Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nje fije shqiptar

Korrieri, 5 shkurt 2006

Ngritja e një shteti modern nuk ka qënë punë e lehtë për asnjë popull. Doemos nuk ka për të qënë i tillë edhe për ne, shqiptarët. Pa shkuar më tej në debatin që ne druhemi të bëjmë brenda vetes sonë se të çfarë përmase e kemi lendën dhe kulturën shtetformuese, një gjë mund të pranohet lehtë: në rast se një ditë do të mbërrijmë në kuotën e një shteti bashkëkohor më parë duhet që këtë lartësim ta kemi bërë në vetë identitetin tonë. Pra më parë se të jemi shtetformues duhet të ngjizim cilësi si shqiptarformuesë. Sepse në fund të fundit një nga ne, njeri i thjeshtë qoftë apo VIP, kur mendon pak për vendin e vet nuk ka se si t’i japë një dorë Shqipërisë që të përparojë e të bëhet më e zhvilluar dhe më e fortë. Po ashtu kur ndodh që një bashkëkombas me vlerat e tij, brenda trojeve të veta apo në botën e madhe, ngrihet lart kurse një apo disa të tjerë e godasin me të gjitha mjetet që u zë dora, nuk dëshmohet veç pamja brutale e mungesës së shqiptarformimit. Këto ditë kur ende trupi i pajetë i Ibrahim Rugovës nuk ishte futur në shtëpinë e tij nën tokë në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë dhe kur më qartë se çdo herë tjetër u konstatua shërbimi i tij pozitiv për imazhin ndërkombëtar të etnisë shqiptare, nuk mungoi në shtyp edhe ai, gurëhedhësi. E quajti personalitetin e Presidentit të parë të Kosovës si një mit të falsifikuar. Po ashtu në Stokholm nuk e vendosin disa zhgarravina letrash personale nëse Ismail Kadare do të marrë një ditë çmimin Nobel, por ata që e shpërthejnë këtë sulm pikërisht kur kandidatura e tij rifutet në listën e konkurimit provojnë se kanë brenda vetes shumë pak pigment shqiptarformues. Ata nuk dinë apo nuk duan ta dinë se për të rilevuar patjetër edhe të metat që kanë personalitete të mëdha kombëtarë, përfshi edhe Kadarenë, nuk është aspak çasti më i mirë kur shënjestra të fut në objektiv jo vetëm personin por edhe vetë vendin tend. Kur një politikan shqiptar për të kritikuar apo demonizuar rivalin e tij gjen të përshtatshme jo një zyrë institucionesh ndërkombëtare, por një media të huaj, atëhere ai nuk bën gjë tjetër veç gjestin tipik të gurëhedhësit.
Sa më shumë ecim në zhvillimin tonë dhe sa më tepër kuptohet që brenda kufijve të shtetit të sotëm shqiptar janë shumë më pak bashkëkombas se jashtë këtyre kufijve, se përveç atyre në Kosovë, Maqedoni apo Malin e Zi, të emigruar nga diaspora e re dhe e vjetër janë me miliona, atëhere vetpërmbajtja nëpër botë duhet të jetë shqetësimi ynë i parë. Por siç duket nëse në punë të tjera lëvizim ndopak nga vendi, në këtë defekt nuk shihet bindshëm se po vetkoregjohemi. Një shembëll nga më të fundit ndodhi në fundjanar të këtij viti.
Këtë ditë një bashkëkombas sulmoi në internet një qytetar italian duke e akuzuar se nuk ishte gjë tjetër veç një shqiptar i maskuar dhe fals. Dhe agresionin personi me pseudonimin online Eo ja bënte që nga Franca. Duke e sulmuar në website-n kryesor të bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në të gjithë botën. Godiste mu në zemër të këtij komuniteti, i cili duke e mbajtur të gjallë dialogun me të gjithë bashkëkombasit tanë të vjetër e të rinj kudo në glob kryen punën fisnike të ruajtjes së vlerave të shqiptarëve. Ky motorr i fuqishëm komunikimi që për shkak identitetit të fortë etnik nuk ka si mision të parë përkatësinë në një shtet, qoftë ky ai italian apo shqiptar, por mbi të gjitha shqiptarformimin, ka aktive disa dhjetra rubrika dialogu. Në njërën prej tyre, e cila ka lidhje me poezinë, më 1 tetor 2005, hyri në bashkëbisedim
