Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Akoma plumba mbi shqiptaret

Revista “Shqip”, shkurt 2006

Ky titull shkrimi është i rendë dhe që në fillim kërkojmë të kuptohemi me lexuesin: nuk duam të spekullojmë mediatikisht me fatin e bashkëkombasve tanë në emigracion dhe as të akuzojmë ndonjë popull, shtet apo qeveri të caktuar. Titulli përdor shprehjen “plumba mbi shqiptarët” për të tërhequr vëmendjen e opinionit mbi një dukuri që akoma nuk është fashitur dhe se duke mos qënë patjetër dëshmi e ndonjë racizmi të posaçëm ndaj shqiptarëve, përbën ende një diskriminim të hapët ndaj tyre.
Themi “akoma plumba mbi shqiptarët” sepse shpresojmë që të jetë e afërt dita kur mbi bashkëkombasit tanë të mos drejtohet m[ asnjë tytë arme vetëm e vetëm sepse janë emigrantë akoma të pambrojtur nga një shtet i vogël që përveç se politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht është i pafuqishëm, në jo pak raste për mbrojtjen e tyre nuk manifeston sa duhet as kurajën e nevojshme, as vetëndërgjegjësimin e lartë, as shqetësimin e dukshëm.

Ngjarja më e fundit kur plumbat kanë fërshëllyer në ajër dhe kanë rënë mbi trupin e një shqiptari datohet 27 janar 2006. Vendngjarja tronditëse ndodhet në liqenin Garda, në Verona të Italisë.
Sipas medias vendase, asaj të shkruar dhe elektronike, një sipërmarrës italian i makinave bujqësore me origjinë nga Viçensa në rrethinat e këtij liqeni shtiu me armë dhe vrau një të ri që u konsiderua hajdut. Bisnesmeni armën që e përdori në orën një të pasmesnatës e kishte me leje. Ajo ishte një pistoletë gjysëmautomatike H&K e kalibrit 40, e cila nga ekspertët konsiderohet më shfarrosëse se të famshmet 357 Magnum, të cilat jo vetëm e hapin vrimën në një kurm njerëzor sa një hon, por edhe shpërthejnë brenda trupit.
Ngjarja në pak fjalë: italiani M. R., 39 vjeç, që mes të tjerash ka pronë edhe një bar në qytezën Sandra, u alarmua shumë kur dëgjoi në pasmesnatë lehjen e vazhdueshme të qenëve të tij dhe menjëherë rrëmbeu pistoletën. Me armën e mbushur në dorë ai zbriti në katin e parë të vilës, e cila ishte disi e mënjanuar nga zona e banuar. Në katin përdhes të saj ai vuri re se dy persona po përpiqeshin të hapnin një nga dritaret. Në këtë çast sipas gazetarëve të kronikës nuk ka asgjë të qartë se çfarë konkretisht ka ndodhur. Dihet vetëm që M.R. menjëherë ka qëlluar, duke ulëritur, drejt dy hijeve. Në këtë moment të vetmbrojtjes së pronës së tij ai ka shtënë dy plumba. Më vonë, sipas rrëfimit të tij, i ka ndjekur nga pas të dy hijet duke dalë edhe jashtë portës së hyrjes së oborrit të vilës. M.R. më von[ ka shtënë në drejtim të dy ikësve, por kjo ka ndodhur kur ata e kishin braktisur me kohë oborrin dhe kangjellat e vilës së tij. PIkërisht në këtë moment të veprimit ai ka hedhur edhe volumin kryesor të zjarrit: plot njëmbëdhjetë plumba. Në një farë mënyre pistoleta e tij gjysmautomatike H&K e kalibrit 40 me predhat e saj vetshpërthyese dhe që ta hapin plagën në trup sa një grusht, ka vjellë zjarr kur tentuesit e dhunimit të banesës së tij ishin vet[ një errësirë që ikte pa e kthyer kokën mbrapa.
