Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Levizja qytetare ne rruge te hapet

Dita, 19 gusht 2004

Ndërsa interesimi i opinionit po rritet drejt lëvizjeve të reja që po marrin formë në politikë, vëmendja për ç’ka ndodh mes protagonistëve të lëvizjeve qytetare po shenon zbehje. Tanimë më tërheqëse janë manovrimet e LZHK-së së drejtuar nga Leka Zogu dhe ato të LSI-së së prirë nga Ilir Meta. Edhe pse që të dyja konkurueset e reja të politikës shqiptare e kanë zgjedhur fjalën Lëvizje jo pak të ngacmuara nga fantazia e furia e paradokohshme e lëvizjeve qytetare, në këtë pragvjeshtë ato janë në revansh. Loja e pritshme e këtyre dy risive politike mund të ndikojë në ndonjë zhvillim të ri në vend, madje edhe para zhvillimit të zgjedhjeve të rradhës. Duke qënë se njerëzit priren nga rezultatet dhe jo nga të mbeturit duarbosh, LZHK dhe LSI janë në një farë mënyre spektaklet, befasitë apo “star”-et e muajve të ardhshëm.
Kjo situatë e re mund t’i ketë vënë në rrethana jo të favorshme, madje edhe në ndonjë vështirësi, dy partitë e mëdha si edhe disa aleatë të tyre. Porse PS dhe PD kanë mjaft përvojë protagonizmi, shtresa të gjëra dhe grupe drejtuesish të tyre që nuk i bëjnë të dalin asnjë çast nga vëmendja e opinionit. Ato që rrezikohen nga ky trazim i ri i skenës së politikës janë të tjerë. Janë ata të Lëvizjeve Qytetare. Polet që ishin “star-e” disa muaj më parë, kurse tani nuk janë të plogëtuara vetëm nga sezoni i pushimeve të verës. Këto pothuajse muarrën fund, ndërsa “kriza” e tyre e mbetjes mbrapa kishte nisur pa dalë pranvera. Në shtator e tetor ato do të kenë një terren më të lodhshëm për të garuar e spikatur. Sidomos patur ndonjë rezultat konkret.
Në një panoramë të përgjithshme lëvizjet qytetare në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij që po kapërxejmë (kryesisht MJAFT dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve) si edhe formatizimi gradual i dy lëvizjeve politike (LZHK dhe LSI) dëshmojnë një gjallërim të shoqërisë sonë, një funksionim përgjithësisht normal të pluralizmit shqiptar. Mjetet me të cilat po realizohet konkurenca mes tyre përherë e më shumë jo vetëm janë paqësore, por edhe të rafinuara demokratikisht. Një Shqipëri e vitit 2004 duket qartësisht më e emancipuar se ajo e një viti më parë, ndërsa një krahasim me vitet 1996-97 do të dukej i largët si në një konstelacion jashtë sistemit diellor. Politikisht dhe qytetërisht viti 2004 është më i përparuar se edhe vetë vitet 1990-91, periudha fatlume ku hodhën rrënjë shoqëria e hapur shqiptare.
Duke e vlerësuar këtë gjendje si një përshkallëzim pozitiv të kulturës demokratike disa prirje anësore të saj mund të vrojtohen e mirëkontrollohen më kujdesshëm. Sepse mund të ndodhë që edhe dukuria e re inkurajuese e pasurimit të jetës shoqërore shqiptare me ekzekutuesë më të emancipuar të humbasë kohë në ndonjë spërdredhje e shteg të panevojshëm.
Një e tillë humbelle na duket përdorimi nga lëvizjet qytetare i modelit politik të ushtrimit të veprimtarisë. Të dalë nga një gjysmë shekull monist, ku politika dhe derivatet e saj përbënin formën e vetme të përdorimit të pushtetit publik për ndryshimin e shoqërisë, vetkuptohet një inerci e gjatë ndikimi e saj edhe tani. Rendësi ka që masivisht është kuptuar se as modeli zogist dhe as ai punist nuk mund të shërbejnë më si shembuj. As si përvoja. Mirëpo ndërsa këto dy modele janë tepër larg nga zhvillimet e hovta globale të këtij dymijëvjeçari, disa nga partitë politike shqiptare ende vuajnë nga sindromat e tyre modeleve. Detyrimisht duke ushtruar politikë ato janë më të prirura për këtë ndikim, porse lëvizjet qytetare janë më të imunizuara. Modelet e tyre, duke mos ekzistuar më parë në terrenin shqiptar, vijnë të gjitha nga Perëndimi. Aksionet e këtyre lëvizjeve civile në fund të vitit 2003 dhe përgjatë muajve të parë të 2004-ës, të renë e kishin në surprisën e mosndjekjes së asnjë modeli apo krahu politik vendas. Mjetet gjithashtu i kishin jashtë rutinës së mëparshme. Ndërsa konkurenca dhe ballafaqimi politik kishte mbërritur nga greva e urisë deri tek rrahja dhe burgosja e kundërshtarëve politikë, tek ndarja e armëve në parti dhe bashkëpunimi me gjithfarë çetash me kallashë, tek presioni ndaj rivalëve me vetëm gjoba të renda apo edhe me qirinj të ndezur në Kuvend apo në protesta paqësore, mjetet e lëvizjeve qytetare ishin shumë më të larme. Plot fantazi, tepër mbresëlënëse, mjaft goditëse e plot imazh modern. Duke qënë origjinale dhe fort tërheqëse nga moshat e reja ato zotëruan shumë shpejt autoritet tek gjenerata e re. Në thelb në garën me partitë politike për brezin e ri lëvizjet qytetare edhe tani duken superiore, porse terrenin po e humbasin në segmentet e tjera të shoqërisë. Ndërsa formacionet politike, tashmë të gjallëruara edhe nga lojtarët e rinj, po hyjnë në betejën e zgjedhjeve të pritshme, hapësira për lëvizjet qytetare ngushtohet. Madje edhe vetngushtohet. Vetëkufizohet nga një prirje e këtyre të fundit për t’u sjellë si parti politike.