online një person i quajtur A.Z. Për qëllime etike jemi ne që po e publikojmë me iniciale, sepse dialoguesi e ka vendosur të plotë emrin dhe mbiemrin e tij. Që në fillim ai informon se (po e publikojmë një fragment siç e ka shkruar ai) “Jam një italian qe flet shqip një çik...sono un italiano che parla un po\' di Albanese…dhe kam ardhur këtu...e sono arrivato qui...duke kerkuar për poezi dhe për gjërat të lidhur më shqiperin e më gjuhen shqiptare...”. Më pas sqaron italisht se është muzikant, se organizon koncerte dhe festivale, drejton një shkollë në krahinën Friuli Venezia Giulia dhe se ka botuar disa shkrime pozitive për Shqipërinë dhe Ballkanin, “frut i udhëtimeve të mia të shpeshta për punë në këtë përtejkufi që është kaq afër dhe ndërkohë i panjohur”.
Këtij dialoguesi të ri disa arbëreshë nëpër botë menjëherë iu përgjegjën me entuziazëm duke i uruar mirseardhjen në bisedën online për poezinë. Mirëpo më 7 janar 2006 në mes hyn një bashkëqytetari ynë që tregon vetëm dy gërmat Eo. Ai shkruan në një frengjishte të çalë “Ti je italian po aq sa unë jam francez”. Në vijim e shan me një shprehje që ka brenda fjalën më të drejtpërdrejtë të sinonimit prapanicë. Më pas vazhdon në shqip tekstualisht “sa kohe ke qe ke shkuar ne itali 2 jave? 2muaj ? apo mendon te shkosh???. Menyra se si ti i formulon frazat ne shqip, te tradheton idenë e dhjerë që ke, për tu prezantuar si italian. Besoj se kenaqesh kur shikon qe te besojne dhe te kthejne pergjigje...?”
Nga fjalori i të dy dialoguesve gjithkush prej nesh mund të identifikojë personalitetin e kulturën e secilit. Më 29 janar, mesa duket kur A.Z ka patur mundësinë të hyjë në internet për të vijuar dialogun e tij për poezinë, ndihet i tronditur nga ajo që gjen përpara. Ja pak fragmente të paredaktuara nga vijimi i bisedës së tij: “Je suis vraiment italien…tu plus plutôt... es-tu italien ou français? Unë flas një çik shqip sepse gruaja jeme ëstë nga Shkodra dhe pse jam shpesh në Shqiperi për punë. Beso qe kenaqem, kur shikoj që gnjëri kupton që taman jam shqiptar!” Më tej vijon në gjuhën e vet italiane, të shkruar në mënyrë të përsosur se “po të isha shqiptar do të ndihesha krenar dhe nuk do të fshihesha pas maskash të budallta!! Shqipëria dhe kultura shqiptare janë një thesar i madh që unë e kam ndeshur që kur kam qënë njëzetë vjeç, pra kur nuk e dija se ky vend ekzistonte në ndonjë hartë gjeografike. Shqipërinë e njoha në vitin 1993 kur në Konservator njoha vajzën, të cilën sot e kam për grua. Në Shqipëri kam qënë gjatë vitit 1997 për të hequr prej andej kunatin tim nga frika se mos përgjatë luftës civile e thërrisnin nën armë. Kam qënë në Shqipëri edhe gjatë vitit 2004 për dhjetë ditë dhe gjatë 2005 dy herë. Gjithsej 40 ditë. Sa herë që shkoj mbushem me emocione dhe stimuj të rinj…është për mua atdheu i dytë dhe përjetoj me të gjithë shpirtin hallet e saj”.
Ajo që italiani A.Z. shkruan më pas është akoma më prekëse. Ai thotë se tashmë pothuaj të gjithë njerëzit e bashkëshortes së tij janë në Itali dhe në Evropë dhe se në Tiranë shkon vetëm për arsye pune. Po ashtu shton se në punën e tij hyjnë projekte dhe veprimtari të INTERREG për bashkëpunim mes Akademisë së Arteve në Tiranë, Insitutit Italian të Kulturë, Agjensisë si OKB-së Unops PASARP, se ka dhënë një kontribut modest edhe për koncertin “Allegretto Albania”.
“Jam italian 100 x 100!!!”, shkruan shqip në fund të përgjigjes së tij ndaj sulmit që i bëri shqiptari Eo. “Kam Lindur në Vicenza, banoj në Udine, punoj në Monfalcone... dhe babaj e nëna janë nga Italìa... e të gjitha print te tjera!!!!! Veç gruaja është Shqiptare!!!!!”
Në fund të këtij rasti kaq “të freskët”, dukuri e përsëritur dhe e ripërsëritur më parë gjer në trishtim, nuk ke shteg tjetër veç t’i bësh pyetje vetes se ku gjendet më shumë shqiptarizëm: tek shqiptari pa limfë shqiptarformuese Eo apo tek një dashamirës i huaj?


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com