|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: APOSTULLI PJETËR KA QENË NË TOMOR DHE NË BERAT
(Fragmenti 20i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Gazetari, por edhe historiani i shkëlqyer italian, Indro Montanelli, njohës i Shqipërisë sepse jetoi për pak kohë këtu (në periudhën e qeverisjes zogiste e kishte të jatin inspektor të rëndësishëm në Ministrinë e Arsimit), në librin e tij brilant “Albania una e mille” (“Shqipëria-Njëmijë e Një)”, botuar në 1939, duke bërë komplimentet më të mira për qytetin e Beratit, për banorët e tij thekson: “Njerëzit e Beratit bëjnë veç dy gjëra në jetën tokësore: punojnë dhe luten. Luten që të mund të punojnë edhe në jetën qiellore”.
Kur e kam lexuar këtë për herë të parë, por edhe më pas kur kjo ide e Montanelit më ka dalë përpara, kam qenë i bindur se ai këtë e kish një mënyrë për të shprehur ngarkesën e lartë fetare, pasionin e fortë të besimit dhe intensitetin e faltoreve të Beratit.
Sepse ky qytet është “i mbjellë” me të tilla.
Ngjan me një Jeruzalem. Është mirëfilli Qytet i Shenjtë. E meriton këtë titull, edhe pse ende nuk e mban.
Në Shqipëri, madje në të gjitha trojet tona etnike nuk ka qytet tjetër me kaq shumë faltore. Prej kësaj dëshire, të shndërruar në psikozë, kemi shkuar deri në një legjendë: sikur në Kala, pra në qytetin e vjetër, kanë funksionuar dyzetë kisha.
U desh një punë tepër shkencore e studiuesve Genc Samimi dhe Dritan Çoku që në librin e tyre me këtë temë të provojnë se ky numër ishte më i vogël.
Shifra e tyre?
Gjithsej 22 kisha dhe vende të shënjta, në raportin 16 me 6.
Prej 16 kishave vetëm 12 janë të plota, të tjerat në gjendje rënimi.
Por megjithë saktësimin e nevojshëm, zvogëlimin në parim, ky numër faltoresh të krishtera nuk është pak. Sepse në kështjellë janë edhe mbetjet e dy xhamive: e Kuqja dhe e Bardha.
Ndërkohë na duhet të shtojmë faltoret e krishtera në qytetin mesjetar, atë poshtë mureve të Kalasë. Po ashtu xhamitë e shumta këtu. Rreth 30 të tilla numëronte Evlija Çelebiu në shënimet e veta të udhëtimit rreth viteve 1672-1673.
Ndërkaq Dritan Çoku dhe kolegu i tij i ditur Samimi ngulin këmbë që “në kalanë e Beratit në periudhën antike duhet të ketë pasur një tempull, pasi elementë ndërtimi të të cilit janë gjetur edhe më vonë”.
Periudhë të krishterë romake (katolike, siç mund t’i themi tani) të dy studiuesit hë për hë nuk paraqitin. Krishtërimi në Berat dhe rrethinat e tij ka qenë bizantin, këmbëngulin tërthorazi.
Studiuesi i specializuar për këtë temë Andrea Llukani në librin e tij mjaft të hollësishëm e plot argumente “Krishtërimi në Shqipëri”, në kapitulin “Krishtërimi në Iliri” mes të tjerash shkruan se ai “i ka fillimet nga vitet apostolike, d.m.th. që në shekullin e parë pas Krishtit”.
Dhe saktëson: “Gjatë udhëtimit të tretë misionar, që e filloi në pranverën e vitit 53 dhe e përfundoi në verën e vitit 56, apostull Pavli qëndroi dy vjet e gjysmë në Efes, prej ku u detyrua të largohej pas një kryengritjeje të paganëve....Rrëmuja e krijuar në Efes e detyroi apostull Pavlin të shkonte në Maqedoni dhe prej andej në Iliri...Koha e gjatë e qëndrimit në Maqedoni na shtyn të mendojmë se Pavli ka predikuar krishterimin në brendësi të Ilirisë”.