Pasi i mbeti në gojë të armës plumbi i fundit dhe ndërkohë të dy hijet nuk shiheshin më italiani M.R. u kthye në shtëpi i tronditur dhe lajmëroi menjëherë karabinierët. Kur këta mbërritën, të njoftuar se në shtëpinë e bashkëqytetarit të tyre ishte patur një tentativë për vjedhje dhe asgjë tjetër, u zbulua kufoma e njërit prej dy tentuesve. Kishte rënë përmbys mbi dëborë. Shënimi i parë që karabinierët mbajt[n ishte se i riu pa jetë nuk kishte me vete asnjë armë ose mjet tjetër vrastar. Nuk mbante po ashtu jo vetëm thikë, por as kaçavidë, mjete me të cilat kronikat e tentativave për rrëmbim e vjedhje në Italinë e veriut dëshmojnë kryesisht se i përdorin jashtëkomunitarë.
Konstatimi i dytë i karabinierëve ishte se i vrari nga plumbat e pistoletës së përbindshme ishte një shqiptar. Ai ishte goditur me dy predha në brinjën e majtë dhe quhej A.S.. Ishte 26 vjeç dhe banonte në Kazerta. Kishte leje të rregullt qendrimi në Itali dhe asnjë precedent të mëparshëm me policinë.
Elementi i tretë i ndodhisë tragjike mori menjëherë vrapin nëpër faqet e shtypit vendas: M.R. kishte qënë këshilltar komunal i partisë Lidhja e Veriut, e cila njihet në vendin e vet për qendrimet e saj radikale ndaj emigrantëve jashtëkomunitarë. Shqiptarët i ka më të sulmuarit.
Sipas medias italiane të 28 janarit, e cila u muarr dukshëm me këtë ngjarje, nuk dihet konkretisht asgjë se çfarë ka ndodhur realisht, porse shqiptari në të gjitha variantet konsiderohet një hajdut i supozuar. I hamëndësuar, sepse duhet që ta vërtetojë hetimi dhe ta konfirmojë një gjykatë. E megjithatë i mbeti nofka apo mbase edhe emri i merituar i hajnit. Ndonjë nga të përditshmet italiane shenoi se viktima nuk kishte arritur të vidhte asgjë dhe se u vra kur ishte larg nga banesa e sipërmarrësit italian. Shtypi po ashtu theksoi se M. R. do të hetohet në gjendje të lirë për vrasje me dashje, ngaqë ligji i ri i qeverisë aktuale për mbrojtjen e ligjshme, edhe pse është miratuar nga shumica parlamentare, nuk është botuar akoma në Fletoren Zyrtare. Për pasojë ai akoma nuk është veprues. Në të kundërt italiani me pistoletën gjysëmautomatike H&K e kalibrit 40 nuk do të gjykohej për vrasje me dashje, por për vrasje në kushtet e vetmbrojtjes.
Pas rrëfimit të kësaj ndodhie që në Itali, ndoshta për shkak të situatës paraelektorale, nuk u trajtua vetëm si ngjarje e kronikës, por mori edhe një ngarkesë politike, veçojmë çfarë deklaroi me këtë rast Ministri italian i Drejtësisë. Ai është i partisë Lidhja e Veriut. Reagimi i zotit Roberto Kasteli u formulua prej tij në këtë formë: \"Nuk e besoj se zotëria i sipërcituar nga kronikat ka qëlluar me armë duke patur parasysh faktin që ka një ligj të ri për mbrojtjen e ligjshme. U gjet i sulmuar nga një kriminel dhe u vetmbrojt. Për fat tashmë ka një ligj që do të ndërhyjë në favor të tij pas disa ditësh, gjë që botohet në Gazetën Zyrtare”.
