Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pakesimi i tradhetareve

Revista “Shqip”, gusht 2006


Debati mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses për identitetin e shqiptarëve, ku përtej zhurrmës inatçore se kishin mendime të kundërta, në të vërtetë mund të dalloje se të dy të mençurit për gjërat më kryesore ishin të një mendjeje, duam të vëmë në dukje një hollësi. Kadare dhe Qose, secili me mënyrën e gjuhën e vet, e akuzuan njëri-tjetrin se me këtë apo atë tezë që përhapin i bëjnë një shërbim të madh Sërbisë. Kjo do të thotë se Ismail Kadare nga Parisi apo Tirana, ku të gjendet, e ka cilësuar kolegun e tij as më pak dhe as më shumë por tradhëtar të kombit. Po ashtu të njëjtën akuzë ka formuluar edhe Rexhep Qosja, e cila në thelb sërish ka lëshuar nëntekstin se Ismail Kadare në mënyrë të tërthortë me analizën e tij për identitetin shqiptar i ka shërbyer Sërbisë. Me një fjalë edhe ky për kolegun e tij është një “tradhëtar”.
Nuk duhet pritur asnjë minutë në këtë shkrim për të thënë se shkrimtari i shquar Ismail Kadare dhe akademiku i nderuar Rexhep Qosja janë që të dy ndër atdhetarët më të mëdhenj që ka kombi shqiptar. Dhe kështu do të mbesin deri sa të kenë frymë. Kështu, të nderuar si mëmëdhetarë, do të hyjnë edhe në historinë moderne të shqiptarëve. Nuk mund të vlerësohen ndryshe këta dy intelektualë elitarë që me veprën e tyre i kanë dhënë një kontribut të madh kombit të tyre. Ismail Kadare është sot, në këtë botë globale, përcjellësi më i fuqishëm dhe më pozitiv i identitetit shqiptar. Me dimensione ndikimi relativisht më të vogla Rexhep Qosja është një ndër më influencuesit në katedrat e debatet profesioniste në gadishull e pse jo edhe më tej tij.
Mirëpo Kadare dhe Qose nuk janë vetëm dy mëmëdhetarë të mëdhenj, ata janë po ashtu edhe dy demokratë të padyshimtë. Mund të jetë ndoshta efekt emocionesh të para, por kurrë një vepër e sajuar, ajo që Lëvizja Studentore, forca që goditi për vdekje regjimin diktatorial, mbante në duar portretet e të dyve. Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja në dhjetor 1990 ishte të barabartë me simbolet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
Atëhere çfarë “insekti” i kishte pickuar që në përleshjen e ideve të tyre e shkelën kufirin e përmasës së atdhetarit dhe të demokratit dhe për njëri-tjetrin thanë se janë tradhëtarë të vënë në shërbim të Sërbisë? Patjetër që të dy i kishte “pickuar” një thumb i vjetër dhe i helmët mes nesh, ai i shpalljes së menjëhershme të rivalit si armik. Nuk do shumë përqëndrim vëmendjeje për të kuptuar se nga ajo mënyrë të shkruari Ismail Kadare dhe Rexhep Qose, dy miq të dikurshëm, kanë përfunduar në armiq të përbetuar të njëri-tjetrit. Duke qënë se kanë qënë miq mund të mbetnin sërish të tillë, sepse ndarjet në ide apo opinione janë gjëra që ndodhin dhe hyjnë në rregullat e jetës. Të mos jesh i njëjtë si tjetri është vlerë e pasuri. Në këtë kuptim një ditë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja mund të përfundonin në rivalë, siç edhe ndodhi. Kombi ynë edhe në një rast të tillë nuk do të humbiste asgjë. Madje mund të ndodhte të fitonte më shumë se kur të dy ishin miq. Duke qënë rivalë në debatet mes tyre do të rriheshin ide të rëndësishme dhe kulturalisht populli ynë këtej dhe përtej kufirit shtetëror do të fitonte shumë.