Sipas Llukanit, apostulli Pavel gjatë udhëtimit nëpër Iliri ka ndjekur rrugën Egnatia dhe ka ndalur në Durrës. Prani të tij në brendësi të Ilirisë, referuar edhe të diturve të tjerë shqiptarë si Faik Konica, nuk është as konstatuar dhe as provuar.
Po përse të mos mendojmë se në viset e Ilirisë së brendshme, saktësisht edhe në Berat, ka qenë një apostull tjetër, shumë fort i zëshëm në historinë e Krishtërimit: Pjetri.
Paraqitet në një prej punimeve antologjike të Çlirim Muklit edhe kjo gojëdhënë: “Afër njëqind vjet të shkuara Thanas Paftali përjetësonte më shkrim një rrëfenjë sipas së cilës Shën Pjetri, pasi kaloi dhe predikoi krishtërimin në Selanik, udhëtoi edhe në Iliri ku u ndal në Berat (Antipatrea) dhe predikoi tek vendi që ndodhej mbi Mullirin e Pashait. Ky vend, mulliri mbi të cilin u ndërtua gjatë sundimit osman, do të quhej në popull Namasgja, fjalë turke që në shqip ka kuptimin vend faljeje. Aty, në anë të një sheshi, gjendej deri vonë një shkallare, sipër së cilës ishin dy shtylla guri, ndërsa mbi to kishte një kube. Duke u shtuar këtyre edhe një pjesë tjetër si oxhak shtëpie, krijohej ajo që duhej të ishte faltorja. Mbi shkallare ngjitej predikuesi, ndërsa më poshtë ishte vendi i faljes. Tri-katër shkallët e poshtme të kësaj shkallareje ishin shumë të vjetra. Në popull besohej se në ato shkallë qëndroi dhe predikoi Shën Pjetri në Berat”.
Ndërkohë gjeografia e malit të Tomorit, rrugëkalimi kontinental, ka një gjurmë të plotë e shumë bindëse të pranisë së Shën Pjetrit. Sepse në rast se ka qenë në faltoren e tij në Berat, ai pa tjetër ka kaluar nëpër udhën ndërkombëtare. Madje ka ardhur prej atij drejtimi.
E kam parë sheshin e Shën Pjetrit, siç thirret pa iu ndërruar emri kurrë, me sytë e mi në mesditën e 27 nëntorit 2011, tek iu ngjita posaçërisht malit magjik, i shoqëruar me tre miq që e njihnin pëllëmbë për pëllëmbë.
Kishte në atë shesh, si të qe qilim, bar të freskët dhe pak më tej, përreth, pisha të gjelbëruara.
Aty nuk ndodhte ndërrim stinësh.
Gjithçka dukej si e përjetshme.
Nuk mungonin edhe shenjat e qarta të një ish-vendbanimi ndërmjetës, ndoshta sa për pushimin e karvaneve dhe të udhëtarëve, patjetër edhe të ushtrive. Pak më tej, në të tatëpjetë, ndodhej vendi me emrin Qyteza.
E bëjmë të spikatur këtë fakt jo sepse është vendimtar në këmbënguljen e malit (Fron Perëndish) të Tomorit për të parë drejt Vatikanit, krishtërimit perëndimor, por edhe për të kuptuar se periudha e tij bizantine, në thelb shkëlqimtare për fatin e këtij besimi dhe përfaqësuese e vetme e Krishtërimit në Berat, nuk e përjashtoi kurrë Romën.
Ka një histori raportesh të këtij mali edhe me sinjalin e televizionit italian RAI gjatë periudhës së mbyllur të komunizmit. Ta dini si e përforconte ky dhe ua përcillte banorëve?
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|