|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: PSE BERATIT I DUHET NJË BUST I AKAKI HORAVËS DHE I VIKTOR STRATOBËRDHËS
(Fragmenti 62 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Në 1971 fëmija jetim që luante përmendësh tërë filmin “Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë”, Skënder Mustafaj, tashmë mësues dhe veprimtar kulturor e shoqëror, u martua. Dasma u bë në shtëpinë ku ishte birësuar me shpirt: tek Zylyftar Veleshnja.
Ky i fundit, duke vijuar të mbante titullin e Heroit të Popullit, ndërroi jetë në 26 gusht 1977.
Ndihmës regjisori i filmit për Skënderbeun, Viktor Stratoberdha, u arrestua me akuzën “për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” dy vite më vonë nga jetëfikja e Veleshnjës, në maj 1979.
Nuk mund të bëjmë asnjë hipotezë se po të qe gjallë miku i Enver Hoxhës, rregjimi kishte të ngjarë ta ndalte dorën mbi ndihmës regjisorin e talentuar të filmit për Skënderbeun. Ndonjë rast i ngjashëm ndikimi pozitiv i Zylyftarit vështirë të përsëritej.
Asnjë prej filmave të prodhuar gjatë periudhës së “socializmit” nuk është persekutuar më shumë se ai për Gjergj Kastriotin. Mbi këtë masakër të verbër politike dhe ideologjike mund të bësh një film tjetër, për t’i shfaqur të dy bashkërisht, si seri e parë dhe seri e dytë.
Në dosjen hetimore të Viktor Stratobërdhës mes të tjerash ndodhen edhe këto shënime: “Pas 6 vjet e gjysmë studimesh në B. Sovjetik, në marsin e vitit 1955 kthehem në atdhe....Kur u ktheva u emërova me punë pranë Kinostudios si kino-regjisor. Fillova të bëja jetën e partisë e cila më dukej si e bezdisshme...
Sikundër kam thënë edhe në procesin e mëparshëm kur u muar vendimi për t’u larguar nga Tirana e për të ardhur në Berat ashtu siç isha i dëshpëruar u nisa për në Berat, i përjashtuar nga Partia, i ulur nga përgjegjësia, i vrarë shpirtërisht, i trembur.
Detyrë kryesore që i vura vetes ishte që të punoja mirë në detyrën e caktuar (përgjegjës kinemaje), të evitoja në maksimum shoqërinë me njerëzit dhe sidomos bisedat me karakter politik. Kisha gjithmonë bindjen se Kongresi i 3-të i Partisë që do të fillonte punimet mbas disa javësh, do të shikonte çështjen e konferencës së Tiranës dhe unë do të shkoja përsëri në Kinostudio.
Kjo nuk u bë....
Në fillim të vitit 1962 kur situata ishte shumë e nderë ku kishin plasur divergjencat parimore me Bashkimin Sovjetik, hiqem nga estrada dhe kaloj në prodhim. Edhe për mua kjo gjendje ishte shumë delikate e shumë e rëndë. Ishte e rëndë dhe delikate sepse: isha një njeri që kisha studiuar në BS dhe duhej të tregohesha shumë i matur në qëndrimin tim ndaj këtij vendi se çdo gjë mund të interpretohej si agjitacion pro atij vendi.
Duke kaluar në prodhim punë kjo që për mua si fillim ishte shumë i rëndë, nuk duhej të shkisja në asnjë moment dhe për asnjë çast në ndonjë pakënaqësi se një gjë e tillë ishte me pasoja. Kalimi në punën prodhuese më izoloj plotësisht nga shoqëria e mëparshme.
Isha beqar, mbeta fill i vetëm. Mbasi unë absolutisht nuk kisha asnjë shok…
Në fund të vitit 1971 merrem përsëri në Estradë. Puna ime në estradë gjatë këtyre viteve të fundit u vlerësua e mirë. Në karakteristikat e fundit që formuloi kolektivi dhe organizata e partisë midis fjalëve të mira që kish thuhej “… Gjatë katër vjetëve të punës të sh. Viktor drejtoria dhe organizata e Partisë s’ka patur asnjë shqetësim ideologjik”.
Megjithatë nga estrada ika në janar të vitit 1976. Heqja ishte rezultat i situatave të komplikuara ndërkombëtare, të cilat detyrimisht nxirrnin ashpërsimin e luftës së klasave…”
I arrestuar papritur në muajin maj 1979, ende pa dalë vera, Viktor Stratobërdha u dënua me tetë vite burgim.
Në 1988 qe i lirë, por i lënë mënjanë, i harruar se me cilësinë e ndihmës regjisorit të filmit “Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë” ishte një kontribues i veçantë jo thjesht për skenat e xhiruara në Shqipëri apo për propozimin dhe përzgjedhjet e aktorëve prej vendit tonë.
Mbi gjithçka: Viktor Stratobërdha u shndërrua në syrin dhe mendjen shqiptare të regjisorit kryesor sovjetik, Sergej Jutkeviçit. Sovjetizimi i filmit qe një rrezik real.