Porse duket çudi që pas ndarjes si miq nuk përfunduan dot si rivalë, por drejtpërsëdrejti në armiq. I pari mendim që të vjen për ta shpjeguar dukurinë me dëshirë të mirën është se të dy ranë në konflikt sepse në pamje të parë nuk kishin shumë hapësira rivaliteti, pra konkurimi. Ismail Kadare është një shkrimtar gjenial që kur bën ndonjë analizë të mahnit më shumë se me drejtësinë e analizës, me nivelin e zhbirrimit dhe të sintezës. Rexhep Qosja është një studjues i thellë, deri tani pak i krahasueshëm mes bashkëkombasve, por që ndonjëherë ka shkruar edhe letërsi artistike. Ja pse as në fushën e studimeve dhe as në atë të krijimtarisë artistike Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja nuk kishin të lira hapësira ku mund të rivalizonin normalisht e në të gjithë spektrin e veprës së tyre.
E megjithatë u vunë përballë njëri-tjetrit. E gjetën një hapësirë. Debatuan për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke qënë se aty kishin një fushë ku vërtet mund të konkuronin me alternativat e mendimeve të tyre. Mirëpo ndodhi që përfunduan në raporte të cilat të linin të kuptoje qartë se nuk kishin gjetur aq forcë sa të rivalizonin. Kishin gjetur boll të tillë për ta shpallur njëri-tjetrin “njeri që çon ujë në mullirin e Sërbisë“.
Rasti më i fundit i dy të diturve tanë që rivalitetin e rënuan gjer në nivelin e një armiqësimi total, dëshmon fare qartë se sa thellë, sa na ka hyrë në gjak ne të tjerëve, shumë më pak të diturve krahasuar me dy elitarët tanë të dëgjuar, zakoni i keq e kultura regresive për të mosrealizuar mirëfilli një debat apo dialog. Kemi plot probleme ne shqiptarët në aftësinë për të komunikuar jo vetëm me të tjerët, por edhe mes nesh. Madje ca më tepër mes njëri-tjetrit, sepse e thotë fizika se çfarë ndodh me dy trupa që kanë shenja të njëjta. Dy shqiptarë që dëshirojnë të polemizojnë nuk përfundojnë në të tjera rrethana nga ato ku katandisen në sy të botës dy ngrindës të rëndomtë.
Kur Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja prolemikë-sherrin e tyre, pa fjalë formalisht fyese dhe aspak me përdorim të fjalorit të rrugës, ranë viktimë e keqzakonit të cilësimit të ndërsjelltë si tradhëtarë të kombit, na duhet të marrim me mend se sa i shpeshtë dhe i shëmtuar është kjo gjë tek ne të tjerët, shumica.
Por në këtë shkrim nuk duam të zhbirrojmë këtu, të ecim pa fund në këtë tragë. Tronditëse është përse e kemi kaq të lehtë ne shqiptarët që në vend t’i themi një tjetri deri edhe hajdut, kurvar, pijanec, kriminel, drogmen, kollovar, turishtrembët e kokëthumb, fët e fët nxjerrim si të parë më të fundit fjalën e rendë “tradhëtar”.

000000000000

Vërtet, përse në zakonin e keq që ta akuzojmë lehtësisht bashkëkombasin si tradhëtar përdoret kaq shumë formula se ai ka qënë njeri i Sërbisë? Përshembëll përse këtë listë të madhe “tradhëtarësh” nuk e zgjerojmë edhe më tej, ta zëmë të themi se ky apo ai është njeri i Greqisë, i Italisë, i Gjermanisë, i Turqisë, i Malit të Zi, i Anglisë, i Amerikës? Sërbia mbetet akoma vendi më i pëlqyer për të damkosur kombëtarisht një shqiptar. Beogradi gjykohet si kryeqyteti ku mund të syrgjynoset emri i atij që nuk do. Sikur të ngjajë që në Sërbi t’i shkojë mendja ndonjë botuesi të publikojë një libër të një autori shqiptar, atëhere prova për “tradhëtarin” e ri është gati, tërësisht e kompletuar, e “kapur në dorë“, e faktuar. Polemikë e madhe shpërtheu në trojet tona për një libër të Bashkim Shehut, birit të ish-kryeministrit komunist, kur u njoftua nga një agjensi sërbe e lajmeve se në Beograd dëshironin ta botonin.
