Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Korridori VIII, entuziazmi i merituar

“Ballkan” 11 dhjetor 2005

Lajmi se projekti i Korridorit VIII transnacional hyri më në fund në përparësitë e Bashkimit Evropian është më tepër se një kumt i madh për Shqipërinë. Kishte jo pak kohë që ai nuk po e fitonte këtë status dhe kjo jo për ndonjë qejfmbetje apo paragjykim të posaçëm ndaj shqiptarëve, druajtje për aftësinë e tyre për të bashkëjetuar me ekonominë e hapur, dyshim ndaj zotësisë për të ruajtur qendrueshmërinë brenda vendit dhe stabilitetin rajonal e kështu me rradhë. Sigurisht edhe politikisht e jo më ekonomikisht nuk investohet atje ku nuk ka siguri, ku nuk ka disa ligje dhe kushte lehtësuese për kapitalin vendas apo të huaj, nuk sakrifikohet asnjë qindarkë atje ku fondet e dhuruara apo të kredituara shpërdoren e vidhen. Nuk investohet as atje ku emocionet politike e kalojnë masën dhe nga ballafaqimi demokratik palët konkuruese gremisen deri tek konflikti me ose pa dhunë. Nuk jepet asnjë euro apo dollar në atë vend ku puna merret me përti dhe hile apo akoma shtresa të tëra të popullsisë jetojnë mes efekteve droguese të ekonomisë informale. Me një fjalë një Korridor Panevropian dhe Ndërnacional, në të cilin mpleksen interesat më të drejtpërdrejta të shumë shteteve të fuqishëm, meriton vëmendje dhe financim vetëm kur përmbush mjaft kushte. Në rast se me të drejtë thuhet që Shqipëria në pranverë të vitit të ardhshëm për të realizuar proçesin konkret të firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duhet të vazhdojë të bëjë mirë “detyrat e shtëpisë”, lajmi këtë fillim dhjetori se Korridori VIII hyri në përparësitë e Bashkimit Evropian dëshmon se kemi marrë një sinjal mjaft pozitiv. Na kanë dhënë një përgjigje.
Ky është thelbi i asaj që ka ngjarë: në Bruksel jo vetëm ndaj Maqedonisë apo Bullgarisë që po përparojnë dukshëm në proçesin e eurointegrimit, por edhe ndaj Shqipërisë kanë kthyer një përgjigje inkurajuese. Na kanë përshendetur lehtësisht, pa shumë zhurrmë dhe pa asnjë eufori. Na thanë se e kanë çkyçur projektin e Korridorit VIII nga sirtari i mbyllur dhe e kanë nxjerrë mbi tavolinë e punës së përditshme. Një gjë e tillë, meritë e madhe edhe e kembënguljes së shtetit italian, dëshmon se shqiptarët kanë dhënë jo vetëm shpresë në Bruksel, por edhe një provë të fortë e të sigurtë besimi. Tjetër gjë është shpresa, ajo ushqehet shpesh edhe prej idealizmit, dashamirësisë apo logjikës se për hir të një Evrope të Bashkuar e të fortë nuk mund të lejojnë në brendësi të saj “gropa” apo “të çara”, shtete evropiane jashtë Evropës. Lajmi se fitoi statusin e përparësisë edhe Korridori “ynë”, i Teti, i fundit korridor që nga ata që kalonin në rajon nuk e kishte këtë titull, është i hirshëm pikërisht sepse provon që kemi transmentuar mesazh besimi në Bruksel.
Këtu fillon edhe risia e lajmit. Besim jep vetëm një popull dhe një shoqëri që e ka këtë besim. “Thembra e Akilit” për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe reformimin e duhur të Shqipërisë qendron jo tek aspirata e natyrshme e popullit tonë për Evropën e Bashkuar. Kjo ka qënë përherë e padyshimtë dhe asnjëherë e lëkundur. Ky besim nuk mbahet vetëm në prirjen e kulturën e kahershme të elitës shqiptare. As në gatishmërinë e klasës politike dhe formacioneve partiake. Besimi që me sa duket kemi dhënë në zëmrën e kontinentit të zhvilluar duket se ka rrjedhur prej faktit se kemi filluar më në fund të braktisim pasivitetin e të ëndërruarit dhe kemi përveshur mengët për ta bërë realitet eurointegrimin. Madje çdo ditë që shkon përpara vërteton pikërisht këtë gjë: po shkëputemi, edhe pse ngadalë, nga fryma e pritjes së ndonjë “lëmoshe” për arsye gjeostrategjike. Dhelpëria e vogël provinciale apo papërvoja e duhur se mund ta meritojmë eurointegrimin edhe si një gjysmë dhuratë po mpaket e po arratiset larg nesh. Dhjetë e kusur vite më parë ishim ne, shumica, që u pasionuam tek piramidat e të quajturave fondacione huamarrëse dhe mbetëm në grackën e tyre të mashtrimit. Do të na jepte të njëjtin frut të hidhur nëse proçesin e vështirë të integrimit në BE do ta trajtonim me të njëjtin mentalitet.
