkia zogiste nuk e përdorte më pak ligjin, Regjimi enverist, sistemi me më shumë “dorë të nderur polici”, të paktën formalisht shfaqi kulturë ligjshmërie kur e shpalli me kushtetutë sistemin e tij të “diktaturës së proletariatit”. Në ditët e sotme, ku që pas vitit 91, po pajisemi intensivisht me ligjet më të përparuara të bashkësisë evropiane, nuk ka më pak gatishmëri të shoqërisë për t’i zbatuar. Edhe pse në pamje të parë duket sikur ka shumë herezi ndaj ligjit. Në këtë sistem që po tentojmë, Ligji është dhe mbetet rregullatori i vetëm i perspektivës tonë. Nuk është aspak ky apo ai individ, kjo apo ajo parti.
Ja përse si në rastin konkret të rregullimit të qarkullimit në udhëkryqet e metropolit tiranas, ku drejtuesit e mjeteve e respektojnë semaforin më mirë kur polici i trafikut nuk u ndërhyn, edhe për shoqërinë shqiptare do të mjaftonte e njëjta gjë. Vërtet pushtetushtruesit tanë do të ndiheshin më pak të rendësishëm se Ligji, por kjo nuk do të ishte nënvleftësim ndaj tyre. Ata dihet që janë shumë të nevojshëm.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com