Nuk e dimë në se në Sërbi e kanë zakon si tek ne të gjejnë dhe etiketojnë mes të tyreve kaq lehtë një rival si “njeri i Tiranës”. Thonë që ky formulim nuk ekziston fare, edhe pse duhet thënë se edhe atje preferohen shpesh etiketime “tradhëtarësh”.
Sërbia duke patur primatin e vendit që ka rekrutuar masivisht njerës të saj në trojet e shqiptarëve dhe për pasojë ka një imash kaq fort antishqiptar saqë përdoret lehtësisht për turpërim, ka lënë ca hapësirë edhe për Greqinë. Në të gjitha rastet e regjimet që kemi kaluar nuk kanë munguar asnjëherë rastet kur etiketimi i “tradhëtarëve” të supozuar ka qënë adresuar për Athinën. Që prej viteve të para të Rilindjes, të paktën në jug të vendit, etiketimi se ky apo ai bashkëkombas ka qënë i shitur tek Greqia është përdorur pa kursim. Në parim si edhe në rastin e Sërbisë kjo gjë vinte prej realitetit e në thelb nuk ishte shtirrje. Shteti i ri grek që sapo kishte dalë në pavarësim nga perandoria osmane, ndërsa pa se shqiptarët ishin ndër protagonistët dhe vetmohuesit kryesorë të lirisë së popullit helen, kur edhe këta deshën të ngrinin shtetin e tyre, iu hodhën në shpinë ta vinin përdhe e bënin copa-copa. Kjo sjellje ishte një pabesi e ulët dhe doemos që ka lënë gjurmë të rënda mes dy vendeve. Hija e kësaj pabesie është zgjatur më pas edhe për dekada të tëra e nga kjo sindromë nuk e kemi të lehtë të çlirohemi edhe tani, kur gjërat kanë ndryshuar fort dhe pozitivisht. Doemos që andartët grekë apo disa intelektualë a priftërinj helenë të Kishës Ortodokse Greke i shërbyen me zell mosbërjes së Shqipërisë dhe kur ajo të paktën territorialisht u bë, shbërjes së saj. Në këtë thelb ata bashkëkombas që dje kryen veprën e keqe të bashkëpunimit me politikën shoviniste greke kundër interesave të shqiptarizmit meritojnë të shpallen e njihen si tradhëtarë. Porse në të vërtetë, pas një shekulli raportesh herë pas here të tronditura me fqinjin e jugut, sa të tillë nga njerëzit tanë janë realisht për t’u akuzuar? Fare pak. Numerohen me gishta. Sepse nuk quhet tradhëtar i Shqipërisë ai i moshuar nga zonat tona minoritare që siguron një pension nga shteti grek apo ai emigrant yni që merr në Athinë një kartë si minoritar thjesht për të patur lehtësira në kurimin mjekësor apo shkollimin e fëmijëve.
