Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Syri qe na vezhgon matane detit

Botuar ne revisten “Shqip”, maj 2007


Nuk është fjala për delegacionet apo të dërguarit e shumtë që pasi kapërxejnë me avion detin vijnë në Shqipëri dhe shohin si na shkojnë punët. Ata janë zyrtarë të Bashkimit Evropian apo edhe thjesht europolitikanë. Janë të ngarkuar e kanë autoritet të na monitorojnë. Emrat e tyre, konferencat e shtypit në Tiranë, deklarimet që bëjnë në Bruksel, Londër, Paris apo Berlin e Romë, shqiptarët i marrin vesh menjëherë nga edicionet e shpeshta të lajmeve në televizionet e tyre. Këta monitoruesë me ndikim të madh politik në kontinent janë vërtet një “sy” i madh që na vështron nga matanë detit.
Por në këtë shkrim ne e kemi fjalën për një “sy” tjetër që na ndjek me vëmendje dhe na regjistron pa pushim. Ai gjendet në Bari të Italisë, në adresën Via Dalmazia 104.
Dikur, tre-katër dekada më parë, jo vetëm në qytetin e Barit, por në të gjithë brezin bregdetar të rajonit të Pulias që shihte nga gadishulli ballkanik e Shqipëria, kanë qënë vendosur bazat ushtarake e njësitë e motorrizuara më të fuqishme të vendit fqinj. Në Adriatik e Jon, pra në dyert e Pulias, kalonte vija ndarëse mes dy botëve, asaj komuniste dhe demokracive të Perëndimit. Ishte muri ndarës mes dy sistemeve të kundërta dhe armiqësore, ku gjithsecili kërkonte asgjësimin e tjetrit. Nga njeri krah i detit po ashtu rrinte NATO dhe nga tjetri Traktati i Varshavës. Baza detare ushtarake e Vlorës ndahej nga bregdeti italian nga një distancë prej vetëm tetëdhjetë miljesh dhe në dorë të aleancës ushtarake komuniste gjer në vitin 1961 ajo ishte gjithaq objekt përgjimi e shenjë goditjeje nga ana tjetër e bregut. Ishte koha kur në disa adresa të tjera të qytetit të Barit, jo në Via Dalmazia, funksiononin “sy” të tjerë që vëzhgonin pa ndërpreje Shqipërinë. Ato nuk e ulën ritmin e monitorimit të fshehtë as kur Shqipëria doli bujshëm nga Traktati i Varshavës dhe në një farë mënyre ndikoi në lehtësimin e tensionit mes dy blloqeve në “kordonin sanitar” që takonte gjithë bregdetin lindor të Italisë. Në një farë mënyre, edhe pse nën një regjim despotik, Shqipëria u rreshtua sipas mënyrës së saj në brezin me Greqinë properëndimore dhe Federatën e Republikave të Jugosllavisë të paangazhuar. Italia pas kësaj që ndodhi nuk ishte më drejtpërsëdrejti në kontakt me rrezikun e saj, Aleancën e Traktatit të Varshavës.
Megjithatë tërheqja e një pjese të asaj armate të madhe njerëzish dhe mjetesh që kishte dislokuar në Pulia, pa dyshim edhe në qytetin e Barit, ndodhi vetëm pas shembjes së perandorisë komuniste dhe depërtimit të demokracisë edhe në lindje të kontinentit. Nuk mund të veprohej ndryshe. Gjatë Luftës së Ftohtë mund të ndodhte që aleanca ushtarake komuniste ta pushtonte Shqipërinë, shtetin më të dobët në “brezin sanitar” dhe më gjeostrategjikun për t’u hedhur në Gadishullin Apenin, dhe prej andej t’i vërsulej Italisë.
Kur u tërhoq masa më e madhe e njerëzve dhe e mjeteve ushtarake nga bregu puliez, pra kur iku njëri “sy”, nisi të funksionojë edhe “syri” tjetër, ai i Via Dalmazia 104. Ikën armët dhe dolën në shesh kamerat. Në Via Dalmazia 104 tashmë gjendet redaksia e radiotelevizionit publik italian, RAI, kanali i tretë, i cili është i ngarkuar me një detyrë të posaçme.