Këtyre fjalëve nuk po u bëjmë asnjë koment. Rikujtojmë vetëm frazën e fundit të deklaratës “Për fat tashmë ka një ligj që do të ndërhyjë në favor të tij pas disa ditësh”. Por me këtë rast bëjmë edhe ne një ndërhyrje para se të ndërhyjë ky ligj: trupi i njëzetë e gjashtëvjeçarit shqiptar u gjend mbi dëborë plot njëqind metra larg vilës së qytetarit italian M.R.


Në Itali pas një fërkimi të shkurtër politik mes pozitës dhe opozitës (këta të fundit janë kundër këtij ligji) jehona e kësaj ngjarjeje u shua me shpejtësi. Vetëm rreth datës 3 shkurt në një emision javor të kanalit të parë të televizionit publik italian, RAI, rasti u interpretua mes katër të tjerëve. Njëra palë debatuese e trajtoi si mundësi që më në fund vendasit mund të mbrohen normalisht edhe me armë dhe nga pala e dytë se ligji i ri do të prodhojë vrasës kundër të pambrojturve. Ndërkohë trupi i të riut shqiptar L.S. ishte futur e “magazinuar” në morg dhe u vendos të mbahet atje nga hetuesit gjer sa të zbardhet e gjithë dinamika e ngjarjes.
Sigurisht që italiani dhe legisti M.R. nuk e dinte që kishte të bënte me dy shqiptarë kur shtiu mesa mundi me një armë të mbajtur ligjshëm. Por ndërkohë ai të paktën kur dy hijet u larguan nga kangjellat e vilës së tij nuk hoqi dorë nga të shtënat. Q[lloi p[r goditje n[ trup kur dy të mbrapshtit nuk paraqitnin asnjë rrezik as për pronën dhe as për jetën e tij dhe të familjes. Shtiu me arm[ kur dy shqiptarët ishin ca bredharakë që iknin nga sytë kembët. Po ashtu M.R. nuk pati as gjakftohtësinë të qëllonte lart, sa për t’i trembur. Karabinierëve ai në orët e para të marrjes në pyetje u tha se me të parë të dy hijet tek tentonin hapjen e njërës dritare të katit përdhes në fillim u kishte bërë thirrje të iknin dhe se më vonë kishte qëlluar mbi ta. Kjo rrethanë duket shumë e dyshimtë, sepse në rast se kishte hedhur plumba mbi ta sepse nuk donin të largoheshin, tashmë që largoheshin në mpik të vrapit përse nuk qëlloi në ajër?
M.R. që në fillim dhe deri në fund me armën e tij të tmerrshme qëlloi në mish të dy njerëzve që po i dhunonin banesën. Ai vërtet nuk e dinte se ishin konkretisht shqiptarë, por disa media lokale afër mendësisë së partisë së tij çdo rast tentative vjedhje në ndonjë banesë e identifikojnë me shqiptarët. Kështu që në nënndërgjegjen e tij sipërmarrësi italian kemi t[ drejt[ t[ hamend[sojm[ se po ua zbrazte plumbat “albanezëve”.
E megjithatë na duhet ta veçojmë këtë rast nga e përgjithshmja, sepse ka edhe shumë dëshmi të tjera që provojnë se vrasja e bashkëkombasit nuk u krye për pasojë të një trysnie a mentaliteti të posaçëm antishqiptar në shoqërinë italiane dhe as në strukturat e shtetit të tij. Ligji i ri nuk është bërë që t’u drejtohen armët posaçërisht shqiptarëve. Po ta shtynim interpretimin e kësaj ngjarjeje në drejtimin e shtrembër se tek populli fqinj ka racizëm do të ishte patjetër një provokim. Shoqëria italiane, edhe pse grupe të veçanta të saj apo edhe deri parti si ajo e Lidhjes së Veriut, kanë shfrime kundërshqiptare, ka qënë e mbetet e ndjeshme për jetën e njeriut, qoftë edhe kur bëhet fjala për një të huaj. Po ashtu me ngjarjen e përfundimit tragjik të të riut A. S. nuk mund të ngrihet ndonjë padi e posaçme kundër ndonjë medieje të veçantë italiane se e ka manipuluar qëllimisht ndodhinë kundër komunitetit tonë në Itali.
