|
Foto: .jpg | DEMOKRACI E KAPUR
Publikuar në vitin 2020
PËRMBAJTJA E LËNDËS
Po pse këto çaste?
Një hap para, një hap pas, pastaj bie
Ptu, politika!
Një identikit i zakonshëm politikani
Prova e karriges
Pushteti, ideologjia e vetme
Kafshë
Rritu në natyrë, jo në epruvetë!
Partia si kalë sa për të hedhur lumin
Rinia, fidanishtja e kryetarit
Unë engjëlli, ti djalli
Vënia në rreshtim e intelektualëve
Të dështuar më parë
E keqja e domosdoshme
Kush je ti i pas diktaturës?
Nga “Blloku” sërish te “Blloku”
Tunel
“Shqiptari rozë”
Prishja ideologjike
Shqiptari jo siç është,
por siç e dëshiron politikani
Shqipëri e vonë
Kundërshtari nuk qëllohet me domate,
por me mjete që kanë barot
Ngjajnë apo nuk ngjajnë politikani dhe shqiptari?
Ku e kap, e pickon dhe e mpin politikani shqiptarin e thjeshtë
Një analizë e Aurel Plasarit
Kërkimi i fajtorit
Rikthimi këmbëngulës i Enver Hoxhës
Kemi kaluar dy diktatura, jo një
Përdorimi anarkisë për të luftuar lirinë
“Vija e Teodosit” që nuk ndau dot
Besimet fetare krejt ndryshe nga politika
Edhe Ibrahim Rugova
Anti, anti, anti
Vetëm turmë
Nuk janë as parti-shtet, por thjesht parti-administratë
Hajdutët shtetërorë si persekutorë ekonomikë
Gënje të gënjesh!
Marrja e frymës së opozitës
Udhëheqësi i zi në vend të atij të kaltër
Kjo lloj politike është si një koronavirus
Si të ndodhë që një vend me minimum shtet të nxjerrë një burrë shteti?!
Sistemi ka rënë në duart e të dikurshmëve
Shqipëria bën sikur bëhet
Jemi ne apo politikanët që nuk e meritojmë Atdheun?
Ai çast do të jetë ditë e bekuar
Në librin tim të parë me analizë politike, “Rënia e një miti ose Partia Demokratike e Shqipërisë”, botuar në maj 1996, rreshtat mbyllës të tij qenë: “Por shteti shqiptar deri tani është i një pjese, i atyre që qeverisin këtë mandat. Nesër, ndoshta i atyre që do të qeverisin mandatin tjetër.
Qeverive të tilla një shkrimtar amerikan ua kishte gjetur “çelësin”.
Ai u bënte këtë thirrje bashkëkombësve të vet: “Një patriot i mirë duhet të jetë gjithnjë gati të mbrojë popullin nga qeveria”.
Afro një çerek shekulli më pas po përpiqem të bëj një verifikim nëse, duke jetuar tridhjetë vite të pas diktaturës së dytë, asaj “socialiste”, kam thënë një gjë të drejtë apo jo.
Po pse këto çaste?
Ka plot tri dekada që shoqëria shqiptare është hapur në lirinë e lëvizjes jashtë kufijve, në ekonomi e kulturë, në përcjelljen e informacionit, në të drejtën e të shprehurit dhe të protestës, madje edhe të të ikurit nga vendi.
Këtu ka arritur lartësi të frikshme boshatisjeje demografike të etnisë.
Duke bërë një thirrje në 1996 autori i këtyre radhëve mbase u detyrua prej zhvillimeve korrente, tranzitore, jo ato perspektive.
Me pak fjalë ai besonte se demokracia e dëshiruar pas rënies të “diktaturës së proletariatit” rezistonte dhe ecte, sadopak, përpara.
Tani, duke e përsëritur nevojën për rritjen e vigjilencës ndaj politikanëve ai mos gjykon se ka ndodhur një dukuri: demokracia është shndërruar në një proces formal, në gjoja shoqëri të hapur.
Dihet se vetë demokracia, parimet dhe liritë e saj mund të përdoren për ta shterpuar atë, nxjerrë jashtë funksionit, amortizuar dhe vdekur.
Realizuesi më i spikatur në këtë mjeshtëri ka një emër të frikshëm: Adolf Hitleri.
Një hap para, një hap pas, pastaj bie...
Shqiptarët vazhdojnë të jenë në udhëkryq.
Nuk duan të jetojnë si më parë, por akoma nuk dinë si ta bëjnë këtë gjë në të ardhmen.