Ooooooooooooooooo

Një nga pjesëtaret e kësaj redaksie quhet Daniela Tortella dhe me të u takuam në fund të janarit të këtij viti në Tiranë. Bashkë me kameramanin e njohur Giuseppe Belviso kishin ardhur në Shqipëri për të bërë atë punën e “syrit” vëzhgues. Ishin të interesuar të mblidhnin material për reportazhet e tyre të shkurtër, më i gjati jo më shumë se pesë minuta, të cilët shfaqen çdo të premte, në orën 21.00, në emisionin “Levante” të RaiTre. Një miku ynë, Natale Parisi, një nga italianët puliezë që është martuar me një shqiptare dhe nga njeri breg në tjetrin ka më shumë se një dekadë që bën vajtje-ardhje, bëri orientuesin e parë. Kjo donte të thoshte se dy gazetarëve të Rai-it ai u propozoi “tema pozitive”. Në tre ditët që ekipi Tortella-Belviso qendroi në Tiranë, do të grumbullonin lendë për plot pesë reportazhe, të cilët do të transmentoheshin njeri pas tjetrit gjatë gjithë muajit shkurt e në fillim të marsit 2007.
Por të shpjegojmë pak se çfarë misioni ka kjo redaksi e posaçme, prodhuesja e emisionit “Levante”, në Via Dalmazia, 104, 70121 Bari.
“Syri” i saj ka nisur të na monitorojë me ritëm të plotë në fillim të vitit 2003, ndërsa këtë punë me angazhim më të vogël e kishte nisur një dekadë më parë. Por njerëzit e “Levante” nuk vëzhgojnë e përhapin në eter vetëm fragmente nga jeta e Shqipërisë. Hapësira e veprimit të reportazheve të tyre është shumë më e gjerë. Ajo fillon me Gadishullin Ballkanik. Këtu “syri” kap dhe shndërron në imazhe mediatike edhe Bosnjë-Hercegovinën, edhe Kroacinë, edhe Kosovën e Maqedoninë, edhe Serbinë e Malin e Zi. Në vëmendje “syri” i Levantes ka edhe Greqinë. Po ashtu ai shkon deri në Bullgari, mbërrin në Rumani dhe Hungari. Pastaj rrezja e vështrimit të tij bën djathtas duke përfshirë nën vëmendje dhe interes mediatik Turqinë. Prej këtej lëviz edhe më shumë djathtas, drejt jugut të Mesdheut. Këtu kap Maltën.
Kjo gjeografi e punës së redaksisë së posaçme barese të televizionit publik italian përputhet me të njëjtën që ka edhe Fiera del Levante e Barit ose Panairi më i madh i Italisë së jugut. Madje ky që në vitet e para të nentëdhjetës zbarkoi në Tiranë dhe atëhere ende nuk kishte çapuar deri në Shkup, porse tashmë vepron agresivisht jo vetëm në Sofje, Beograd, Zagreb, Budapest, Bukuresht, por po shkon edhe drejt Kievit e Moskës. Janë interesa të mëdha ekonomike të vendit fqinj, që në konkurencën e madhe kontinentale dhe atë aspak më të butë, globale, kërkojnë hapësirat e tyre jetike. Kjo është një lloj “Aleance Atllantike” e kohës së paqes, ndërsa “Aleanca e Traktatit të Varshavës” të kësaj kohe paqeje nuk ka. Blloku i vendeve të Perëndimit, i lidhur fort në bashkimin BE, rezistoi e u bë më i fortë. Blloku tjetër, rivali i tij i dikurshëm, u bë copë e thërrime bashkë me ideologjinë e tij të falimentuar.
Në platformën strategjike të emisionit televiziv \"Levante\" shkruhet se ajo është “një rubrikë kushtuar marrëdhënieve mes Italisë dhe vendeve ballkanike e të Mesdheut lindor, ndër të cilët vendi ynë luan një rol të rendësishëm, veçanërisht në fushën ekonomike. Bëhet fjalë për një treg të ri me 65 milionë njerëz, i cili gjendet përtej Adriatikut dhe Jonit. Bashkëpunimi ndërkufitar është në një rritje të vazhdueshme. Lidhjeve ekonomike u bashkohen ato kulturore dhe të kooperimit social. Eshtë një hapësirë shumë e gjërë....” Më pas në platformë nënvizohet se ato janë “zona në të cilat krizat sociale dhe ekonomike shkaktojnë tensione veçanërisht të renda dhe pikërisht për këtë arsye meritojnë analiza politike dhe hetim gazetaresk”.