Që të mos mëkatojmë median dhe gjithë opinionin publik italian dhe për të vendosur një ekuilibër brenda vetes sonë do të rrëfejmë edhe një episod tjetër. Më 30 janar 2006, pra tre ditë pasi kishte ndodhur ngjarja tragjike me vrasjen e të riut A.S., kanali i tretë i televizionit publik italian, Raitre, në emisionin javor “Kush e ka parë?”, mes disa episodeve ngriti edhe problemin e fatit të një shqiptari. Ai quhej Bledar Vukaj. Nëpërmjet një kronike të hollësishme autorët e emisionit ravijëzuan jetën e këtij të riu duke shprehur dukshëm dhembshurinë për të. I riu Bledar Vukaj kishte në Itali një jetë të kthjellët e të pastër, ai ishte i mirintegruar me popullin fqinj, shfaqte natyrë punëtore, ishte sportist i suksesshëm në regbi (futbollin amerikan), sillej si njeri mjaft komunikativ dhe që i hapte rrugë e i shmangej çdo sherri. E megjithatë ai më 5 qershor 2003 u gjend i vdekur mbi masën shkembore të një buzëlumi, nën kembët e një ure të lartë.
Dukej si një vetvrasje e pastër: hedhje nga ura si pasojë e një krize të brendshme dëshpërimi. Por i pari që nuk e besoi këtë gjë ishte i jati. Bashkë me të nisën të dyshonin edhe hetuesit. I riu mbi shkembinj dukej sikur flinte, i ulur përgjysëm, i përthyer lehtas në ije, por që megjithatë në trup nga kjo rënie e supozuar nuk kishte asnjë thyerje. Të gjitha plagët i kishte në kokë, nën flokë. Hetuesit vunë re se gjatë rrëzimit kishte qënë vetëm masa e tij trupore ajo që kishte ndeshur mbi shkembinj, aspak koka. Prandaj prej tyre u mendua se ai ishte goditur qëllimisht në kokë për t’i marrë jetën dhe vetëm pasi kishte vdekur, për të simuluar një vetvrasje, e kishin hedhur prej urës së lartë.
Më 30 janar e gjithë redaksia e emisionit të televizionit Raitre dukej qartë që ishte në variantin e fundit dhe mbështeste të jatin e Bledarit. Ata me guxim i dhanë mbështetje variantit se i riu shqiptar ishte viktimë e një akti individual racist të kryer prej botës së krimit t[ vendit t[ tyre. Në emision folën edhe dy avokatet e Bledar Vukajt, t[ cilat denoncuan publikisht kërcënime që kishin marrë për të mos e mbrojtur shqiptarin. Më i rendë nga bota e krimit kishte qënë kanosja që kishte marrë gazetari i të përditshmes “Voce di Parma”, i cili në këtë të përditshme kishte trajtuar këtë temë. Një mëngjez në një zarf ai kishte gjetur një plumb si edhe mesazhin se do të ishte “më mirë një avokat italian gjallë dhe një shqiptar qelbanik i vdekur”.



Ndërsa në median italiane ngjarja zuri sidoqoftë vend, në shtypin shqiptar ajo kapërxeu fare kalimthi. Doemos kronika ngjau në Itali dhe atje do të pasqyrohej fillimisht, por anashkalimi në vendin tonë të trishtonte. Në vendlindjen e tij i riu A.S. ishte thjesht një apo dy rreshta lajm në ndonjë skaj gazete apo tre-katër fjalë në titrat e ndonjë televizioni informativ. Në të gjitha këto pak raste pasqyrimi ai u pa thjesht si një hajdut.
