Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiperia ne syte e Annamarise

Ballkan, 30 mars 2006

Bijë e një punonjësi të konsullatës italiane në Kajro, lindur në fundmars 1948, Annamaria Cislaghi, nuk kishte si ta dinte që në jetën e saj do të ndodhnin kaq shumë ngjarje dhe pothuaj që të gjitha të paparashikuara. Në jetën e vet, të vetmen që gjithsecilit nga ne ia jep si të drejtë natyra, një njeri mund të ëndërrojë çdo dëshirë. Edhe italiania e vogël kishte ëndërruar udhëtimin e saj të gjatë nëpër vende të ndryshme të botës, sepse kjo ishte një mundësi e sigurtë nga profesioni i të jatit. Pasi të përfundonte mandatin në Egjipt Ministria e Jashtme Italiane fare natyrshëm mund ta dërgonte nëpunësin e saj konsullor në një skaj tjetër të globit. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi. Endërra e të voglës, më pas njohëse e përsosur e shumë gjuhëve të huaja, do të prishej për një arsye që askush nga të gjallët nuk e kishte në dorë. I jati i saj papritmas do të pësonte një infarkt zemre dhe do të ndërronte jetë. Kështu Annamaria me lotë në sy mori rrugën e rikthimit në atdheun e vet për t’u vendosur në qytetin e Barit, në Pulia, ku nëna e saj kishte të motrën. Këtu jeta do t’i bënte njërën surprizë pas tjetrës. Mes të tjerave ajo do të njihej edhe me Shqipërinë. Shqipëria për të do të ishte, dhe akoma e tillë mbetet edhe tani, si vetë kryesurpriza e jetës së saj .
Po qe se nënë e bijë pas kthimit të atdhe do të vendoseshin përshembëll në Milano apo Torino për Shqipërinë Annamaria me siguri do të dëgjonte për herë të parë në verë apo vjeshtë 1990, kur mbi brigjet e vendit të saj zbarkuan valët gjigande të refugjatëve shqiptarë. Por në Bari nuk mund t’i ndodhte kurrë një vonesë e tillë. Asnjë barez nuk mund të lindë pa bërë pyetjen kurioze se cili vend ndodhet përtej detit që lag edhe brigjet e tyre. Përtej në drejtim të ngultë të qytetit të tyre është vetëm Shqipëria. Mali i Zi është “lart” dhe Greqia gjendet “poshtë“ hapësirës së ujshme të detit.
Ja përse Annamaria Cislaghi, që tashmë pas dyzetë vitesh në Panairin e Lindjes, më të madhin e Italisë së Jugut, doli këto ditë në pension, është një arkivë e sidomos laborator i madh njohjeje i vendit tonë. Në bisedë me të mund ta perceptosh më lehtë se me shumë të huaj të tjerë fatin e Shqipërisë, dramat e saj, ankthet, hovet për t’u ngritur dhe shembjet, përgjakjen e gjunjëve, hapat e ndrojtur përpara dhe kthimet e vrullshme e të marra mbrapa. Tek Annamaria gjithçka është regjistruar qartë, fakt dhe njëkohësisht konkluzion. Dosje e plotë. Atje mund të shohësh dhe në disa raste edhe të kuptosh më mirë, historinë tonë të viteve para nentëdhjetë dhe të atyre pas rënies së diktaturës. Duke e njohur këtë italiane mund të vlerësosh më mirë edhe mjaft gjëra të tjera. Përshembëll mund të mësosh edhe për flamurin tonë kombëtar.