Nga kjo kundërkulturë e ngutur e etiketimit “tradhëtar”, po të marrim një shembëll konkret, pati akuza të njëpasnjëshme edhe një sportist i shquar si Pirro Dhima. Sigurisht ai mbetet bashkëkombas me dritë-hije në personalitetin e tij, sepse fare lehtë duke luftuar që titujt e tij sportivë t’i gëzonte Greqia, mund të pohonte me maturi se ishte shqiptar. Po ashtu duke respektuar e vlerësuar vendin ku kishte emigruar e që i krijoi kushte shumë të mira profesionale, ai mund të shtonte në intervista të ndryshme se një meritë të madhe të formës së tij të shkëlqyer sportive ia dedikonte edhe Shqipërisë. Sado racizëm të ketë patur rreth e rrotull Pirro Dhima, po të bënte të ditur se, duke u ndjerë krenar që vinte nga pakica helene në Shqipërinë e jugut dhe se Greqia për të ishte atdheu i ëndërruar, nuk ndihej aspak i turpëruar që kishte qënë për shumë vite qytetar i republikës fqinje. Në një rast të tillë emër të mirë do të fitonte, sepse edhe thjesht për nevoja pragmatike nuk është ndonjë punë e mençur të fitosh zemrën e një populli duke humbur të një tjetri. Masivisht sportistë shqiptarë nëpër kontinent kanë qënë një shembëll mjaft fisnik se si e kanë përdorur garën dhe rezultatin me po të njëjtin mobilizim si për nder të vendit ku sponsorizohen ashtu edhe vendin nga ku kanë origjinën. Mund të citojmë Luan Krasniqin apo Igli Taren. Me një fjalë Pirro Dhima mund të qortohet se ishte më egoisti dhe më pak atdhetari për shqiptarët, por kurrsesi dhe në asnjë ditë ai nuk ka qënë tradhëtar.
Akuza “njeri i Greqisë“ gjendet me bollëk, më shumë se në jetën e njerëzve të thjeshtë, në fjalorin e politikës. Thashethemnajat, por edhe titujt e disa të përditshmeve me sponsorizim partiak, e kanë bërë të gjatë listën e politikanëve “filogrekë“. Mirëpo vitet po shkojnë dhe koha po dëshmon se politikanë “filogrekë“ ne kemi në një minimum të përballueshëm për ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror e kombëtar. Sigurisht kemi më shumë se minimumi politikanë që për hir të ardhjes në pushtet apo për të qëndruar sa më gjatë në poltronat e tij, kanë bërë e bëjnë aleanca të përkohshme me kabinete qeverisëse apo grupe të caktuara në Athinë. Por kjo hyn në zanatin jo fort e jo përherë të pastër të vetë politikës, siç ajo tek ne akoma ushtrohet. Ahmet Zogu e dëboi Fan Nolin dhe qeverinë e tij, duke u ndihmuar hapët nga Beogradi. Më vonë, pasi e realizoi këtë objektiv të tij, siç e di i madh e i vogël, veproi ashpër ndaj ndikimit dhe ndërhyrjes sërbe e jugosllave. Nuk ka qënë kurrë mirëfilli i shitur tek sërbët apo grekët deri edhe kryediktatori ynë, gjurmëgjaku Enver Hoxha.
“Tradhëtarët” janë gjetur sipas konjukturave ndonjëherë edhe tek Italia, Anglia, Amerika apo edhe tek Franca. Veç këto akuza nuk kanë jetuar për një kohë të gjatë, sepse kanë qënë kryesisht shpikje dhe falsifikime të regjimit komunist dhe iu imponuan opinionit për aq kohë sa qendroi në kembë vetë ai sistem. Ishte ky regjim që fabrikoi pambarimisht “tradhëtarë“ dhe nuk kurseu që edhe kryeministrin e vet të katër dekadave ta emërtonte të tillë. Madje “tradhëtarë“ cilësoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste e deri më pas gati të tërë Byronë Politike. Sindromën e zbulimit dhe etiketimit të “tradhëtarëve”, duke e marrë nga kultura jonë e përgjithshme komunizmi e shndërroi në mënyrë të jetuari, duke e lënë pas viteve nentëdhjetë siç një litar lihet qëllimisht jashtë varrit.
Pasojën e këtij zakoni kombëtar të papëlqyer dhe të këtij skaji litari të lënë jashtë varrit të diktaturës e vuajmë edhe tani, ku duket më shumë se emergjente një përpjekje e ndërgjegjshme e të gjithë shoqërisë sonë për mosshtimin absurd të “tradhëtarëve” dhe patjetër pakësimin sa më real të tyre.

0000000000000

Rikthehemi edhe njëherë: Përse funksionon kaq zellshëm etiketimi “njeri që i shërben Sërbisë“ apo çdo formë tjetër akuze që të bën me hir dhe me pahir “njeri të shitur tek Beogradi”? A është më kjo një teknikë e besueshme djallëzimi e kundërshtarit apo pas kësaj mënyre veprimi, duke mos patur aspak një mani, kufizim mendor apo shpirtngushtësi, fshihet një strategji e importuar?