Këtu nuk është fjala se drejtuesë të tyre gjithnjë e më shpesh po e ndjejnë veten të vlerësuar nga qarqe politike thellësisht opozitare me kabinetin qeveritar aktual apo edhe me partitë që e përbëjnë atë. Çdo opozitë do të vepronte saktësisht kështu: do të zgjeronte frontin e saj të konsensusit. Sjellja si parti politike nuk bie edhe aq fort në sy për shkakun se krerët e tyre po japin intervista të shpeshta në mediat më të spikatura me qendrime politikisht opozitare. As se pyetjeve nëse një ditë do të zbresin në politikë e zhndërrohen në ushtruesë të saj u përgjigjen me një nënkuptim që shtegun e lënë të hapur. Sjellja si parti për një lëvizje qytetare është doktrinimi nga mendësia e saj. Mentaliteti e rregulli i një garimi politik, mes të tjerash, është të qënit opozitë politike. Një parti në një periudhë të tillë nuk mund të veprojë ndryshe veç të diktojë e denoncojë gabimet e rivales në pushtet. Duke e bërë këtë punë bezdidëse ditë për ditë, shpesh edhe në mënyrë joracionale. Gjithnjë duke e demonizuar kundërshtarin, duke e bërë katran të zi. Duke mos bërë zë e duke heshtur qëllimisht për arritjet e qeverisë kundërshtare. Si parim nuk i takon opozitës të duartrokasë konkurenten e saj për rutinën e ditës. Ajo u mbush mendjen mbështetësve të vet e veçanërisht zgjedhësve në mëdyshje se sado mirë të veprojë një kabinet qeveritar ajo do të punojë shumë më mirë. E kështu me rradhë.
Një lëvizje qytetare nuk mund të zbatojë këto rregulla. Misioni i saj është të emancipojë shoqërinë përtej kufijve të ngushtë të politikës. Kur detyruan gjigandët e KESH-it apo të ALBTELEKOM-it të bënin praptas në tarifat e tyre të larta apo kur rritën trysninë e luftës kundër varfërisë, gjakmarrjes apo për liberalizimin e qarkullimit të lirë të shqiptarëve jashtë vendit, MJAFT dhe ZMQ këtë mision e veçanti të tyre kishin parasysh. Përpjekja për emancipimin e një shoqërie detyrimisht të çon edhe në terrenin e kritikave ndaj qeverisë. Kjo përparësi është demokratike. Pushteti dhe Lëvizja Qytetare nuk mund të jenë dy trupa me një shpirt. As ndonjë lloj tjetër monstri me dy koka apo me duar e kembë që shqyejnë njeri-tjetrin. Lëvizja qytetare është një partnere e madhe e klasës politike në përpjekjen e përbashkët për zhvillimin e vendit. Eshte edhe denoncuese e gabimeve të saj, kur është në qeverisje, por edhe kur gjendet në opozitë. Ajo duhet të jetë kritikuese e pushtetit, por jo vetëm kur bëhet fjalë për atë qeverisës apo administrativ. Lëvizja qytetare e mirëfilltë nuk lë pas dore edhe denoncimin e segmenteve të rënuara moralisht të pushtetit juridik, të disa strukturave të bisnesit që mbajnë në kembë punën e zezë, monopolin apo kontrollin primitiv mbi mediat. Një lëvizje qytetare me identitet të qartë nuk lë të harrohen edhe defekte të tjera të shoqërisë apo elitave të saj. Në këtë kuptim ajo mund të kapërxejë të gjitha detet dhe oqeanet e të kumtojë gjykimin e vet mbi zhvillimet që po kalon vendi i saj, por nuk mund ta ndërtojë këtë tablo si një parti politike.
Nga një mënyrë e tillë funksionimi mund të ndodhë që në këtë vjeshtë vëmendja e opinionit të garojë me entuziazëm për “aktorët” partiakë dhe jo për Lëvizjet Qytetare. Do të ishte mjaft e trishtë një stinë, në të cilën do të shihnim t’i zverdheshin e binin gjethet një peme që përherë është e dëshiruar të lulëzojë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com