Në pamje të parë rasti të riut bashkëkombas vërtet ishte i komplikuar, ai të linte përshtypjen se diçka të paligjshme kishte kryer përderisa u gjet tek dritarja e një shtëpie të veçuar. Pa precedent të mëparshëm penal dhe me leje të rregullt qendrimi në vendin fqinj ai gjithsesi mund të ketë tentuar një vjedhje. E megjithatë këto dyshime duhet t’i provojë një gjykatë, e cila si dëshmitar ka vetëm atë që shtiu dhe e vrau kur ishte njëqind metra larg shtëpisë së tij. I riu tjetër që ishte me të, të cilin vetëm mund ta supozojmë se edhe ai ishte shqiptar, iku nëpër natë dhe as i identifikua dhe as u gjet dot më.
Në çdo analizë apo gjykim që mund të japim për këtë ngjarje jemi pothuaj të paralizuar nga mungesa e fakteve, nga interpretimi i njëanshëm i tyre, por edhe nga heshtja. Nga heshtja përtej detit, por sidomos nga mosbëzimi ynë. Fati tragjik i A.S. është jo vetëm për faj e përgjegjësi të tij, por edhe sepse ra në një “gropë” morale dhe legjislative andej dhe këtej detit. Ai është dhe nuk është hajdut. Por edhe sikur të kishte vjedhur a e meritonte breshërinë e plumbave derdhur mbi trup? Gjestin e tij të turpshëm, gjithnjë nëse në rast e ka kryer, nuk e ka projektuar si tentativë për të rrëmbyer a marrë peng të zotin e shtëpisë, ca më pak për ta kërcënuar me marrje jete.
Por sado që ta ngasësh me tej këtë histori dramatike thelbi mbetet po ai: heshtja gjithandej për një jetë të humbur emigranti. Madje këtu tek ne, në Shqipëri, nuk u ndjenë as familja e të vrarit, as të afërmit e tij. Askush nuk e ngacmoi këtë temë. Vetëm më 4 shkurt, pasi ngjarja kishte rrjedhur dy javë, në “Gazeta Shqiptare” botoi një editorial publicisti Ilir Mati. Titullohej “U vra një shqiptar”. Sipas kendit të tij të interpretimit “Asgjë s’u tha e s’u shkrua në Shqipëri për atë bëmë vrastare, sipas skemës kuptimplote të edukimit keq të publikut me fshehjen e të vërtetave të hidhura, gjoja për t’u mbrojtur nga baltëhedhësit dhe nxirësit e realitetit tonë”. Më pas autori kërkon që shteti të angazhohet për të mbrojtur jetën e bashkëkombasve të vet, qoftë edhe duke i qartësuar episodet e vrasjeve. Po ashtu edhe të paktën duke informuar shoqërinë shqiptare. Eshtë pikërisht kjo gjë e fundit që na bashkon fort me autorin e shkrimit “U vra një shqiptar”.


Shteti ynë është ai që është. Të gjithë shpresojmë që në vitet e ardhshëm ai të bëhet më i fortë. Të gjithë dëshirojmë që ai të kuptojë se koha nuk punon kundër shqiptarëve, ajo mundet që po bën më të dëshiruarën për ne: po na hap një perspektivë më të mir[. Sidomos me vendet e zhvilluara ku shumë nga bashkëkombasit tanë jetojnë e punojnë ndershmërisht. Për të ecur në këtë kahje, krahas rritjes së të gjitha shërbimeve ndihmëse për emigrantët, e meritojm[ t[ bëhet edhe hapi i guximshëm për të qënë më egresivë në mbrojtjen e jetës së çdo bashkëkombasi që kërcënohet apo e humbet atë. Kjo kohë ka ardhur, kurse ajo që ka rrjedhur deri tani ka edhe faqe të mbushura me ngjarje që nuk na mburrin për apatinë e treguar.