Shteti shqiptar po ashtu vijon të jetë në krizën e tij më të gjatë që nga çasti kur bëri përpjekjen e parë fatlume për t’u formësuar, më 28 nëntor 1912.
Vetë shoqëria shqiptare, si në të gjitha momentet vendimtare, edhe në fund të kësaj dekade të dytë të këtij mijëvjeçari nuk ka kurajë të dalë nga qerthulli i rrotullimit rreth vetes, edhe pse dëshira nuk i mungon.
E gjithë kjo ndodh sepse Shqipëria ka një dramë të saj kombëtare: ajo historikisht nuk është e realizuar mjaftueshëm.
Shqipëria hyn në një fazë të re pa konsumuar plotësisht të mëparshmen, madje edhe e kapërcen pa i takuar fare.
Është shumë “revolucionare”.
Me pak fjalë shoqëria shqiptare ndodhet përherë në gjendjen e një fëmije që nis të mësojë ecjen: bën një hap para, pastaj një të dytë.
Në të tretin bie.
Ptu, politika!
Gishti i akuzës për këtë situatë vazhdon të mbetet i ngritur kryesisht ndaj klasës politike dhe në tri dekadat e fundit në mënyrë ciklike kalon prej Sali Berishës tek Fatos Nano, nga Ilir Meta tek Edi Rama.
Pa kursyer sigurisht edhe shumicën e të tjerëve.
Kjo, deziluzioni ndaj politikanëve të pas Luftës së Ftohtë, është një dukuri e përhapur nëpër botë, përfshi edhe vendet me demokraci të zhvilluar. Alarmi për praninë në revansh të një grupi politik jo cilësor, pra jo të aftë të prijë hope të mëdha e shumë të nevojshme progresi, bie në sy deri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Trump e bëri shumë më problematike këtë dukuri.
Në Shqipëri gjithsesi fenomeni i mësipërm, pazotësia e politikës për të ndryshuar hovshëm dhe në mënyrë të sigurt vendin, jo vetëm është e dukshme, por shoqërohet edhe me një ndjenjë tjetër, e cila sidoqoftë mund të përmbahet: neverinë për individët që merren me të.
Të pohosh se merresh me politikë të rrethon menjëherë dyshim dhe mungesë respekti. Mirësjellja bëhet artificiale.
Këtë humbellë distance prej shumicës së popullit politikanët nuk e ndjejnë, sepse kontaktet me njerëzit i kryejnë nëpërmjet militantëve, mitingjeve me ta dhe për rrjedhojë vetëmaten si shumë popullorë nga duartrokitjet e një pakice.
Ata bëjnë edhe një llogari të çuditshme.
Në sondazhe, por më së shumti në rrjetet sociale, paraqitin numrat e ndjekësve të tyre. Ato jo rrallë janë në dhjetëra e në mos qindra mijëra.
Por ndërkohë nuk bëjnë të ditur shifrat e bashkëkombësve që jo vetëm nuk i mbështesin, por duke qenë kontingjente të rivalëve politikë, edhe i urrejnë.
Kjo do të thotë se përmasa e konsensusit të një politikani në popull nuk është ajo e fansave të tij, por rezultati që del duke zbritur prej këtij numri atë të mospëlqyesve, të kundërshtarëve.
Mund ta përfytyroni sa shifër e ulët është kjo!
Ndërkohë në rastin kur politikani synon të bëhet numri një i vendit, prej kësaj zbritjeje saktësuese dalin numra minus.
Në mungesën e simpatisë për ata që në Shqipëri merren me politikë nuk mungon edhe hamendja shpaguese për t’i ndëshkuar një ditë të gjithë ata të pas diktaturës, madje në mënyrën më shembullore.
Kjo e fundit mund të konsiderohet si situatë e rëndë dhe doemos që e ka një shkak: e ëndërruar dhe e dëshiruar normalisht nga të gjithë si prijëse e kalimit të vështirë nga diktatura enveriste në shoqërinë e lirë të pluralizmit e demokracisë, politika shqiptare papritmas u kishte dalë bashkëkombësve të saj si një munduese e re e tyre.
Nuk është pak për t’u revoltuar: ndryshimi thelbësor apo të paktën rigjenerimi i jetës sociale, shëndoshja e saj, nuk kishte ngjarë.
Zhvillimi i vërtetë dhe garantues ndodhet këtu e jo tek punishtet, fabrikat apo tregtoret e mëdha të konsumit masiv. Nuk gjendet as tek vargani i makinave private apo i numrit të telefonave celularë për person.
Gjërat kanë sipërfaqe, por rëndësi ka thelbi i tyre, i cili mund të jetë i anasjelltë me atë që duket ose qëllimisht të tregojnë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|