Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: DISA KURRË TË PATHËNA PËRSE NUK U HODH NË ERË NGA GJERMANËT URA E GORICËS


(Fragmenti 40 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
.
Për sa partizani Naxhi Zhupa pa nga Droboniku trupat gjermane, të ndihmuara edhe nga disa tanke të ardhura prej bazës së tyre kryesore në Kuçovë, e lanë qytetin para mesditës dhe për sa vëzhgoi, edhe pse të sigurta në veprime nuk ishin të qeta.
Më pak se një ditë më parè, në ndëshkim të një sulmi që u bëri nga shumë afër në këtë territor një njësit partizan, ata i vunë flakën banesave të poshtme të lagjes së Goricës dhe zjarri pak nga pak kaloi shtëpi më shtëpi, duke përvëluar gjithçka.
Kur pjesa e mbetur e Brigadës së Tetë zbriti rrugën nacionale nga kodra e Drobonikut dhe kaloi urën për të hyrë në qytet (dielli ende nuk kish perënduar) banesat akoma nxirrnin tym dhe në mjaft prej tyre çatitë qenë shëmbur.
Siç ndodhi në Kuçovë, gjithnjè sipas partizanit Zhupa, autor korekt librash dhe shkrimesh historikë, ka ngjarë edhe në Berat: veprimet e shpejta të njësive të LNÇl kanë dekurajuar minimet e mëtejshme gjermane.
Ndërkohë në misteret e mos hedhjes në erë të Urës së Goricës, edhe pse ajo qe me eksploziv të montuar që muaj më parë dhe mjaftonte vetëm ndezja e fitilit, është edhe një histori tjetër, e mbajtur e censuruar përgjatë tërë periudhës së para vitit nëntëdhjetë.
Këtë e ka bërë të ditur nacionalisti Xhafer Sadiku, edhe ky autor librash e shkrimesh historikisht korektë.
Në 19 shkurt 2014 ai ka shkruar se “Qysh në fillim të marsit të vitit 1944, forcat partizane iu afruan Beratit dhe provuan disa herë për ta marrë qytetin. Në datat 27 e 28 mars reparte të Brigadës së Shtatë sulmuan trupat gjermane, por u tërhoqën pasi lanë katër të vrarë e gjashtë të plagosur. Disfatë pësuan edhe sulmet e ndërmarra në datat 9 e 21 prill, si dhe në muajin maj të atij viti”.
“Në fillim të muajit shtator 1944, vijon Sadiku, forcat partizane ishin afruar qytetit dhe në datën 7 hynë në lagjet e jashtme të tij, por nga kundërsulmi i forcave gjermane u detyruan të tërhiqen në rrethinat e Beratit. Edhe pse forcat gjermane të instaluara në Berat ishin të pakta në numër, partizanët e kishin të vështirë përballë tyre”.
Më tej: “Duke e ndjerë presionin e ushtruar nga sulmet e forcave partizane mbi qytet, gjermanët kishin deklaruar se ‟do ta shkatërrojnë këtë (qytetin,- shënimi im,- Xh. S.) dhe do të masakrojnë popullin”.
Pasiguria po rritej çdo ditë, ndërsa popullsia u lutej forcave partizane të mos sulmonin qytetin ‟deri sa trupat gjermane t’a zbrazin atë.
Të ndodhur midis dy zjarresh, banorët e trembur filluan të braktisnin qytetin, ndërsa të rinj e të reja largoheshin për në rrethina, e aty përfshiheshin në radhët e Brigadës së XVI që ishte formuar ato ditë. Dështimet e aksioneve të zhvilluara deri atëherë i kishin bërë krerët e forcave partizane të humbisnin besimin”.
Xhafer Sadiku e vazhdon kështu interpretimin e tij: “Për të çliruar qytetin u vu në jetë një plan i veçantë në llojin e vet, i hartuar nga Komanda e Xhandarmërisë së qarkut Berat.
Zëvendëskomandanti i Qarkut të Beratit, Ali Shehu, i shoqëruar nga Petraq Tusha, një ish kapiten i Fanterisë dhe njëri ndër kuadrot e Brigadës XVI partizane, hynë fshehurazi në Berat dhe u takuan me krerë të xhandarmërisë.
Sipas informacioneve që kishte Shtabi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Beratit, sjelljet e oficerëve të xhandarmërisë së qarkut të Beratit ishin korrekte dhe shërbimi në mbrojtje të popullsisë civile në lartësinë e detyrës.