Jeta e emigracionit ka shumë privacione, por nuk mund të jetë ndryshe. Ky është fati i çdo emigranti nga çdo vend i botës që të jetë. Të paktën gjer ditën kur ai stabilizohet në vendin ku ka shkuar të ndërtojë e mëkembë jetën e tij. Emigrantët shqiptarë do të ndesheshin që në fillim edhe me përshfaqje përbuzjeje dhe diferencimi, sepse kështu ndodh edhe me të gjithë emigrantët nga vendet e tjera. Por me sa duket një gjë nuk e kanë shumë emigracione të kohëve moderne: vdekjet nga vrasjet. Ky fat i hidhur peshon mbi shqiptarët. Nuk e kemi me këtë rast fjalën për faktin se në pikat tona doganore çdo ditë kthehen nga vendet fqinje katër deri pesë arkivolë me trupat e bashkëkombasve tanë. Apo sepse është dy e trefishi i tyre shifra e shqiptar[ve që varrosen brenda një dite në dhe të huaj.
Emigrantët tanë natyrisht do të ndërrojnë jetë nga sëmundjet e sidomos nga aksidentet automobilistikë, por nuk mund të jenë kaq shumë ata që e lënë jetën se vriten nga të huaj.
Më 1 tetor 1996 gazeta greke “Rizospastis” numëronte dhjetë episode të ndodhura që nga 25 nentori i vitit 1994 deri më 7 qershor 1996. Në të dhjeta rastet vrasjet me armë të bashkëkombasve tanë ishin kryer nga policë apo shtetas grekë.
Sipas gazetës shqiptare “Ballkan” në Greqi për periudhën nëntor 92-mars 97 janë vrarë 47 emigrantë, ku nga këta 45 ishin shqiptarë dhe 2 ciganë. Po kjo e përditshme ngul kembë se në vetëm 50 muajt e fundit janë vrarë 47 emigrantë dhe se “gjatë emigracionit në Greqi popullit shqiptar i janë vrarë mbi 120 njerëz të pafajshëm”.
Sigurisht që Shqipëria nuk ka gjak e jetë të tepërta t’i japë duke kapërxyer detin, siç edhe dihet sa trupa bashkëkombasish ka gëlltitur ai. Nuk ka gjak të tepërt as për ta derdhur duke kaluar ilegalisht bokërrimat e kufirit jugor e rënë më pas në humnera, mbytur në ujra lumenjsh të fryrë nga rreshjet apo të mbetur të ngrirë nën duhmat e dëborërave.
Ca më shumë Shqipëria nuk ka as jetë të tepërta që t’ja marrë tjetri për hiçgjë siç edhe ndodhi më së fundi me të riun 17 vjeçar Edison Jahaj, të cilin në qytetin e Kretës Rrethimno një huligan vendas e çau me thika. Ai u vra drejtpërsëdrejti se ishte shqiptar. Jeta iu muarr se veshi fanellën ku ishte stamposur flamuri i vëndit të tij.
Kur dolëm nga diktatura ishim të dobët, të uritur e të pashpresë se mund të na vinin ditë më të mira. Atëhere edhe emigracioni ynë ishte i paparë dhe i pasjellë, ende i paqytetëruar mjaftueshmërisht. Tani jemi një Shqipëri që kemi jo pak probleme, por nuk jemi më as popull i uritur dhe as shtet diktature. Jemi shtet lirie. Bëjmë pjesë në shumë organizma ndërkombëtare dhe aspiratën e kemi për të hyrë sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Tani edhe emigracioni ynë nëpër botë po konsolidohet, po koregjon imazhin e fillimit dhe po shndërrohet në një komunitet të mirëqënë e të qytetëruar.
Më 2006 Shteti dhe Emigracioni ynë janë shumë më të fortë e më me autoritet pozitiv se më parë.
Ja përse ka ardhur çasti që ne nuk duhet ta lëmë të na anashkalojë asnjë jetë e bashkëkombasve tanë në emigracion. Për të gjitha të drejtat e tyre në Tiranë mund ta ngrejmë zërin më shumë. Kurse për jetët që na marrin duhet të tregojmë se i kemi aq të shtrenjta sa që kush ngre grykën e armës kundër shqiptarëve duhet të mendohet mirë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com