Që Berati zuri shumë vend në skenat e atij filmi të shquar mbetet meritë e padiskutueshme e Stratobërdhës. Ai i shtoi volum dhe cilësi historie ndërkombëtare biografisë së tij qytetare dymijë e katërqindvjeçare.
Jeta prej artisti kombëtarist e vijoi ikjen e pamerituar dhe fatale nga kujtesa e njerësve të thjeshtë të Shqipërisë, popullit të saj. Në 1991 Viktor Stratobërdha emigroi në Greqi e më pas në Kanada. Refugjat pati qenë edhe në mëmëdheun e vet.
Këtu, në vendin e largët të Kanadasë, pushoi zemra e tij, ndërsa qe 75 vjeç, në 31 maj 2000.
Kur ishte i ri Viktor Stratoberdha e pati pasur ëndërr të vdiste në këtë vit të shënuar si mijëvjeçar i ri. Qe e vetmja dëshirë që iu plotësua siç e deshi.
Ndërkaq aktori gjeorgjian që mishëroi në mënyrë të përkryer si kurrkush tjetër figurën e kryeheroit tonë kombëtar, ndërroi jetë në motin 1972, kur dikur ndihmësin e tij të parë për filmin e Skënderbeut, pas një periudhe dënimi politik me punë në prodhim, e kishin risjellë përkohësisht në drejtimin artistik të estradës profesioniste të Beratit.
Akaki Horava ndërroi jetë pasi kishte lënguar për tetë vjet nga tumori limfatik. Shumë kohë më parë i kishte vdekur, duke i hapur një plagë të madhe për tërë jetën, në moshë fare të vogël, i biri i vetëm.
Studiuesi Adrian Brisku ka shkruar se në një dokumentar televiziv të kanalit publik gjeorgjian, “Pirveli arhi”, i transmetuar në vitet 2000, është thënë se roli i Skënderbeut ishte “roli i tij më i preferuar”.
Të mos harrojmë se Akaki Horava ka qenë i famshëm mes popullit të vet për interpretimin e rolit shekspirian të Otellos.
Por “Pirveli archi” dy dekada më parë nguli këmbë se “Për shikuesit shqiptarë Horava u bë fytyra e vërtetë e Skënderbeut...”
Pas vitit 1961 Horava si edhe tërë aktorët sovjetikë që luajtën te “Skënderbeu” do të humbnin çdo kontakt me Shqipërinë. Por do t’u mbetej në kujtesë veçanërisht moti 1954. Ky vit ishte shkëlqim i mirënjohjes së Tiranës zyrtare. Akaki Horavës iu dha në 8 mars nga Presidiumi Kombëtar i Republikës Popullore të Shqipërisë, me president Haxhi Lleshin, “Urdhri i Lirisë” i Shkallës së Parë.
Në tekstin e përkthyer edhe në rusisht thuhej: “Për punën krijuese, dhe aktrimin e rrallë të rolit të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, në filmit artistik ‘Skënderbeu’ dhe me meritë të madhe përpara kombit e atdheut tonë, përjetësove me mjeshtëri të madhe artistike një nga imazhet me të lavdishme të historisë sonë kombëtare”.
I emocionuar Horava u drejtoi një letër “Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Pohonte në të se Gjergj Kastrioti qe një “hero legjendar, patriot i madh, shtetbërës i mençur, luftëtar i shquar dhe biri me i madhërishëm i popullit shqiptar”.
Akaki Horava theksonte ndërkohë se i kishte mbetur i paharruar në kujtesë qëndrimi në Shqipëri, shumë respekt pati krijuar për njerëzit aty, si dhe për historinë e vendit.
Horava do të kujtonte një gjest shumë të sjellshëm të vendasve: duke qenë se gjatë xhirimeve të filmit në Shqipëri lëvizte nga një qytet në tjetrin dhe në hotel nuk e kapte dot rregullisht radio “Tbilisin”, kolegët e Radio Tiranës në mbrëmje futën në stacionin e tyre muzikë gjeorgjiane.
Për tërë ditë e qëndrimit të tij në Shqipëri.
Sipas historianit Adrian Brisku, Akaki Horava në shpërblim kreu një gjest shumë mbresëlënës. Gjatë kohës së xhirimit ai dalloi një bimë që rritej edhe në Gjeorgji. Quhej ekalla. Gjeogjianët e gatuajnë me erëza, arra të shkërmoqura, uthull e hudhra.
Horava këtë gjellë e gatoi gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri dhe kolegët shqiptarë të filmit “Skënderbeu” i vunë emrin miqësor e të gëzueshëm: “Pjata e Horavës”.
Sikur në Berat, po e hamendësojmë, të kishte edhe dy buste, atë të regjisorit dhe ndihmës regjisorit të filmit “Skënderbeu”, Akaki Horavës dhe Viktor Stratobërdhës, a nuk do të qe një mënyrë për ta rikthyer në kujtesën e qytetit ngjarjen e jashtëzakonshme të xhirimeve?
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|