Që në shumicën e hapësirave të Ballkanit ndodhin akoma çudira dhe mbiprodhohen lajme që kuriozojnë kamerat dhe gazetarët, kjo nuk do të thotë se “syri” i Via Dalmazia 104 na vështron thjesht “për analizë”. Interesat e përtej detit janë më pragmatiste se kaq. Platforma e redaksisë “Levante” përputhet me atë të Fiera del Levante. Panairi i Barit dhe stafi i gazetarëve në Via Dalmazia ecin krah njeri-tjetrit. Televizioni italian RAI dhe Fiera del Levante, ekonomia italiane dhe media e saj publike, veprojnë të bashkuar e janë shumë e qartë për t’i shërbyer zhvillimit të vendit të tyre.
Ja përse çifti Tortella-Belviso të ardhur në Tiranë në fund të këtij janari ishin më tepër se njerës të medias. Për arsye të shumta gjeostrategjike në historinë e Shqipërisë, përfshi edhe periudhën e diktaturës komuniste radiotelevizioni italian ka qënë më shumë se një zë apo figurë në ekran. Në të gjitha rastet kanë qënë bartës të një shprese për jetë më të mirë: dikur për popullin e mbyllur përtej detit, viktimë i një regjimi përdhunës, dhe pas viteve nentëdhjetë e sot për një shoqëri që po shkon drejt Bashkimit Evropian. Gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve në pluralizëm në historinë e Rai-t si edhe të mjaft mediave të tjera italiane do të kishte periudha të tëra të errëta ku masivisht shqiptari do të regjistrohej dhe shndrohej në imazhin e një krimineli ordiner, të një skafisti apo shpërndarësi droge, të një ushtruesi dhe protektori të prostitucionit.
Kjo do të ndodhte deri në fillim të vitit dymijë. Në vitin 2003 kur në Via Dalmazia 104 do të merrte formë të plotë redaksia e posaçme e emisionit “Levante”, jo vetëm një pjesë e elitës italiane dhe mes tyre jo pak gazetarë, por edhe njerëzit e thjeshtë e më pak të qartë për të dalluar zhvillimet e të ardhmes, kuptuan se duke e njollosur me të padrejtë dhe me aq shumë zell imazhin e Shqipërisë, nuk bënin gjë tjetër veç hidhnin në erë urën kryesore që i lidhte me hapësirën e madhe dhe ende të virgjër ekonomikisht të lindjes paskomuniste..
Krijesë e kësaj mendësie të re është edhe “Levante”. Të tillë ishin edhe çifti i gazetarëve Tortella-Belviso. Njohës të thellë të vendit të tyre dhe të Pulias, të Greqisë, Serbisë e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, madje edhe të Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë e më tej, “sektori” i tyre mbetej Shqipëria. Në thellësinë e informacionit që zotëronin për historinë tonë dhe për zhvillimet më të reja si edhe për saktësinë e interpretimit të këtyre të fundit ishte pak t’i emërtoje me një fjalë që mund të përmblidhte në një historianin me ekonomistin, sociologun e vëzhguesin politik.
Ata të dy kishin edhe një cilësi tjetër: e donin Shqipërinë, edhe pse me tehun e analizës së tyre nuk ishin aq të mëshirshëm kur operonin. Daniela Tortella në një nga reportazhet e saj të mëparshëm, të titulluar “Shqipëria, udhëzime si ta njohim”, ka shkruar “Prej shumë italianëve akoma konsiderohet vendi i klandestinëve, vend i varfërisë dhe i luftës civile. Për të tjerët është thjesht një identitet i panjohur. Porse për ata që për vite me rradhë jetojnë e punojnë atje Shqipëria është një bast pasionant, të cilin ke plot kohë e fat ta luash, është një tokë që të entuziazmon dhe prej të cilës fare lehtë dhe papritur mund të biesh në dashuri. Ja këto janë udhëzimet që të jep një ekspert, Luigi Triggiani, njeriu që për tetë vite është në Tiranë përgjegjës i qendrës së marrëdhënieve me jashtë të Unioncamere të Pulies”.