Në raportet e saj celula e partisë komuniste e Beratit i kishte informuar se ‟oficerët janë sjellë mirë, nuk kanë bërë asnjë krim, nuk kanë rjepur, e nuk kanë çnderuar”. Të njëjtin vlerësim bënte edhe për xhandarët, sjellja e tyre me popullin ishte e mirë, madje theksohej se ‟ata nuk kanë bërë ndonjë keqbërje kundër popullsisë”.
Si njohës të mirë të operacioneve luftarake, duke pasur edhe informacion shumë të saktë për forcat gjermane, krerët e xhandarmërisë në Berat, brenda natës, përpiluan një plan prej katër pikash për çlirimin e qytetit.
Realizimi i operacionit synonte në radhë të parë të shpëtohej qyteti nga shkatërrimi që kishin planifikuar të bënin gjermanët gjatë tërheqjes dhe të mbrohej popullsia nga ndonjë hakmarrje e tyre. Krerët e xhandarmërisë ishin vënë në dijeni nga komandanti gjerman, se trupat gjermane do të largoheshin dhe se ai priste vetëm urdhrin për zbrazjen e qytetit. Po ashtu, kishin të dhëna të sakta se pothuajse i gjithë materiali i tyre ishte tërhequr nga Berati për në Kuçovë, ndërsa nga ai qytet ushtarët gjermanë kishin hequr 14 topa të kalibrit të madh. Në kazermat e Beratit nuk kishte më shumë se 130 gjermanë dhe 6 tanke”.
Në një paragraf tjetër të rrëfimit të Xhafer Sadikut thuhet: “Plani i detajuar nga oficerët e xhandarmërisë iu dërgua Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-çlirimtare më 6 shtator 1944, nga Kapinova, prej zëvendës-komandantit të qarkut të Beratit, Ali Shehu. Ai i raportonte Shtabit të Përgjithshëm se u bisedua rreth situatës ushtarake në përfundim ata deklaruan:
A)-E gjykojnë të arsyeshme që të dy ata bashkë me gjithë fuqitë e tyre të qëndrojnë në Berat për mbrojtjen e qytetit nga gjermanët, për të mbajtur rregullin dhe për të mos alarmuar popullsinë.
B)-Ata propozojnë që të rrinë gati duke ruajtur pozicionet strategjike të qytetit dhe të jenë gati të hyjnë në luftë në momentin e fundit me urdhër të Shtabit Madhor, duke kordinuar veprimet e tyre me ato të ushtrisë tonë.
C)-Në rast se Shtabi Madhor ka vendosur marrjen me çdo kusht të qytetit, ata propozojnë që mësymja të bëhet nga ana e Kuçovës, për të cilën ata po përgatisin një skicë të vendosjes së trupave gjermane, armatimet dhe fortifikatat, skicë e përpiluar me kujdes e saktësi dhe që do të dërgohet nesër me postë prej një shoku që kam lënë unë atje. Ata thonë, sipas thënieve të vetë komandantit gjerman, se duke pushtuar fushën e aviacionit, gjermanët që ndodhen në Berat mbeten të rrethuar.
Ç)-Në rast se Shtabi i Përgjithshëm nuk i gjen të arsyshme propozimet e paragrafeve A,B,C, ata janë gati me gjithë fuqitë e tyre të hidhen në rradhët tona”.
Shkruan Xhafer Sadiku: “Për çlirimin e Beratit u zbatua pika C e planit”.
Shtojmë: Urdhri i luftimit i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin e Beratit dhe të Kuçovës, i firmosur nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu dhe që mban numrin 306, mban datën 9 shtator. Kjo do të thotë jo kur nisi sulmi real ndaj qytetit, 6 shtator, por vetëm pasi u bë marrëveshja mes partizanëve të Partisë Komuniste Shqiptare dhe xhandarmërisë së Qeverisë nën pushtimin gjerman.
Shtojmë po ashtu se komanduesi i xhandarmërisë në Berat, kapiteni i Klasit të Parë Pjetër Gurakuqi, me gjimnaz të krye në Beograd, Akademi Ushtarake në Romë dhe kurs specializimi për karabinieri në Firence, në vitin 1932 i emëruar në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit, pas vitit 1939 komandant i Rrethit të Jashtëm të Tiranës, i caktuar në motin 1944 në Berat, i rikthyer sërish në Tiranë në Shkollën e Gjendarmërisë, në fund të vitit mori një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI.
Ky i kërkonte të shkonte sërish në qytetin e Beratit. Pjetri shkoi menjëherë dhe qëndroi deri në largimin e gjermanëve.
Në rrethana të tilla të zhvillimit të ngjarjeve përse të mos hamëndësojmë se merita e mos hedhjes në erë e Urës së Goricës, këtij margaritari të krejt gadishullit ballkanik, të ndahet mes të dy palëve?


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com