Tani që ajo duhet të ketë lënë zyrën e saj në të cilën për dy dekada punoi si shefe e sektorit të marrëdhënieve me jashtë të Panairit të Lindjes, me siguri bashkë me sendet e veta, me foton e të jatit dhe të nënës, ka marrë me vete edhe një ornament shqiponje si edhe dy flamurë të vegjël shqiptarë. Ato kanë ndenjur në atë zyrë për plot një dyzinë vitesh. Përveç një simboli flamuri të atdheut të vet dhe atij shqiptar në zyrën e “shefes” nuk gjendej asnjë flamur tjetër. Në dy dekadat e saj si drejtuese ajo pati marrëdhënie me mbi pesëdhjetë shtete dhe nuk numërohen deri edhe fotot e takimeve të saj me ambasadorë të Mesdheut e deri të vendeve në thellësi të eurolindjes, Azisë e Afrikës. Dashuria e Annamaria Cislaghit për flamurin shqiptar është proverbiale. Jo se ata dy që ka marrë nga tashmë ish-zyra e saj janë bashkuar me një të tretë në shtëpinë e vet, por sepse njëherë i ka ndodhur të bëjë edhe “rojen” e një flamuri ynë kombëtar. Ngjarja e beftë ndodhi në diskotekën “Gilda” në Romë në prag të verës 1998. “Gilda” është diskoteka e vip-ave të artit italian dhe aty startohen të gjitha karrierat më rrezëllimtare të vendit. Ishim në një veprimtari kushtuar Shqipërisë, organizuar prej nesh. Annamaria ishte thjesht e ftuar, si mike e vendit tonë. Ndërsa gjithçka përreth gjallonte, lëvizte e zhurrmonte, kendonte, vallzonte dhe përtypte deri byreçka, ajo nuk lëvizte nga një poltron në njërin skaj të supersallës. E pikasëm vetëm vonë, kur e kuptuam se, pas udhëtimit të gjatë nga Bari akoma nuk kishte futur gjë në gojë. Ato çaste edhe morëm vesh përse ishte ngujuar tek ai poltron. Ruante flamurin tonë kombëtar. Një nga ndihmësit e organizatorëve njërin prej dy flamurëve të mëdhenj që u përdorën për veprimtarinë, e kishte hedhur pa kujdes, gati zhubravitur, mbi ndenjësen e poltronit. Madje nga ndonjë shkujdesje pjesëmarrësi ai edhe kishte rënë përdhe. Annamaria Cislaghi menjëherë e ngriti flamurin, e palosi atë me shumë kujdes dhe e mbajti pranë vetes pa u larguar asnjë çap. Ajo zbatonte një nga disa prej rregullave më kryesore të përdorimit të flamujve kombëtarë, ku thuhet se ai “nuk duhet të bjerë poshtë dhe të prekë tokën”.
Nuk është vendi këtu të konsumohet edhe më tepër informacion se si italiania Annamaria pa dhe takoi për herë të parë një shqiptar. Ishte një zyrtar i veshur me kostum gri. Ishte koha kur këtej brigjeve dukej e fortë Partia e Punës dhe në Panairin e Lindjes nisi të hapej ndonjë stendë me prodhime artizanale shqiptare. Annamaria Cislaghi mban mend të gjithë funksionarët e Ministrisë së Tregëtisë me Jashtë të kohës, sidomos gratë e tyre, të cilat sillnin me vete ushqime që dietat e vogla t’i kursenin për ndonjë “këmishë burrash” apo “fustan për vete”. Këto fjalë ajo i shqipton shqip jo vetëm se i kanë mbetur në kujtesë prej atëhere, por edhe sepse sot herë pas here mëson gjuhën tonë.
Në qytetin e Barit Annamaria Cislaghi është dëshmitarja ndoshta më e saktë dhe më pasionante e ndryshimit shqiptar që nga ajo ditë e vitit 1990 kur para se në brigjet e Pulias të bënin ballë vaporët e mëdhenj me refugjatë gjer në majë të direkut, u shfaq një anije e vogël luftarake, një kater silurues, me disa ushtarë dhe oficerë të ikur nga Shqipëria. Pas funksionarëve të shtetit komunist, këtyre ushtarakëve “dezertorë“, takimi i saj me sipërmarrësin e parë privat ka ndodhur në mes të vitit 1991.
Për të mos shkuar më tej dhe të dalim sa më shpejt në dëshminë që duam të japim me këtë shkrim: ndryshimin dhe përparimin tonë. Dhuntia analitike e italianes Annamaria ka shumë prova se, parë edhe prej përtej brigjeve, Shqipëria po bën hapat e saj drejt statusit të një vendi normal. Por Cislaghi na befason me një kendvështrim origjinal të vet, me një detaj. Për të gomonet dikur me klandestinë dhe tani me drogë janë për italianët treguesit më të sigurtë se si dhe sa po ndryshon Shqipëria. Sipas saj skafet e dikurshme me ikës të shumtë nga “vendi i shqiponjave” e provokonin dhe e nervozonin shumë opinionin dhe jetën politike të vendit fqinj. Ndërprerja e tyre ka fashitur një nga gjiratoret që e zhytnin pa mëshirë imazhin e Shqipërisë. Tanimë kanë mbetur si turbulluesë të opinionit të shoqërisë italiane përpjekjet e fshehta të disa skafeve me drogë. Por edhe pse sërish ky për Italinë është një fenomen i mbrapshtë e shqetësues, i nevojshëm për t’u fikur si në “epokën” e klandestinëve, ai nuk provokon më atë mëri të mëparshme. Kudo po ngre krye dalngadalë fakti dhe besimi se “Shqipëria po ja del”.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com