Ooooooooooooo


Publiku i thjeshtë, por jo pak edhe politikanë me shumë peshë në jetën e vendit, nuk e dinë që ekziston “Levante” dhe as redaksia e saj dashamirëse në Via Dalmacia 104 të Barit. Me ne shqiptarët kjo ndodh jo sepse jemi popull mosmirënjohës, por sepse ne të ardhmen e kemi më shumë dëshirë dhe ëndërr, por jo objektiv për ta realizuar kembëngulësisht. Sepse që t’i vësh vetes një objektiv nuk të duhet vetëm të jesh i ndërgjegjësuar dhe i mobilizuar për ta realizuar atë, por edhe largpamës për ta menduar e gjetur. Sigurisht në Pulia dhe në kryeqendrën e saj, qytetin e Barit, vëzhgojnë edhe “sy” të tjerë, patjetër zyra që luftojnë trafikun mes dy brigjeve. Mirëpo mënyra se si funksionojnë e bashkërendojnë veprimtari në interes të vendit të tyre panairi Fiera del Levante dhe redaksia bareze e RaiTre, të nxit pyetjen përse nuk kemi edhe ne në Shqipëri struktura të tilla.
Sigurisht që në nivelin e ulët të organizimit shtetëror që vazhdojmë të kemi e ta ruajmë përherë me xhelozinë e një prapaniku, nuk bëhet fjalë që të vendosim në Durrës apo mbi Kanalin e Otrantos në Vlorë një çift analog institucionesh si ai në Bari. Ne nuk jemi as ekonomi në ekspansion dhe as aq e fuqishme sa të kërkojë hapësira jetike jashtë vendit. Ne jemi akoma konsumatorë të ekonomisë ballkanike e jo më të kontinentit (marrim perime e fruta deri edhe nga Maqedonia). Megjithatë ne kemi një interes të madh për një gjë: eksportimin e imazhit tonë normal. Aspak të imazhit të zbukuruar apo të lustruar për qëllime fshehjeje të realitetit. Shqipëria është ajo që është, me defektet, por edhe vlerat e saj. Duke qënë se shumë “sy” të huaj kanë gjuajtur pjesën e errët, duke na konsideruar një vend anormal, pa vënë në dukje asnjë gjë të mirë, përpjekja për ta sjellë imazhin tonë në kufijtë e normalitetit nuk është më nevojë për të ekuilibruar një propogandë të caktuar dashakeqe. Ajo tashmë është emergjente për nevoja pragmatiste. Te ne po rritet industria e turizmit dhe në gjeostrategjinë rajonale, duam ne apo jo, duan të tjerët ose jo, kjo fushë e zhvillimit detyrohet të ketë të ardhme. Më shumë se çdo sektor tjetër (përshembëll edhe mbi përmasën e tërheqjes së investimeve të huaja) turizmi ka nevojë jetike për shpërndarjen e një imazhi inkurajues të Shqipërisë. Në rast se kjo punë do t’i lihet rastit apo vetëm porosive që kabinete të ndryshme qeveritare bëjnë për të sponsorizuar në media të huaja imazhin e punës së tyre dhe të kryeministrit përkatës, kjo industri e dobishme dhe shpresëdhënëse nuk do të mëkembet kurrë. E favorizuar nga pozicioni gjeografik turizmi ynë është i “rrethuar” nga konkurenca e fortë e industrive turistike të zhvilluara të Greqisë, Malit të Zi apo Kroacisë.
Një “task force” për imazhin, pra një zyrë speciale, fare pak nëpunës dhe një rrjet ndërvarësish që e bën të autoritetshëm jo vetëm në median shqiptare, por edhe në marrëdhëniet me ato të vendeve të huaja, patjetër edhe një fond përkatës, do të ndikonin në përhapjen më pozitive të imazhit të Shqipërisë. Kush mund të mendojë se kjo është një punë “burokratike” jo vetëm gabohet, por do të na bënte të ndiheshim të zhgënjyer nga të paktën puna që bën redaksia e veçantë përtej detit, në rrugën me emrin që të kujton një pjesë të bukur e joshëse të vetë gadishullit ballkanik.
Sigurisht ata që e drejtojnë zyrën speciale mediatike të Rai-t në Via Dalmazia 104 nuk çojnë për shërbim në Rumani një gazetar që nuk e do këtë vend. Patjetër nuk dërgojnë në Bosnjë një tjetër që nuk respekton boshnjakët. Nuk ulet nga avioni në aeroportin e Shkupit një person apo grup gazetarësh, të cilët nuk e çmojnë Maqedoninë. Nuk do ta kapërxenin e kalojnë detin në vitin 2007 për të mbërritur në Tiranë dhe bërë reportazhet e tyre dyshja me karrierë të gjatë në gazetari Daniela Tortella-Giuseppe Belviso sikur të mos e donin Shqipërinë.
Sot për çdo italian duhet të jetë e qartë se që të dojë vendin e tij duhet patjetër të dojë edhe popujt fqinj, patjetër edhe Shqipërinë, urën që e lidh me të gjithë Ballkanin dhe gjysmën tjetër të kontinentit, deri përtej Uraleve. Kur italiani është i detyruar ta pikasë këtë nevojë të tij, atëhere ne shqiptarët nuk kemi pse rrimë ende duarkryeq e si të hutuar.