Mirëpo një popull e një bashkësi maturohet në liri e në një shoqëri të hapur. Duhen edhe vitet, lypet edhe koha. Kështu tani kemi filluar të largohemi edhe nga “piramida” e logjikës së përfitimit pasiv nga Bashkimi Evropian. Korridori VIII është shenja e sigurtë e kësaj lëvizjeje pozitive mes nesh. Eshtë nota e mirë që na jepet, por është po ashtu edhe stimuli. Sikur ta mirëkuptonim dhe ta shfrytëzonim më mirë këtë rast e fat!
Ballkani ka mbi supet e veta akoma mbetjet e një emri të keq, pak të merituar e shumë të sajuar. Ai deri dje quhej “fuçia e barotit”. Konsiderohej eksplozivi jo i rajonit të vet, por dinamiti i të gjithë kontinentit. Dihet historikisht se më shumë nga vendësit kohë të shkuara ishin të tjerët që e shkarkonin mbi këto troje barotin dhe vinin fitilin. Ka vite që kjo e kaluar po futet e mbetet në histori. Po zhytet në dosjet e mbyllura të kronikave. Jo vetëm kufijtë e hapur apo marrëveshjet e ndërsjellta tregëtare, jo vetëm bashkëpunimi dy apo më shumë palësh, por gjithçka flet se ka një agim të ri mbi Ballkan. Po bie një dritë e re, e purpurt zhvillimi. Tre Korridoret Transnacionalë që kalojnë nëpër rajon, i Pesti (Barcelona-Kiev) i Dhjeti (Austri-Greqi) dhe i Teti (Bari-Durrës-Shkup-Sofie-Varna) janë vijat e furnizimit me zhvillim e stabilitet në Ballkan. Janë jo vetëm fundi i historisë së asaj famëkeqes “fuçi baroti”, por edhe krijimi i një territori që nesër, pa e rrëmbyer sot nga entuziazmi i tepruar, përbëjnë konturet e një emri të ri e pozitiv për rajonin tonë. Deri atje, emri model, është rrugë e gjatë dhe e vështirë, por ballkanasit mund ta ëndërrojnë e synojnë si realitet që ngrihet. Ose që ringrihet. Ballkani ka qënë historikisht një nga djepet e qytetërimit botërore dhe Evropa ishte këtu. Evropa e parë quhej Haemus dhe Haemus e kishte emrin e tij të lashtë e të bukur Ballkani i sotëm. Përse të mos bëhet edhe ai një “kopsht i lulëzuar”. Përse të mos jetë Ballkani një kend me diell në kontinentin tonë të madh?
Lajmi se Korridori VIII mori statusin e përparësisë për Bashkimin Evropian dëshmon se në rendin e ri kontinental e botëror vëndet më të fuqishme po zbatojnë përherë e më me vullnet në Ballkan një strategji stabilizimi. Eshtë një tendencë që nuk po bën mbrapsht dhe pengesat që i dalin përpara po di t’i mënjanojë. Në analizat gjeostrategjike rajoni ynë konsiderohet si “urë midis Evropës dhe Azisë, një kanal i ardhshëm tranzit nga dhe drejt Rusisë”. Në po këto analiza Shqipëria vlerësohet me të njëjtin status të lartë: është urë midis Italisë dhe Lindjes së Mesme. Pra është kanal komunikimi mes dy kontinentesh. Dje Shqipëria ishte superurë kalimi ushtrish pushtuese, tani është korridor rrugor, hekurudhor, ajror e detar, korridor i madh i udhëtarëve dhe i mallrave, i kulturës dhe i informacionit. Eshtë ura e madhe ku kalon paqja e zhvillimi.
Jemi urë komunikimi në një urë të madhe zhvillimi panevropian. Përveç mundit tonë në Korridorin VIII do të investojë përparësi edhe BE. Ky është kumti që vjen nga qendra e eurokontinentit. Kjo do të thotë se firma për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, edhe pse akoma nuk është hedhur në letër, ka lëshuar simbolikisht gjurmën e parë në të. Pena nënshkruese e dy dërgatave nga Brukseli dhe Tirana është aty, në tryezën e buzëpranverës 2006.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com