|
QYTETI PRANË QIELLIT: NGA GJERMANËT NË TËRHEQJE 14 URA TË HEDHURA NE ERË, POR AJO E GORICËS JO.
(Fragmenti 39 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Fakti që në mars 1944 kjo urë u minua nga gjermanët dëshmon se jo vetëm xhandarmëria shqiptare nuk kishte fuqi ta ruante vërtet këtë vlerë të madhe muzeale, por edhe arterie e rëndësishme komunikimi brenda qytetit dhe jashtë tij, por edhe se komanda lokale pushtuese, gjermane, nuk kishte aspak prirjen për respektimin e objekteve të vjetra historikë të Beratit.
Duke qenë se ishin ushtarakë, kuptohet që në fund të fundit prej kësaj ure mund të depërtonin jo vetëm në qytet por edhe me drejtim Tiranën forca të mëdha të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të ardhura prej zonash, ku bazonin gjerësisht si në afërsi krahina e Shpiragut dhe përtej Mallakastra, apo në largësi ajo e Përmet-Këlcyrë-Tërpanit.
Për aq sa janë parë arkivat ushtarake gjermane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë, para nëntëdhjetës dhe po ashtu pas saj, përfshi ky kërkim edhe prej historianit të specializuar me to, Marenglen Kasmit, deri tani nuk gjendet asnjë dokument, i cili të mund, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, të shpjegojë një arsye pse nuk u aktivizua dinamiti tek dy gropat e posaçme të hapura sekretisht e të mbuluara tek Ura e Goricës në Berat.
Duke qenë se çlirimi i Shqipërisë (i Greqisë po ashtu, i Jugosllavisë etj) u bë përgjatë dinamikës së tërheqjes së armatës hitleriane, për të penguar kundërshtarët dhe ngadalësuar lëvizjen e tyre në ndjekje, si parim ushtarak i domosdoshëm ishte edhe hedhja në erë e urave që ata linin pas.
Në Shqipëri nga 16 apo 17 të tilla, para se të largoheshin ata hodhën në erë 14 prej tyre, ose në një farë mënyre pothuaj tërë strukturën ekzistuese.
Ndërsa iknin nga Berati në 13 shtator 1944 dhe nga Kuçova në 17 tetor të po këtij viti, gjermanët shkatërruan me eksploziv Urën e Hasan Beut dhe atë të Kuçit, që të dyja të vlerësuara si me shumë rrezik po të liheshin në këmbë.
Qenë ura të mira, me dy-tri harqe, gjatë kohës së monarkisë zogiste të mirëmbajtura me konçension nga një shoqëri austriake.
Duhet shtuar se në arsyet ushtarake përse Ura e Hasan Beut u hodh në erë, ishte edhe fakti se në këtë territor me rëndësi të madhe strategjike gjatë pushtimit (ndodheshin burimet naftëmbajtëse të Kuçovës), ishte edhe edhe aeroporti luftarak. Për këtë shkak edhe ai, duke nisur prej 14 shtatorit, marrjes së Beratit nga partizanët, i tëri, pistë dhe mjedise ndihmëse, u hodhën në erë.
Megjithatë çuditërisht ata nuk ja dolën dot ta bënin këtë gjë me instalimet e naftës. Siç në kujtimet e tij tregon punëtori italian Armaldo Kançani (Arnaldo Canciani), Karvani me gjermanë e lanë Kuçovën në mëngjesin e 17 tetorit 1944; vetëm dy ushtarë ishin në një motorçikletë që do të shkatërronin gjithë makineritë, duke shpërthyer eksplozivet e vendosura më parë. Pa pësuar asnjë rrezik, një ndërhyrje rrufe në kohë e partizanëve e shmangu këtë shkatërrim të panevojshëm. Në orën gjashtë pasdite zbritën nga kodra disa qindra, si karkalecat, këta heronj të guerrilasve. Ata u pritën mirë nga të gjithë popullsia, madje edhe nga ana jonë.
Sipas partizanit shqiptar Naxhi Zhupa dhe dy bisedave të bëra me të në fillim të shtatorit 2018, Brigada e Tetë, ku bënte pjesë, u vendos në kodrën e fshatit Drobonik dhe prej andej Berati dhe tërë lëvizjet në të, përfshi edhe çfarë ndodhte në Urën e Goricës, shiheshin si në pëllëmbë të dorës. Duke qenë se brigada mbërriti në Drobonik sapo kishte dalë dielli i 13 shtatorit, një batalion i saj i zbriti kodrës me vërtik, kaloi me shpejtësi lumin dhe sulmoi qytetin drejt godinave ku gjendeshin trupat gjermane.
Sipas Naxhi Zhupës, në Berat ndeshjet me gjermanët patën filluar shumë orë më parë nga mëngjesi i 13 shtatorit 1944, veçanërisht nëpërmjet sulmeve të dy batalioneve të Brigadës së Shtatë dhe të forcave të shumta të Grupit të Skraparit. Kjo situatë atë paradite të 13 shtatorit i nguti gjermanët në veprime. Partizanët dukeshin numerikisht me epërsi të dukshme.
Sipas historianit Marenglen Kasmi dhe dokumenteve origjinale të Wermacht-it që ka marrë në Arkivin e Berlinit, para datës 17 nëntor 1943 në Berat qe vendosur batalioni 118 i artilerisë, kurse pas kësaj dite batalioni i 3-të i regjimenti të artilerisë 83 (rreth 350 ushtarë), bateria I-rë e batalionit të artilerisë 602 (rreth 140 ushtarë), një kompani e përforcuar e regjimentit 54 të këmbësorisë së lehtë (me afro 150 ushtarë).
Gjithnjë sipas Kasmit, në Kuçovë prej shtatorit 1943 qe dislokuar kompania e 6-të e regjimentit 54, me rreth 120-130 ushtarë.
Kjo, prania e rreth 750 gjermanëve, edhe pse e shkruar prej vetë komandave të tyre luftarake, nuk garanton dot saktësinë sa trupa kishin në Berat, në kazermat e Uznovës dhe sa në Kuçovë. Në qytetin e naftës duhej të kishin më shumë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|