Oooooooooooooooo

Dyshja Tortella-Belviso bëri pesë reportazhe me materialin që grumbulluan në ato tre ditë të qendrimit në fundjanar 2007 në Tiranë. Gjithsej nuk ishin më shumë se njëzetë e pesë minuta. Njëri reportazh, “Djemtë e Bathores”, bënte fjalë për nentë të rinj që në hapësirën periferike të kryeqytetit shqiptar kanë organizuar një lloj ndërmarrjeje turistike, që siç nënvizuan autorët, “e kanë ngritur jo vetëm për të kompensuar gjendjen ekonomike të dobët të familjeve të tyre, por edhe për të transmentuar atdhedashurinë e pashuar”. Reportazhi tjetër titullohej “I gjithë faji i Çelentanos”. Në të u risoll dëshmia se si në kohën e diktaturës regjimi fuste në burg politik edhe prej atyre që kendonin kengë të Festivalit të Sanremos apo të Canzonissimo-s. Në reportazhin “Çak!” gazetarja Daniela Tortella rrëfeu se si në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re” është ngritur një shkollë e kinematografisë së re shqiptare. “Kur Shqipëria thotë Mjaft” ishte reportazhi që pasqyronte opinionet e organizatës së njohur “Mjaft”. Reportazhi i pestë përshkroi ditët e vendit tonë, në atë fundjanar, në krizën e gjatë të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Këtë temë miku ynë Natale Parisi me siguri nuk ja kishte shtirë në mendje apo këshilluar çiftit Tortella-Belviso, por ata ishin vetë dëshmitarë të asaj krize. Sa mirë do të ishte që kjo gjë të mos kishte ndodhur dhe ato vetëm tre ditë të ishin normale për njerëzit e “syrit” të redaksisë së televizionit publik italian në Via Dalmazia 104, në Bari.
Mirëpo edhe ne shqiptarët e kemi vetë një “sy të keq”. Nuk rrimë dot pa të.



Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com