Duhet thënë e duhet pranuar se në të kaluarën tonë të vështirë nuk kemi patur armiq më kembëngulës se qeveritë jo demokratike të Beogradit dhe Athinës. Mbretër apo komunistë, “kolonelë të zinj” apo disa hierarkë të lartë të Kishave Ortodokse përkatëse, shkrimtarë me titullin Nobel dhe deri Akademi Shkencash kanë ushqyer më e pakta pretendime territoriale dhe më e shumta kanë përpiluar projektplanet e prishjes së plotë të Shqipërisë. Kanë shkuar edhe në tej: kanë frymëzuar asimilimin e të gjithë shqiptarëve, zhdukjen e një etnie të tërë.
Por ndërsa Greqia që prej vitit 1968 nisi jetën si shtet demokratik dhe për të neutralizuar brenda vetes të kaluarën e rendë kundërshqiptare kërkonte kohën e nevojshme, Sërbia rrugën e demokratizimit e ka nisur vetëm tre-katër vite të shkuara. Në të kaluarën e saj më të afërm ajo ka patur në krye një diktator të gjakshëm antishqiptar si Sllobodan Millosheviçi. Sërbisë dhe Beogradit të çliruar do t’i duhet mjaft kohë dhe shumë dekada vitesh që të heqë pak nga pak prej mënyrës së saj të të menduarit idenë që tek fqinjët e saj në jug, shqiptarët, ka absolutisht armiq.
Që ka miq kjo parimisht nuk vihet në dyshim, por problemi mbetet që këtë të vërtetë ta kuptojnë të gjithë ata sërbë, të cilët deri këto çaste janë doktrinuar me gënjeshtrën. Dhe ndërsa njerëzit e thjeshtë të Sërbisë kanë nevojë urgjente për të patur në favor elementin e kohës për t’u ndarë nga e keqja e së shkuarës, përse ne vazhdojmë që me logjikën e “luftës së ftohtë“ të shtojmë bashkëkombasit tanë që gjoja i shërbejnë Sërbisë? Duke i shumuar artificialisht ata që gjoja i shërbekan Beogradit zyrtar ne jo vetëm sajojmë një të pavërtetë, por tregojmë se nuk kemi kuptuar asgjë nga zhvillimet e fundit në rajon. Kështu provojmë se këto ngjarje na kanë lënë mbrapa dhe në vend që të rendim pas tyre dhe të bëjmë përpara, vijojmë ende ta matim shqiptarinë me pafuqinë e saj kur ishte shtet i sapodalë nga anarkia e dekadës së dytë të shekullit të shkuar apo kur Fuqitë e Mëdha të kohës i ndanë në dy pjesë trojet e saj. Sot ka Shqipëri, por edhe Kosovë të lirë, ka edhe bashkëkombas me statusin e shtetformuesit në Maqedoni. Shqiptarët janë bërë faktorë kyç edhe në Malin e Zi. Me një fjalë shqiptaria në Ballkan tashmë peshon fort. Dje mund të bëje çfarë të doje pa e llogaritur se kishte Tiranë apo Prishtinë, tanimë do të pyetësh se s’bën.
Ja vetëm një arsye nga mijra për të kuptuar se nuk ka as kushte të favorshme gjeostrategjike për të shtuar sorollopin e ligë të tradhëtarëve. Kush në Beograd ka mbetur prapa dhe matet me hijen e mëngjezit mbase rreh gjoksin se tërë jetën para vitit dymijë dhe atë që vjen pas këtij mijëvjeçari do të na sundojnë. Kush prej tyre është mendje e kthjellët dhe e di se stinët janë në ndryshim nënqesh nën buzë i habitur. Duke e ditur se nuk na mundin më dot, ndihen me fat që ne shqiptarët mundin njëri-tjetrin.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com